Prishje e kufijve gjinorë në letërsinë tonë moderne

NGA FLORESHA DADO



1. Pse problemi i gjinive?
Nga të gjitha format letrare, kategoria, vazhdimësia e së cilës ka më shumë rëndësi në procesin historik të një letërsie, është gjinia letrare. Duke qenë sintezë e strukturave formale dhe përmbajtjesore të trashëgimit letrar, kjo kategori duhet pare nga shkenca jonë letrare si një problem themelor. Në përgjegjësinë tonë të përbashkët, kjo kategori e zhvillimit historik nuk është trajtuar asnjë herë në atë plan që e kërkon vetë fenomeni letrar. Çeshtja bëhet e rëndësishme për studimet e sotme për dy arsye : së pari, përmbajtja e kategorisë së gjinive letrare ka qenë historikisht e diskutueshme në mendimin teorik, por në shekullin e lulëzimit të letërsisë moderniste e postmoderniste, dolën pikëvështrime të tjera për kriteret e dallimit gjinor. Së dyti, letërsia shqiptare, ndonëse hyri me vonesë në rrugën e modernitetit, pati zhvillimet e saj dhe, vitet e fundit, po dëshmon një vrapim, në ndonjë rast edhe pa fre, drejt poetikës moderniste e postmoderniste. Kjo e jep efektin më dukshëm në ndryshimet strukturore, në përzierjen, apo braktisjen e tipareve gjinore, në zvetënimin e një lloji dhe lulëzimin e një lloji tjetër etj. Këto dukuri, që në përmasa të ndryshme i hasim që në prozat e Koliqit, për të ardhur të proza e Kadaresë, te dramat apo proza e Pashkut, e deri te romancierë e dramaturgë më të rinj të ditëve tona, janë shumë të rëndësishme. Braktisja, ose përzierja e tipareve gjinore duhet parë si diskutim, si mbrojtje apo përmbysje e normave klasike?. Ky shkrim është vetëm nxitje për një trajtim të gjerë nga studiuesit e letërsisë.
A do vazhdojmë ta konceptojmë gjininë vetëm mbi kriterin e ndërtimit të marrëdhënies midis autorit dhe botës “reale” (në kuptimin më të gjerë të fjalës)? kur dihet se ç’specifika ky raport në gjininë epike, në gjininë lirike dhe në atë dramatike? Apo do t’i interpretojmë gjinitë thjesht formë letrare, në kuptimin e ngushtë të fjalës ?. Në veprat e autorëve më të dalluar të modernitetit shqiptar vihen re shmangje nga struktura dhe veçoritë tipologjike të gjinisë epike, dramatike, madje edhe nga poezia. Kjo dukuri herë është më e dukshme, herë më e brendshme, shfaqet nw tre gjinitw:
1. Prozë që shkon drejt dramës : Kemi prozë, por me skena imagjinative të komunikimit të dramës në romanet e Kadaresë (Kronikë…).? Ndërtim të veçantë të strukturës rrëfimtare te M.Kraja (Netë Bizantine), ku personazhit vihet në rolin e një dramaturgu, që ndjek, prezanton me stil telegrafik lëvizjet apo thëniet e personazheve të tjerë.? Ndërtim i gjithë tregimit vetëm me dialog, nga A.Pashku, deri përdorimi i shenjave të tipit të dramës? Thyerje e kufijve të strukturës narrative, ku nuk dallohen qartë kalimet midis romanit, dramës apo esesë, në vepra të K.Trebeshinës, R.Qoses, A.Tufës, R.Dibrës, V.Gracit etj… ?
2. Prozë që shkon drejt poezisë: Ndodh që struktura narrative e prozës të zëvendësohet nga një strukturë e brendshme emocionale, si tipar themelor i gjinise lirike. Sipas S.Hamitit prozat e Migjenit “janë forma të shkurtra në poezi, që nuk janë zhvilluar në tregime…”. Ose : “kapërxuell mes prozës dhe poezisë” shkruan Dh.Shehri për prozat e Koliqit. Ose, çfarë do të thonim për M.Camaj: prozë apo poezi ? Zëvendësim të rrefimit me imazhe figurash poetike, që kanë ngarkesën e një pasazhi apo përjetimi të theksuar emocional, çka është tipar i gjinisë lirike ?. Zëvendësimi i figurës-personazh, që dallon prozën, me figurën-ide, që i jep tregimit një frymë të plotë poetike, te A.Pashku.?, e kështu disa raste të tjera…
3.Drama që shkon drejt prozës. Ndryshimet në strukturën e prozës moderne shqiptare, sidomos në vitet e fundit të eksperimentimeve formale, kanë çuar në kapërximet e kufijve tipologjikë të dramës, te disa autorë kosovarë, si dhe disa eksperimentues të rinj në Shqipëri. Më dukshëm ky fenomen vihet re në dramat e A.Pashkut, ku elemente të strukturës narrative janë në themel të ndërtimit dramatik, ku veprimi, si elementi më klasik i skenës dramatike, zëvendësohet me rrëfimin e personazhit, duke i dhënë dy dramave të tij (Gof dhe Sinkopa ) rrëfimin e një teksti prozaik, kryesisht të lexueshëm. Kufiri midis dramës dhe prozës rrënohet, drama duket si më e përshtatshme për t’u lexuar se sa për t’u vënë në skenë. Te i njejti autor shkëmbehen struktura e prozës me të dramës dhe anasjelltas. Nëse, p.sh. te Galtina (lloj i gjinisë epike) nuk ka fare rrëfim, por vetëm dialog, te dramat nuk ka dialog por një narracion specifik. Si raste tipike të prishjes, të kapërximit të kufijve gjinorë, vepra e A.Pashkut, si dhe mjaft vepra të sotme moderniste e postmoderniste (S.Çapaliku, S.Franku etj.) dëshmojnë një fenomen që nuk mund të kalohet jashtë shtrimit të një çeshtjeje tjetër të rëndësishme :
2. Braktisje e normave fikse do të thotë shkatërrim i gjinisë?
Fakti që në letërsitë moderne sistemi i gjinive ka “rrëshkitur” nga normat tipologjike, siç përmendëm edhe në disa vepra të letërsisë sonë, sigurisht ngjall diskutime. A do të thonim se në letërsinë tonë po paralajmërohet transformim gjinor, kur vihet re se struktura formale e disa veprave epike, kryesisht te romani, por dhe në disa drama, pëson “deformime” të dukshme ? Apo braktisjen, në disa vepra, të normativitetit të këtyre gjinive do ta quajmë prirje për mohimin e tyre?. Sipas vëzhgimit tim, raporti midis respektimit të veçorive tipologjike të një gjinije dhe kapërximit të tyre është i ndryshëm te shkrimtarët modernë në vitet ’30 të shekullit të shkuar e në vazhdim, nga prirja që u shfaq në letërsinë tonë 10 vjeçarët e fundit dhe që vazhdon sot e kësaj dite. Te Koliqi, Camaj, Migjeni, Kadare etj. ky proces duhet të ketë qenë më i brendshëm, më intuitiv. Kurse te autorët e viteve ‘90 e këtej, të prirur ethshëm ndaj formave moderniste e postmoderniste, thyerja e tipologjisë gjinore u bë më e qëllimshme, herë edhe tendencioze.
Po të synonim, për një moment, të dukeshim si sfidantë në arsyetimet tona, mund të hidhnim papritur pyetjen : ç’nevojë ka dhe ç’vlerë ka respektimi rigoroz i tipologjisë gjinore në vepra të veçanta të letërsisë së sotme.? A mund të fshihen kufijtë gjinorë, dhe shkrimtari të shkruajë jashtë respektimit të normave tipike? Në të vërtetë në mendimin teorik ekziston një pikëpamje sipas së cilës “tipari themelor i gjinive nuk është të qenët i klasifikueshëm.”. Ndërkaq është vetë realiteti ynë letrar që na e sjell në mendje këtë pohim. Kjo çeshtje mund të vështrohet seriozisht duke e gjykuar dukurinë letrare jo në një moment kohor, por në periudhën e shtrirë të zhvillimit dhe pasurimit të gjithë letërsisë sonë. Gjinia, sidomos ajo epike, ka potencial të madh për variante strukturore-artistike, që mund të shfaqen në kohë dhe në individualitete pa fund. Sidomos romani, në strukturën e të cilit ndërthuren elementë si eseja, poezia, dialogu filozofik, arsyetimi moral-psikologjik etj. Pra është një lojë, e cila , si çdo lojë, ka rregullat e veta, por edhe të papriturat dhe sfidat e veta. A duhet parë, pra, raporti midis konceptit klasik të kësaj gjinie dhe varianteve “rebele” në një këndvështrim më të hapur ?. Në letërsinë tonë larmia e prozatorëve është zgjeruar. Prirjet moderniste e postmoderniste, si sfidë ndaj normës klasike, janë theksuar. Modifikimi i raporteve midis varianteve (prozatorë të ndryshëm) dhe tipareve tipologjike, të qëndrueshme të gjinisë, (qoftë proza apo drama), na dëshmon përpjekje për kapërxim dhe shkrirje të kufijve gjinorë. Kjo duket tendencë zhvillimi, çka na bën të pranojmë pa hezitim pikëpamjen mbi karakterin historik të gjinive letrare.
3. Ligjërimi, kriteri themelor?
Përzierja, apo kalimi i kufijve gjinorë, sidomos midis prozës dhe dramës, e ka pikënisjen te përmasat e alternimit të ligjërimit të narratorit me ligjërimin e personazhit, dy faktorë që ekzistojnë në të dyja gjinitë, ndonëse me funksione dhe peshë të ndryshme. Kur raporti midis produktit të këtyre dy faktorëve : sistemit personal (dialogut) dhe sistemit jopersonal (rrëfimit) kthehet në kahje ekstreme, d.m.th mbizotëron në menyrë të papritur funksioni i njerit ndaj tjetrit, atëhere kemi shmangje nga poetikat përkatëse dhe kapërxim kufijsh gjinorë. Kështu rrëfimi, nga tregues i tipareve ose situatave, apo realizim i një aksioni që ve në lëvizje veprimin (proza e zakonshme), kalon në interpretues mbi përballjen e qëndrimeve morale apo filozofike (OH, Një Dashuri e Shtatë Faje, etj.). Në këtë rast synimi nuk është ndërtimi i procesit narrativ, por rrëfimi i fjalës, që mbart një peshë filozofike. Ligjërimi rrëfimtar duket si pjesë e ligjërimit dramatik. Kujtojmë se me zhvillimin e gjuhësisë së tekstit, ku teoritë e ligjërimit u bënë fushë e rëndësishme e interpretimit letrar, përcaktimi i gjinive u lidh pikërisht me teoritë e ligjërimit. Shfaqen koncepte te tjera edhe mbi statusin e gjinive letrare. Këto teori shkojnë deri aty sa të pranojnë një numur të pafund gjinishë, në vartësi të situatave njerëzore shumë të larmishme, që evoluojnë e rievoluojnë gjithnjë (Bahtin). Në format e reja të romanit, apo dramës, që zumë në gojë, hetojmë pikërisht fenomenin e evolucionit të ligjërimit, në kuptimin më të plotë të tij. P.sh.: një nëngjini e konsoliduar si romani, kombinohet me lloj tjetër të ligjërimit, p.sh.me ligjërimin epistolar. Ka edhe kombinim elementesh ligjërimore të tre gjinive letrare ( prozë, poezi e dramë…Pashku, Kadare, etj…), ose përfshirje e disa llojeve të vogla letrare e jashtletrare të të shkruarit. Ose, kur rrëfimi nuk konceptohet si sekuencë ngjarjesh, por si ligjërim simbolik, krijohet një dinamikë e veçantë narrative, përmes stilit që karakterizon një vepër dramatike ( në veprën e R.Dibrës, ose R.Qoses). Pra ndodh ky fenomen interesant : në disa vepra njera gjini reflekton tjetrën.
4. Gjinia letrare dhe lexuesi i sotëm.
Gjinitë përjetohen prej nesh përmes vetëdijes gjinore që kemi për to. Kjo vetëdije nuk është e njëllojtë te receptuesit e të gjitha kohëve. Nuk mund ta mohojmë që në realitetin e sotëm letrar ekziston ndijesia e një perceptimi tjetër të gjinisë, qoftë prozë, apo dramë, me ato kapërxime tiparesh që i thamë më parë. Nëse lexuesi i sotëm i pranon këto gjini moderne si kategori të pangurtësuara, kjo flet shumë lidhur me çeshtjen që po shtjellojmë.
Koncepti teorik që nuk e sheh një vepër konkrete si një gjini strikte dhe vlerëson te ajo tiparet individuale etj. na duket interesant për kuptimin tonë mbi marrëdhënien midis sistemit (gjinia në vecoritë tipologjike) dhe variantit të sistemit (veprës të letërsisë sonë moderne ku cënohen ato veçori tipologjike). Siç e thamë : prozë që shkojnë drejt dramës apo poezisë, si dhe dramë që shkon drejt prozës! Pse të mos i shohim këto vepra të veçanta edhe si nënsisteme që zgjerojnë mundësitë e sistemeve (gjininë) ?. Nxitur nga ky realitet letrar na duket interesante pikëpamja sipas së cilës “Interpretimi nuk ka për qëllim të provojë që teksti paraqet këtë ose atë gjini letrare, por as nuk duhet të injorojë faktin që përkatësia në një gjini të dhënë përcakton tipare të ndryshme të veprës që studiohet.” Nëse pranojmë se, në raport me gjininë vepra letrare është edhe qëndrushmëri e saj, edhe variant i saj, atëhere midis tyre ka marrëdhënie shumplanëshe. Del problemi: Cili është qëllimi i interpretimit tone: të përcaktojë se në ç’masë një tekst paraqet këtë ose atë gjini letrare? Apo sa kjo vepër zgjeron strukturën formale të vetë gjinisë dhe arrin të krijojë një identitet të ri.? Vetë zhvillimi i letërsisë botërore ka dëshmuar se sa kanonike, e ngurtësuar ishte pikëpamja klasike dhe neoklasike që e shihte çdo lloj letrar “të pastër”, që duhet të respektonte rregulla për subjektin, strukturën, stilin, efektin emocional, etj.
Letërsia i theu këto rregulla të ngurta. Pse? Sepse është zhvillimi i brendshëm i saj që nuk pret ta orientojmë ne në grupime dhe tipare të fiksuara tipologjike. Përkundrazi, janë zhvillimet e lira të saj që tërheqin pas vetes studiuesit në përcaktimin e kritereve të grupimit gjinor. Ky tipar i brendshëm i evolucionit artistik e historik karakterizon edhe letërsinë tonë moderne, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm, edhe përsa i përket tipareve gjinore. Rëndësi ka që bashkëveprimi i faktorëve të pandryshueshëm gjinorë dhe jashtgjinorë të jetë një dukuri që vjen natyrshëm, nën nxitjen e instikteve të brendshme krijuese, dhe jo si një mani e autorit. Sa ruhet gjinia (romani e drama), sa zhduket, sa bëhet diçka tjetër, një cilësi e re, me tipare të reja? A janë të natyrshme në letërsinë tonë forma të tilla të ndërmjetme, që prishin kufijtë tradicionalë tipologjikë? Ja disa nga çeshtjet që meritojnë studim më të thelluar për këtë dukuri sa estetike, aq dhe historike.

Related Posts: