Prof. Floresha Dado
Rreth 42 vjet më parë, kur njoha në auditor Prof.Rizën, më kish rënë në sy diçka e veçantë në personalitetin e tij, që nuk mund të harrohej edhe gjatë kalimit të viteve. Lidhjet me këtë profesor qenë të shkurtra. Shumë vite kaluan dhe nuk arrita të kuptoj atë që për mua kish qenë një lloj misteri. Kjo për dy arsye: emri, prania e tij si gjuhëtar, gjatë viteve që pasuan rrodhi zbehtë, ai nuk ishte (për arsye jashtëvetjake) i pranishëm në mjediset shkencore. Nga ana tjetër, përqendrimi im në fushën e shkencës së letërsisë, aq më tepër më largoi. S.Riza mbeti si në mjegull, në kohën që shumë personalitete gjuhëtarësh ishin pjesë dhe modele në karrierën shkencore. Sot mund të them, gjeta shkaqet e kureshtjes që kishte mbetur brenda meje, e strukur dhe e harruar.
Kush ishte Selman Riza? Si gjuhëtar kolegët e kanë njohur në thellësi veprën dhe kontributet e tij, por unë zbulova se ai ishte diçka më tej se gjuhëtar. Kompleksiteti i mënyrës së tij të komunikimit në auditor, pikëpyetjet që linte para vështrimeve tona kurioze, ishin shumë të veçanta, befasuese, të pazakonta. Mbas kaq vitesh kuptimi i tyre del i fshehur në shënimet, në fletoret e tij vetjake, në intimitetin e tij intelektual. Libri "Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme", i botuar sivjet nga shtëpia botuese 'Dukagjini', Pejë, zbuloi para meje misterin, botëkuptimin kompleks të këtij personaliteti. Kjo përmbledhje voluminoze shpalosi thelbin e asaj që mishërohej në qenien dhe mënyrën e komunikimit të gjithanshëm të S.Rizës. Libri, përmbledhje e 13 fletoreve me 7541 sentenca, shumica origjinale, me gjykime universale apo mbi realitetin shqiptar, apo dhe të jetës personale…… Jo thjesht befason, por kthjellon vetëdijen për të qenë më të thellë dhe më të durueshëm në njohjen dhe vlerësimin e personaliteteve të shkencës sonë, të cilësdo fushe qofshin ata, që ikin dhe nuk kthehen më. Natyrshëm, kur lexon këtë përmbledhje, gati sfilitëse në madhësinë dhe larushinë e përmbajtjes së saj, lind pyetja: Ç'e lidhte këtë gjuhëtar të spikatur me filozofinë, me problemet etike-morale, me problemet e qenies dhe ekzistencës, me shkencat ekzakte, me artin e letërsinë, me publicistikën e kohës kur jetoi…? Dimensioni i vërtetë i një intelektuali, që nuk mbetet "rob" (në kuptimin pozitiv) i profesionit të vet, por që brenda vetes ka përjetime të ndershme njerëzore, që vëzhgon, arsyeton, revoltohet, që hyn në marrëdhënie logjike me atë çka e rrethon! Kjo është pasqyra që përcjell kjo përmbledhje sentencash filozofike, tezash shkencore, arsyetimesh të karakterit etik e moral, pohimesh të mençurisë popullore, etj.
Kjo pasqyrë shfaq dy ndjeshmëri: atë të gjuhëtarit, por edhe të mendimtarit, shqetësimet e të cilit i kapërcejnë përjetimet e njeriut të zakonshëm. Pra, kërkues i gjuhës shqipe, por edhe i logjikës së kuptimit të realitetit të kohës. Në interpretimin që i bën akademik R.Ismajli veprës së Rizës dhe në vetë brendinë e kësaj vepre madhore, njohim synimin e këtij gjuhëtari të shquar për ndërtimin e Intelektologjistikës dhe Komunikativistikës; kjo e fundit ka hyrë tashmë me karakterizimin si shkencë e komunikimit, e zhvilluar veçanërisht në degën e gazetarisë. Ky synim zbulon jo thjesht përmasat përtej gjuhësore të S.Rizë, por na qas në një dimension të veçantë. Në parathënien e këtij libri mësojmë se ishte synuar që titulli i veprës të ishte: "Nga Logjika e Linguistika në 'Intelektologjinë' e 'Komunikativistikën'". Ishte përpjekje e heshtur (?) për krijimin e dy disiplinave shkencore, brenda mureve të përcaktuara nga shkenca gjuhësore shqiptare e kohës? Në shënimet e tij ai kish shkruar: "Shtatë stadet transkreativë" të ekzistencës kozmike në harkun e saj tokësor (hilo-, bio-, psiko-, intelektologjikja, komunikativiostikja, moralo-etikja dhe prosopologjikja), ja njëherazi edhe "Shtatë kategoritë supreme të Koncepteve njerëzore". Ndijimet, Përkapjet, Ripranishmimet, Ideimet-Ëndërrimet" (sentenca 6905).
Edhe sikur të mos ndodheshim para një mali me sentenca e mendime personale të këtij gjuhëtari, vlera e pavlerësuar, do të ishte qoftë edhe vetëm ky synim shkencor. Mendja e tij përmbante, në strukturat e brendshme të saj, një ngrehinë komplekse, ku pikëvështrimet, arsyetimet, vëzhgimet jo të zakonshme, por të natyrës filozofike, të shkencave ekzakte e humane, të logjikës dhe arsyes njerëzore, të personalitetit dhe moralit, vërshojnë për ta bërë, madje ndonjëherë edhe të vështirë leximin dhe perceptimin e tyre. Do të ishte një vlerësim i cekët nëse befasinë e kësaj trashëgimie voluminoze do ta shihnim thjesht me fushën e gjerë të interesimeve të gjuhëtarit S.Riza. Pohimet, sentencat e thukëta origjinale, që përbëjnë pjesën dërrmuese të tërësisë së nxjerrë nga 7541 thënie na nxjerrin pyetjen: kemi të bëjmë vetëm me një gjuhëtar? Apo filozof: "Në daç të më njohish deri në palcë, mos më pyet: me se merrem unë vetë? Pyetmë: me se merret përfytyrata ime? (sentenca 338). Apo teoricien të arsyes?: "Dymendshmëria deri në situatat jo të dyshimta dëshmon për dobësi karakteri a plogështi mendore më fort se sa për frymë filozofike" (sentenca 1682). Apo teoricien të moralit?: "Shpirtrat e shitur pushojnë së qeni shpirtra. Pra, mos blini shpirtra!"(sentenca 180). "Personalitetin e njerëzve e përcakton materiali i tyre shpirtëror, e jo kullandrisja e tij mendore" (sentenca 982). Apo shkencëtar të humaniteteve, kur përcakton tre stigmatet e burokratëve të çdo epoke historike dhe rendi shoqëror, ose kur pohon: "Realja dhe idealja janë jo vetëm bashkekzistuese me njëra-tjetrën, por dhe bashkëmoshatare midis tyre; sepse demarkimi shqisoro-mendor i kësaj apo asaj realeje nga realet e tjera të së njëjtës materiale është i pamundshëm, në mos bashkëshoqërim me demarkimin e ideales përkatëse nga idealet e tjera të së njëjtës spirituale" (sentenca 2964). Apo psikolog?: "Fjalët që ti, me dorën tënde, ke shkruar gabim në një copë kartë, shlyeji po ti me dorën tënde sa të duash: mbresat e tyre në trurin tënd kanë për t'u vetëshlyer vetëm atëherë kur t'u teket atyre. Ruhu, pra, së shkruari të përtushlyera" (sentenca 6916). Apo zhbirues i karakterit njerëzor?: "Në don të mos kryesh asnjë punë të vetme në mbarë jetën tënde, bëje zakon të ndalesh në mes të udhës" (sentence 363). "Deri më pak i zhvilluari njeri është jo një, por disa vehtje" (sentence 1679). Apo teoricien polemizues i koncepteve të ndryshme mbi teorinë shënjuese dhe pohimeve që e konceptojnë "shenjin si diçka, përkapja e së cilës shkakton ripranishëmimin e një diçkaje krejt së tjetërllojshme" (sentence 896). Një sintaksolog kritik ndaj shkrimeve e pohimeve të botuara të kohës? Apo realist ironik ndaj citimeve të marra nga shtypi i kohës: "Socializmi çliron plotësisht vullnetin e individit" (sentenca 925). Apo teoricien i shkencave historike?: "Parkushtin e çdo shkence historike e kushteton përshkruesja përkatëse" (sentenca 62). Kritik ndaj deformimeve në pohimet për autorë të vjetër të letërsisë shqipe, apo dhe dukuri të tjera? Apo historian dhe interpretues i letërsisë, referues i pikëpamjeve të filozofëve mbi thelbin e artit realist dhe realizmit socialist?: "Në art i ashtuquajturi 'realizëm kritik', në fakt është 'tematizimi antiborgjez', sikundërqë jo më pak i ashtuquajturi 'realizëm socialist', barabar faktikisht është 'tematizimi prosocialist'. Tani për këdo, a nuk është e qartë se temat e trajtuara nga shkencëtari dhe arttari, larg së qeni edhe pjesë tërësuese të proceseve të gjurmimit shkencor dhe konkretizimit artistik, përkundrazi janë vetëm objekte apo (për ta thënë ende më troç), vetëm lëndë të para të tyre, e si të tilla, përsosurisht jashtëshkencore dhe jashtëartistike". Krahas gjuhësisë, edhe shkenca e letërsisë, si dije filologjike që kanë për objekt fjalën, shfaqen qartësisht të diferencueshme në arsyetimet teorike të këtij filologu të shquar. Edhe si teoricien i kritikës letrare, ai e sheh rolin e kritikut si bashkautor me shkrimtarin (sentenca 3608). Njohës i shkëlqyer i letërsisë, ai shfaqet si citues jo i rastësishëm i vargjeve të Nolit: "I vogli e shtrin viganin/ dhe i shtypuri tiranin!", por dhe poetëve bashkëkohorë tek të cilët e tërheqin ide të brendshme të fuqishme, nga ato që nuk pohoheshin drejtpërdrejtë. Apo një folklorist sqimatar, që zgjedh, jo rastësisht, vargje popullore, fjalë të mençura thënë nga të moshuar, familjarë apo të njohur…?
Për mendimin tim, thelbësore në njohjen e kësaj trashëgimie kaq të pasur, është të kuptohet se ç'e shtyu atë të kapërcente, në mënyrë të heshtur, në fletoret e botës së përjetimeve vetjake, kufijtë e një gjuhëtari? Pse një gjuhëtar i përmasave te S.Rizës shfaqet edhe si filozof? Pse shumë fraza për moralin njerëzor?
Sepse, jo vetëm në sentencat origjinale, por edhe në zgjedhjet e tjera ai zbulon diçka nga vetja… I zhytur në gjykime të thelluara mbi jetën, në dijet njerëzore, konceptet filozofike të Rizës reflektojnë filozofinë platoniane, sipas së cilës çdo pjesë e shpirtit njerëzor plotëson funksionin e vet dhe kështu realizohen virtyti i maturisë, i kurajës, i urtësisë dhe i drejtësisë. Ndërsa, duke na rikujtuar filozofinë aristoteliane, gjuhëtari reflekton, në gjithë strukturën e kësaj vepre, dy boshte themelore: boshtin e virtytit intelektual dhe atë të virtytit moral. Ose, sipas ekzistencializmit modern, në vetëdijen e tij ai e realizon filozofinë si një kërkim moral dhe si zhvillim të dijes racionale. Kjo është arsyeja që në rreth 7400 shënime të veprës: "Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme", ai afirmon, si tipar të shkencës, reflektimin e përvojës reale dhe të shpirti të tij.
Çfarë reflekton sistemi i tij i të menduarit lidhur me rolin përcaktues të moralitetit mbi etikën? Jo rastësisht ato konkretizohen në raportin midis së drejtës dhe së mirës. Ndonëse ndonjëherë është menduar se etika dhe morali janë e njëjta gjë, në sistemin e të menduarit të S.Rizës ato janë në raport sa të dallueshëm, aq edhe pjesë përbërëse reciproke.
Si shpjegohet përpjekja e tij për të lidhur gramatikën, madje dhe fusha të tjera të krijimtarisë, me Logjikën dhe Moralin? Thjesht, sepse ishte gjuhëtar i munduar nga qëndrimet politike të kohës, apo se thelbi prej shkencëtari të vërtetë, që ka veç aftësisë vëzhguese, edhe zotësinë e analizës e sintezës, e drejtojnë drejt së vërtetës dhe moralit njerëzor?
S.Riza e quajti veprën "filozofike-linguistike dhe njohëse". Por, ngrehina "Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme", është jo thjesht krestomaci pohimesh e mbresash personale, citimesh e referimesh nga gjithë sferat e dijes, por mbi të gjitha refleks i personalitetit shkencor të një prerjeje të veçantë. Shkruan e citon, krahas burimeve shqip, edhe nga frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja, italishtja, rusishtja, serbokroatishtja, latinishtja e greqishtja. Përballja me kulturën komplekse të këtij filologu shfaqet si një vlerë, që gati të huton! Kur shkencëtari Riza shkruante se, punimet e tij mbi albanistikën "i përshkon fort preokupimi im për të trajtuar lëndët e saj nga pozitat pikërisht të metodologjisë dhe gnoseologjisë vetjake", në mënyrë teorike ai kishte afirmuar se vlera e kontributit shkencor të çdo gjuhëtari, vjen kur ai vë në lëvizje mendimin si praktikë studimore, por dhe si përvojë personale. Sipas meje, e veçanta e tij dëshmon jo thjesht një gjuhëtar, që midis gjuhëtarëve të tjerë të shquar dallon për pikëqasjet e veta. Pikërisht ky origjinalitet thekson edhe vlerat e të tjerëve, me të veçantat e tyre, që i dallojnë nga njeri-tjetri. Një plejadë gjuhëtarësh të shquar në shkencën e gjuhësisë ekziston, sepse në individualitetet e tyre realizohen të shquarit, sepse sa janë bashkuar në problematika, në zgjidhje të caktuara, aq janë të veçantë në vlerat dhe kontributet vetjake. Selman Riza është njeri prej të Shquarve!
Home »
» Selman Riza, gjuhëtari në pasionin e shkencave filozofike





