KOSOVA LETRARE

Ag Apolloni


Ekzistojnë dy Kosova: Kosova reale dhe Kosova letrare. E para i përket historisë, e dyta letërsisë, Meqenëse letërsia shqipe është letërsi referenciale, raporti ndërmjet dy Kosovave është i pashmangshëm. Kjo letërsi njeh vetëm dy referenca historike me përmasa epike, që e bëjnë Kosovën temë dhe stil të lartë: Betejën e Kosovës (1389) dhe Betejën e Kaçanikut (1910). Për betejën e parë si sinonim i humbjes në përmasa ballkanike kanë shkruar Ismail Kadare, Beqir Musliu etj., kurse për betejën e dytë si sinonim i një qëndrese spartane, në përmasa lokale e nacionale, kanë shkruar Risto Siliqi, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Bedri Hysa, Visar Zhiti, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu etj.
Përveç me këtë temë të madhe që zë një vend të vogël në letërsinë shqipe, shkrimtarët (shqiptarë dhe të huaj) janë preokupuar edhe me tema të tjera më të vogla me referencë Kosovën, por që nuk kanë qenë pengesë për krijimin e veprave të mëdha. Se, dihet që vlerën e veprës s’e përcakton tema, po stili. E, stilin e bëjnë figurat. Prandaj, le ta lexojmë Kosovën si figurë dhe do ta shohim zbukurimin e temës.
1. Krahasimi. Kosova për herë të parë në letërsi shfaqet në veprën Çeta e profetëve (1685) të shkrimtarit të parë kosovar, Pjetër Bogdani, i cili në tekstin poetik Sibila e Samosit, bën krahasimin e malit të Sionit me malin e Pashtrikut: Sion se Pashtriku mal Prisrend’ ma i nalti/ Falemi se nteje ligja ka me dalë. Pra që në fillim kemi një figurë fjalësh që e konkretizon/afron idenë.
2. Superlativi. Kjo është një figurë e familjes së hiperbolës. Luka Bogdani në poezinë që ia kushton Pjetërit e ekzagjeron qytetin e lashtë të Kosovës, Prizerendin, duke e shpallë të pakrahasueshëm: Kur del ani, e soditen/ TREG të ri, edhe të vjetër,/ Trimënia ke shetiten/ Thue s’ka dheu tjetër.
3. Sinekdoka. Në poezinë e Luka Bogdanit haset edhe vargu Duel n’GURIT bukuria, duke zgjedhë kështu figurën e gurit si përfaqësuese për qytetin e gurtë, jo vetëm për Gurin e Hasit.
4. Enumeracioni. Naim Frashëri në eklogën Bagëti e Bujqësija (1886) i numëron vendet e Kosovës (Ipek, Përshtinë, Jakovë) në kuadër të Shqipërisë etnike.
5. Hiperbola. Risto Siliqi në poezinë Mbas luftimit në Kosovë thotë se në Kosovë derdhet gjaku për gjithë pllambë! dhe toka u dridh nën kambë.
6. Refreni. Në poemën Vajtimet e Atdheut të cilën Hafiz Ali Korça ia kushton Kosovës me rastin e bombardimit të Drenicës nga serbët më 1924, përdor figurën e repeticionit ose të refrenit për ta shtuar muzikalitetin, por edhe për të mos u larguar nga lajtomtivi: Qani, vëllezër, Kosovën, qani!/ Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
7. Aluzioni. Lasgush Poradeci në poezinë Poradeci thotë: Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,/ Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…. Kjo poezi nuk është mosnjohje e gjeografisë, por injorim i politikës perfide të luajtur në kurriz të Kosovës.
8. Epiteti. Asdreni në poezinë Kosovës përdor epitetin e ngratë për ta cilësuar Kosovën teksa bën thirrje për mbrojtjen e saj: Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë/ Prej ziisë pështonëje Kosovën e ngratë.
9. Eksklamacioni. Kjo figurë është karakteristike për tekstet patetike, çfarë është edhe Poemi kosovar (1943) i Mitrush Kutelit: Ta shemba shkjah kufinë/ që ngrite ti/ në Vendin tim. Zakonisht tekstet që e kanë esencë këtë figurë janë sipërfaqësore dhe emocionale, kanë më shumë ndjenjë se mendim. Sidoqoftë, lirisht mund të thuhet se askush s’ka bërtit për Kosovën më fort se Kuteli.
10. Perisologjia. Për ta forcuar idenë, Kuteli në të njëjtën poemë përdor edhe sinonime që, pavarësisht kuptimit të njëjtë, shtojnë tensionin dramatik: E kam Vatan/ e kam Atdhe.
11. Retiçenca. Pas bërtimës së Kutelit, vjen heshtja e Bilal Xhaferrit. Ai mposhtet nga tragjedia e Kosovës dhe nuk di si ta përshkruajë, prandaj në poezinë Kosova thotë vetëm kaq: Kosova-/ Gjithnjë…ashtu.
12. Pretericioni. Ndryshe nga Xhaferri, Azem Shkreli thotë se do të heshtë edhe atëherë kur në fakt nuk hesht. Pasi e mbaron këngën për njollosjen e qiellit të Kosovës, ai thotë: Kurrë, jo kurrë nuk do ta shkruaj këtë këngë. Poezia e tij E pashkruar është në fakt poezi e shkruar.
13. Ironia. Shembullin tipik të ironisë e gjejmë te një poezi tjetër e Azem Shkrelit. Te Ballkanasit ai ironizon kështu: Kthehen fitimtarë/ Me kokën e tyre në shtizë.
14. Akrostiku. Në poezinë Orëbardha Zejnullah Halili, pos figurave që gjenden në shtrirjen grafike horizontale të tekstit, sugjeron edhe leximin e inicialeve të secilit varg për të dhënë figurën e akrostikut: Kosova. Pra, akrostikun e bën strukturë dhe figurë.
15. Antiteza. Kjo është figurë që i jep poezisë karakter skizmatik, e ndanë atë në pro et contra siç ndodh, ta zëmë, te poezia e Fatos Arapit: Nëse natë është historia,/ Rreze drite janë thikat e mprehta, (Kaçaniku).
16. Paradoksi. Meqenëse Kosova është një vend ku ndodhin ngjarje të tmerrshme, Agim Vinca në poezinë Homer lutet të mos i shohë ato ngjarje: Falmi sytë e tu/ Sytë e tu të verbër/ Homer/ Ta shoh/ Në sy/ Vërbimin tim! Kjo do të thotë se poeti lyp sy tek qorri për të parë verbërinë, në fakt, për të mos parë. Ndryshe, poeti e lyp terrin për të mos e parë tmerrin.
17. Dialogëzimi. Në poezinë Si shkohet në Kosovë Visar Zhiti dialogon me yllin e fatit dhe kështu zbulohet dëshira e subjektit (shqiptarit)dhe historia e objektit (Kosovës):
18. Personifikimi. Për Visar Zhitin Kosova është një vend i tmerrshëm nga i cili ikin edhe pemët me panik.
19. Anafora. Për poetin Bedri Hysa Kosova është një emër i dashur që nuk bëhet monoton edhe nëse përsëritet vazhdimisht dhe këtë bindje ai e shpreh nëpërmjet anaforës që është edhe një antitezë e brendshme: Kosovë zjarr e Kosovë fashë/ Kosovë mëmë e Kosovë vashë.
20. Aliteracioni. Vargu emblematik i Blaga Dimitrovës, Një kosë e tmerrshme kosit Kosovën është shembull tipik i aliteracionit asociativ.
21. Anadiploza. Qerim Ujkani në poezinë Zbritja e Jezuit në tokë krijon figurën e anadiplozës për ta përforcuar mendimin e tij për një ndodhi të jashtëzakonshme: Me sytë e mi e kam parë zbritjen e Jezuit në tokë/ Në tokën e djegur të Kosovës. Zbritja e Jezuit në tokë duket se nuk i mjafton, prandaj poeti shton në tokën e djegur të Kosovës për ta konkretizuar idenë për ardhjen e shpëtimtarit në tokën ku kërkohet shpëtimi.
22. Asonanca. Dritëro Agolli, edhe pse njihet si mjeshtër i rimave, kur është fjala për Kosovën në poezinë e tij zakonisht e përdor asonancën dhe këtë e bën për ta lidhur Kosovën me tokën, kokën ose shqiponjën. Asonanca e tillë nuk mbetet thjesht figurë diksioni, sepse bart edhe peshë mendimi.
23. Analepsa. Kjo është figurë e preferuar e Ismail Kadaresë, pa të cilën vepra e tij nuk mund të paramendohet. Kthimi në të kaluarën është karakteristikë e veprës së tij dhe këtë e hasim edhe te triptiku “Tri kangë zie për Kosovën” edhe te poezia “Mundja e ballkanasve në Fushë Kosovë, më 1389”.
24. Prolepsa. Krejt e kundërt me analepsën është prolepsa, e cila e parathotë atë që do të ndodhë, si në rastin e poezisë Kosova të shkruar në vitin 2000 nga poetja Janina Hrebickova, që thotë se Kosova është vend që do të bëhet shtet i ri.
25. Elipsa. Adem Gashi në poezinë Te varri i Sulltan Muratit me vetëm tri vargjet e para shpreh një koncept të gjërë mbi armiqësinë, luftën dhe dashurinë: Lart: lavdia e kohës-tensioni/ Poshtë: marrëzia e hapësirës-varri/ Midis: Trimi me Vashën përdore.
26. Litota. Osman Gashi në poeiznë Eklips e krahason atdheun me zogun, domethënë e zvogëlon atë, por njëkohësisht e rritë tragjicitetin: Atdheut ia pren flatrat e futën në kafaz .
27. Erotema. Kjo ndryshe njihet edhe si pyetje retorike, e cila nënkupton përgjigjen. Në poezinë Fjala Osman Gashi, i irrituar nga krimet serbe dhe i mërzitur nga shkrimet shqipe (poezitë) që e përjashtojnë komunikimin, shpreh revoltën në formë pyetje për të kërkuar kështu miratimin e jo përgjigjen: A ka kuptim/ Të shkruhet poezi hermetike/ Kur dhembja është kaq transparente.
28. Metonimia. Një përshkrim mjeshtëror të metonimisë e bën Musa Ramadani në poezinë Shqiponja e Karadakut, ku poeti në vend të njerëzve përmend vetëm kësulat dhe këmbët: Ikin çallma e fesa teksa duken plisat/ Tokave të huaja këmbë të huaja.
29. Gradacioni. Në poezinë Po ajo natë pa hanë të Milazim Krasniqit jepet një shembull tipik i gradacionit në rritje, duke e shtuar vazhdimisht tragjicitetin e ligjërimit: Na bënë rresht për një/ E na thanë/ Ju s’jeni dardanë/ Na vunë në trekëmbësh/ E na thanë/ Ju s’jeni albanë/ Na groposën thellë/ E thanë/ Këtë farë as dheu s’e mban.. Ligjërimi bëhet edhe me tragjik për shkak të artikulimit në vetën e parë, duke shkuar kështu nga mohimi i identitetit deri në shfarosje.
30. Alegoria. Në librin poetik Zbutja e gjarprit Basri Çapriqi ndërton një cikël me referencë Afrikën. Analogjia e saj me Kosovën e bën alegori. Të dy vendet presin një pikë shi.
31. Simboli. Ngjyra e kuqe dhe e zezë tashmë janë simbole. E para në poezinë e Sabri Hamitit simbolizon Kosovën, pra është nacionale: U rrafshua tokë e kuqe (As bar as farë…); ndërsa e dyta është universale dhe simbolizon të keqen, errësirën, krimin (Marshi barbar).
32. Metafora. Si figurë që artikulohet mbi parimin e ngjashmërisë, duke e fshehur lidhëzën si, metafora bën identifikimin e një sendi me një send tjetër. Një shkrirje të atdheut me gjakun e bën Ali Podrimja në vargun e tij emblematik: Kosova është gjaku im që nuk falet (Epika).
33. Parabola. Kjo, në fakt, është një metaforë e madhe dhe si e tillë është adekuate për prozën. Këtë figurë në letërsinë shqipe e përfaqëson Rexhep Qosja me tri romanet e tij, në të cilët toponimi Vajazani mund të lexohet si referencë e Prishtinës, ku, sipas idesë së autorit, dija është një fatkeqësi, forca – lumturi.
Deri këtu i pamë 33 figura, nëpër të cilat filtrohet Kosova me gjithë tragjeditë e saj që e bëjnë atë një lloj Golgote shqiptare.

Milosao