Misioni përkthim

Në Shtetet e Bashkuara letërsia e huaj injorohet nga një treg i fiksuar pas kërkimit të bestsellerit

Këto që po kalojmë janë ditë të vështira për industrinë e librit. Tekstet e përkthyera janë vetëm 3 për qind e tregut të librave amerikanë dhe universitetet i kanë ndërprerë buxhetet e tyre. Megjithatë, duket se asgjë nuk e dekurajon “Open Letter”, një shtëpi e vogël botuese që merret me publikimin e letërsisë së huaj, e themeluar një vit më parë me mbështetjen e Universitetit të Rokesterit, në Nju Jork. “Jashtë është një numër i madh lexuesish që janë të interesuar për letërsinë e huaj dhe nuk arrijnë të marrin atë që dëshirojnë”, shpjegon Chad W. Post, drejtori i shtëpisë botuese “Open Letter”. “Edhe pse është një situatë pak e vështirë, ne nuk kemi ndërmend të rrimë duarkryq”, thotë ai. Asnjë nga 16 titujt e librave të publikuar deri tani nga “Open Letter” nuk ka shitur më shumë se tremijë kopje, por përpjekjet e shtëpisë botuese kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e lexuesve dhe të kritikëve. Së fundmi, shtëpia botuese ka nisur një fushatë për të përhapur librat e autorëve të huaj në tregun amerikan, iniciativë kjo që e ka vlerësuar “Open Letter” me një kontribut prej 20 mijë dollarësh për të financuar botimin e librit “The wall in my head”, një antologji tregimesh të shkrimtarëve të Europës Lindore për fundin e komunizmit.

Shtëpitë botuese amerikane të specializuara në përkthim numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë dhe gjithsecila ka adaptuar një strategji të vetën për të mbijetuar. Shtëpia botuese “Archipelago Books” është e lidhur me një shoqatë joqeveritare dhe jeton me donacionet e lexuesve. “Europa editions”, filiali amerikan i një shtëpie botuese italiane, boton vetëm libra italianë. “Dalkey Archive Press”, ku Post ka punuar më parë, është e lidhur me një shoqatë jofitimprurëse, por edhe me një institucion universitar, si “Open Letter”.

“Lexuesve duhet t’u japësh një motiv të mirë për të marrë në dorë librat e autorëve të panjohur, të dish të tërheqësh vëmendjen e tyre”, thotë Martin Riker, drejtor i asociuar i “Dalkey”.
Strategji dhe qëllime të mira

Libri i parë i shtëpisë botuese “Open Letter”, “Nobody’s home”, përmbledhja me tregime “Nikog nema donna” e shkrimtares kroate Dubravka Ugresic, është botuar pikërisht në shtator të vitit 2008, kur shpërtheu kriza financiare. Pothuajse një vit më parë, për të publikuar këtë libër, “Open Letter” kishte hapur edhe një blog “Three percent” (‘rochester.edu’/ ‘threepercent’). Sigurisht që bëhet fjalë për një strategji marketingu, por shumë shpejt “Three percent” u bë një forum me më shumë se dy milionë kontakte. Lexuesit mund të postojnë opinionet e tyre dhe të informohen se me çfarë po merren shtëpitë e huaja botuese; përkthyesit mund të ngrenë debate mbi cilësinë e punës së tyre dhe të shohin se cilat vepra janë ende të disponueshme dhe cilat u janë dhënë kolegëve të tyre. “Sot për një redaktor është shumë e vështirë të varet totalisht nga financimet universitare, sepse as në shtyp nuk ka vend për recensione”, thotë Peter Bush, zëvendëspresident i Federatës Ndërkombëtare të Përkthimit, që momentalisht po merret me përkthimin e një përmbledhje tregimesh për shtëpinë botuese “Open Letter”.

Një komision redaktorësh, i përbërë nga shtatë anëtarë, zgjedh titujt që do të botohen. Në këtë përzgjedhje nuk përjashtohen librat, edhe pse qëllimi nuk është të lartohen më tepër se bestsellerët. “Duam të mbajmë premtimin ‘e hapjes’, i cili është i pranishëm edhe tek emri i shtëpisë botuese ‘Open Letter’”, deklaron Joanna Scott, docente e gjuhës angleze në Universitetin Rokester dhe autore e nëntë romaneve. “Jemi në kërkim të veprave të mrekullueshme dhe të them të drejtën nuk do të dija të njihja ndonjë sukses komercial, nëse do të më ndodhte ta kisha para syve”.
Për ta shtuar edhe më shumë numrin e lexuesve të tij, Post ka menduar t’ia arrijë qëllimit përmes një publiku të zgjedhur, si frekuentuesit e kinemave që propozojnë filma për të huaj. Një faktor tjetër që do ta tërhiqte lexuesin është kopertina e bukur e librit. “Lexuesit shtyhen për t’i marrë në dorë kur i shohin, edhe sepse pamja e tyre është tepër interesante”. Një shtëpi botuese mund ta arrijë suksesin edhe përmes grafikës.
Formim dhe poezi

Me përpjekjen për të krijuar një markë unike, shtëpia botuese “Open Letter” ka hapur në Universitetin Rokester një kurs studimesh letrare për përkthim, me qëllim për të krijuar, në një moment të dytë, një kurs të vërtetë specializimi. Studentët që frekuentojnë kursin përkthejnë libra me tregime për të fituar kredite. “Nëse nuk do të kisha frekuentuar këtë kurs, nuk do të kisha mësuar asgjë nga kjo botë”, thotë Lillian Miller, një studente 20-vjeçare, e cila ka jetuar në Siberi. “Mendoj se tani do të më pëlqente të punoja në një shtëpi botuese”.

Rektorati i Universitetit të Rokester është entuziast për rezultatet që shtypi po i jep këtij institucioni, si në fushën akademike ashtu edhe në atë lokale. Vitin e kaluar, shtëpia botuese “Open Letter” organizoi një takim me shkrimtarët e famshëm Salman Rushdie dhe Umberto Eco, që u sponsorizua nga universiteti dhe “Pen world voices festival”. Ishte rasti i parë i festivalit i organizuar jashtë Nju Jorkut. “Llogaritëm kostot dhe të ardhurat dhe menduam se mund ta transformonim universitetin tonë në një lloj oazi për studimet akademike mbi përkthimin”, shpjegon rektori i universitetit, Joel Seligman. “Duket se eksperimenti po funksionon. Gjithashtu do të vazhdojmë të publikojnë libra të cilësisë së lartë, gjë e cila është një perspektivë shumë stimuluese”.

Për vitin tjetër, “Open Letter” ka menduar të zgjerojë kufijtë e saj dhe të botojë për herë të parë një përmbledhje me poezi. Përkthyesit, natyrisht, janë të kënaqur për interesin e shtypit dhe i drejtohen shtëpisë botuese me projekte dhe ide të reja. “‘Open Letter’ është bërë e rëndësishme pikërisht sepse është mbështetur te gjuhët pak të njohura në Shtetet e Bashkuara, si ajo islandeze ose lituane”, thotë një përkthyes, i cili ka përkthyer për “Open Letter” librin “The taker and other stories”, një përmbledhje tregimesh të autorit brazilian Rubem Fonseca, dhe që shpreson ende të punojë me shtëpinë botuese. “Shtëpitë botuese komerciale janë të fiksuara pas kërkimit të bestsellerëve. ‘Open Letter’ ka gjetur një hapësirë për librat që nuk do të kenë një sukses të madh te publiku, por që gjithsesi kanë një vlerë letrare të padiskutueshme”.