Franz Kafka

"Gratë që e çuan te letërsia"

"Unë jam një burrë melankolik dhe i mërzitshëm, jeta përkrah meje nuk do të jetë e bukur". Ishte mbrëmja e vitit 1912 kur Kafka ia përsëriste këtë fjali të ulur në një park në Gjermani njëzetekatërvjeçares Felice Bauer. Vajza e imët me sytë të mëdhenj e shihte thellë në sy burrin me të cilin kishte rënë në dashuri, pa menduar gjatë në fjalitë që ai ia thoshte teksa kishin vetëm pak kohë që ishin njohur, do t‘i sillte një jetë jo të lehtë. Vite më vonë në ditarin e saj, ajo do ta shpjegonte atë çast si një nga momentet më të bukura të jetës së saj, nga ato momente kur e ardhmja nuk ka shumë rëndësi, sesa ndjesia që i ngjallin duart e tij që e shtrëngonin fort. Bauer do të ishte vetëm një nga dashuritë e shkrimtarit që solli një frymë tjetër në letërsi, vetëm një nga ato dhjetëra histori që mbushën jetën e atij burri që nuk pati një fat të lehtë. Ajo besoi si të gjithë njerëzit kur duan vërtet, pa menduar gjatë në e njëjta gjë ndodhte dhe me atë, të riun që kishte filluar të ishte një emër interesant në fushën e letrave. Ajo ishte e magjepsur nga rrëfimet e tij, nga bisedat që i bënin në park, nga mënyra se si ai i shpjegonte gjithçka. "Vetëm në libra kisha ndjerë diçka të tillë, unë e dashuroja atë", shkruan më vonë Bauer. Por çfarë mbeti thellë brenda Kafkës nga ato net pasioni, në apartamentin e thjeshtë ku dalloheshin vetëm moria e librave dhe mbulesa me ngjyra të errëta e shtratit. Ato vite ai nisi të shkruante ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër. Ishin kohët kur ai kuptoi se të shkruarit për të, nuk ishte thjesht një mori letrash zemërimi që duhet t‘ia drejtonte të atit, por një mënyrë për të shpjeguar këndvështrimin e tij për botën, atë mënyrë të vështruari që e bënte të ishte ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, ai ishte sentimental. Pak e vështirë për një burrë të jetë i tillë, por sytë e tij të vegjël dhe të trishtë e thonë këtë gjë përmes fotove. Marrëdhënia e tij me Felice do të zgjaste vetëm pesë vjet. Më pas, ajo do të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku vdiq në vitin 1960. Por nga kjo histori dashurie ai nisi udhëtimin e tij për të shpjeguar ndjesitë. Duart e buta të Felice nuk qenë gjë tjetër vetëm një mënyrë frymëzimi për të parë përmes tyre të vërtetën. Ashtu si ato net të bukura, ku thellë kapotave të trasha ndjenin pulset e zemrës së tyre.

Jeta

Franc Kafka lindi në Pragë, sot Republika Çeke, më 2 korrik 1883. Nga mamaja Julie mori butësinë, ndërsa nga i ati Hermann, zemërimin pafund që e shtyu të zbulonte absurdin e kësaj bote. Nëse do të kishte qenë një fëmijë i lumtur, atëherë ne nuk do të kishim sot shkrimtarin. Kështu shënon një nga biografët e tij. Por tek ajo familje jezuite, vëllai i tri motrave do të rritej nën trysninë e vazhdueshme të të atit, që do ta bënte të ishte gjithnjë e më tepër i mbyllur dhe ëndërrimtar. Shkrimet e para ai ia drejton pikërisht atij. "Të shkruarit është i gjithi për ty. Pas gjithçkaje që ndodhi, kjo është një mënyrë të biseduari me ty…", i shkruante ai të atit në vitin 1919. Rregullat e një familjeje me një besim të tillë nuk do të respektoheshin nga djaloshi, i cili mori më pas edhe shkollimin në një shkollë që ushqente këto teori. Ai do të studionte në universitetin "Ferdinant Karls". Dhe gjatë kohës së studimeve do të influencohej nga emrat më të njohur të mendimit të kohës si Franz Werfel, Oskar Baum apo Max Brod, të cilin Kafka e takoi në 1902-in. Në vitin 1904, ai nisi të shkruante fillimisht ngjarje që shqetësonin kohën dhe më pas do të zbulonte se rrëfimi i tij për këto ngjarje nuk ishte i zakonshëm, por mbarte një sentimentalizëm të bukur thellë fjalive. Këtë gjë do të vinte re edhe kritika, e cila do ta cilësonte atë si një shkrimtar të ri me të ardhme. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai pati një nga periudhat më prodhimtare duke shkruar letra dhe ditar. Ai shkruante në ditar gjithçka, që kishte të bënte me jetën e atyre viteve, një film që mund ta shihte në kinema, apo një shfaqje në teatër. Ëndrrat e djaloshit me trup të imët do të vijonin të zinin faqet e atij ditari të thjeshtë. Ai përshkruan deri në detaje personazhet që mund të kishte parë në një shfaqje, duke i vendosur ata përballë mesazhit që duhet të përcillnin për kohën, filozofinë që mbartnin. Ishte shkrimtari brenda tij që e shtynte të hidhte në letër ato kritika që në një farë mënyre ishin një krijim më vete. Djaloshi që mund të shihte edhe vetëm një shfaqje teatri do të kthehej në një nga shkrimtarët e historive të shkurtra dhe romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX, trupi i shkrimit do të ishte i vetmi në llojin e tij. Por pjesa më e madhe e shkrimeve të tij do të mbeteshin të pambaruara dhe do të botoheshin pas vdekjes, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin, ato kthehen në ikona të letërsisë së Perëndimit. Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin "Die Verwandlung" ("Metamorfoza, Shndërrimi") dhe romani i tij i pambaruar "Der Prozess" (Gjykimi).

Orët e dhembjes

Në gusht të vitit 1917, Kafka do të zbulojë se vuante nga tuberkulozi. Ato kohë kur shpresa ishte drejt thyerjes, ai do t‘a shpenzonte pjesën më të madhe në fshat me të motrën, Ottla. Dy vjet më vonë ai do të shtrohet në spital, pasi shëndeti nuk po shkonte mirë. Gjatë kësaj kohe, ai do të binte në dashuri me Milena Jesencka, një vajzë njëzetekatërvjeçare e tërhequr ndaj përkthimeve. Vajza, e cila në ato kohë punonte si gazetare, do ta kishte Kafkën si heroin e shkrimeve të saj. Por, Kafka nuk do të jetonte gjatë në këtë lidhje. Ai do të largohej prej saj dhe për disa kohë do të shkëmbenin letra. Për Kafkën Milena ishte një histori si dhjetëra të tilla që kishin shoqëruar jetën e tij, dhe pse vajza mund të dinte të fliste bukur si ai. Këto histori ishin vetëm rrugë nga të cilat shkrimtari nisej për të përfunduar një vepër. Por një nga historitë më interesante që vijon të hulumtohet edhe sot nga kritika është ajo e Dora Diamant. Një vit pasi kishte dalë në pension, ai takohet me Dorën, e cila do t‘i qëndronte pranë në sanatoriumin e Vjenës ku do të qëndronte për një kohë të gjatë. Në letrat e saj, Dora më vonë do ta përshkruante veten si gruan e Kafkës, edhe pse kur Kafka i kërkoi të atit të saj dorën për t‘u martuar me të bijën përgjigjja e tij ishte jo. Historia e Dorës, është rrëfyer nga kjo e fundit në një intervistë të gjatë, e cila është kthyer edhe në libër, ku vajza përpara se të binte në krahët e të dashurit të saj, Kafka, kishte jetuar burgjet dhe kampet naziste. Kafka vdiq më 1924 në sanatoriumin e Vjenës. Edhe pse nuk shkeli asnjëherë në SHBA, ai ishte një ndër autorët më të pëlqyer dhe me më shumë influencë për shkrimet që kishte bërë deri në atë kohë. Ndërsa sot, ku jeta e tij e trishtë nuk mund të rrëfehet as në një libër, ai vijon të jetë një ndër personazhet më të rëndësishme të letërsisë botërore.

Related Posts: