Julia Franck: Shkrimtarët gjermanë nuk mund t‘i shmangen Holokaustit

Shkrimtarja gjermane, Julia Franck, rrëfen në një intervistë për gazetën shqetësimet e saj krijuese, ndikimin e fortë te shkrimtarët e Gjermanisë të Holokaustit dhe të hebrenjve, ngacmimet e saj letrare. Vetëm dy ditë më parë, në treg është hedhur romani



Jonila Godole

Julia Franck (1970) ka arritur atë që shumë autorë të rinj gjermanë e ëndërrojnë, të shkruajë libra me stil të ngjeshur, karaktere problematikë dhe kompleksë, tema kritike, që shumë autorë do të donin t‘u qëndronin larg dhe, megjithatë, të jetë një autore-bestseller. Romani i saj i fundit, "Gruaja e Mesditës", ("Die Mittagsfrau") u nderua në 2007-ën me çmimin më të lartë gjerman për letërsinë dhe është përkthyer në më shumë se 34 gjuhë. Po ashtu, çmime të rëndësishme letrare kanë marrë edhe pesë veprat e mëparshme të Franck. Siç thotë ajo vetë, historia e familjes së saj biologjike i ka ofruar vazhdimisht qysh nga fëmijëria kaq shumë lëndë rrëfimtare, sa do të mund të shkruheshin "qindra romanë", por Julia zgjedh të krijojë dhe rikrijojë vazhdimisht "biografinë" e saj alla Franck. E rritur me nënën dhe tre motra në Berlinin Lindor, deri në moshën 9-vjeçare dhe larguar prej andej në Perëndim, Julia Franck s‘ka bërë gjë tjetër përveçse ka mbrujtur vazhdimisht vetveten: ka bërë pak nga gjitha dhe gjithçka, nga pastruesja, babysitter-i, infermierja e deri në asistente shkencore në Universitetin e Berlinit. Një patchwork të tillë jetësor zbulon lexuesi edhe në romanin e saj të fundit, "Gruaja e Mesditës", që i vendos ngjarjet në Gjermaninë e viteve 1945. Pak kohë pas përfundimit të luftës, një grua dhe djali i saj shtatëvjeçar janë në arrati e sipër, por në çastin e fundit ajo e braktis të birin në stacionin e trenit. Vërtet që Helene kërkon të lërë pas një jetë të vështirë, një dashuri të lënë përgjysmë, një martesë të marrë fund, një motër me të cilën i ka humbur prej kohësh lidhjet, dhe punën e saj si infermiere mes dhjetëra të plagosurve. Helene jeton me "zemër të verbër", dhe mbetet e tillë deri në fund...

Titulli i librit, "Gruaja e Mesditës", është për lexuesin gjerman po aq enigmatik, sa dhe për atë shqiptar. Çfarë ju shtyu ta zgjidhnit këtë titull?

Natyrisht një titull duhet ta bëjë lexuesin kureshtar. Unë isha e frymëzuar nga figura e një legjende. Kjo legjendë është e njohur përtej kufirit sorbian, në juglindje të Gjermanisë, në perëndim të Polonisë, deri dhe në veri të Çekisë. Një figurë përrallore e shndritshme shfaqet me një drapër mbi kryet e njerëzve që punojnë në kohën e vapës së mesditës dhe i mallkon ata në mënyrë të tillë që të humbin mendjen ose jetën. Vetëm po munde t‘i rrëfesh asaj brenda një ore të plotë përpunimin e lirit, mund t‘i shpëtosh mallkimit. Në sytë e mi, tjerrja e lirit, prej nga përftohet filli, është një simbol për jetën në shumë mitologji: në atë greke është Klotho (simbolikisht arti që lind jetën, e tjerr më tej, e mban). Po ashtu edhe filli i rrëfimit, që në këtë rast shpëton jetën nga mallkimi i Gruas së Mesditës. Kemi një teksturë, një gjuhë gojore apo me shkrim. Dadoja në fëmijërinë e Helenes beson se vagullia mendore e Selmas shpjegohet me faktin që kjo nuk ka folur me Gruan e Mesditës, pra nuk ka rrëfyer. Ky interpretim përshkon gjithë romanin, por para së gjithash titulli mbetet konkret dhe misterioz. Burrat hamendësojnë dashnoren, e cila gjen kohë të vijë në mesditë, ndërsa gratë mendojnë më shpesh ndonjë punë shtëpie që duhet kryer në mesditë. Të dyja asociacionet nuk është se janë të gabuara.

Në krye të romanit, një nënë braktis djalin e saj shtatëvjeçar në një stacion të vogël treni. Lufta ka përfunduar, tashmë gjithçka mund të ishte më mirë. Përse merr figura juaj një vendim të tillë?

Nuk ekziston vetëm një shpjegim, një fjali. Romani zhvillohet si spektër i përjetimeve dhe përvojave të Helenes. Sigurisht në vendimin e saj ndikon ngushtësisht marrëdhënia mes nënës dhe fëmijës, gjithashtu një ndjenjë e thellë e papërshkueshmërisë, dështimit dhe paaftësisë. Me kalimin e kohës ajo ka humbur gjuhën, ka mohuar shumë herë identitetin e saj dhe në çdo drejtim është damkosur dhe dëmtuar, gati shuar, kthyer në një copë akulli.

Është kjo një panoramë normale për Gjermaninë në vitet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore?

Sot dihet që një vendim i tillë nuk ishte ndër rastet e vetme në kohën e pasluftës. Si shembull të ditëve të sotme mund të marrim Kosovën, ku dihet se lufta ka lënë plagë të thella në njerëz dhe në lidhjet e tyre më të natyrshme. Mëmësia, si një prej këtyre lidhjeve, është një koncept kulturor, ku receptorët për zhvillimin dhe ruajtjen e shëndetshme të saj mund të dëmtohen pas përvojash traumatike, edhe kjo besoj se është e njohur. Të paktën për brezat që kanë përjetuar luftëra.

Sa autobiografi dhe sa trill artistik përmban romani?

Nuk ka një mundësi për ta llogaritur saktë këtë. Thelbi është i vërtetë: im atë ishte një djalë i vogël, që më 1945-ën u braktis nga e ëma në një stacion të ngjashëm treni. Sidomos luftërat që zgjasin gjatë, i shndërrojnë njerëzit dhe i zgjidhin strukturat familjare. Familja është si një gërshet, i thurur para së gjithash me dashuri dhe pa shpresë tëhuajtjeje, nganjëherë edhe përçmim, ngrohtësi, ftohtësi, shpresë të brendshme dhe zhgënjim. Do të ishte shumë e mundimshme dhe më tepër punë e një biografi në të ardhmen, nëse do të përpiqeshim ta njehsonim historinë e familjes sime të degëzuar dhe heterogjene në të gjitha kuptimet me lëndën e romaneve të mia. Nuk mundem të them as se rrjedh nga një familje e borgjezisë së vogël, por jam rritur në vendin x. Unë jam rritur në Lindje të Gjermanisë, në kampin e refugjatëve dhe në Perëndim, në familjen time kishte intelektualë borgjezë dhe njerëz që jetonin me asistencë sociale, artistë, studiues të shkencave të natyrës, të papunë, Gjermani dhe mërgim, hebrenj, ateistë të pagëzuar, besimtarë pa konfesion, gra matriarkale, njerëz që humbën jetën përmes kancerit, aksidenteve, vrasjes dhe vetëvrasjes, të sëmurë psikikë dhe fizikë, heronj, fëmijë të paligjshëm, si dhe struktura të ligjshme qytetare. Prej kësaj përzierjeje eksplozive mund të frymëzohesh dhe të shkruash qindra romane, por asnjëri nuk do të jetë "historia e familjes sime".

Që në fjalinë e parë, lexuesit i tërhiqet vëmendja: këtu duhet të dish t‘i përdorësh gjithë shqisat e tua në mënyrë aktive. E keni përdorur me qëllim sinestezinë?

Po, për fjalinë e parë çdo shkrimtar mendohet shpesh, në krye të punës, gjatë saj dhe sërish në fund. Natyrisht që për këtë kam biseduar edhe me redaktoren. Vështrimi që këtu vjen si prej së largu, nga perspektiva e zogut deri afër fëmijës dhe përjetimit të tij shqisor, është po aq i rëndësishëm për perspektivën e lexuesit (ndërrimi i perspektivës), nga figura te subjektiviteti, është përcaktues për formën e romanit.

Figura qendrore e romanit, Helene, shfaq një afrimitet të veçantë për të motrën, mbase më të ngushtë se në një dashuri normale motrash; e njëjta gjë ndodh edhe më vonë me miken e përbashkët, Leontinen. Mos donit thjesht të provokonit një lojë paksa lezbike mes motrave?

Jo, nuk besoj se një paraqitje e tillë mund të provokojë më moralisht në Gjermaninë e mijëvjeçarit të ri. Të paktën nuk provokon aq shumë njerëz e aq më pak hapësirën liberale të lëçitur. Mbase është e pazakontë që gratë të shkruajnë me gjuhë letrare për trupin e tyre, në mënyrë aversive apo erotike. Por këtë e kanë bërë edhe të tjera para meje. Natyrisht që unë nuk shkruaj atë që kam lexuar njëmijë herë. Përkundrazi, kureshtia dhe gëzimi gjatë procesit të të shkruarit kërkon një rrëfim të munguar. Mes të tjerash, pasazhe të tilla janë gjithashtu një tipar i modernes në këtë roman, që nganjëherë është etiketuar si roman historik. Vërtet që ngjarjet zhvillohen në të shkuarën, por stili dhe mënyra si është shkruar ai, gati pa kurrfarë tabuje dhe me një vështrim intim mbi protagonistët, mes naivitetit dhe ftillimit, mes dëlirësisë së papërlyer dhe liberalitetit, ai është i kuptueshëm vetëm nga perspektiva e së sotmes.

Edhe ju vetë keni një motër binjake, me të cilën jo vetëm ngjani si dy pika uji, por keni qenë edhe shumë të lidhura në fëmijëri. Si ishte/është marrëdhënia juaj?

Natyrisht që kam qenë shumë e lidhur me motrën atëherë, dhe jam ende sot. Por ka pasur edhe thyerje apo situata jetësore, në të cilat nuk mund t‘i gjendeshim njëra-tjetrës. Kur ishim fëmijë, si shumë motra e vëllezër të tjerë, flinim shpesh në një shtrat, kemi mësuar të flasim në shumës, të bënim gara, shkonim në të njëjtën shkollë, kishim të njëjtat përjetime familjare. Gjatë tërë asaj kohe, si krejt normalisht për fëmijët që rriten me vëllezër e motra moshatarë, afria na dukej më se e natyrshme, nganjëherë gazmore, mandej sërish shtypëse.

Babai i Helenes shkon në luftë dhe vdes pak kohë pasi është kthyer; nëna e saj nuk jeton "në të tashmen"; i dashuri, Carl Wertheimer, humb jetën në një aksident para fejesës; Peter braktiset… Edhe këtu prapë kronika familjare…

Tragjikja në kronikën e familjes sime është me siguri akoma më e thellë dhe më e shumëllojtë se kjo. Nëse do të kisha shkruar vërtet një kronikë të familjes sime, libri do të kishte dalë pa frikë mbi 4000 faqe. Kronika e vërtetë do të ishte gati e pabesueshme dhe në tragjedinë e saj edhe më dërrmuese.

Nëna e Helenes është me origjinë hebreje, njësoj si Carl. Besoni se në Gjermaninë e sotme autorët e rinj mund të shkruajnë letërsi me temë nga Lufta e Dytë Botërore pa folur për hebrenjtë dhe Holokaustin?

Kjo është e thjeshtë për t‘u përgjigjur: mund të ndodhë në një libër nga Gjermania dhe mbi Gjermaninë, përjashto një roman policor, një libër të suksesshëm si romani i Kehlmann, "Die Vermessung der Welt", apo "Der Schwarm", por kësaj nuk mund t‘i shmanget asnjë libër që trajton kohën e Luftës II Botërore. As që mund të mendohet. Faji ndikon në mënyrë traumatike, edhe ai që nuk dëshiron më të flasë për këtë, kthehet sërish po aty, si për shembull Martin Walser. Ajo që më tërhiqte mua në konstelacionin e krijuar në romanin tim, ishte paraqitja e hebrenjve të asimiluar. Helene është hebre e pagëzuar para Hitlerit dhe të ashtuquajturit gjysmë-hebrenj, si një dekret politik dhe shtetëror që përcakton identitetin e individëve, është trajtuar rrallë nga ana letrare. Në shumë libra, figura e hebreut është viktimë dhe përkundër kësaj nazisti është krimineli. Por që edhe hebrenjtë ishin "kriminelë" dhe se çmimi i të mbijetuarit shpesh nënkuptonte një mohim të origjinës së vet, një vetëgjymtim dhe viktimat përgjithësisht përjetojnë një droje shumë herë më të madhe se të ashtuquajturit keqbërës, këto janë gjëra që mund të trajtohen shumë më qartë dhe bukur në letërsi, se në statistika dhe libra historie. Identiteti i Helenes nuk është se përfundon kur thuhet se ajo është grua, bijë, motër, nënë, dashnore, bashkëshorte, hebreje, e krishterë. Ajo e humb besimin e saj gati në çdo drejtim... Këto janë role, tipare këmbëshkurtra që bien në kundërshti me njëra-tjetrën.

Romani juaj fillon me një citat të Kafkës. Cilët autorë kanë ndikuar në mënyrë të veçantë te ju dhe stili juaj?

Kanë qenë shumë autorë. Letërsinë e tyre e kam lexuar në rini të hershme me kureshtje dhe adhurim. Nëse dhe në ç‘mënyrë kanë ndikuar ata stilin tim, këtë nuk e di. Te këta autorë të hershëm bëjnë pjesë Kafka, Büchner, Balzac, Stendhal, Musil, Bataille, Robert Walser, Faulkner, Hemingway, Kertész, Kristof, Ginzburg, Duras. Në vitet e fundit janë shtuar edhe të tjerë si A.L. Kennedy, Ugresic, Coetzee, Grünberg, Nabokov. Mbase çdo fjalë e lexuar ndikon të lexuarin dhe të përjetuarit.

Për të mos ikur nga stili, në romanin tuaj i keni shmangur thonjëzat për dialogët, aq sa shpesh lexuesi hutohet se kush thotë, çfarë. Përse keni zgjedhur ta vështirësoni dialogun e personazheve?

Përmes heqjes së thonjëzave, rresht pas rreshti, unë mendoj se është më e qartë kush flet, të paktën mund të gjendet lehtë për sa kohë këto nuk më duhen detyrimisht, njësoj siç nuk më nevojitet shumë shpesh togfjalëshi "sagte er" (tha ai). Për mua mungesa e thonjëzave është një mjet stilistik, të cilin e kam përdorur që në romanin tim të parë; një mundësi e veçantë, ligjëratën e drejtë ta lësh të kalojë në të zhdrejtë, në mendime. Po, nganjëherë është lexuesi ai që vendos nëse Helene po e thotë vërtet një fjali me vete, apo po ia thotë me zë të lartë dikujt tjetër. Nganjëherë ajo mendon dhe nga mendimi kalon tek e folura. Dimensioni, brendësia dhe plastika e jashtme fitojnë me anë të kësaj një strukturë në sytë e mi.

Sa kohë ju është dashur për të mbledhur materiale dhe për ta shkruar këtë roman?

Gati katër vjet, edhe pse mund të them se ideja e parë për të ishte më 1997, dhe zgjati dhjetë vjet, deri në fillim të vitit 2007 që romani të përfundonte.