Mentor Zhdrella, futbollisti më i mirë kosovar

Mentor ZhdrellaMesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella është shpallur futbollisti i vitit 2009 nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Ceremonia e laureatëve për vitin e shkuar është mbajtur të mërkurën mbrëma në Prishtinë.
Zhdrella është shpallur bindshëm më i miri, pasi ka fituar më së shumti vota nga 12 kryetrajnerët e skuadrave të Raiffeisen Superligës.
“Ky nuk do të jetë çmimi i fundit për mua, në të ardhmen do të angazhohem edhe më shumë dhe do të tregohem edhe më i mirë. Ky çmim do të më ndihmoj për sa më shumë oferta nga jashtë”, ka deklaruar Zhdrella.
Në votimin e trajnerëve, i dyti ka përfunduar mesfushori i Prishtinës, Behar Maliqi, që fitoi titullin e kampionit dhe trofeun e Superkupës me skuadrën e kaltër. Në vendin e tretë u rendit sulmuesi i Besës, Haxhi Zeka.
Sulmuesit Enis Zabërgja iu nda “Këpuca e artë”, pasi gjatë vitit 2009 shënoi 21 gola, më shumë se cilido lojtar tjetër në Kosovë, por kjo nuk e kënaqi fort pasi në renditjen e më të mirëve të vitit doli i pesti.