I nderuar Dritëro Agolli Më falni për shkrimin, oh, jam plak dhe i sëmurë (ndër të tjera më punon keq edhe dora). Prandaj, tani për tani sa të mundem, shkronjat po i bëj si këmbë pule. Nëse nuk ia dal, do t’i lutem ndonjë specialisti të m’i shkruajë në kompjuter.
Jam shumë i kënaqur me librin tuaj “Nga vjen kjo muzikë?”, të cilin ma dhuroi J.O.Fonjakovi. Përkthimi i tij (se unë nuk e di origjinalin) më duket i mrekullueshëm. Kështu që poezitë tuaja, më të mirat prej tyre, më tronditën pa masë dhe për mua u kthyen në festë (unë jam një dashamirës i thjeshtë i poezisë, jo një “studiues” i saj). Më vjen turp të them, por është e vërtetë, se asnjëherë më parë nuk kam lexuar ndonjë libër shqiptar (as në prozë, as në poezi). Prandaj vargjet tuaja, për mua janë një zbulim i bukur, sepse në ato, sipas meje, është gjëja më supreme; rruga nga zemra në zemër, sado që kjo që them të tingëllojë me stil të lartë.
Po përmend ato që janë më pranë shpirtit dhe mendimit. Dhe natyrisht, më pranë muzikës së vargut.
Kështu, faqet 9 e 10 “Nëna ime e bukura Hatixhe”, “Nga kujtimet e hershme”, faqe 14 e 16, “Dobësia ime për tuajt”, “Lopa”, fq. 21 e 32 “Puna”, “Për gjërat e thjeshta”, fq 43 e 50, “Dëshira (këtë mund ta shkruajë vetëm një djalë i dashuruar) dhe “Pulëbardha” (e shkruan vetëm një njeri i mençëm, i moshuar), fq 53, 57, 60 e 62 mprehtë, dhimbshëm, vërtetësisht. Fq 75, “Qeni im i plakur”, për mua veçanërisht tingëllon fuqishëm, se tërë jetën kam mbajtur qen (tani tek unë jeton vetëm një maçojk plak Vasili, një mrekulli e jashtëzakonshme e natyrës). Fq 113, fq 117, plot mirësi dhe përzemërsi. Fq 119, “Nga vjen kjo muzikë?”, me të vërtetë e mahnitshme! Po vjershat për fëmijërinë? Era e barit të korrur, e ahurit, e lopës, e kalit, aq të përjetuara, sa është e pamundur ta mendosh!
Më falni për letrën e gjatë dhe për shkrimin e keq! Ju uroj juve (dhe në moshën tuaj si dhe timen) vetëm mirësi, shëndet dhe botë shpirtërore!
Mirënjohësi juaj, i panjohuri lexues,
Mjamlin
Igor Gavriloviç
Profesor, anëtar i Lidhjes së Artistëve të arteve figurative të Rusisë, Artist i Merituar, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve.
Sant-Petërsburg
18.01.08
Milosao