Profesori i madh u përjashtua nga klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve pasi mbrojti librin "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
Letrat e panjohura që intelektuali i njohur i dërgonte anëtarëve të Byrosë Politike
Dashnor Kaloçi
Edhe pse kishte luftuar me armë në dorë në Luftën e Spanjës në radhët e brigadave internacionaliste së bashku me Kryeministrin Mehmet Shehu, edhe pse ishte i biri i Petro Nini Luarasit, mësuesit të parë të shqipes, i masakruar nga shovinistët grekë, edhe pse ishte një shkrimtar e publicist i talentuar e erudit, telashet dhe peripecitë nuk iu ndanë për asnjë moment gjatë gjithë jetës së tij në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Por, ato peripeci dhe telashe, profesorit të famshëm, Skënder Luarasit, iu shtuan së tepërmi gjatë viteve të fundit të jetës së tij, të cilat i vinin si nga drejtuesit e shtëpisë botuese "Naim Frashëri", Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ashtu dhe nga segmente të tjera të shtetit komunist të asaj kohe, të cilat e pengonin atë për të botuar studimet dhe librat e tij. Sulmet ndaj Luarasit arritën deri aty, sa në vitin 1965 atë do ta përjashtonin nga Klubi i Lidhjes, për të vetmin fakt, se mbrojti romanin e Kadaresë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në diskutimin krijues në Klubin e Lidhjes. Nisur nga këto, Luarasi detyrohej t‘u shkruante herë pas here udhëheqësve më të lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, duke përjashtuar Enver Hoxhën, të cilit ai nuk iu drejtua kurrë për asnjë gjë. Por, megjithëse një pjesë e udhëheqësve të lartë të PPSH-së mundoheshin ta mbronin Luarasin, persekutimi ndaj tij vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Madje, në varrimin e tij më 22 prill 1982, nuk mori pjesë asnjë njeri nga udhëheqja e lartë, me përjashtim të prof. Aleks Budës, kryetarit të Akademisë së Shkencave, që shkoi aty privatisht si mik i familjes. Jo vetëm kaq, por me urdhër nga lart, ai u përcoll për në banesën e fundit, vetëm tre orë pasi kishte mbyllur sytë. Të gjitha këto bëhen të ditura si nga kujtimet e Luarasit, (të shkruara në librin "Ç‘kam parë dhe ç‘kam dëgjuar", që nuk u botua kurrë) dokumentet arkivore, ashtu dhe nga dëshmitë e të birit, Petro Luarasi, pjesë nga të cilat ne po i botojmë në këtë shkrim.
Diskutimi në Lidhje për "Gjeneralin" e Kadaresë
Një nga pjesët më interesante të kujtimeve të profesor Luarasit është edhe ajo, ku ai flet lidhur me diskutimin krijues që u mbajt në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1965, për romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", të Ismail Kadaresë. Në mes të tjerash, aty thuhet: "Në atë mbledhje në seancën e parë folën Trim Gjata dhe Kudret Velça. Që të dy, edhe pse dhanë mendime të ndryshme, qortuan autorin për atë pjesë tek e cila i zoti i shtëpisë ku bëhej dasma e priti mirë me nderime gjeneralin e ushtrisë së vdekur… dhe …"do të bënte mirë ta vriste dhe atë". Punë për ta. Musaraj që kryesonte mbledhjen, gjatë pushimit më pyeti mua në do të thosha edhe unë nja dy fjalë. Pyetja u duk sikur m‘u bë në një formë lutëse, dhe ju përgjegja se mund të jepja edhe unë mendimin për këtë roman, por nga fundi i bisedave. Kur u çel seanca e dytë, kryesonjësi (Shefqet Musaraj) u ngrit e tha: "Tani do të flasë Skënder Luarasi". "Po mirë". Thashë: "Ky roman më pëlqeu shumë. E lexova me një frymë brenda 24 orëve. Një natë të tërë nuk fjeta…Shtova se me "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", nis udha e romanit modern shqiptar…Në stilin e tij duke menduar sipas atyre pak romaneve të huaj që kam lexuar, Ismail Kadareja më duket se qëndron më afër Heminguejt…". Pse jo Shollohovit?", më pyeti Ibrahim Uruçi. "Nuk e njoh Shollohovin", iu përgjigja. "Pse nuk e njeh", më tha ai. "Ja nje znaju paruski". (Nuk di rusisht) "Pse se ke lexuar në përkthimin shqip?" ma ktheu ai. "Nuk më pëlqen ta lexojë një vepër letrare nga përkthimi i përkthimit të përkthimit. "Donin e qetë" e ka lexuar në bibliotekën e Brigadave Internacionaliste në Albaceta të Spanjës. Por ju lutem, a s‘më thoni, pse më ndërprisni fjalën në mes?" Dhe vazhdova… Më shumë u përqendrova në përshkrimin e dasmës, mbrojta mikpritjen e fisnikërisë së babait të dhëndrit, lëvdova zotësinë artistike të shkrimtarit q‘e ka shpëtuar gjeneralin nga ndonjë krim (duke e pasur vënë atë në dispozicion gjatë luftës) dhe karakterin e mrekullueshëm të gjeneralit dhe të priftit që e shoqëronte. Nga gjithë episodet e bukura "thashë" më mahniti qëndrimi i plakës Nicë dhe humanizmi i saj i lartë kur ua përplasi gjeneralit dhe priftit thesin me kockat e kolonelit: "Merri të mallkuarat, se edhe këto kockat e birit të një nëne janë!". Përshkrimi im qe i shkurtër dhe e mbarova me fjalët: "Kur mbarova së lexuari këtë roman, më kapi malli e më erdhi keq që nuk u ndodha në atdhenë tonë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, se do të kisha njohur Shqipërinë duke ecur në gjurmët e partizanëve". Sa ndenja shesh, u ngrit kryesonjësi i mbledhjes, e përballë 200-300 vetëve, më tha: "Ti po të kishe qenë këtu gjatë lëvizjes sonë, do të kishim dhënë një plumb prapa kurrizit!". Për të parën herë në jetën time ndjeva me çfarë shpejtësie vetëtime veprojnë shqisat e njeriut për vetë-mbrojtje. Ndërsa ktheva sytë ndër të mëngjër për të vënë re përshtypjen që bënë ato fjalë të mallkuara në fytyrën e dëgjonjësve (dhe vura re me kënaqësi se ato fjalë i çuditnë si një rrufe në një qiell të kaltër) veshët më zunë në të djathtë fjalët e Fadil Paçramit, i cili rrinte në fronin në të djathtën time, që tha: "Ja çasti". Në atë sekondë kur sytë më panë atë nënshtypje, e veshët më dëgjuan këto dy fjalë dhe me vete mendoja si do të filloja përgjigjen që do t‘i jepja Shefqet Musarajt, e Koço Vasili përveshi llërët dhe m‘u drejtua me fjalët: "Në ç‘brimë miu ishte futur ti kur ne luftonim!…Në ato çaste një personalitet u ngrit në këmbë dhe doli jashtë sallës, dhe pas tij edhe të tjerë…Milto Sotir Gura më zuri për krahu dhe më tha të shkonim. Kështu mori fund mbledhja. Mori fund mbledhja por fjalët e Shefqet Musarajt dhe atë (Koço Vasilin) që nuk ia dija emrin, më mbetën në mëndje. Prandaj vajta të pyesja për të në Klubin e Shkrimtarëve. Pas meje hynë në klub një grup personash që patën marrë pjesë në mbledhje, ndër të cilët dhe dy kundërshtarët e mi. "Hajde, hajde, ç‘profesor prisnim dhe ç‘profesor na erdhi", tha Shefqet Musaraj duke shikuar lart me pikëllim. Të nesërmen e diskutimit më lajmëruan se për qëndrim "të papajtueshëm…me…", përjashtohesha nga Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve", thuhet në kujtimet e pabotuara të Luarasit, gjë e cila ndodhi pasi ai mbrojti "Gjeneralin" e Kadaresë dhe debateve që pati me Sekretarin e Lidhjes, Shefqet Musarajn.
Incidenti i Luarasit me Enverin
Profesorit të famshëm e rebel, Skënder Luarasi, që nga viti 1945 kur u kthye në Shqipëri e deri sa mbylli sytë përgjithmonë në 27 prill 1982, nuk iu ndanë asnjëherë telashet e peripecitë. Ai shpëtoi për fije të perit nga burgu, ndoshta dhe për faktin e vetëm se ishte i biri i Petro Nini Luarasit, mësuesit që hapi të parën shkollë shqipe në Shqipëri. Lidhur me këtë, i biri i tij Petro, dëshmon: "Një nga njerëzit që e ka luftuar më shumë babanë ka qenë Enver Hoxha, i cili përveç sulmeve të fshehta, e ka sulmuar hapur edhe në veprat e tija, si në rastin për Kryengritjen e Haxhi Qamilit. Kontradiktat e babait me Enverin patën filluar që nga viti 1945 dhe mundet që ato të kenë ardhur, pasi Enveri nuk e bëri dot për vete Skënderin dhe nuk e manipuloi dot atë. Gjatë një takimi publik në atë kohë, Enveri i tha Skënderit: "A mban mënd kur unë të nisa për në Luftën e Spanjës" dhe babai për të mos e ofenduar sepse ajo gjë nuk ishte fare e vërtetë, i tha se nuk i kujtohej. Enverit i interesonte ajo gjë, pra që Skënderi të pranonte që ishte nisur në Luftën e Spanjës prej tij, që të thoshte pastaj: "Ja, unë nuk vajta vetë për të luftuar në Spanjë, por ju dërgova ju". Enveri kishte gënjyer duke thënë se ai e kishte takuar disa herë Ali Kelmendin dhe i kishte dhënë atij direktivat për të nisur vullnetarët në Luftën e Spanjës. Babai e dinte se mund t‘i vinte e keqja në çdo çast prej Enverit, ndaj nuk fliste kurrë dhe i ruhej provokacioneve. Në bisedat që bënte babai me nënën në shtëpi, kur binte fjala për Enverin, nuk e thoshte me emër, por "Korbi i zi". Disa herë i thoshin babait se përse ai nuk e mbante portretin e Enverit në shtëpi dhe babai i përgjigjej: "Unë nuk mbaj portretet e udhëheqësve të gjallë, por rrofshim shumë e vdekshim me vaft, sa pa bërë ndonjë mëkat". Por Skënderin e donin dhe e mbronin edhe disa anëtarë të Byrosë Politike si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu e ndonjë tjetër. Me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, babai shkoi në Vlorë dhe aty Hysni Kapo e kapi për krahu dhe bashkë me Kadri Hazbiun e futën në mes e bënë një fotografi, të cilën porosit që ta vinin në ballin e stendës. Kaq u desh dhe babai jetoi disa kohë i qetë e pa ngacmime. Ai nuk ja harroi atë gjë Hysni Kapos dhe duke parë dashamirësinë e tij, i shkruajti disa letra, ku nuk i kërkonte favore për vete, por që të ndërhynte për të ndihmuar Aleksandër Dakon, djalin e Kristo Dakos e Parashqevi Qirjazit, që jetonin në një mizerje pasi ua kishin marrë shtëpinë. Edhe Mehmet Shehut, babai nuk i kërkonte favore personale, por i shkroi letër sepse po e pengonin për botimin e librit të Isa Boletinit. Kur vdiq Hysniu, babai i dërgoi letër Vito Kapos dhe portretin e Hysniut e vuri në mur në shtëpi me një rrip të zi. Por pas vdekjes së Hysni Kapos, babai ishte përsëri i rrezikuar nga Enver Hoxha. Këtë gjë na e dëshmon qartë avokat i njohur Nafiz Bezhani në librin e tij "Mëkatarët" ku ndër të vetmit persona që paraqet me emrin real, është Skënder Luarasi. Bezhani thotë se me urdhër të Enverit, ishte vënë një agjent të sprovuar të përpunonte Skënderin, ish-nxënës i tij, porse me ndërhyrjen e Kadri Hazbiut, ai u hoq dhe u çua në një vend tjetër, pasi nuk po e kryente mirë misionin e ngarkuar. Bezhani thotë se nuk ishte e vështirë që të mblidhje të dhëna për të mbushur dosjen e Skënder Luarasit, pasi ai fliste hapur kundër regjimit. Vitet e fundit të jetës, babai u mbyll në shtëpi dhe rrallë takohej me shokët e tij të afërt, si: Petro Markon, Lasgush Poradecin, Andrea Varfin, Eqrem Çabejn, Aleks Budën, Zef Prelën, Pirro Totozanin, Niko Taninin etj. Para vdekjes babai vuajti disa kohë në spital, por kjo është temë tjetër dhe nuk dua të flas tani. Por ajo që dua të them është se kur babai mbylli sytë përgjithmonë në paraditen e 27 prillit 1982, na erdhi dikush në shtëpi dhe na tha: "Është mirë që varrimin ta bëjmë sot në drekë", dhe ashtu u bë, trupi i babait qëndroi në shtëpi vetëm dy-tre orë dhe në varrimin e tij nuk mori pjesë asnjë i dërguar nga shteti, me përjashtim të Aleks Budës që erdhi privatisht", e mbyll rrëfimin e tij 44-vjeçari Petro Luarasi, për babanë e tij, profesorin e famshëm e rebel Skënder Luarasi, që nuk i thuri kurrë himne regjimit, vdekja e të cilit u lajmërua vetëm pas një muaji me tre rreshta në revistën "Nëntori".
Profesori i famshëm nuk u kërkonte privilegje, por vetëm të botonte
Letrat e panjohura të Luarasit për Mehmetin, Hysniun, Ramizin e Manushin
Ajo që të bie në sy në letrat e prof. Luarasit për udhëheqjen e lartë, është fakti se ai kurrë nuk u kërkoi atyre ndonjë privilegj për vete, por, më së shumti, u lutej atyre të ndihmonin familjet e patriotëve shqiptarë, që jetonin në një mjerim të thellë. Si p.sh., rasti i familjes së Kristo Dakos, biografit të Mbretit Zog, të cilëve regjimi komunist u kishte sekuestruar shtëpinë dhe ata jetonin në një mizerje të thellë. Një pjesë nga këto letra, të cilat ruhen nga i biri i profesorit, Petro Luarasi, ne po i botojmë në këtë shkrim të plota dhe pa asnjë ndryshim.
"Thanas Leci më nxori nga zyra"
I nderuari shoku Manush. Në janar drejtori i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri" më kërkoi dy kopje të dramës "Stuhi në Prill" se mund ta dorëzonin për botim. Kur ia dorëzova më tha se pas dy javësh mund të vinja të merrja përgjigjen. Unë vajta në 7 mars në orën 13.00. Më priti mirë dhe më detyroi të ulem. Drejtori më tregoi se përgjegjësi i sektorit të poezisë kishte djalin sëmurë dhe nuk gjet nge të shikonte dramën, prandaj duhej të prisnim edhe nja dy javë të tjera. "Shoku Skënder", më qortoi drejtori Thanas Leci: "Sa i paduruar qenke. Prej muajsh është duke pritur Dhimitër Shuteriqi, t‘i japim përgjigje për një vepër të tij". "Ç‘lidhje ka kjo imja me atë të tijën"? e pyeta. "Për mua ky është provokim"! i thashë. Drejtori Thanas Leci u çua në këmbë dhe më tha: "Për këtë fjalën e fundit tënde, të urdhëroj të dalësh jashtë dhe të mos shkelësh më në zyrën time!" I nderuari shoku Manush. Gjatë Luftës së Parë Botërore se ku lexova se në Hong Kong administrata angleze pat varur tek porta e parmakut të atij qyteti një tabelë të mbishkruar "Ndalohet hyrja për qenë dhe kinezë". Ju lutem shoku Manush ta bëni shokun Thanas Leci të kuptojë që Tirana e Luftës Nacional-Çlirimtare nuk është Hong Kongu dhe se laspangjeri Thanas Leci nuk është i denjë të drejtoi institutin që mban emrin e poetit të Rilindjes sonë Kombëtare. Me nderime të sinqerta, Skënder Luarasi.
"Peripecitë e mia me Dhimitër Fullanin"
Shoku Manush Myftiu, Sekretar i Parë i Kom. Partisë të Tiranës
Dje mbrëmë zilja e telefonit më bëri të ngrihem nga shtrati ku dergjem prej veshkave dhe polihatritit. "Ju flet Xhaferri, sekretari i shokut Manush Myftiu. A mund të vini në Komitetin e Partisë nesër në orën 7.30?"-Ju përgjegja: "Jam i sëmurë rëndë, por pasi më thërret shoku Manush do të vij". Pasi qëndrova në paradhomë ndonja një orë, më thirrën në zyrën e pritjes. Sekretari më tha: "Sipas kërkesës suaj, pyetëm redaksinë e poezisë së Shtëpisë së Botimeve. Ja shkaku pse drama juaj "Stuhi në Prill" është e pabotueshme". E ndërpreva: "Lutjen ia pata bërë shokut Manush një mot më parë. Përse m‘u përgjigjet me kaq vonesë? Njerëz që s‘kanë respekt për punën e Komitetit të Partisë e ç‘respekt mund të kenë për punën e një qytetari të thjeshtë? Dhimitër Fullani", thashë, "si shef i redaksisë, ka pasur respekt për dramat e Fadil Paçramit të cilat ia dërgonte të shtypeshin toptan, tri nga tri, pa ndonjë recension. Dhe ia paguanin auktorit trefish: së pari kur ia dërgova dorëshkrimin theatrit (25.000 lekë për një 50 faqe), se së dyti, kur shfaqej në skenë, së treti, kur botohej nga shtëpia botonjëse "Naim Frashëri". "Stuhi në Prill" është pjesa e parë e një triologjie (e dyta Triumfi i Luftës Nac-Çlirimtare, e treta Isa Boletini) E shkrova për nder të 30-vjetorit me qëllim që të ngjall neveri në fytyrën e pështirë të atyre që shitën vendin e popullin tek të huajt, por edhe me qëllim që të ngjall admirim për figurën madhështore të atyre që shpëtuan vendin e popullin prej fashizmit. Përgjigja nuk është shkruar, ajo vetëm sa është nënshkruar prej Dhimitër Fullanit. Tjetër Dhimitër e ka diktuar. Vetëm një i djallëzuar mund ta bënte pohimin ekuivok: "Çështja e vullnetarëve të Spanjës, që përshkon dramën, dhe Zëri i Madridit, e kanë errësuar të vërtetën historike, që çdo aksion patriotik dhe revolucionar mbështetjen kryesore e ka pasur tek lëvizja revolucionare e vendit, e cila në atë kohë ishte mjaft e gjallë". Çështja e luftës së vullnetarëve të Spanjës nuk e përshkon, por vetëm sa përmendet në dramë. Vullnetarët e Spanjës janë pjesë përbërëse e lëvizjes patriotike revolucionare të vendit; janë ambasadorët e popullit shqiptar në botën internacionale të proletariatit; ata ndriçuan idealet e popullit shqiptar ndër popuj që nuk na kishin njohur, ose na kishin njohur keq. Në Spanjë ranë dëshmorët e parë të proletariatit shqiptar në luftë kundër reaksionit botëror. Këta dëshmorë partia jonë i ka shpallur heronj. Vetë kryetari i Këshillit të Ministrave, është njëri nga vullnetarët e Luftës së Spanjës dhe hero i Lëvizjes Nac-Çlirimtare. Një tjetër sofizëm e Dhimitër Fullanit: "Në dramë bëhen aludime territoresh me Greqinë, sidomos për atë kohë kur çështja nxitej nga vetë fashizmi për të përgatitur luftën italo-greke". Në dramë nuk bëhen aludime territoriale. Inspektori i Oborrit (agjent i huaj) pyet drejtorin: "Po ata dy studentët që rrinë mënjanë, a janë të krishterë a myslymanë?" Dhe drejtori i përgjigjet: "të dy janë fshatarë dhe jetimë: Ky nga Kosova, ai nga Çamëria-krahina që i ka humbur Shqipëria". Ky është aludimi territoreve? Çdo fashist e di se përpara 7 prillit, pretendime territoriale kishte Greqia për "Vorio-Epirin" dhe Shqipëria por Çamërinë. Çështjen e Çamërisë e nxiti vetë fashizmi për të përgatitur Luftën italo-greke pas (e theksojmë: pas) pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi. Si mendon Fullani se Shqipëria para okupacionit nuk duhej të kishte pretendime për Kosovën, atëherë përse vajti atje pas okupacionit-apo për t‘u mësuar serbëve gjuhën shqipe?! Drejtoria e poezisë për mos botimin dramës "Stuhi në Prill" e ka hallin gjetkë. Më kanë këshilluar në redaksi të mos përmendet ndër të tjerë emri Ernestkliq Mathi: "Le të lehë qeni-karvani ecën përpara". Por nuk është ashtu. Ernest Koliqi është gjarpër dhe ngaherë akoma helmon rininë shqiptare përjashta, sidomos rininë kosovare. Nuk ishte më kot që kryesia e vjetër e Lidhjes së Shkrimtarëve, nën influencën e Fadil Paçramit, për 20 vjet me radhë heshti se Dhimitër Shuteriqi, pat qenë vetë me Koliqin. Sa për vlerën morale, letrare artistike, patriotike, melodramatike...më mirë t‘ia lëmë kritikëve pas botimit të dramës. Publiku i Korçës e priti me entuziazëm kur u shfaq premiera e dramës më 27 nëntor 1972. Dhe autorë të ndryshëm si Dritëro Agolli, Dalan Shapllo, dhe Naum Prifti etj, që e kanë lexuar me kujdes, e çmojnë për vepër të botueshme. Shoku Manush, me shokun Xhaferr nuk e zgjata bisedën se mendova: "Ç‘mund të dijë ky sekretar i ri për luftën e ligë që më ka bërë ay sekretari i vjetër, që shoku Enver e quajti "rrufjan politik" dhe ç‘mund të dijë për çpifjet që më ka bërë mua ay, të cilin ju vetë shoku Manush, e qortuat me neveri, në praninë time, më 27 shkurt 1957 kur ishit ministër. Disa vjet më penguan botimin e monografisë së Isa Boletinit të cilën e shkrova për të mbrojtur nga armiqtë e Shqipërisë nderin e këtij biri të madh të Kosovës . Do të më vijë shumë keq po të mos botohet brenda motit jubilar drama "Stuhi në Prill" të cilën e shkrova për nder të 30-vjetorit të themelimit të Partisë. Gëzuar festën e madhe të Popullit. Tiranë më 22 prill 1974. Skënder Luarasi.
P.S. letra postohet më 2 maj. Një kopje i dërgohet sekretarit të Kryesisë së Këshillit të Ministrave.
"Shoku Mehmet, s‘ma botojnë librin për Isa Boletinin"
I nderuar e i dashur shoku Mehmet
Biografinë e Isa Boletinit, të cilin unë që më 1961 e kam punuar për pesë vjet me zell dhe për të cilën isha zotuar t‘ju dhuroja një ekzemplar urimi për 10 janar 1966, ia shpura ndërmarrjes "Naim Frashëri" për botim nja dy vjet më parë. Biografinë e mbajta vetë në dorë për një kohë të gjatë duke dashur të konsultoja sa më shumë burime dhe të verifikoja çdo hollësi nga jeta dhe vepra e këtij burri të madh të Shqipërisë, po ma vonojnë së botuari, kam frikë për ndonjë pakujdesi formale. Një libër si ky mendoj se do t‘u shërbejë jo vetëm brezit të ri të Shqipërisë, por dhe më shumë atë të brezit të Shqipërisë së shkuar. Për këtë arsye kryesore-por edhe për një tjetër formale: për të plotësuar zotimin se do t‘jua dhuroja juve ekzemplarin e parë të kësaj vepre-dëshiroj ta shoh të botuar. Varet prej jush a do të mund t‘jua dërgoj atë ekzemplar urimi për 10 janar 1969.
Si gjithnjë, i juaji Skënder Luarasi. 20 korrik 1968.
"Shoku Hysni, ndihmojeni familjen e Kristo Dakos"
I nderuar dhe i dashur shoku Hysni.
Duke përgatitur biografinë e motrave Parashqevi dhe Sevasti Qirjazi, kujtova përkrahjen që i dha e nderuara shoqja, Vito Kapo Parashqevisë të ngrihej nga gjendja e mjerë në të cilën njerëz të pandërgjegjshëm e kishin rrëzuar këtë heroinë të arsimit kombëtar. Me këtë rast u njoha me të birin e Sevasti Qirjazi-Dakos, shokun Sandër Dakon, birin e patriotit Kristo Dakos dhe mora vesh se në një gjendje të mjerë e kanë rrëzuar edhe këtë bir patrioti. Duke dashur të shpreh të mirëfilltën me këtë biografi, u interesova për shkakun e fatkeqësisë së tij, si qytetar e shqiptar u trondita kur pashë se si në Republikën Socialiste tonë paska akoma njerëz që për të kënaqur lakmit e tyre, nuk e quajnë për gjë të keqe t‘i shkatërrojnë jetën një familje. Aleksandër Dako më dorëzoi përshkrimin se si i ndodhi fatkeqësia dhe unë marr guximin përshkrimin t‘jua dërgoj juve tok me këtë letër. Përveçse zemërimit që ndiej si qytetar për një padrejtësi të tillë, unë kam arsye të veçantë të interesohem për hallin e familjes Qirjazi-Dako: në këtë shtëpi mblodha materialin për biografinë në fjalë dhe këtë e dëgjova prej gojës së Parashqevisë fjalët mirënjohëse për ndihmën që i dha kryetarja shoqja Vito Kapo së ndjerës Parashqevi të njerizoj jetën e lumtur në atë shtëpi. I nderuari dhe i dashur shoku Hysni. U drejtova me këtë letër se jam i bindur që nuk do të lejoni kurrkënd të shkelet Kushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë. Me respekt të thellë për ju dhe për fort të nderuarën zonjën tuaj, shoqen Vito Kapo, mbetem Juaji me besë Skënder Luarasi, Rruga Konf. e Pezës. Pallati V Shkalla 1/3 Tiranë. P.S. Po të shtoj këtë shënim për shkresat e Dakos: Mbase ka akoma njerëz që nuk ua pëlqejnë krushqitë midis feve të ndryshme. Aleksandër Dako me prindër orthodoksë i ka martuar bijat me djem dhe të birin me vajzë prindërish myslymanë.