NJË VËSHTRIM I MUNGUAR PËR PROZËN E KADARESË

Prof. dr. Shaban Sinani





Punimi monografik me titull “Proza e Kadaresë: vështrim psikanalitik” i Ornela Domit si platformë dhe strukturë studimi i është paraqitur fillimisht për miratim departamentit të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë dhe ka marrë pëlqimin e tij si projekt i një teze studimore pasuniversitare.
Mendime kalimtare për ndikime të psikanalizës në paraqitjen dhe përligjjen e sjelljeve të karaktereve dhe përgjithësisht në ndërtimin e situatave në prozën e Kadaresë janë shprehur edhe në periudha të mëhershme. Një prej tyre, studimi i A. Pipës “Subversion vs. conformism: The Kadare Phenomenon”, botuar së pari në revistën “Telos” (1987-1988), përmban një analizë terminologjikisht profesionale për praninë e psikanalizës në romanin “Kronikë në gur“. Në një pjesë të kritikave të fshehta që janë ruajtur në arkiva dhe që janë botuar në librin “Një dosje për Kadarenë“, në formën e recensioneve, relacioneve dhe oponencave për vepra të Kadaresë gjithashtu ka vëzhgime dhe gjykime me vend për këtë problem, pavarësisht se qëllimi i autorëve të tyre ka qenë tjetër (vigjilenca ideologjike, ndalimi i botimit, ndalimi i qarkullimit të veprës). Ka vlerësime e gjykime të tilla prej specialistësh të letërsisë veçmas për romanet “Kush e solli Doruntinën“, “Nata me hënë“, “Dimri i vetmisë së madhe“ dhe të tjera vepra në prozë. Por këto vlerësime dhe njoftime, që bëjnë të ditur kryesisht praninë e vështrimit frojdist të jetës dhe vdekjes, ose konfliktet midis brezave, si çaste ndikimi të fshehur në veprën e I. Kadaresë, janë fragmentare.
Në studimin e Ornela Domit proza e Kadaresë për herë të parë trajtohet në një vështrim të tillë dhe me një sjellje metodologjike psikanalitike dhe pjesërisht psikokritike. Një lexim psikanalitik i kësaj vepre, një interpretim mbështetur në pikëpamjet teorike-filozofike të Frojdit dhe të neofrojdistëve (veçmas të teorisë së egos dhe superegos të neopsikanalistit Jacques Lacan), ka munguar në studimet letrare të vendit. Po dhe në studimet e autorëve të huaj (J. Cox, D. Bellos, E. Faye) ka vetëm ndalesa fare të përkohshme në trajtimin psikanalitik të kësaj vepre. Në studimet e autorëve perëndimorë shpesh kërkimi për të panjohurën ka shkuar deri tek kumtet e fshehta që shkrimtari ndante e bashkonte me një lexues tjetër, që nuk ishte i vendit të tij, që nuk lexonte me kufizim ideologjik, por mund të ndërfutej në një realitet shqiptar të sekretuar. Prandaj mund të thuhet se ky studim është i pari që synon të veçojë si objekt studimi mundësinë e një leximi dhe interpretimi frojdist e neofrojdist të veprës së I. Kadaresë, kryesisht të asaj pjese të prozës së tij që është e kushtëzuar prej kompleksesh njerëzore, prej ndikimit të kumteve të kriptuar të miteve dhe mitologjisë dhe natyrisht prej vetë biografisë së shkrimtarit, sidomos fëmijërisë e rishtarisë në moshën e pjekur.
Studimi, në këtë kuptim, ka meritën që paraqitet me një objekt të përkufizuar, ka një metodologji terminologjikisht të paracaktuar, ka një strukturë të shëndetshme shkencore dhe një bibliografi të pasur teorike. Ai plotëson kushtet e një punimi monografik dhe parashikon mundësi shtjellimi të mëtejshëm në punime të ardhshme, nga autorja vetë dhe studiues të tjerë.
Gjatë përgatitjes së punimit autorja ka provuar njohje të disaanshme të veprës së I. Kadaresë dhe të studimeve të botuara rreth saj; njohje të koncepteve terminologjike të metodës psikanalitike dhe të asaj psikokritike përgjithësisht në letërsi; njohje të autorëve më të rëndësishëm që shtjelluan së pari dhe modernizuan në vijimësi këtë metodë (e zbatueshme jo vetëm për letërsinë por dhe në lëvizje të tjera të mendimit njerëzor) duke u përqendruar tek psikanaliza e ditëve të sotme, e përfaqësuar prej koncepteve teorike të Jacques Lacan për “egon“ dhe “superegon“, për “idin“ dhe “unin“, në veprat e tij: “The mirror stage”, “I quatro concetti fondamentali della psicoanalisi”, “L’io nella teoria di Freud e nella critica della psicoanalisi”, “L’istanza della lettera dell’inconscio o la ragione dopo Freud“ (titujt citohen sipas gjuhës/përkthimit që autorja i ka shfrytëzuar).
Ornela Domi dëshmon me këtë punim zotësinë për të kryer punë kërkimore të pavarur, për të pajtuar metodën me qëllimin, për të harmonizuar burimet e lëndës me ato teorike, si dhe për të zhvilluar tezat e veta me pavarësi mendimi. Kjo shprehet edhe në mbrojtjen me insistencë të mendimeve dhe pohimeve pjesërisht të provuara ose të provueshme. Në këtë kuptim, si punë e parë, kjo mikrotezë mbetet e hapur për diskutim të mëtejmë shkencor dhe kjo përbën një prej vlerave bazë të saj.
Autorja e punimit është gjendur para vështirësisë së një pune rishtare. Si e tillë, kjo punë nuk mund të dilte njëherit prej diskutimit të termave në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë. Në përgjithësi në studim termat e shkencës psikanalitike dhe psikokritike përdoren në kuptim të gjerë. Në studim autorja ka synuar të interpretojë përmes analizës psiko-frojdiste e lakaniane shumë vepra të I. Kadaresë, duke u nisur edhe thjesht nga prania formale e nocioneve bazë të teorive të tyre: e ëndrrës, kthimit në të shkuarën, jetës vetjake, psikozave, komplekseve, instikteve, vdekjes, krimit, egërsisë, tabusë në përgjithësi. Kjo ka sjellë të mirën, që ka zgjeruar mjaft objektin e kërkimit, por ndërkaq autorja i ka lënë hapur rrugën e punë vetes për një vështrim më kritik në të ardhmen, për të ndarë ç’është mirëfilli psikanalitike dhe ç’është e tillë vetëm në të parë, sepse, sikurse dihet, jo gjithçka që ka lidhje me biografinë, me ëndërrimet e fëmijërisë e të rinisë, me dominimin e sjelljeve prej komplekseve të përhershme apo kalimtare, është doemos psikanalitike. Biografia, për shembull, ka qenë dhe mbetet një përbërëse themelore e krijimit në të gjitha kohërat, një shtysë parësore për krijimtari, sepse, përderisa letërsia është shprehje e një gjendjeje të lartë shpirtërore, jeta vetjake e shkrimtarit nxit krijimtarinë. Kjo ka ndodhur gjithnjë, prej Safos e Ovidit deri tek letërsia europiane bashkëkohore, pavarësisht se psikanaliza si shkencë dhe si metodë lindi në shekullin e 20-të, me S. Freud-in dhe pasuesit e tij drejtvizorë ose me shmangie risuese, si E. From, G. Jung dhe së fundi J. Lacan, idetë dhe konceptet e të cilit përbëjnë bazën teorike të studimit. Po aq e sigurt është që jo çdo prani e ëndrrës (duke përfshirë “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”), apo e seksualitetit (hetero dhe homoseksualitetit, të seksualitetit të kohshëm e të parakohshëm - “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazerkut“, “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nemuna“), e seksualitetit të pakryer (“Hija - shënime të një kineasti të dështuar“, “Aksidenti“), e incestit (“Kush e solli Doruntinën“), e virgjinitetit (“Nata me hënë“), e trashëgimit të kumtit të jetës (“Prilli i thyer“) dhe e çështjes së kurorës (“Pasardhësi“, “Vajza e Agamemnonit“), e psikozave masive dhe e kompleksve etnike (“Viti i mbrapshtë“), e vdekjes (“thanatos”), e tmerrit prej ndëshkimit dhe e katarsisit (“Pashallëqet e mëdha“), e krimit, e refuzimit të një brezi prej tjetrit dhe e armiqësisë me prindërit, është doemos shpallje e ndikimit të letërsisë së Kadaresë prej frojdizmit, neofrojdizmit, Lacan-it dhe të tjerëve. Në kohën që njeriu egjiptian shkroi afro katër mijë vjet më parë “Ah, ky brezi i ri!“, që konsiderohet edhe sot një prej kumteve më referencialë në papirus, as që i shkonte në mendje se në shekullin e 20-të të kohës tjetër një filozof do të shpjegonte raportet midis brezave me komplekse psikanalitike që përsëriten me një rregullsi të ligjshme te të gjithë popujt dhe në të gjitha kohërat. Ngjashmëria formale e këtij refuzimi mijëravjeçar me refuzimin e broadway’s-ëve në romanin “Dimri i vetmisë së madhe“: “Nëse e doni aq shumë stafetën, mbajeni, ne nuk e duam“, dhe e të dyjave me mospajtimet për motive irracionale psikanalitike midis brezave, nuk është e thënë të dëshmojë detyrimisht praninë e një ndikimi të tillë.
Përgjithësisht vepra e Kadaresë paraqitet e tipit që ndikon dhe jo që ndikohet. Kjo do të thotë se autorja e studimit ka nisur një rrugë të gjatë studimi, në të përshkuar të së cilës do t’i dalë detyra për ta saktësuar praninë e frojdizmit dhe të neofrojdizimit në veprën e I. Kadaresë, që, me sa duket, do të çonte në një rrudhje të pashmangshme të objektit. Në këtë proces do ndarë pastaj ç’është psikanalitike për shkak të një përftimi të arsyetuar prej autorit dhe ç’është e tillë sepse vetë shkrimtari, si çdo qenie tjetër, mund të jetë jo i vetëdijshëm për motivimin e veprimit të karaktereve. Kjo pjesë e dytë, që mund të quhet “ajo që autorit i del nga duart, i rrëshqet nga mendja dhe mendimi kontrollues“, përbën praninë e psikanalizës së vërtetë dhe shpesh e çon deri në pikën më të lartë gjeninë krijuese të shkrimtarit. Duke ndjekur këtë rrugë ndoshta në një fazë të ardhshme studiueses do t‘i mbeteshin si objekt i ngushtë kërkimi kryesisht dhe para së gjithash ato vepra ku autori çkodifikon kumte të fshehta të miteve, të cilët janë të tillë pikërisht përse vijnë në letërsi përmes një komunikimi midis tre institucionesh, që ndërhyjnë nga nën-membrana, duke kaluar censurën prej nënvetëdijes përmes censurës në vetëdije: “Kush e solli Doruntinën”, “Ura me tri harqe”, “Emblema e dikurshme”, “Një dosje për Homerin”, “Eskili, ky humbës i madh“ etj.
Studiuesja i ka kërkuan ndikimet dhe praninë e situatave dhe karaktereve me sjellje të shpjegueshme vetëm përmes psikanalizës në radhë të parë duke iu referuar personalitetit të autorit, pjesës së ndikimit të pavetëdijshëm të jetës së tij vetjake në letërsinë e tij. Në të vërtetë në punim më gjerësisht trajtohet si faktor ndikimi frojdist në veprën e I. Kadaresë jeta vetjake e shkrimtarit, kushtëzimi i sjelljeve letrare estetike të tij prej biografizmit. Vetë ky faktor shihet në tri periudha, sipas të cilave grupohen dhe veprat që merren në shqyrtim, pavarësisht kohës kur janë botuar: fëmijëria, adoleshenca dhe vitet e rinisë në mërgim. Disa aspekte të tjera, ku vështrimi frojdist mund të prekte të vërteta më të thella, si çkriptimi i miteve, çsekretimi i të vërtetave mitologjike të pranishme në vepër, çkodifikimi i historisë, përmes prekjes së tabusë (incesti tek “Kush e solli Doruntinën”, virgjiniteti tek “Nata me hënë”, homoseksualiteti tek “Konkurs bukurie ...“), për shkak të qëllimit modest të këtij punimi, gjithashtu mbeten për t’u studiuar në një kohë tjetër.
Punimi ka një vëllim që i përgjigjet formatit të një monografie, ka teknokracinë e domosdoshme të shkrimit akademik, ka sistemin e dyfishtë të referencave (tek vepra objekt studimi dhe tek bibliografia themelore). Në disa fragmente bie në sy dominimi i leximit prej koncepteve teorike librore, çka nuk e dëmton punën e kryer, përveçse i shërben autores për të dëshmuar përgatitjen e saj shkencore, njohjen e gjuhëve të huaja, përditësimin e njohurive në këtë fushë. Veç kësaj, në disa raste autorja përfshihet edhe emocionalisht në vështrimin e objekjtit të studimit, çka shprehet edhe stilistikisht, por kjo mund të interpretohet si manifestim i një qendrimi dashamirës prej saj ndaj autorit dhe metodës. Në rastin e botimit, këto momente kalimtare do të duhet të lihen jashtë, për të respektuar vijimësisht koherencë në sjelljen shkencore.

2007-2009