Studimi i letërsisë sot,problem teorik apo subjektivizëm spontan?

Nga FLORESHA DADO

A është studimi i letërsisë sot në krizë? Një pyetje provokuese që, në shikim të parë, do të dukej pa vend. Sepse kushdo prej nesh e di që çlirimi i shkencës letrare, në 15 vitet e fundit, nga skematizmi i konceptimit të saj, liria e krijimit dhe kontaktet, e munguara më parë, me studime bashkohore, kanë ndryshuar dukshëm pikëvështrimin dhe interpretimin e letërsisë. Megjithatë, sipas mendimit tim, pikërisht ky realitet i ri i studimeve të sotme, është në krizë. Pse?
Sepse në sfondin e studimeve të kësaj periudhe mund të konstatojmë disa dukuri:
1. Fusha më tërheqëse për studiuesit, sidomos ata më të rinjtë, bëhet vetëm analiza semiotike e tekstit, dukuritë narratologjike, vështrimet stilistikore e metrike. Sigurisht kjo është një prirje e vlefshme dhe e re në kritikën tonë letrare, e cila vjen si një vështrim i domosdoshëm, në sfondin e poetikave moderne, të patrajtuara më parë. Por, e parë si qëllim në vetvete ajo mbetet thjesht prirje individuale, jashtë lidhjes me dukuritë thelbësore të zhvillimit të letërsisë sonë, në periudhën ku bën pjesë vepra e analizuar.
2. Autorët më tërheqës janë bërë vetëm disa, si Fishta, Koliqi, Konica, Trebeshina. Sigurisht kjo dukuri përfaqëson një tendencë të natyrshme për interpretimin e autorëve të tillë, pak ose aspak të trajtuar nga shkenca letrare e gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Por, në të vërtetë, kritikët apo studiuesit që merren me të njejtët autorë janë jo një e dy, por disa.
3. Kompensimi i mostrajtimit të këtyre autorëve, dhe të tjerëve, nga pozicione ekstremisht vlerësuese. Kompleksi i detyrimit shkencor ndaj tyre përkthehet tashmë në interpretime, ku ndjehet madje një garë në shkallën e mbivlerësimit të njërit e tjetrit.
4. Kjo ka sjellë copëzimin e studimit të procesit të plotë të zhvillimit të letërsisë sonë, duke lënë mënjanë, jashtë riinterpretimit shkencor vepra dhe autorë, të cilët vërtetë u bënë objekt i studimeve të mëparshme, por qenë gjithnjë të dhunuar në mënyrën skematike të vështrimit. Kush është problemi më i madh: ta lësh pa interpretuar një autor, apo ta dhunosh veprën dhe individualitetin e tij artistik?
5. Ka edhe botime, ku, pas një terminologjie “bashkohore”, nganjëherë tepër të sofistikuar, vijnë amalgamë pohimesh sporadike, të stilit telegrafik, me pasaktësi konceptesh e terminologji teorike-letrare. Sa interesante duken në titujt e tyre, aq konfuzë në synimet shkencore. E vetmja ide e qartë është mohimi i realizmit socialist, por, edhe kjo bëhet nga pozita po aq ideore, siç bënte edhe shkenca marksiste, që e mbështeste atë.
Në këtë sfond tepër të përgjithshëm shkenca letrare ndodhet sot, sipas mendimit tim, para disa sfidave:
SFIDA E PARË: si duhet konceptuar raporti midis shkencës sonë letrare dhe kritikës bashkohore? Dhe më konkretisht: si është raporti i analizës së tekstit, si kritika më e parapëlqyer sot, me specifikat e zhvillimit të mbarë letërsisë shqiptare? Nëse flasim sot për studim të ri të letërsisë, kjo lidhet me një ndjenjë të re orientimi dhe qëllimi. Si është marrëdhënia midis sensit historik të kritikut dhe sensit kritik të historianit të letërsisë? Në këtë vështrim mendoj se vjen në plan të parë shtrimi i çeshtjes: a synon analiza e strukturës së një teksti të zbulojë thjesht dhe vetëm specifikat individuale, apo kjo strukturë duhet parë në një gjenezë më të thellë, në historinë e evolucionit të poetikave letrare?. “Kritika, shkruante Mukarovski, e sheh veprën si një strukturë e fiksuar dhe e realizuar, si një konfiguracion i qëndrueshëm, kurse historiani duhet ta shohë strukturën poetike në lëvizje konstante…” 1). Dukurinë e parë e hasim në formën më të realizuar në analisat tekstore të K.Shalës 2) dhe Dh.Shehrit 3), dy ndër përfaqësuesit më të kualifikuar sot të kritikës semiotike. Ndërsa prirjen për të shkuar drejt funksionit të historianit, i cili prej vitesh ka mbi vete edhe përvojën e kritikut letrar, e gjejmë te studimet e fundit të S.Hamitit, ku hidhen teza shkencore, kritere të reja të karakterizimit të zhvillimit të letërsisë shqiptare. Autori shkruan “kërkesa është të diskutohen ligjshmëri të përgjithshme, që më në fund japin karakteristikat apo identitetin e një letërsie nacionale.”4) I prirur të zgjerojë përfytyrimin mbi kuptimin e letërsisë sonë, ai vjen në konkluzionin se vepra nuk mund të jetë një strukturë e mjaftueshme… dhe kështu hap shtegun për një shtjellim më të gjerë të mjaft çeshtjeve të historisë së letërsisë sonë.
Pra, ndonëse në këtë 10 vjeçar u realizuan interpretime të reja mbi vepra dhe autorë, ato janë kryesisht shprehje e spontanitetit individual të një kritike të re. Larg përgjegjësisë së shkencës letrare akademike, realiteti i sotëm dëshmon se kjo shkencë është sot në krizën e mosorientimit të shpejtë për nevojën e ndërthurjes së këtyre studimeve spontane, individuale, me problematikën e gjerë që ka hartimi i një studimi madhor mbi specifikat e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare.
SFIDA E DYTË
Ekziston brenda vetë studimeve letrare, në raportet e saj me Teorinë e letërsisë. Kjo është dëshmuar, disa herë, në keqinterpretimet, në debatet thellësisht subjektive mbi autorë apo dukuri letrare. Nëse rezultatet e kritikës bashkohore duken më tërheqëse dhe subjektivizmi i tyre mund të pranohet si shprehje e interpretimit individual, Teoria e ngushton studiuesin drejt saktësisë dhe objektivitetit. Nëse kritiku prodhon një interpretim, si shprehje e një prej kuptimeve të mundshme që gjenden brenda tekstit (Bart), teoria e orienton shkencën drejt problematikave më të rëndësishme, që janë detyrë e saj. Kuptimi teorik i gjenezës së një vepre, qoftë kjo e traditës apo bashkohore, marrëdhëniet midis fenomeneve letrare e joletrare, nga njera anë; qasjet formale ndaj strukturave dhe funksioneve artistike, tipologjia e formacioneve stilore etj., nga ana tjetër, përbëjnë dy planet themelore, të cilat duhen rivendosur, më në fund, në ekuilibër shkencor në studimet e sotme. Nëse historiografia e mëparshme, për vetë thelbin e metodologjisë së saj, mbeti në nivele sipërfaqësore të trajtimit të fenomenit letrar, studimet sot ndodhen para sfidash më të thella dhe thelbësore. Sfida themelore ka të bëjë me vlerësimin e strukturave dhe funksioneve artistike, jo thjesht të një vepre, por të gjithë zhvillimit të letërsisë shqiptare, në proceset e brendshme dhe të jashtme të saj. P.sh., nëse do flitet për evolucionin e letërsisë sonë në vitet e fundit, është në radhë të parë vështrimi teorik që orienton të hetoet ky zhvillim në dy drejtime themelore: 1. Në procesin e formimit dhe stabilizimit të një dominateje letrare (moderniste, postmoderniste, apo..?), dhe 2. në hetimin e ripërtëritjes, zëvendësimit të normave të vjetra me të reja, etj. Dhe është e rëndësishme të pranojmë se sfida e vërtetë e studimeve të sotme lidhet me njohjen e faktit se çdo teori letrare është në pozicion kundërshtues me teoritë e tjera, çka përcaktohet nga vetë zhvillimi i letërsisë. Kjo vlen për gjithë fazat e zhvillimit të letërsisë sonë.
SFIDA E TRETË:
Qëndrimi i shkencës së sotme mbi çeshtjen: a ndryshon sistemi i vlerave? Problemi del real nëse marrim në vemendje pikëpamjen e Bartit, sipas të cilit “kuptimi letrar nuk mund të stabilizohet plotësisht nga lexuesi (pra studiuesi- F.D) përderisa natyra intertekstuale e veprës e çon lexuesin në një marrëdhënie të re tekstuale”. 5). Kjo tezë lidhet drejtpërdrejtë me temën e rivlerësimit të letërsisë, për të cilën flitet shumë kohët e fundit. Në vështrimin teorik pyetja ka të bëjë me përcaktimin e raportit midis autonomisë semantike të tekstit, pra që nxjerr në plan të parë aspektin objektiv, dhe vlerësimit sipas kontekstit, rrethanave të interpretuesit. Nëse do i referoheshim pikëpamjes së Hajdegerit, sipas së cilës të kuptuarit nuk është një aktivitet autonom, ahistorik, por një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen te njeriu, i cili në një farë kuptimi karakterizon qënien e tij” 6) Apo tezës së Gadamer se “çdo epokë duhet ta kuptojë një tekst të transmetuar në mënyrën e vet” 7), do dilte pyetja: ç’peshë ka kjo tezë në ristudimin dhe studimin e autorëve dhe veprave letrare? Cili është thelbi i vërtetë i përcaktimit të sistemit të vlerave? Kuptimi i kësaj pyetjeje lidhet pikërisht me konceptimin e raportit midis realitetit historik të vlerave të letërsisë së periudhave të mëparshme dhe realitetit të kuptimit historik të këtyre vlerave sot. Interpretimi i autorëve të tillë si Fishta, Mjeda, apo dhe të periudhave të mëparshme, është padyshim edhe distancë historike. Por, a ndryshon sistemi i vlerave të veprave të këtyre autorëve, dhe në ç’drejtim?. Arti ripërtërin kuptimin tonë mbi jetën (Shkllovski) ! Kjo orienton studiuesin në hetimin e aspekteve variabël të letërsisë, në evolucionin e sistemit letrar të momentit përkatës, në funksionet dhe dominantet e saj.
Pra rishikimi dhe rivlerësimi i autorëve dhe veprave të tyre, si pjesë e sistemit letrar, që transformon veten në kohë, nxjerr një ndër sfidat më të vështira të rivlerësimit të sotëm letrar. Sistemi letrar shqiptar vjen deri sot përmes ndryshimeve të vazhdueshme: evolucionare (si letërsia e viteve ’30), por edhe më radikale (si letërsia e 10 viteve të fundit). Atëhere, a është autonomia e letërsisë e kufizuar dhe relative, dhe sa e bën kjo autonominë e historiografisë letrare po aq të kufizuar dhe relative ? Ky relativizëm i vlerësimit letrar është problem sa real, aq edhe delikat në praktikën e vlerësimit, dhe sidomos rivlerësimit të autorëve të traditës dhe bashkohorë. Ta pranosh teorikisht je akoma larg interpretimit konkret të fenomenit letrar. Shumë qëndrime të viteve të fundit, denigruese në ekstrem ndaj ndonjë autori, apo ekstremisht vlerësuese ndaj një tjetri, dëshmojnë se ky problem është i mprehtë dhe se sistemi i vlerave ndryshon! Problemi është: sipas cilave kritere do hetohet ndryshimi i këtij sistemi, dhe sipas cilave kritere do bëhet rivlerësimi i tij ?.
SFIDA E KATËRT
Rivlerësim i autorëve dhe dukurive letrare duke iu referuar natyrës intertekstuale të veprës letrare.
Vitet e fundit janë realizuar, në disa artikuj apo studime të përmasave jo të gjera, trajtime veprash dhe autorësh në planin intertekstual. Përmendim p.sh. analizën interesante të K.Shalës mbi Kutelin, që sjell një pikëvështrim të ri në praktikën e studimeve tona letrare. Konceptet teorike, që qëndrojnë në themel të këtij pikëvështrimi, orientojnë drejt aspekteve të tjera të strukturave artistike, duke zbuluar ndërvartësi dhe raporte specifike të veprave me tekste të tjera. Një ndër tezat e teorisë moderne është që veprat letrare nuk kanë një kuptim të pavarur, ato duhen parë si pjesë të një rrethi të marrëdhënieve tekstuale. Kuptimi i çdo vepre (Kuteli, Konica, Kadare etj.) na del që ekziston si brenda veprës ashtu dhe në tekste të tjera me të cilat lidhen. Fenomeni është i dukshëm edhe në letërsinë postmoderne të viteve të fundit,( Romani Një dashuri dhe shtatë faje i R.Qoses etj.) …) Problemi është: a i jep kjo dukuri gjithë procesit tonë letrar, të traditës apo dhe bashkohor, dimensionin e një përshfaqjeje tjetër ? Gjithashtu, interpretimi në një pikëvështrim më të thellë të marrëdhënieve me krijime të tjera a ka në themel shkaqe kontekstuale, domethënë a ka arsye që ka ndodhur ky fenomen te disa autorë? Nëse do të pranonim tezën se “intertekstualiteti është dhe do të mbetet një element kyç për të kuptuar letërsinë dhe kulturën në përgjithësi.” 8), atëhere mund të themi se ky lloj vështrim do ishte një sfidë e re për shkencën tonë, në karakterizimin e procesit të zhvillimit historik të letërsisë. Një pikëvështrim i tillë zgjeron konceptin për letërsinë dhe mënyrën e interpretimit të saj. Konstatime shumë interesante do të dilnin nga veprat jo vetëm të autorëve që zumë në gojë, por edhe të shumë krijuesve të tjerë, që nga fillimet e deri sot. Fjala nuk është, pra, për një lloj vështrimi që të mbetet si qëllim në vetvete, por, për diçka më thelbësore: për hetimin e dukurisë që shpreh, në vetvete, procesin e rigjenerimit estetik të letërsisë sonë. A ka vlerë të studiohet se letërsia jonë, në periudha të ndryshme, është realizuar përmes marrëdhënjeve të brendshme midis tekstesh, apo me kontekste dhe praktika të ndryshme letrare ? Një vështrim i tillë do thellonte kërkimin shkencor drejt gjurmimit të fshehtësisë së tekstit të parë, dhe hetimit të statusit të teksit të dytë (që nga autorë të letërsisë së vjetër, e deri në autorë bashkohorë). Gjithashtu, do të përcaktohej se deri në ç’shkallë të këtyre marrëdhënieve vepra të veçanta janë imitim, apo mohim, apo rikrijim? Janë të identifikueshme apo janë zbehur këto marrëdhënie? Deri në ç’masë e gjejmë këtë dukuri në zhvillimin e letërsisë sonë? Ky pikëvështrim studimi, pak i zbatuar nga shkenca jonë letrare, do hapte thellësi interpretimi për një dukuri që është po aq e lashtë sa dhe vetë letërsia, nga e cila nuk përjashtohet as zhvillimi i letërsisë sonë.
* * *
Duke iu rikthyer temës së këtij vëzhgimi: Studimi i letersise sot: problem teorik apo subjektivizem spontan? mendoj se shkenca e letërsisë përballet sot me një problematikë teorike, sepse edhe pas qëndrimeve ideartistike, që shfaqen në ditët tona, qëndron një aspekt i rëndësishëm teorik. Në historinë e zhvillimit të shkencave ka momente kthesash të rëndësishme. Mund të themi se ky moment nuk është realizuar akoma me vepra madhore në shkencën e sotme letrare. Me gjithë kontributet e vlefshme të disa studiuesve e kritikëve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë sjellë vizione të reja në interpretimin e letërsisë, për mendimin tim jemi akoma në fazën e spontanitetit (një datë përkujtimore e një autori apo vepre është bërë shkas për një studim apo kumtim shkencor…). Studimet e sotme letrare do të kishin nevojë për një Projekt të Madh, ndërakademik dhe ndëruniversitar, jo thjesht për të përcaktuar se cilët autorë duhet të trajtohen e cilët jo (ky do ishte aspekti më formal) por, në radhë të parë për të diskutuar dhe zbatuar praktikisht një varg çeshtjesh teorike të vlerësimit dhe rivlerësimit të letërsisë shqiptare gjatë gjithë zhvillimit të saj historik. Ato çka preka shumë shkurt në këtë vëzhgim, janë vetëm një pjesë e kësaj problematike komplekse.

Shënime
1. Mukarovsky, La funzione, la norma e il valore estetico come fatti sociali, në Il significato dell’ estetica, Torino, Einaudi, 1973, f.46
2. Kujtim Shala, Shekulli i letërsisë shqipe, Buzuku, 2004
3. Dhurata Shehri, Koliqi mes malit dhe detit, Onufri, 2006
4. Sabri Hamiti, Tematologjia, Prishtinë 2005, f.53
5. Graham Allen, Intertextuality, NY, 2000, f.4
6. Ann Jefferson, David Robey, Moderm Literary Theory, London, 1997, f.182
7. Po aty, f.192 8. Graham Allen, Intertextuality, London, 2000, f.7

Related Posts: