Në shtëpinë e letërsisë në Vjenë

Në Vjenë, në ditët e fundit të këtij nëntori, Shtëpia e Letërsisë (“Literaturhaus Wien”), në vijim të veprimtarive të saj të shumta kulturore, zhvilloi Takimet Ndërkombëtare të Letërsisë, me të ftuar nga vende të ndryshme të botës, poetë, shkrimtarë, kritikë e studiues arti, përkthyes, muzikantë e botues të ndryshëm. Nga Shqipëria merrte pjesë shkrimtari Visar Zhiti. Artdashësit e shumtë, qytetarë të Vjenës, për disa ditë me radhë ndoqën lexime poezish, performanca, muzikë nga bota, çmimin “Erich Fried Preis 2009”, ekspozita fotografike, filma, bibliotekë botimesh, ku mes librave të shumtë, ishin dhe “Literaturë nga Shqipëria”, përgatitur nga shkrimtarja austriake Andrea Grill, si dhe “Antologjia e Poezive” të këtij festivali, ku përfshiheshin dhe poezi të Visar Zhitit, si dhe shpërndahej gazeta më e madhe letrare austriake “Volltekxt” me intervista të përzgjedhura të të pranishmëve. Tryezat e rrumbullakëta ishin ato që tërhoqën vëmendje, teksa shpalosej përvoja letrare dhe tema të debatit social-kulturor, mundësitë e gjuhës për të kuptuar botën. Atë pa mure, sidomos tani, pas 20 vjetësh nga shembja e Murit të Berlinit.

Fillimi i takimeve, nën titullin “Lirikë me zë të lartë”, paraqiti zëra dhe temperamente të ndryshme, nga të cilët dëgjoheshin për herë të parë në Austri si poetët amerikanë, repstar-i i njohur Saul Williams, aktor ndërkohë, kampion i “Grand Caffè” të Nju Jorkut, po kështu dhe beatboxeri nga Chicago Yuri Lane apo berlinezi Bas Bottcher etj.

Në tryezën e rrumbullakët “Liri për të hapur gojën tënde”, ku ishin të ftuar shkrimtarët Esther Dischereit nga Gjermania, Barbara Hundergger nga Austria, Nora Luga nga Rumania, Robert Schindel, hebre nga Austria dhe Visar Zhiti nga Shqipëria me përkthyesen dhe shkrimtaren austriake Andrea Grill, drejtonte bisedën Profesor Klaus Amann, drejtor i Institutit për Letërsi dhe kërkime “Musil” të Klagenfurt. Shkrimtarja rumune, Luga, tregoi për vështirësitë që kishte letërsia e vendit të saj nën regjimin komunist, shtypjet që ushtroheshin mbi shpirtrat e njerëzve, kurse Visar Zhiti solli fakte rrëqethëse nga letërsia nën diktaturë, ku dënoheshin shkrimtarë dhe lexues, libra dhe varre poetësh, madje dhe vetë figura letrare, që quhet metaforë, pa të cilën s’ka letërsi. Gjithashtu, Zhiti theksoi se Shqipëria ka ndryshuar shumë, nga shtypja më e madhe është kaluar në hapje dhe liri. Ebreu Schindel theksoi se është në kërkim të vetvetes nëpërmjet letërsisë së tij. Ndërsa austriakja Hundergger shpjegoi lirinë e shkrimtarit si një arrati dhe në sendet që përshkruan në veprën e vet, kurse gjermania Dischereit përfundoi duke thëne se letërsia është një univers.

Në panele të tjera si “Kjo është ajo që është” u trajtuan stilet poetike, përshtatshmëria e tyre në liritë, duke u pasuar me koncertin “Poetinnennacht”, si dhe me debatin “Dhuna kundër gjërave”. “Poezia në ekran” ishin filmat e shkurtër, me poezinë brenda, si një përvojë e re arti mes poezisë, filmit dhe mediave të reja, sjellë nga Berlini, organizuar nga “Workshop Literatur”. Tryeza 3 e rrumbullakët iu kushtua imagjinatës dhe mësimdhënies me poezi, edhe nëpërmjet përkthimit. Në ditët e mëpastajme u kalua në programet e muzikës kontemporane, si dhe në çmimin “Erich Fried”, në kujtim të holokaustit dhe krimeve kolektive, me qëllim mospërsëritjen e tyre, ekspozimet e fotografive nga Heide Heide etj. Ditët në Shtëpinë e Letërsisë në Vjenë patën jehonë ndër qytetarë dhe në media si tregues të komunikimit ndërkulturor dhe njohje të tjetrit nëpërmjet përvojave, ku gjuhët dhe kulturat të mos na ndajnë, por të na bashkojnë.

Përgatiti: E. Agaj



Intervistë/ Bisedë mes dy shkrimtarësh, në gazetën më të madhe letrare në Austri. Anrea Grill zbulon poetin në diktaturën shqiptare





Visar Zhiti

Këtu vdekja nuk trondit askënd



“Në Shqipërinë time askush nuk kërkon falje dhe askush nuk pendohet, por jemi krenarë njëlloj: persekutorët pse na persekutuan dhe të persekutuarit pse u persekutuan. Mburremi me vuajtjen tone” - janë këto fjalitë më tronditëse të poetit Visar Zhiti në një bashkëbisedim mbi të kaluarën diaktoriale në Shqipëri, ku sot vështrimi është grotesk qoftë për të persekutuarin dhe persekutorin. Në gazetën më të madhe letrare austriake “Volltext”, me shpërndarje edhe në Gjermani, në numrin e saj më të fundit, është botuar dhe intervista e shkrimtarit Visar Zhiti, dhënë shkrimtares austriake, Andrea Grill. Ky bashkëbisedim mban titullin e një poezie të Visar Zhitit “Këtu vdekja nuk trondit askënd”.



Andrea Grill: Zoti Zhiti, kur ka lindur dëshira juaj për të shkruar?



Visar Zhiti: Herët, kur isha fëmijë, kam ëndërruar. Edhe shkarravinat që bënim mureve, janë dëshirë për të shkruar, janë poema të humbura. Poezinë e parë e kam botuar kur isha 15 vjeç.



Andrea Grill: Si e keni zgjedhur shkollën ,universitetin që keni bërë?



Visar Zhiti: Nuk kishim të drejtë zgjedhjeje. Vendoste partia-shtet, ku i duhej asaj. Unë i përkisja një familje që nuk e donte Partinë Komuniste, e cila sundonte e vetme në Shqipëri, por as Partia nuk na donte ne. Edhe babai im ka qenë i dënuar me burg e as mund të botonte poemat dhe komeditë e veta, ndërsa një xhaxha ma vranë, edhe një daje, si nacionalistë dhe kundërshtarë të regjimit. Vëllezërit e mi s’u lejuan të shkonin në universitet. Unë përfitova nga një zbutje e luftës së klasave dhe më çuan të studioj për Gjuhë dhe Letërsi në qytetin verior, në Shkodër. Në fakt do të bëhesha thjesht mësues fshati, se letërsia botërore njihej pak, shumë pak dhe shahej, sidomos bashkëkohorja. Edhe një pjesë e letërsisë shqipe ishte e ndaluar. Lejohej vetëm realizmi socialist, shkrimtarët e vdekur sovjetikë, më pas kinezë, se të gjallët mund të tradhtonin çështjen e revolucionit.





Andrea Grill: Ju ishit dënuar 10 vjet burg, në qoftë se nuk gabohem. Çfarë motivesh kishin poezitë që ju kushtuan atë dënim të rëndë? A ishin të përmbledhura në një libër? Ose të botuara diku tjetër? Apo poezi që nuk ishin botuar akoma?



Visar Zhiti: Po, mua më dënuan me 10 vjet burg të rëndë për poezitë e mia. S’ishin trakte që kërkonin përmbysjen e pushtetit, por trajtonin realitetin. Kërkoja dhembjen e njeriut, trishtimet e tij, vuajtjen, shpresën. I bëja jehonë dhe fatit tim, me metafora, me gjuhën e Ezopit, kërkoja një jetë më të mirë, hapësira, humanizëm, liri, atë që unë besoja se duhet të kërkojë poezia, pa bërë kundërpolitkë. Arrita të botoj pak poezi në gazetat dhe revistat letrare kryesore, kaq mjaftonte që në Shqipërinë e vogël dhe të mbyllur të të njihnin në lagje, në qytet, në qytetet e tjera, por dhe të njihte dhe policia sekrete. Poezitë e mia, që kur isha student, i mblodha për t’i botuar libër më vete, u vura titullin “Rapsodia e jetës së trëndafilave” dhe i dorëzova në të vetmen shtëpi botuese shtetërore, që kishim, që mbante emrin e poetit kombëtar, “Naim Frashëri”, por që gjithnjë ishte botuar i censuruar. Ai libër s’u botua kurrë, ka humbur tani, por e konsideruan armiqësor dhe, sipas rregullit të atëhershëm, çuan informacion të fshehtë në Komitetin Qendror të Partisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Unë u shënjova kështu për t’u survejuar dhe dënuar.



Andrea Grill: Kush vendoste se cilat poezi ishin të “mira” dhe cilat ishin agjitacion dhe propagandë kundër? Ishin shkencëtarë për letërsi ose ekspertë? Dhe kush i përzgjidhte?





Visar Zhiti: Vendoste shteti, institucionet e tij, madje dhe gjyqi, pasi ishin lajmëruar nga redaktorët e botimeve, që ishin dhe censorë të pashpallur. Thirreshin në ndihmë dhe kritikë të njohur të letërsisë, shkrimtarë të Realizmit Socialist, i përzgjidhte Partia, shteti, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ata gjykonin nga ana ideologjike e politike e pastaj letrare dhe dërgonin me shkrim informacionin, nëse vepra letrare “bënte” apo “nuk bënte”, në duhej dënuar libri apo autori apo të dy bashkë. Në Shqipëri janë burgosur shkrimtarë, janë pushkatuar, janë varur, janë dënuar dhe varre të tyre.



Andrea Grill: Si e keni marrë vesh që poezitë që kishit shkruar ishin “problematike”? A ju kane arrestuar direkt, ose kishit mundësi për të mbrojtur veten? Për shembull për t‘i rishikuar poezitë dhe për t‘i publikuar në një mënyrë më të “përshtatshme” për politikën e shtetit?



Visar Zhiti: Sipas ritualit më dhanë një përgjigje me shkrim që poezitë mia ishin të errëta, pesimiste, pa entuziazmin e kohës, me ndikime nga poezia borgjezo-revizioniste, pra me gabime të rënda në përmbajtje, të pandreqshme. S’e di pse këmbëngulja, i riçova, duke i ripunuar e shtuar të tjera, por sipas specialistëve, ishin bërë akoma më keq. Më arrestuan papritur, në mes të rrugës më vunë prangat, pa më thënë përse dhe më mbyllën në qeli. Je armik, më thanë, kundër pushtetit popullor. Por çfarë kam bërë? - pyeta. Poezi, më bërtitën. Dhe u ndërgjegjësova për misionin e mallkuar të poetit.



Andrea Grill: Akuza kundër poezive të tua ishte hera e parë që ju krijoi problem me shtetin?



Visar Zhiti: Po. Por siç ju thashë, unë konsiderohesha me biografi të keqe për shtetin komunist. Nuk duhej të isha poet. Këto m’u bënë të qarta, kur më dënuan, kisha shpresuar kot se mund ta ndryshoja fatin tim me anë të poezisë. Në fakt e ndryshova, e çova në humnerë. Dhe ajo që më shpëtoi nga humnera, ishte prapë poezia.





Andrea Grill: Ka pasur gjyq? Dhe në qoftëse po, kush ishte aty? Si ka ndodhur?



Visar Zhiti: Natyrisht që kishte, gjyq i hapur, për të cilin u shpërndanë dhe ftesa, siç shpërndahen sot për një pjese teatrore apo promovime librash. Salla u mbush plot me qytetarë që i njihja, që s’i njihja, kolegë mësues, nxënës të mi, shkrimtarë province, po, po, dhe i çmenduri i qytetit, se çdo qytet kishte dikë që e mbante për të çmendur, por që ishte më normal se vetë koha. Trupi gjykues përbëhej nga kryegjyqtari, që edhe sot është kryegjyqtar, dhe dy ndihmës të tij, një punëtor, që simbolizonte diktaturën e proletariatit dhe një grua anonime, që përfaqësonte emancipimin e femrës në shoqërinë socialiste. Unë isha në bankën e të akuzuarve, me pranga mes dy policëve, që, për t’i dhënë kurajo vetes, recitoja poezi me vete.





Andrea Grill: Unë e di që ka pasur “burg” dhe “internim” në Shqipëri. Ju i keni bërë të dyja?





Visar Zhiti: U dënova me 10 vjet burg edhe, pasi u lirova, prapë isha i dënuar. S’kisha të drejtën e ushtrimit të profesionit, s’mund të isha më mësues, punoja i kontrolluar si skllav në një fabrikë tullash, më ishte hequr me ligj tani edhe e drejta e botimit, nuk duhej të shkruaja më dhe s’kisha as të drejtën elektorale, jo vetëm që s’mund të zgjidhesha, gjë që as e doja, por as nuk duhej të zgjidhja. S’kisha se kë? Liri s’kishte, një Parlament formal me vrasës.



Andrea Grill: Cila ishte gjendja në burg (ose internim)?



Visar Zhiti: E tmerrshme! Punë natë e ditë, pa të shtuna e të diela, rrethuar me tela me gjemba, në minierë nën tokë. Ndodhte që nuk dilnin të gjithë gjallë, binin shkëmbinj, vriteshim ditë për ditë. Por i burgosuri as i vdekur nuk dilte nga burgu. S’dihej ku e hidhnin. Përrenjtë ndonjëherë nxirrnin kafka nga balta.





Andrea Grill: Lejohej të lexonit në burg? Të shkruanit?



Visar Zhiti: Të lexoje – po. Të shkruaje – jo. Na lexonin me dhunë gazetën e Partisë “Zëri i Popullit” dhe librat mediokre të diktatorit Enver Hoxha, rrallë edhe Karl Marksin, gjoja për të na riedukuar, por që bënin pjesë në vazhdimin e torturave. Prandaj dhe lejoheshin botime të Realizmit Socialist dhe ç’ishte botuar në Shqipëri, kur Stefan Cvajgu, p.sh., ishte i ndaluar. Po edhe Dostojevski. Të flisje për Kafkën, Xhojsin, Kamynë, Frojdin dënoheshe. Edhe në burg dënoheshe prapë. Dhe nuk lejohej të vdisje.

Shteti të vriste kur të donte. Mes lodhjeve dhe çmendurisë kishte nga ata që shkruanin poezi fshehurazi, edhe romane. Mes tyre kam qenë dhe unë. Në fillim i kam bërë me mend poezitë e mia. Miqtë e burgut më thanë: shkruaji dhe na i jep neve, që t’i mësojmë përmendësh, se po u vrave ti në minierë, të shpëtojnë poezitë. Janë dëshmi, testament. Por unë shkruaja për të krijuar emocionin e gjallë të njeriut, atë të ndaluarin. Isha i lirë së brendshmi, kur krijoja, jashtë çdo burgu. Shkruanim dhe mbi letra të holla cigaresh, por dhe mbi thasë çimentosh. Fshehja e tyre ishte një ferr më vete, po t’i gjenin të dënonin prapë, por edhe mund të të pushkatonin. Dënonin dhe atë që mund t’i lexonte fshehurazi dhe nuk denonconte. I kam treguar të gjitha këto në romanet e mia, që kam botuar më pas. Ne krijuam në burg lexuesin klandestin dhe letërsinë e burgosur, që sot, besoj, i ka sjellë letërsisë shqipe të vërtetën dhe moralin, për të cilat, prapë besoj, se ka nevojë një letërsi.





Andrea Grill: Kishit mundësi takimi me familjarët?



Visar Zhiti: Me rregulloren e burgut vetëm 2 herë në muaj, rreth 15 minuta. Kishte dhe leje më të gjata, por duhej të bëje kërkesë. Burgjet ishin larg, mes maleve, rrugët e këqija me baltë dhe borë e kështu familjarët vinin një herë në 2-3 muaj ose 1 herë në vit ose kurrë dhe ndodhte që ata s’e dinin që kishim vdekur dhe ne s’e dinim në ata ishin gjallë.



Andrea Grill: Ku jetonit kur ju arrestuan dhe a patën familjarët probleme nga dënimi juaj?



Visar Zhiti: Isha larg shtëpisë time dhe më afër burgut, në një fshat të rrethit të Kukësit, në kufi me Kosovën, por që nuk lejohej të shikoje andej. As retë në qiell jashtë kufirit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nuk lejohej t’i lavdëroje, nëse të dukeshin të bukura. Vëllezërit e mi u çuan në punë më të këqija, njëri në një fermë shtetërore punonte kazmë dhe tjetri bënte beton për bunkerët. Në Shqipëri u ndërtuan rreth 70.000 bunkerë, që i shpërndanë kudo, në bregdet, maleve, në sheshet e qyteteve e deri dhe brenda dyqaneve. 2-3 shqiptarëve u takonte një bunker, kurse familje të tëra ishin pa shtëpi, por jetonin ngushtë nëpër apartamente të vegjël. Sot këta bunkerë nuk vlejnë për asgjë, po mundohen t’i shkulin, edhe nga kujtesa.



Andrea Grill: Kur keni dalë nga burgu? Dhe si e keni vazhduar jetën pastaj?



Visar Zhiti: Dola pas vdekjes së diktatorit, por pa rënë ende Muri i Berlinit. U lirova, por s’isha i lirë. Policia sekrete më ndiqte dhe kërkonte të më bënte bashkëpunëtor duke më kërcënuar se do të më çonin prapë në burg. Tani jam i lumtur që pata forca t’i refuzoj me neveri. Ndjehesha i vetmuar dhe i braktisur, pa perspektivë, ndërkohë lodhesha shumë në punë, por çuditërisht gjeja kohë dhe lexoja dhe fletët e librave i bëja me njolla, nga që duart gjithmonë i kisha me dhè. Vazhdoja të shkruaja poezi, por iu ktheva dhe prozës. Bashke me poezitë qe kisha arritur t’i nxirrja nga burgu, i fshihnim nën tokë, pra i burgosja prapë, në shtëpinë e motrës time, ajo kishte një kopsht me pemë. E dinim që pemët nuk na tradhtonin.



Andrea Grill: E dini kush ju ka akuzuar? E keni takuar pastaj? Ose oficerët në burg? Duke qenë e vogël Shqipëria, kjo mua më duket e mundshme. Apo jo?



Visar Zhiti: Partia, shteti më akuzoi dhe e di cilët përdori shteti për të përgatitur akt-akuzën, një kritik mediokër arti dhe një poet akoma më mediokër. I kam takuar. Në gjyq më nxorën dëshmitarë 3-4 mësues, me të cilët punoja në fshat. Kam takuar dhe oficerë burgu, ka ndodhur dhe të pi kafe me ta, ndërsa vajzës së njërit prej tyre, i kam bërë parathënien e librit të saj me poezi. Në Shqipërinë time askush nuk kërkon falje dhe askush nuk pendohet, por jemi krenarë njëlloj: persekutorët pse na persekutuan dhe të persekutuarit pse u persekutuan. Mburremi me vuajtjen tone.





Andrea Grill: Ku jetoni tani? Punoni vetëm si shkrimtar ose keni edhe punë tjetër?



Visar Zhiti: Jam në Romë, bashkë me time shoqe dhe djalin, punoj në ambasadën e Shqipërisë. Si shkrimtar nuk mbijeton dot, por do të doja. Shkrimtari shqiptar, edhe kur del nga burgu, e ka qelinë mbi supe si hamalli një arkë. Por ndryshimi pas rënies së Murit është tejet i madh, as guxonim ta ëndërronim. Vij nga një ferr më i keq se i Dantes dhe jam i lirë në dy “atdhe”-një danteskë, në tokësorin dhe në atë të ëndrrës, poezinë.

Marrë nga “Volltekxt” - Zeitung Fur Literatur, nr. 5/2009