Kush ha shpejt, shëndoshet më shumë

Ta përtypim mirë ushqimin dhe me qetësi na ndihmon të konsumojmë më pak: e gjitha është meritë e hormoneve të ngopjes

Në tavolinë, fjala e duhur duhet të jetë gjithmonë një e vetme: qetësi. Sekreti për të shmangur shëndoshjen është të hash ngadalë dhe duke e përtypur mirë ushqimin. Arsyeja është shumë e thjeshtë: kush ha duke nxituar (sepse mund t‘i jetë bërë zakon, ose është i stresuar nga puna) nuk ka kohë ta shijojë ushqimin dhe pasi ka ngrënë pak, ndihet i ngopur. Një fjalë e urtë popullore thotë: "Kush ecën ngadalë, shkon larg dhe shëndetplotë". Lidhur me dietën, kjo shprehje mund të zbërthehet kështu: kush e përtyp ngadalë ushqimin, mbetet i shëndetshëm dhe konsumon pak ushqim.
Të gjithë e dimë se të hash ngadalë dhe duke e shijuar ushqimin, është më mirë se sa të konsumosh një vakt për pesë minuta. Në faqet e revistës shkencore "Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism", është publikuar një studim interesant shkencor të cilit i janë nënshtruar shumë vullnetarë.
Akullorja
Ushqimi - test i përdorur nga autorët, një grup shkencëtarësh grekë nga spitali "Laiko" në Athinë (Greqi), ishte një akullore 300 gramë. Vullnetarët patën në dispozicion 30 minuta kohë për ta shijuar. Disa e mbaruan akulloren brenda pak minutave, ndërsa të tjerët e shijuan ngadalë për 30 minutat që kishin në dispozicion. Gjatë eksperimentit shkencëtarët morën kampionë gjaku para se vullnetarët të konsumonin akulloren dhe pastaj prova të tjera çdo 30 minuta, deri në tre orë e gjysmë pas fillimit të vaktit. Në gjakun e vullnetarëve u gjet glukozë, insulinë, yndyra dhe nivele të larta të dy hormoneve: peptidi YY dhe peptidi i ngjashëm me glukagonin. Këto hormone që prodhohen nga aparati tretës, veprojnë në tru, duke nxitur ngopjen dhe duke dhënë sinjalin që vakti duhet të ndërpritet. Në gjakun e atyre që kishin kaluar më shumë kohë duke ngrënë akulloren u gjetën nivele më të larta peptidi YY dhe peptidi i ngjashëm me glukagonin. Kjo tregon se jo rastësisht shfaqej ndjesia e ngopjes.
Provat
"Shumë prej nesh kanë dëgjuar të thuhet se e ngrëna shpejt mund të sjellë konsum të tepërt të ushqimit dhe obezitet. Në fakt edhe disa studime vëzhguese e kanë mbështetur këtë pohim", thotë Alexander Kokkinos, përgjegjësi i studimit. "Të dhënat tona ofrojnë një shpejtim për të gjithë këtë çështje: shpejtësia me të cilën hamë, ndikon në sintezën e hormoneve të cilat janë thelbësore për të dhënë në tru sinjalin e ngopjes dhe pastaj për të ndaluar të ngrënën. Ky është një problem që i përfshin pothuajse të gjithë njerëzit: duke qenë se nuk kanë shumë kohë në dispozicion hanë shumë dhe shpejt. I futen pjatës ose panines me shpejtësi dhe për tri minuta i japin fund drekës ose darkës. Mesa duket kjo praktikë është mënyra më e mirë për të pasur ende uri dhe për të ngrënë më shumë. Por ata nuk e dinë se të ushqehesh në mënyrë të gabuar, dëmton shëndetin". Pra nëse sinjali i ngopjes nuk arrin në tru, atëherë do të vazhdojmë të hamë: gjithmonë kur mungon "komunikimi" tru-stomak jemi të prirë ta ekzagjerojmë dhe hamë diçka më shumë. Ekzistojnë edhe dy studime që tregojnë se mungesa e dy hormoneve të zorrëve sjell ngrënien me tepri.
"Kur u themi fëmijëve të mos hanë si të babëzitur, kemi shumë të drejtë. Është shumë e rëndësishme që të vegjëlve t‘u mësojmë rëndësinë e përtypjes së ushqimit me qetësi, duke marrë të gjithë kohën e nevojshme për të shijuar një vakt. Problemi nuk lidhet vetëm me fëmijët, por edhe me të rriturit: sot shumë persona të cilët janë të zënë me punë dhe bëjnë jetë frenetike, nuk kanë kohë të ulen në tavolinë e të shijojnë ushqimin, por i konsumojnë me shpejtësi vaktet. Shpeshherë kjo është edhe arsyeja që hanë më shumë se ç‘duhet. Tani është momenti të merrni të gjithë kohën e duhur për të konsumuar me qetësi të gjitha vaktet, duke i dhënë mundësi organizmit të ndjejë ngopjen", thotë studiuesi.
Me anë të këtij studimi, ekspertët janë përpjekur të shikojnë nëse shpejtësia e të ngrënit nxit prerjen e oreksit dhe aktivitetin e hormoneve të ngopjes. Nga studimi është zbuluar se kur hamë shpejt, niveli i hormoneve mbetet i ulët dhe si pasojë nuk arrijnë të kalojnë sinjalin e ngopjes. Pra mesa duket, ende të uritur, vazhdojmë të hamë dhe vetëm pasi jemi rënduar e kuptojmë se kemi ngrënë shumë. Kjo është edhe arsyeja që dietologët këshillojnë që mënyra e të ushqyerit të jetë e rregullt dhe të ngrihemi gjithmonë nga tavolina pa u ngopur.