Kanceri më pak vrasës se më parë, alkooli dhe duhani më shumë viktima mes grave

Është reduktuar ndjeshëm vdekshmëria nga tumoret në Europë. Sipas llogaritjeve të fundit, kjo shifër është 10 për qind më e ulët në dhjetë vitet e fundit. Sigurisht që merita për këtë u takon stileve më të mira të jetesës, kurave më të mira dhe kontrolleve parandaluese. Por, shifrat mbeten alarmante në Europën Lindore dhe Rusi, ku vërehen ende vonesa të "rënda". Po ashtu regjistrohen rritje shqetësuese në shumë vende të tjera, sidomos mes grave, që kanë adaptuar zakone kryesisht mashkullore, si alkooli dhe duhani.

Studimi

Analiza të reja mbi tumoret në Europë, duke u bazuar edhe në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë për një rënie konstante të vdekshmërisë mes viteve 1990-1994 dhe 2000-2004. Vdekshmëria për të gjitha llojet e tumoreve në Bashkimin Europian në këtë periudhë është zvogëluar me 9 për qind te burrat dhe tetë për qind te gratë, me një rënie të madhe mbi të gjitha, te personat me moshë të mesme. Ky është rezultati i një studimi të publikuar nga revista shkencore "Annals of Oncology", që ka treguar se si përqindja në 27 vende të BE ka kaluar për burrat nga 185,2 vdekje çdo 100 mijë banorë/në vit (periudha 1990-1994)në 168 në vitet 2000-2004 dhe te gratë, nga 104,8 te 96,9.

Fajtorët

Sipas kërkimeve të udhëhequra nga Carlo La Vecchia, kreu i Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Kërkimeve Farmakologjike "Mario Negri" në Milano dhe nga Fabio Levi, i Institutit të Mjekësisë Sociale dhe Parandaluese në Universitetin e Lozanës, Zvicër) reduktimi i vazhdueshëm i vdekshmërisë globale për tumoret u detyrohet mbi të gjitha ndryshimeve në konsumin e duhanit te burrat, me pasojë uljen e vdekjeve për shkak të karcinomës polomnare dhe neoplazi të tjera të lidhura me tymosjen. Pastaj ka edhe një ulje konstante në vdekshmëritë nga tumoret gastrike dhe nga kanceri i zorrës së trashë. Për shembull, në shtetet ku përdorimi i alkoolit ose duhanit është akoma në rrije (në veçanti te gratë) rritet numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të neoplazive të lidhura me këta faktorë rreziku: ai i mushkërive, kavitetit oral, faringut apo ezofagut.

Meritat

Më në përgjithësi, ekspertët bëjnë me dije se si në vendet në zhvillim mundësitë e mbijetesës janë në rritje falë parandalimeve dhe kontrolleve për kapjen herët të sëmundjes, gjithashtu dhe për meritë në hapat e bërë përpara për trajtimet antikancer. Duke komentuar të dhënat statistikore, Cristina Bosetti e Departamentit të Epidemiologjisë "Mario Negri" shton: "Kontrollet dhe diagnoza e hershme kanë kontribuar në reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri në qafën e mitrës dhe ai i gjirit, por në rastin e dytë shumë i detyrohet përmirësimit të kurave. Terapitë e fundit kanë luajtur një rol vendimtar në uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri i testikujve dhe leucemive", tregon.

Pabarazitë

Në studim autorët bëjnë me dije se, pavarësisht progresit në vitet e para të 2000-it, ka ende një diferencë në vdekshmërinë nga tumoret dhe në përqindjen e saj mes vendeve të ndryshme europiane. Pabarazia që edhe një herë reflekton shpërndarjen e ndryshme të tymit të duhanit. Te burrat, përqindja e vdekshmërisë në periudhën 2000-2004 janë regjistruar në Hungari 255,2 vdekje çdo 100 mijë banorë), Republika Çeke (215,9) dhe Polonia (209,8); ndërsa ato më të ulëtat i përkasin Suedisë (125,8), Finlandës(130,9) dhe Zvicrës (136,9). Përkundrazi, te gratë shifrat më të këqija shohin në krye Danimarkën (141), Hungarinë (131,5) dhe Skocinë (123,1), ndërsa ato më të mira, vijnë nga Spanja (78,9), Greqia (79,7) dhe Portugalia(80,9). Megjithatë, sipas ekspertëve, lufta kundër kancerit fitohet duke nisur nga faktorët më të njohur të rrezikut që lidhen me stilet jo korrekte të jetesës: luftën ndaj duhanit dhe ndërhyrjet kundër konsumit të alkoolit, mbipeshës dhe obezitetit. Megjithatë, kontrollet e vazhdueshme, informacionet mbi diagnozën e hershme dhe kurat më të avancuara në vende të ndryshme perëndimore sigurisht që kanë ndikuar shumë.

Goja dhe faringu

Nëse vdekshmëria e përgjithshme për këto dy neoplazi është zbuluar me dhjetë për qind, është vënë re një rritje e numrit të vdekshmërive te gratë. Duhani dhe alkooli, të vetëm ose të kombinuar me njëri-tjetrin, janë faktorët më të mëdhenj të rrezikut, përgjegjëses për më shumë se 80 për qind të rasteve të kancerit. Këtë e konfirmojnë edhe një herë të dhënat nga Franca dhe Italia, ku vdekshmëria është ulur duke nisur që nga mesi i viteve ‘80, kur nisi të aplikohej një frenim për konsumin e cigareve dhe pijeve alkoolike.