“Darka e gabuar” e Kadaresë – një topografi shpirtërore

Nga Dr. Luan Topçiu


“Artisti është origjina e veprës. Vepra është origjina e artistit. Asnjë nga këta terma nuk jetojnë pa njëra-tjetrën” - Heidegger



Vepra si origjina e autorit/Kadare me romanin “Darka e gabuar” dëshmon, përpos cilësish të tjera, të mirënjohura dhe të çmuara, për maturitet deri në përkorje të frazës, përlëmim të subjektit, për sqimë stilistike, për rimarrjen në mënyrë mjeshtërore muzikore të motiveve, për zhbirime të hetimeve psikologjike dhe cilësi të tjera që kanë të bëjnë me teknologjinë e shkrimit. Romani është një përpjekje për të rrokur në befasi vetveten, në hipostaza të panjohura, të harruara, të rizgjuara, të përndritura, të fshehura. “Darka e gabuar” bën objekt të trillit artistik, hyrjen e gjermanëve më 1943 në Gjirokastër, vendosjen e komunizmit, deri tek vdekja e Stalinit, më 1953. Romani vendos dy njerëz dhe dy kohë në pozicione të ndryshme: nga njëra anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, kolonelin Fritz von Schwabe, në anën tjetër, si dhe Shqipërinë e parë në tre hipostaza: otomane, gjermanike dhe atë komuniste. Ndërsa në “komplotin e bluzave të bardha”, të pasqyruar në roman, kashtosen legjendat, ngjarjet me të gjitha ngjyresat lokale. “Darka e gabuar” është e mbushur me dashuri, me ironi, me situata absurde, me komizëm tragjik, me detaje piktoreske, me çmenduri, me dhimbje e nostalgji për qytetin e lindjes dhe personazhet që e popullonin atë.
Rrëfimtari, i identifikuar më së shumti me autorin, përzgjedh nga kujtesa e tij ngjarje, mbresa, kujtime të ringjallura nga fëmijëria, mite e legjenda, histori e personazhe reale, ndodhi dhe personazhe që janë prehur në kujtesën afektive të autorit. Në fakt Kadare nuk rrëfen, por përzgjedh me sqimën e pagabueshme detaje që e ndihmojnë në ndërtimin e veprës së tij. Romani dëshmon një dashuri që shkakton më shumë dhimbje, hidhërim, sepse në këtë tablo të qytetit je i detyruar të vizatosh dhe vetveten. Pasqyrimi i vetvetes është po aq i paevitueshëm dhe po aq i pamëshirshëm si pasqyrimi para pasqyrës. Kadare, si në poezinë moderne apo në gravurën japoneze, di të ruajë sensin e masës, të vendosë në marrëdhënie harmonike boshin dhe plotin, zbrazësinë dhe ngarkesën, fjalën dhe heshtjen. Sensi i masës, duket se është dhe tipari dallues i artistit të madh.
Teksti i Kadaresë nuk është asnjëherë eksplicit, ndonëse gjuhësisht ndërtohet thjesht, hulumtimi dhe ngasja për të cikur, qoftë thellësisht, qoftë përkitas një temë a një ndodhi, një personazh, apo një detaj, rrit dhe gjeneron më shumë rrugë të interpretimit. Kadare në përçapjet për të sqaruar shton mjegullën, në momentet kur do të rrisë dozën e seriozitetit dhe toni bëhet më i rëndë, mund të zbulosh në tekst më shumë ironi dhe humor, kur sjell më shumë të dhëna dokumentare për të argumentuar një ide, ngjarja dhe personazhi mbulohet me më shumë mister dhe fshehtësirë. Në romanin “Darka e gabuar” Kadare ka përsosur rrëfimin jo në të mirë të sqarimit të situatës, jo në të mirë të sqarimeve dhe teksteve plotësuese, por rafinamenti i rrëfimit ka shtuar më shumë sugjerimin, rolin aktiv të lexuesit. Fjala është për endjen e tekstit, valorizimi i sintagmave që duken rastësore, rikthimi tek ato me elemente befasie dhe me një korrelacion pothuaj muzikor.
Topografi shpirtërore/Kadare na kujton se armiku ynë më i madh është koha dhe mikja jonë e madhe është hapësira. Qyteti i tij i lindjes Gjirokastra është hapësira bujare ku autori monton pjesën, vizaton atmosferën, arkitekturën e qytetit, ndërton shtëpitë, sokakët, rrugët shpirtërore, thashethemet dhe heshtjen, padyshim me një domethënie të caktuar emocionale, me një ngarkesë të posaçme afektive, ku personazhet mund të identifikohen lehtësisht, shumë syresh mbajnë emra apo mbiemra të vërtetë. Ajo që duhet theksuar qysh në krye të herës është fakti se autori pikturon shpirtin e vendit, frymën e tij. Ashtu si qeniet e gjalla dhe vendet janë mbartëse të një shpirti, fryme të caktuar, siç janë mbartëse të një ngjyre të caktuar, një pamje të caktuar, një arome të caktuar. Gjirokastra e Kadaresë, në këtë roman si dhe në “Kronikë në gur” vjen me shpirtin e saj. Kadare nuk pikturon topografinë fizike të qytetit, por një topografi shpirtërore: historinë mesjetare të qytetit, fqinjësitë e tij, marrëdhëniet me Perandorinë Osmane, pushtimin gjerman, pushtimin italian, vendosjen e komunizmit, krimet dhe dashuritë, intrigat dhe kurthet, çmendurinë dhe xhelozinë, meskinitetin që prodhojnë vendbanimet e vogla etj.
Ndërsa hapësira ofron mundësi të merresh me të, të endesh në të, të kotesh në të, të lëvizësh në një zonë të pamodifikueshme, koha është e pandalshme, koha shkëputet, ndërpritet, rimerret, fragmentarizohet, si kohë afektive e lidhur me kohën historike. Por mesazhi është shumë më i gjerë, është me konture kombëtare, europiane, të marrëdhënieve midis sistemeve politike, por dhe për një sistem të caktuar vlerash. Kufizimi me Gjirokastrën, me gjithë vlerën afektive që ka autori, do t’i zbehnin dimensionet romanit. Në një paradigmë më të gjerë kuptimore do të lexoheshin marrëdhëniet mes pushtuesit dhe të pushtuarit, historisë dhe mitit, realitet historik me realitetin fiksional, kumtit të fshehtë dhe realiteteve eksplicite, krimeve dhe sistemeve diktatoriale, logjikës së gjërave dhe absurdit etj.
Një përmasë tjetër që perceptohet në “portretin e Gjirokastrës” është edhe ritmi i jetës së këtij qyteti, herë me një ritëm anakronik, herë me përzgjatje kohore nga një periudhë në tjetrën, me pushimet dhe heshtjen e tij, me pezmin psikologjik që mbart, me muzikën e rëndë të ndërtimeve hijerënda e të gurta. Elementë kompozicionalë si : rivaliteti i dy doktorëve Garameto në qytet, Aeroporti i vjetër, personazhet e familjeve të mëdha në qytet, Guva e Shanashisë, shtëpia e Kadarenjve që shërbeu si spital, rruga e Varroshit, Vehip Qorri etj janë elementët që popullojnë peizazhin dramatik. “Kishte ditë që qyteti dukej se i afrohej zgripit, por shi në çastin e fundit, i shmangej”. Romani është një ironi për komunizmin, është një qëndrim i figurshëm i historisë së Shqipërisë nga Lufta e Dytë Botërore dhe deri në ditët e sotme, një paradigmë e patriotizmit, një përkufizim artistik i mitit, ëndrrës, kllapisë, realitetit historik, mitit që janë pjesë integrale e së gjithës. Lënda letrare, si pothuaj në gjithë veprën e tij, kashtoset, bëhet një. Kadare është mjeshtër i trajtimit të absurdit në letërsi, i minimizimit të rëndësisë së ngjarjeve “të mëdha” dhe i mëshimit të “ndodhive të vogla” nuancave, detajeve, zhbirimeve vertikale të qenies deri aty ku ai takohet me mitin, me misterin, me përsëritjen e ngjarjeve në histori, me takimin me të përjetshmen etj. Darka e gabuar do të kthehet dhe në nyjën qendrore të rrëfimit, e rrëfyer me luks detajesh, e ritreguar me pasion hetimi, duke u rimarrë si motiv e lajtmotiv, duke u tjerrë psikologjikisht pas vitesh, duke fituar gjithë vëmendjen dhe peshën e romanit. Darka e gabuar do të shndërrohet në darkën fatale, darkën e keqkuptimeve të mëdha që do t’i kushtonte doktorit Gurameto deri në jetën e tij. Është interesante dhe mënyra në të cilën, në nivel stilistik, shkrimtari transformon çdo hapësirë dhe personazh në një simbol: darka e gabuar/darka e fundit biblike, doktori, zonjat, darka, ftesa, vdekja, varri, guva e Shanishasë, Gjirokastra, Vehip Qorri, Ali Pashë Tepelena, motra e tij etj.
Ironia tragjikomike/Kadare ka manifestuar qysh në fillim të herës interesin dhe ka përdorur strategjinë e shkrimit ironik, manifestim i një forme guximi intelektual, kushtimisht nga talenti. Nota kritike e fiksionit të maskuar nga autori, përzierë me histori reale dhe me personazhe realë, në një roman siç është “Darka e gabuar”, emeton mesazhe për vështrimin e historisë, historinë e Gjirokastrës, historinë individuale të personazheve etj. Duke e lexuar me vëmendje, me aq vëmendje sa i qasshëm është ligjërimi, romani i përgjigjet formatit dhe përmasave moderne të ironisë tragjike. Në shqetësimet e Kadaresë, në gjithë veprën e tij, ai ka qenë njëherazi dhe për ironinë tragjike antike (analizuar nga Nietzsche). Duhet vënë në dukje dhe evolucionin e romaneve të Kadaresë dhe kalimet nga ironia tragjike në ironinë komike apo alternimi i të dyjave në hapësirat e të njëjtit tekst. Pra, nga e qara tek e qeshura, nga tonet sublime e heroike në tone humori absurd, duke njohur e përdorur mjeshtërisht faktin se letërsia përsërit historinë. Alternimi qarje-qeshje, konfirmon praninë e ironisë në gjithë historinë e botës. Ligjërimi ironik, i ndërtuar me natyrshmëri, është dashuria e madhe dhe prirja e gjithë letërsisë së Kadaresë deri më tash. Kujtimet, e pazakonshme të rrëfyera në të tashmen, duke filluar nga fëmijëria, duke vazhduar me rrëfimin e figurshëm të vetë historisë së Shqipërisë, duke kashtosur realen dhe të sajuarën letrare Kadare na krijon një skenë të pleksur me tragjedi të rënda që pllakosin fatin e një kombi, me zhdukjen e elitave perëndimore të vendit dhe vendosja e komunizmit, figura e Stalinit, vdekja dhe zhdukja e zonjave nga qyteti bashkë me kohën e tyre, ardhja e komunizmit është vizatuar me tragji-komizëm.
Tragji-komizëm tregon dhe me zhdukja e qytetërimit Perëndimor, krijimi i një kohe të re, i një njeriu të ri, i një pështjellimi shoqëror të pashoq që do të vijonte me krime të rënda të shqiptarëve kundra shqiptarëve në emër të një ideologjie. Në një radhë titujsh simbolikë si “tjetër rend”, “dita dy. ag”, “dita minus dy”, “varg ditësh e muajsh”, “varg stinësh” etj autori përshkruan istaurimin e sistemit komunist. Komunistët kishin arrestuar dhe të operuar: “Ndërsa vinin në vete, njëra nga infermieret e shërbimit përpiqej, kushedi pse, t’u shpjegonte se përveç që u ishte hequr apendiciti apo veshka e sëmurë, ata gjendeshin, ndërkaq, në një rend tjetër”. Pohimi dhe mohimi i menjëhershëm hyjnë në një konkurrim ludik, kundërshtohen reciprokisht, ngjarjet fitojnë më shumë ambiguitet dhe paradoks. Ironia, me shoqërueset e saj, paradoksin dhe oksimoronin përbëjnë idiolektin estetik, parimin letrar të Kadaresë. Tek e fundit, ironia nuk është vetëm një cilësi e tekstit, por dhe një mënyrë lëçitjeje, për të përkthyer dykuptimësinë, të pashpjegueshmen. “Darka e gabuar” bën pjesë në veprat e zhbirimit të ekzistencës njerëzore. Në momentin kur shkenca fiton autonominë për të analizuar sendet së jashtëmi, (apo me termat e Martin Heidegger-it) kur prodhohet një harrim i vetëvetes, i Qenies, shfaqet romani për të zhbiruar botën e gjallë. Historia e romanit është një vijimësi përçapjesh për ta rrokur Vetveten, identitetin njerëzor. Në këtë roman prania e Kadaresë është më e gjallë se në shumë vepra të tjera. Kemi të bëjmë me një tentativë për të rrokur hipostaza të panjohura të vetë autorit.
...