Kur Islanda vendosi si Kryeministre të vendit, shkurtin e kaluar, Joanna Sigutdardottir, gazetat në të gjithë botën e përçuan këtë lajm me të njëjtin titull të unifikuar: “Islanda cakton Kryeministren e parë gej në botë”. Kjo ndodhi në të gjitha vendet e botës, përveçse në Islandë. Për ditë të tëra, media e ishullit nuk e zuri në gojë seksualitetin e Kryeministres dhe vetëm më pas përmendi faktin se shtypi i huaj i kishte kushtuar kësaj çështjeje një rëndësi të veçantë, pra i kishte kushtuar rëndësi preferencës seksuale të kryetares së shtetit, një zonje në moshën 67-vjeçare, ish-stjuardesë avionësh që ishte shndërruar në politikane dhe që për islandezët kishte profilin e politikanes më të ndershme në ishull. Sigurisht që ajo ishte gej dhe në vitin 2002 kishte hyrë në një partneritet civil me një grua tjetër. Por e veçanta është se ndërsa e gjithë bota u çudit, islandezëve një fakt i tillë u bëri fare pak përshtypje. Heshtja e medias i bënte jehonë qëndrimit të publikut në lidhje me çështjen. Askush nuk donte t’ia dinte për preferencën e Kryeministres, sepse një fakt i tillë, ose më mirë homoseksualiteti nuk është një çudi në një vend si Islanda. Të nxitur nga sjellje të tilla liberale politikanë të ndryshëm në të gjithë Europën po e shfaqin gjithnjë e më hapur preferencën e tyre seksuale. Aktualisht, në Parlamentin britanik 11 gra dhe burra të deklaruar hapur si gej janë pjesë e Parlamentit britanik, përfshi dy ministra kabineti. Qershorin e kaluar, Nikolas Sarkozi caktoi Frederic Mitterand, një prezantues televiziv gej, në postin e ministrit të Kulturës. Kryebashkiaku i Parisit, Bretrand Delanoe, që sipas disave do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 është gjithashtu gej. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, që është edhe shefi i Partisë së Lirë Demokratike është pjesë e kësaj elite homoseksualësh në të cilën bëjnë pjesë edhe kryebashkiaku i Berlinit dhe ai i Hamburgut, dy qytetet më të mëdha gjermane. Kryebashkiaku i Berlinit, Klaus Wowereit, deklaron se deklarata e tij për preferencën seksuale para fushatës zgjedhore të vitit 2001 ia lehtësoi gjithë procesin e zgjedhjeve. “Ka shumë mundësi që deklarata ime të ketë kontribuar në suksesin tim”, deklaron sot vetë kryebashkiaku. Sipas tij, njerëzit vlerësojnë shumë sinqeritetin. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, situata është shpesh shumë më ndryshe, ku pavarësisht zgjedhjes së fundit të një gruaje gej, Annise Parker si kryebashkiakja e Hustonit, “ndershmëria” mund ende të rrënojë karrierat e politikanëve. Politikanët e shpallur si gej si Harvey Milk i San Franciskos nisën që të fitonin në zgjedhjet bashkiake dhe qytetase në komunitetet e homoseksualëve në vitet ’70. Por që nga ajo periudhë, progresi është ngadalësuar. Kështu, asnjë person i vetëshpallur gej ende nuk ka kandiduar për një post në Senat dhe vetëm tre syresh kanë zënë vend në Kongres. Ky dallim mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës nuk ekziston vetëm për sa u përket posteve të rëndësishme e të larta të politikës. Sipas një sondazhi të fundit, 49% e amerikanëve në vitin 2007 besojnë se shoqëria “duhet të pranojë” homoseksualitetin. Ndërsa në Europë kjo shifër i kalon të 80%. Kryesisht të hapur ndaj homoseksualëve janë francezët, gjermanët dhe spanjollët. Vetëm polakët katolikë dhe konservativë ndihen jo mirë me këtë ide dhe në këtë pikë afrohen shumë me qëndrimin e amerikanëve. Qëndrime të tilla e vështirësojnë shumë hapësirën për të kandiduar të homoseksualëve për të folur për marrjen e pozicioneve drejtuese. Në vende ku klima nuk është miqësore është shumë e vështirë për homoseksualët që të marrin pjesë në qeverisje, madje as kur bëhet fjalë për poste të dorës së dytë dhe të tretë.
Diferenca europiane
Peizazhi politik europian nuk ka qenë gjithmonë kaq “mikpritës”. Tridhjetë vjet më parë, pikërisht kur Kryeministrja aktuale e Islandës nisi karrierën e saj politike Islanda ishte ekstremisht “homofobike”. Arsimimi ishte një nga nxitësit e ndryshimit të mentalitetit. Gjatë 30 viteve të fundit organizatat në mbrojtje të gejve bënë një fushatë të gjerë edhe mediatike për sa i përket ndryshimit të opinionit të njerëzve ndaj kësaj kategorie. Kjo ndryshoi shumë paragjykime dhe i bëri njerëzit jo më të interesuar e për më tepër të skandalizuar ndaj preferencave seksuale të kandidatëve politikë. Në vitin 1996 në vend u ligjëruan bashkimet civile dhe në atë kohë Kryeministrja aktuale islandeze ishte në postin e ministres. Sot vetëm 6% e fetarëve islandezë do të refuzonin që të bashkonin një çift homoseksualësh në martesë. Në vende shumë më të mëdha se Islanda me vetëm 300 mijë banorë si Britania e Madhe ku konservatorizmi ka rrënjë shumë më të thella, progresi erdhi shumë më ngadalë dhe shumë më vonë. Në vitin 1988, qeveria konservatore e Margaret Theçer aprovoi një ligj, sipas të cilit ndalohej promovimi i homoseksualizmit në shkolla dhe homoseksualiteti ishte një “pretendim i marrëdhënieve familjare”. Një homofobi e tillë preku si avokatët e të drejtave të homoseksualëve, ashtu edhe politikanët e ardhshëm. Në vitin 1989 u themelua një grup promovues i të drejtave të homoseksualëve prej të cilit mori nxitje edhe vetë politika. Në vitin 1997, kur Toni Bler erdhi në pushtet me qeverinë e tij laburiste, situata ishte duke ndryshuar. Chris Smith i vetmi parlamentar britanik gej u emërua ministër i Kulturës. Në po atë vit në Exter, një komunë në jugperëndim të Anglisë, kandidati i Partisë Konservatore sulmoi haptazi kundërshtarin e tij politik Ben Bradshaw për shkak të homoseksualitetit të tij. Në këmbim votuesit ia dhanë votën ”të ofenduarit” dhe kjo shënoi edhe një nga ndryshimet më të mëdha pas të cilave seksualiteti u përdor shumë rrallë si armë politike. Aktualisht, Bradshow është ministër i Kulturës në kabinetin britanik. Pikërisht zgjedhja e tij përbën edhe pikën e madhe të kthesës në politikën britanike shumë konservatore dhe me paragjykime deri në atë kohë. Përdorja e seksualitetit si armë politike nuk ka gjetur terren as në Gjermani. Sipas disa psikologëve, ata politikanë që tregohen të sinqertë në lidhje me preferencat e tyre seksuale nuk dënohen nga njerëzit, sepse sinqeriteti shpesh është shumë më i rëndësishëm se “një mëkat”. Sipas tyre, ata mishërojnë një lloj autenticiteti dhe besueshmërie, sepse janë të hapur dhe nuk fshihen. Në të kundërt, ata politikanë që e shndërrojnë seksualitetin e kundërshtarëve të tyre në një ”vegël politike” humbasin shumë pikë dhe nuk kanë shanse fitoreje. Kur ish-zëvendëskryebashkiaku i Hamburgut, Ronald Schill, e përçmoi kryebashkiakun Ole von Beust në një konferencë shtypi në vitin 2003, gjermanët e tallën Schill dhe Von Beust fitoi zgjedhjet e vitit 2004 me një fitore plebishitare. Aktualisht, 18 vende europiane e lejojnë martesën, apo siç quhet bashkimi civil i personave me seks. Sipas numrit dy të Bashkisë së Parisit, homoseksualët nuk shihen dhe konsiderohen më si karikatura. “As ajo që duhet të vlerësohet te njeriu dhe te një politikan në veçanti është puna dhe përkushtimi i tij në detyrë, sa bën ai për njerëzit dhe jo se cila është jeta e tij intime. Ndryshimi, sipas disa sociologëve, mund të ketë të bëjë edhe me ndryshimet në rrafshin demografik. Për shumë njerëz në Europë, një kontinent që përpiqet ”të tresë” numrin e madh të emigrantëve, komuniteti gej mund të duket ”më pak kërcënues” se të themi të sapombërriturit nga bota islame. Sipas disa sociologëve, është e çuditshme, por për disa njerëz komunitetet e homoseksualëve mund të ngjajnë më pak problematikë nga komunitetet e emigrantëve. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2008 vetëm 27% e holandezëve do të ishin dakord me një Kryeministër mysliman, ndërsa për sa u përket gejve 78% e holandezëve e pranonin një udhëheqës të tillë. Nga ana e saj Partia Konservatore Britanike me liderin e saj, David Cameron, ka kërkuar falje në lidhje me ligjin e miratuar nga Theçer në vitin 1988 dhe madje ka organizuar edhe aktivitete të posaçme për të treguar se linja e partisë së tij ka ndryshuar nga e kaluara. Ndërkaq, ka shumë politikanë të tjerë që vazhdojnë për shumë arsye ta mbajnë të fshehtë seksualitetin e tyre. Sipas numrit dy të Bashkisë së Parisit, gjithashtu një homoseksual, këta persona duke mos e pranuar publikisht homoseksualitetin e tyre, po i krijojnë probleme progresit të arritur deri më tani. Sipas tij, nuk është e thënë që ata të mbajnë konferenca shtypi për seksualitetin e tyre, por thjesht të pranojnë atë që për ta përbën një fakt dhe pjesë të realitetit të jetës. Wowereit, kryebashkiaku i Berlinit është një person që tashmë është krejtësisht i lirshëm. Ai shfaqet në publik dhe nëpër pritjet zyrtare me partnerin e tij dhe kur kandidoi për postin hodhi parullën: “Jam homoseksual dhe kjo është një gjë e mirë”. Megjithatë, edhe ai e pranon faktin se situata nuk është “e lehtë” në politikë. Ndërsa amerikanët kanë shumë për të bërë. Kundërshtarët e kandidatëve homoseksualë e përqendrojnë shumë shpesh fushatën në homoseksualitetin e kundërshtarëve dhe nuk arrijnë aspak efektin e kundërt që arrijnë në Europë politikanët që stigmatizojnë homoseksualët.
Sot në Islandë, Sigutdardottir është në krye të vendit dhe vazhdon të jetë politikania e preferuar. Në fund të fundit efikasiteti është ajo që ka rëndësi për zgjedhësit. Vetëm se kjo nuk ndodh shpesh ende në vende të tjera të botës.