Nga Enver Robelli
Me poezinë “Muti” shkrimtari gjerman Hans Magnus Enzensberger është futur në historinë e satirës serioze politike. Ky intelektual i madh gjerman këto ditë mbushi 80-vjet. Poezia e tij për jashtëqitjen është shkruar para 45 vjetësh. Atëherë i përshtatej sistemit të ngurtë politik të Gjermanisë, sot e përshkruan saktë gjendjen në Kosovë
Literatura e mirë është e përbotshme dhe e përjetshme. Ajo nuk fundoset në greminat e kohës, nuk mbulohet nga pluhuri, as nga harresa. Literatura e mirë i ndihmon çdo gjenerate ta përfytyrojë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Literatura e mirë nuk njeh tabu, nuk njeh tema të ndaluara, nuk pranon autoritete të rrejshme, as instanca të vetëshpallura morale, tokësore apo qiellore. Literatura e mirë gjithmonë është opozitë kundër krimit, të keqes, pafytyrësisë, nënshtrimit, poshtërimit. Literatura e mirë është e mirë edhe kur merret me tema të gërditshme, të neveritshme, të pështira, të krupshme. Literatura e mirë atakon padrejtësitë, demaskon banditët, lufton për barazi shoqërore, lufton kundër plaçkitësve.
Në këtë kuptim poezia me titullin e pazakonshëm “Muti” e autorit gjerman Hans Magnus Enzensberger është literaturë e klasit të parë. Përmes satirës politike Enzensberger reflekton dhe rezonon për përdorimin inflacionar të fjalës “mut” në debatet e përditshme, prej mëngjesi në darkë. Me këtë epitet njerëzit fyejnë pushtetarët, gazetarët e korruptuar, kasapët e kapitalizmit gllabërues, iluzionistët komunistë që rrëshqasin në terrorizëm (si në Gjermani në vitet 70-të), kriminelët etj. Po aq shpesh fjala “mut” përdoret edhe në muhabetet private.
Enzensberger përmes poezisë satirike refuzon përdorimin e tepërt të kësaj fjale. Ai shtron dilemën: Pse të fyhet një kriminel me një përbërje (me mutin), që autori e quan “të pafajshëm”, “të butë” dhe “modest”. Një kriminel meriton gjithsesi goditje më të rënda, për shembull ballafaqim me ligjin (aty ku sundon ligji, natyrisht). Ideja e Enzensbergerit është se muti padrejtësisht përdoret si fjalë për të etiketuar diçka që është më e fëlliqtë. Pra, nëse një krimineli apo një politikani i ngjitet etiketa e mutit, atëherë ai duhet të jetë detyrimisht edhe më i fëlliqtë, një ndyrësirë e rrezikshme për shoqërinë. Në vazhdim të poezisë muti përshkruhet si jetëshkurtër në krahasim me të keqen, pasojat e së cilës duhet t’i bartin gjenerata të tëra. Për shembull Gjermania edhe sot merret me pasojat e nazizmit. Pra, zemërimi nuk mund të shprehet përmes fjalës mut. Në strofën e tretë Enzensberger e quan mutin si të padhunshëm dhe lehtësues (për njeriun). Krimi, korrupsioni, keqpërdorimet, vrasjet, ndërkaq, nuk janë të padhunshme, as lehtësuese. Për dallim prej luftërave muti, sipas poetit, është vepra më paqësore e njeriut. Në fund Enzensberger pyet me ironi se ç’na ka bërë vallë muti? Poeti i këndon, natyrisht pa rima, pasivitetit dhe pafajësisë metafizike të mutit. E shkruar në vitin 1964 poezia atëherë i përshtatej kontekstit kohor: katër vite më vonë në Gjermani studentët u ngritën në protesta kundër gjeneratës së prindërve, kundër profesorëve, kundër politikanëve, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kishin rehabilituar shumë nazistë dhe ishin koncentruar në rindërtimin e vendit, duke refuzuar të debatojnë për të kaluarën kriminale, për eliminimin e hebrenjve etj.
Derisa dikur kjo poezi i përshtatej sistemit të ngurtë politik në Gjermani, sot kjo poezi mund të merret si shembull i mirë përshkrues për gjendjen në Kosovë. Këtë javë njerëzit e Kosovës kanë pasur shumë arsye që fjalën mut ta përdorin për shumëkënd. Por, një etiketim i tillë është i panevojshëm, sepse çfarë po ndodhë në Kosovë nuk e përshkruan as muti i padhunshëm. Shkaktar i kësaj gjendjeje nuk është vetëm një protagonist, i cili me rrëfimin e tij tronditës dominoi raportet në media. Kjo javë, që në histori do të hyjë si java e Nazim Bllacës, ishte interesante, sepse për çdo ditë figurat “publicistike” që kanë pushtuar skenën publike hiqnin maskat vullnetarisht. Me forca të bashkuara dhe duke menduar se po i ndihmojnë Partisë Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj Hashim Thaçit makina e propagandës sulmoi në disa drejtime: Bllaca u shpallë i çmendur, tradhtar, spiun i Serbisë, avokat i djallit etj. Të gjitha këto po ndodhin pa e thënë fjalën drejtësia dhe pa e shprehur mendimin mjekët për shëndetin mental të Bllacës. Në vend të raportimit disa gazetarë në stilin e gazetarisë serbe të kohës së pushtimit të Vukovarit e morën rolin e prokurorit, gjykatësit, neuropsikiatrit. Ironia më e madhe është se të gjithë ata që e kanë mbrojtur këtë javë PDK-në dhe kryeministrin Thaçi në fakt (pa)vullnetshëm e kanë demonizuar atë. Thaçin e mbron zbulimi i së vërtetës dhe jo komentet e (pa)porositura të gardës pretoriane-publicistike.
Edhe më makabre ishte përpjekja e kësaj garde për seleksionimin e vrasjeve. Kështu mësuam se ekzistuakan vrasje të këqija dhe më pak të këqija. Sipas kësaj logjike halucinante më pak e keqe qenkësh vrasja e Selim Broshës, një punëtori të strukturave të sigurisë në ish-Jugosllavi, kundër të cilit viktimat e tij bëjnë akuza të rënda dhe me gjasë të gjitha janë të sakta, të besueshme. Selim Brosha përmendet në kontekst të torturimit për vdekje të Metush Krasniqit, të rrahjes brutale të Sulejman Sulejmanit (nipit të patriotit Sylë Zarbinca), të vrasjes së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe keqtrajtimin e shumë aktivistëve të çështjes kombëtare. Por, Brosha është vrarë pa gjyq dhe e vërteta ka mbetur pa u zbuluar nga drejtësia. Për historinë e Kosovës do ishte me rëndësi që atij t’i bëhej gjyqi, që viktimat e tij të dilnin para tij, ta shikonin në sy, t’i rrëfenin gjykatësve, prokurorëve dhe opinionit për krimet e tij. Satisfaksioni për viktimën është më i madh, nëse ballafaqohet me xhelatin. Këtë së paku e thonë studimet mbi konfliktet e dhunshme në vatra të tjera krize. Tash secili mund ta tregojë versionin e tij. E çfarë do të bëhej sikur Selim Brosha të hidhej në gjyq dhe nën presionin e dëshmive të pamohueshme ta “hapte zemrën” dhe të tregonte, për shembull, si është përgatitur atentati kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës? Për historinë e Kosovës kjo do të ishte më e rëndësishme se sa jeta e Selim Broshës. Mos ata që e kanë eliminuar apo urdhërdhënësit e tyre kanë pasur frikë nga dalja në shesh e së vërtetës? Qëllimi i gjykimit të një krimineli është që shoqërisë t’i jepet një leksion se krimi nuk sjellë dobi. Opinioni i gjerë nuk do ta kishte fare problem sikur, pasi të dëshmohej fajësia e çdo udbashi, ata të ekzekutoheshin sipas një ligji përkatës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Se me vrasje pa gjyq nuk arrihet deri te e vërteta, këtë e tregon më së miri shembulli i Rumanisë. Atje në vitin 1989 u vra diktatori Nikolai Çaushesku. Por, Rumania nuk e gjeti qetësinë. Në pushtet erdhën figura të shërbimit sekret komunist, të cilat penguan demontimin e strukturave të krimit dhe përgjimit. Prej të gjitha vendeve të lindjes Rumania mbetet ende e rrezikuar prej këtyre strukturave. Për këtë dëshmon shkrimtarja Herta Müller, e cila sivjet fitoi çmimin Nobel për letërsi. Ajo është e lindur në Rumani dhe në një tekst të botuar në gazetën “Die Zeit” ka treguar se edhe 20 vjet pas rënies komunizmit, kur shkon në Rumani, ende përcillet nga agjentët e sigurimit, të cilët dikur i shërbenin diktaturës e sot punojnë për pushtetin demokratik. Autorë si Herta Müller dhe Hans Magnus Enzensberger do duhej t’i shërbenin si udhërrëfyes çdo shoqërie në trazicion. Enzensberger me të drejtë thekson se detyrë e intelektualëve është të ndikojnë në “alfabetizimin politik” të shoqërisë. Në Kosovë ata që e mbajnë veten për intelektualë me injorancën e tyre ndikojnë në analfabetizimin politik të shoqërisë. Ata më me qejf do të shkruanin poezi për Enver Hoxhën apo për Titon se sa për mutin, sikur ka bërë Hans Magnus Enzensberger, i cili këto ditë mbushi 80 vjet.
Koha Ditore
Muti
Hans Magnus Enzensberger
Përherë dëgjoj të flitet për të
Sikur ai të ishte fajtor për të gjitha.
Pa shihni sa butësisht dhe me modesti
ai zë vend mes nesh!
Përse vallë e përlyejmë
emrin e tij të mirë
dhe ia ngjesim
kryetarit të SHBA-ve
policëve, luftës
dhe kapitalizmit?
Sa jetëshkurtër është ai,
dhe ata që ne i cilësojmë me emrin e tij
sa të përhershëm janë.
Atë, që shtrihet mirë e mirë,
e bartim në gjuhë
dhe mendojmë shfrytëzuesit.
Ai, që ne e kemi hedhur përjashta,
të na shërbejë për të shprehur zemërimin tonë?
A nuk na ka lehtësuar?
Me formë të butë
dhe çuditërisht i padhunshëm
prej të gjitha veprave të njeriut
mbase ai është më i urti.
Ç’na ka bërë ai vallë?
Përktheu nga gjermanishtja:
Enver Robelli