Vërtet, fati i tij kishte pësuar disa herë çaste kritike. Martesa e tij dhe vepra e tij e parë e mirëfilltë letrare mund të përcaktohen rreth së njëjtës kohë.
Çarls Xhon Hafëm Dikensi (1812-1870), është pa as më të voglin dyshim romancieri më i mirënjohur e mbase më i madhi ndër romancierët anglezë, i cili u lind në Lendport, një nëndarje e Portsit, me banim në vargun e shtëpive në "Rrugën Tregtare". Shtëpia në fjalë mund të njëjtësohet se është kthyer në njëfarë kuptimi në një vend pelegrinazhi apo në një përmendore popullore, duke u mundësuar vizitorëve që vetëm me një a dy udhëtime të lidhin dy emrat kombëtarë më romantikë, Dikensin me Portsin dhe Nelsonin me Portsmuthin. Por, përveç kësaj dobie me interes vendor, thuajse gojëdhënor e simbolik, adresat e sotshme s‘bëjnë tjetër vetëm se tregojnë për fatin ikanak dhe të shkatërruar të shtresës shoqërore dhe familjes nga e cila vinte ai. S‘do të bënim tjetër veçse do ta tepronim po ta krahasonim me "Rrugën Lent", në Barë, e cila do të kujtohet, "për banorët shtegtues, që zhdukeshin zakonisht në prag të ditës së parë të tremujorit1". Ka të dhëna për jetën prej shtegtari që bënte bota shoqërore së cilës edhe i përkiste. Është fjala për shtresën e mesme; ai i takonte, siç mund të thoshte ndokush, klasës së mesme që ishte e paqëndrueshme, e cila përbënte një klasë njëmend të pasigurt. I ati, Xhon Dikensi, ishte një nëpunës në zyrën e Ministrisë Luftarake të Flotës Detare dhe përgjatë tërë jetës së tij ishte një njeri me gjendje shoqërore fort të ndryshueshme e të lëvizshme, kjo deri në njëfarë mase, për shkak të fatkeqësive që i ranë në jetë dhe pjesërisht për faj të tij. Thuhet se Dikensi e përvijoi atë në një dritë më të butë te Mikobri dhe në një pamje më zymtake dhe realiste te Dorriti. Kundërshtia midis këtyre dy burrave, sikurse dhe e gjendjeve të humorit të tyre, duhet të shërbejë si një paralajmërim kundër paaftësisë për të kuptuar mirëfilli idenë dikensiane të "personazheve burimore". Zakoni për t‘u larguar nga njëri vend në tjetrin u kishte shkaktuar padrejtësi të mjafta shumë njerëzve dhe nga kjo mund ta ketë pësuar edhe Xhon Dikensi; e ndoshta nga kjo lloj padrejtësie e pësoi më shumë zonja Elizabeta Dikensi, me mbiemrin e vajzërisë Berou, të cilën Dikensi e ka mishëruar në personazhin e zonjës Nikëllbi. Ndoca mund të pyesin, jo pa pikëllim, nëse ekzistonte përnjëmend zonja Nikëllbi. Por, sido që të jetë puna, s‘ekzistonte kurrfarë njeriu që të ishte si Dorriti edhe Mikoberi. E vërteta është se do ta keqkuptojmë qysh në krye të herës natyrën e përfytyrimit dikensian, nëse mendojmë që këto gjëra s‘janë tjetër veçse portrete stampë bardhë e zi. Gjithë çështja është se Dikensi mbështetej mbi të dhënat njerëzore dhe i kthente ata, sikundër mund të thotë dikush, në qenie mbinjerëzore. Por është më se e vërtetë se Xhon Dikensi qe lloji i njeriut që s‘rrinte kurrë në një vend dhe kjo shërben si pikëlidhja kryesore e Çarls Dikensit me Portsin, ose më saktë mungesës së lidhjes së tij me të. Ai ishte vetëm dy vjeç kur e gjithë shtëpia e tij u zhvendos një copë herë të shkurtër në Londër dhe paskëtaj për një kohë më të gjatë në Çatam. Kjo ishte ndoshta periudha më fatlume që i dha trajtë fëmijërisë së tij të hershme, ndërsa për familjen e tij qe periudha më fatkeqe. Kantieri detar i Çatamit, kullat e Roçesterit, kopshtet tok me rrugët e mëdha të Kentit i mbetën në kujtesë gjatë gjithë jetës si i vetmi kujtim i zakonshëm i një vendi amtar që e rriti; në vitet e mëvonshme shtëpia e tij kishte një pamje fort të përçmuar në rrugën e madhe kur shihej nga kodra Geds, kurse kulla e katedrales ngrihet sërishmi në shikimin e tij të fundit, në ëndrrën e tij mpirëse të quajtur "Eduin Druidi". Pikërisht atje ai kishte kohë të lirë për të mësuar nga librat, por që në të vërtetë nuk kishte moshë për të mësuar nga jeta; më së pari, në kuptimin e ngushtë të fjalës ai mësoi nga librat e shkollës, nga zoti Gajls, një meshtar baptist në Çatam; më së dyti, mbase duke nxjerrë dobi më të madhe, nga një pirg i zakonshëm romanësh të vjetër që përfshinin një pjesë të madhe të letërsisë më të shquar angleze, letërsi nga e cila mund të mësonte jashtëzakonisht shumë: Roderik Randomi, Robinson Kruzoja, Tom Xhonsi dhe famullitari i Uejkfilldit.
S‘kishte mbushur ende dhjetë vjeç kur e gjithë familja e tij mori përsëri rrugën e shtegtimit. Xhon Dikensi qe mbytur deri në grykë me borxhe; ai e vazhdoi zakonin e tij të ndryshimit të adresave; e fundja adresë e tij ishte "Burgu i Borxhlinjve" në Marshalsi. Bashkëshortja e tij, nëna e tetë fëmijëve, ku Çarlsi ishte i dyti, i duhej të bënte konak në një kamp të shkretë në qytezën Kamdën dhe të çelte një "institucion arsimor" të rrënuar. Në këto e sipër Çarlsi fatkëputur po mësonte mësimet e tij në një lloj institucioni arsimor krejt të ndryshëm. Mbasi e ndihmoi të ëmën në gjithfarë punërash të ulëta, ai u hodh tutje që ta siguronte vetë bukën e gojës, duke u ngjitur etiketa e duke mbushur kutitë me bojë të zezë këpucësh në një punishte që merrej me prodhimin e bojës së zezë për lyerjen e këpucëve në vendin e quajtur "Olld Hangërford Steirs". Bojatisja ishte përnjëmend simbolike; Dikensi nuk kishte asnjë hije dyshimi se kjo periudhë e fëmijërisë së tij ishte më e errëta e jetës së tij dhe gjendja e tij shpirtërore atëbotë qe e tillë që ai ishte gati të lyente gjithë veten e tij me bojë të zezë, porsi aktori që luante rolin e Otellos. Këtë periudhë pesimiste, që dallohej vetëm për poshtërim dhe monotoni shpirtcopëtuese, ai e përshkruan shkurtimisht te romani "David Koperfildi". Të thuash se atë e kishte mbytur një zemërim i hidhur është pak, pasi duket sheshit se ai tashmë kishte arritur të zhvillonte një syçeltësi e vëmendje të çuditshme. Në kohën kur robërisë së tij i erdhi fundi, dhe të atit i kishin lënë një trashëgimi pikërisht siç kishte rënë në burg (pikërisht si te Mikoberi që gjërat i marrin për mirë dhe pastaj për keq), djali nuk mund të quhej më i zakonshëm, e aq më pak fëmijë. Ai e quan të atin endacak, "Babai Plëngprishës"; por familja e tij kishte lënë vraga të pashlyeshme dhe te vetë qenësia e një djali kaq syçelë dhe kritik siç qe ai. Na bën menjëherë për vete pjekuria pothuajse djallëzore e satirës së tij; ca nga fragmentet më të shkëlqyera të jetës së burgut të pikuikëve dhe dorritëve ndeshen në letrat vetjake që i përkasin jetës së tij të hershme. Patjetër, ai kishte parë ngritjen e gjendjes së familjes së tij, e cila në rastin e tij pasqyrohet në periudhën e shërbimit si nëpunës për llogari të zotit Blekmor, i cili qe pronar i Grejz Init2, dhe pastajthi në zanatin po aq të suksesshëm, e shumë më tepër të pëlqyeshëm, të reporterit të një gazete dhe së fundi të reporterit të Parlamentit. I ati ishte ai që kishte nisur zejen në fjalë, por tashmë i biri i kishte vënë vulën, si reporter i gazetave Dielli i Vërtetë, Pasqyra e Parlamentit dhe Kronika e Mëngjesit. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai është i shkathët, mendjemprehtë dhe i paanshëm; në këtë periudhë çdo vëzhgues mund të shikonte shpesh atë shkëlqim të metaltë në fytyrën e tij. Kjo ia vlen të përmendet, pasi disa emocione shoqërore të shëndetshme që ai u kishte dalë gjithnjë në mbrojtje e kanë shtrembëruar disi personalitetin e tij në sytë e moralistëve, të cilët kishte qejf t‘i shante sy më sy. Dikensi ishte një dalzotës i vërtetë i gjenialitetit, por gjithsesi ai nuk u tregua ngaherë gjenial. Një prej skeçeve të tij më të hershme, që u botua jo shumë kohë pas kësaj kohe, s‘qe veçse një mbrojtje e kremtimeve të krishtere të Krishtlindjeve kundrejt puritanëve dhe utilitaristëve; skeçi në fjalë titullohej "Krishtlindje poshtë tri kokave". Gjatë gjithë jetës së tij mbrojti trimërisht dëshirat e skamnorëve dhe këmbëngulte që Hyji u kishte dhënë atyre jo vetëm birrë dhe rum, por edhe verë, për t‘ia gëzuar zemrën njeriut. Por e gjithë kjo e kishte mjegulluar karakterin e tij me shtëllungat e gostive dhe papërgjegjshmërisë, të cilat nuk e kishin bërë të veçantë në llojin e vet. Edhe në rini, e cila është periudha e papërgjegjshmërisë, Dikensi e tregon veten në njëfarë mënyre jashtëzakonisht të përgjegjshëm. Ai i kundërvihej me mish e me shpirt kotësisë së familjes së tij; ai ishte si ambicioz, ashtu edhe i palodhur; madje ka nga ata që janë të mendimit se ai është edhe i ashpër. Ai ushqente zemërim për Skimpolët po aq sa edhe për Gredgrindët.
Vërtet, fati i tij kishte pësuar disa herë çaste kritike. Martesa e tij dhe vepra e tij e parë e mirëfilltë letrare mund të përcaktohen rreth së njëjtës kohë. Tashmë ai kishte nisur të shkruante skeçe, kryesisht për revistën "Revista e Vjetër Mujore", të cilat ishin në kuptimin e gjerë të fjalës karikatura, të sendeve të zakonshme që gjendeshin nëpër rrugë dhe tregje. Ato i pajiste me ilustrime Kruikshanku, që në ato faza të hershme të karrierës së Dikensit historia e ilustruesit shpesh ngre më shumë peshë se autori vetë. Kjo qe plotësisht e vërtetë për eksperimentin tjetër të tij, që ishte mbase më i rëndësishmi, porse kjo është tipike, pavarësisht nga epoka dhe koha e rrojtjes së tij. Skeçet në prozë mbanin nënshkrimin "Boz" dhe nënshkrimi qe bërë një kinse emër i njohur kur zotërinjtë Çepmen dhe Holl, botuesit e tij, e këshilluan ta zgjeronte projektin. Një humorist mjaft i njohur për kohën, Sejmori, botoi një sërë karikaturash
që ilustronin peripecitë apo prapësitë e "Klubit Nimrod", një grup që përbëhej nga sportistë amatorë, të paracaktuar që të pakësoheshin e megjithatë të rriteshin pambarimisht në një figurë të vetme, atë të Nataniel Uinkllit. Dikensi dha pëlqimin që të shkruante tekstin, i cili s‘ishte tjetër veçse buzët zbukuruese që qarkojnë tablotë; dhe pikërisht në këtë stil krejt të çuditshëm, dytësor, të nënshtruar e madje të parëndësishëm, trajtësoi në radhë të parë në përfytyrimin njerëzor epikën dhe pantomimën e Pikuikut (1837). Dikensi arriti t‘ua mbushte mendjen botuesve të tij që ta lejonin "Klubin Pikuik" të pasqyronte interesa më të larmishme ose të veçanta, duke i kujtuar zotit Uinkëll që të paraqiste ose të keqparaqiste kuptimin fillestar të sportit; pikërisht me anë të kësaj shtyse që i dha pavarësia Dikensi mundi të lirohej nga stili bajat dhe nisi një revolucion dhe peripeci artistike të re. Një nga arsyet që dha, ishte se ai nuk kishte kurrfarë njohurie të veçantë mbi sportet e lojërat dhe kështu vazhdoi duke e bërë edhe më të qartë argumentin në fjalë ngadhënjisht nëpërmjet përshkrimit që i bëri lojës së kriketit në "Dingli Dell". Gjithsesi, loja e kriketit vetmisht sqaroi saktësisht lojën që Dikensi e fitoi aq lavdishëm; dhe përse ai gjuajtës3 i tërbuar dhe i keqmësuar kreu me mijëra vrapime të pavenda dhe që s‘u nxor asnjëherë jashtë? Njerëzve shpejt u doli nga mendja Seimori, sporti, "Klubi Nimrod" dhe "Klubi Pikuik". Kësisoj atyre u doli nga mendja gjithçmos që harroi edhe ai dhe ndoqën gjithë sa ndoqi edhe ai; por loja sa vjen e bëhet përherë më e madhe dhe më e fortë. Drejtimi i historisë gjarpëron; toni i historisë ndryshon; shërbestari që Pikuiku e gjeti duke pastruar çizmet në oborrin e brendshëm të klubit bëri të tijën qendrën e skenës, e madje u ngrit edhe mbi Pikuikun; ndërsa ky i fundit nga një palaço i kapardisur bëhet një zotëri zemërgjerë, i nderuar e vjetërak; kurse bota ende ndiqte atë shndërrim skene të mrekullueshëm tok me dëshirat e saj, shndërrim që vazhdon deri më sot. Kjo ishte shfaqja e Dikensit në letërsi. Shumë njerëz u përçapën të ndërhynin në jetën e tij letrare dhe sidomos në stilin e tij të të shkruarit, por Dikensi përpiqej me mish e me shpirt të ruante stilin dhe gjenialitetin e tij të papësëdytshëm. E kjo, nga ana e vet, bëri që ai ta shtynte jetën krahas shumë armiqve, smirëzinjve dhe përbetarëve që deshën t‘ia hanin kokën. Mendimi i tij i patundur qe vënia e letërsisë në shërbim të shoqërisë, pikërisht të asaj pjese që vuante tmerrësisht nga pasojat e kapitalizmit që asokohe po merrte trajtë.
Ashtu si Pikuiku përbënte themelimin e jetës së tij botore, po ashtu edhe martesa e tij përbënte natyrisht themelin e jetës së tij vetjake; dhe kjo ka qenë, gjithashtu, objekt kritikash dhe simpatie. Shumë pak njerëz ishin në dijeni të botës së tij shpirtërore, me gjasa tre a katër. Dhe pikërisht ky grusht njerëzish pranuan që të mos flitnin shumë për shkrimtarin në fjalë, duke mos e ngarkuar aspak me faj. Njëri nga shefat e gazetës të titulluar "Kronika e Mëngjesit", Xhorxh Hogarti, që ishte mahnitur kaq shumë prej skeçeve të "Bozit", nguli këmbë që rubrika e mbipërmendur të përmirësohej duke ia rritur në këtë mënyrë pagesën shkrimtarit. Ai e njohu Dikensin me familjen e tij dhe sidomos me të bijat, me të cilat shkrimtari u tregua së tepërmi miqësor e mjaft i dashur. Ai hodhi kurorë me njërën prej tyre, me Katerinën, dhe sigurisht u martua pse e donte, por mbase jo me atë lloj dashurie që i jep burrit domethënien e plotë e të rëndësishme të asaj që ai është duke bërë. Por në vend të kësaj është patosi i historisë, që në kuptimin e miqësisë rrojti më gjatë se dashuria; s‘ka si të mos thuhet se një prej motrave të bashkëshortes së tij, që e kuptonte më mirë, mbeti mikja e tij e ngushtë shumë kohë pasi martesa e tij ishte bërë një keqkuptim i tejzgjatur; deri tani martesa e tij duhet kuptuar si një hap që Dikensi e hodhi drejt sigurisë dhe suksesit; pak më pas ai ra në një dashuri të zjarrtë, dashuri që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe po në këtë kohë ai u shfaq si një shkrimtar i mirënjohur dhe i fuqishëm në botë; ai nuk bëri më kurrë prapa, derisa dha shpirt tridhjetë vjet më pas, duke gëzuar ende lavdinë e tij të madhërishme.
Vepra tjetër e tij ishte "Oliver Tuisti" (1838), të cilën e shkroi që ta dallonte me Pikuikun. Nëse rrengu i parë kishte bërë punë, atëherë edhe ky i dyti do të ecte në të njëjtat gjurmë. Kishte shumë të ngjarë që Dikensi po provonte gjenialitetin e tij; por ai sigurisht u tregua mjaft guximtar duke vënë në provë popullaritetin e tij. Është më se e vërtetë që "Oliver Tuisti" s‘është veç një përzierje fort çudane mes melodramës dhe realizmit; si realizmi, ashtu edhe melodrama janë enkas të errëta dhe zymtake. Sidoqoftë, është me fat që në librin e tij të dytë ai futi në lojë atë që mund të quhet dhuntia e tij e dytë. Të krahasosh humorin me patosin e tij është më se e rëndomtë, pasi ç‘është e vërteta s‘mund të bëhet kurrfarë krahasimi. Por humori dhe llahtara e tij mund të krahasohen përnjëmend; dhe ai vërtet kishte dhunti për njëfarë lemerie, e cila në gjuhën e popullit përkthehet të ushqehesh me frikërat. Kjo gjallëri e shtypur është për shkak të dashurisë që ai ndiente për jetën, të cilën s‘e humbi për asnjë çast; ndërsa dashuria për vdekjen, gjë që s‘është tjetër veçse dëshpërim dhe pesimizëm, ishte i pakuptimtë për të derisa dha shpirt. Kjo lloj llahtarie që më pas ngjizi vdekjen e Krukut tashmë gjendet tek "Oliver Tuisti"; porsi përsëritja e padurueshme që buçet në veshët e vrastarit "do të pastrojë njollat e baltës, njollat e gjakut" e kështu me radhë. Për pjesën e mbetur, fabula është e pakuptimtë, kurse shkëndijat e haresë janë të shkëlqyera, por gjithsesi të pakta; sidoqoftë, ekziston një aspekt tjetër i librit që i jep rëndësi historisë së Dikensit. Dhe ky s‘është vetëm romani i tij i parë i maktheve, por gjithashtu edhe i pari i traktateve të tij shoqërore. Te rreshtat e përshkrimit të Pikuikut në burg bie në sy protesta shoqërore, por burgu i Pikuikut ishte ku e ku më i butë krahasuar me strehën bamirëse të pleqve të Oliverit. Dikensi është dëshmitar, tokthi me Hudin, Kobetin e mjaft të tjerë, se të gjithë njerëzit bujarë kishin mendimin se streha vorfnore4 ishte si diçka çuditshmërisht e re, e vështirë dhe çnjerëzore. Ngandonjëherë thuhet se kjo (streha vorfnore) vrau Bambëllin; do të qe më e lehtë të thuhej se, duke i dhënë jetë Bambëllit, ai krijoi diçka me anë të së cilës do të bëhet gjithnjë e mundur vrasja e burokracive.
Sido që ta quajmë kalimin e Pikuikut tek "Oliver Tuisti" një ndryshim nga komedia në tragjedi, apo veçse një ndryshim nga farsa në melodramë, i rëndësishëm është veprimi tjetër i Dikensit që i përzjeu të dyja këto në raporte të barabarta. Duke treguar se sa shumë mund të ndryshojë, ai përpiqet të na tregojë se sa mirë ia del t‘i ndërthurë këto të dyja me njëra-tjetrën. Ia vlen të vërehet pasi kjo sqaron në një masë të madhe dështimin, si edhe suksesin e artit të tij të marrë si një të tërë. Madje mund të themi se, deri në fund, kjo lloj shfaqjeje e fuqisë vazhdoi të përbënte dobësinë e tij kryesore. Kur kritikët në përgjithësi e quajnë atë vulgar, kjo s‘nënkupton tjetër se kritikët janë veçse snobë. S‘është aspak vulgare të pish birrë apo të përshkruash pirjen e saj, ose të kënaqesh me humorin e njerëzve që kanë vërtet humor, të cilët rastisin të kenë mbathur çizme të zeza, si Sem Uelleri. Por është paksa vulgare të tregosh se je Ekonomati i Përbotshëm; njeriu shkruan jo vetëm për atë që do të shkruajë, por edhe për gjithçmos që dëshiron të lexojë. Shumëçka që në veprën e tij mund të quhet dështim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës është më së shumti për shkak të etjes së tij të madhe për të korrur sukses të përbotshëm. Nuk ka kurrgjë të gabuar për hokatarin që qesh me të madhe me to. Dikensi, në një nga ato letrat e tij të pafundme vetjake, të cilat janë më zbavitëse se sa romanet e tij të botuara, e përshkruan veten si "njeriu që ishte fund e krye argëtues"; dhe i tillë ishte. Por kur i vihet punës për të provuar se ai ishte jo vetëm humorist, por edhe patetik, tejet tragjik, jashtë mase i fuqishëm, jo gjithmonë i gëzohet ndjesisë së fuqisë në punën e tij, përkundrazi i gëzohet ndjesisë së fuqisë që ushtron mbi lexuesit e veprave të tij. Në shfaqje teatrore private ai ishte një aktor i admirueshëm dhe ndonjëherë, mjerisht, këto ktheheshin në shfaqje teatrore të hapura. Lidhur me këtë anë të karakterit të tij ai digjej nga dëshira e zjarrtë e Tullit5 për të luajtur Hamletin. Kur përshkruante humorin e turmës, ai e shfaqte me të rrallë veten si një demokrat i njëmendtë. Por kur përçapej të komandonte lotët dhe emocionet e saj, ai ngjante krejt me një demagog; domethënë, ai nuk ishte nga ata që bëhej njësh me turmën, por përkundrazi orvatej ta joshte dhe ta drejtonte atë. Një prej mënyrave me anë të të cilave ai e shpaloste këtë dhunti, në mos vulgaritet së paku krenari, qe, duke iu bërë tashmë zakon duke zënë fill që nga kjo kohë e më pas, ecja krah për krah në të njëjtin libër e pesë historive të ndryshme të shkruara në pesë stile të ndryshme. Aktorit që jetonte brenda tij i pëlqente t‘i tregonte dhuntitë e tij të shumëfishta dhe lehtësinë me të cilën bëhej si njëri, ashtu dhe si tjetri. Ai s‘e kuptonte mjaftueshmërisht qartë që disa pjesë i luante pikërisht si aktor i dorës së parë, të tjerat si aktor i dorës së dytë, ndërsa të fundit si aktor pa pikë vlere. Ai s‘ia kujtonte dot vetes se ndonëse çdo teme i kthehej me lirshmëri të njëjtë, prapëseprapë jo me të njëjtin ndikim. Por, pavarësisht nga dëmet që i solli ambicia e përbotshme, ai u vlerësua për librin tjetër të tij. "Pikuiku" shquhet për një ngjyrim mbizotërues hareje, ndërsa "Oliver Tuisti" për gjendjen e rëndë, për të mos thënë zymtësinë; por me romanin "Nikolas Nikëllbi" (1839) bie në sy një metodë krejt e re, e cila ngjan bash si një model me viza të bardha e të errëta. Dallohet melodrama dhe në romanin në fjalë ai është edhe më melodramatik se tek "Oliver Tuisti"; por kjo është veç zymtësi dhe ngrysje. Ndërsa komedia ose farsa tashmë tregon për pjekjen e shpejtë të gjenisë së tij në fushën e letrave. S‘ka shoqëri teatrore më të mirë në gjithë letërsinë, se sa shoqëria shëtitëse e zotit Vinsent Krumlesit.
Megjithatë, mëtimi i tij për të shkruar lidhur me gjithë llojet e shijeve të njerëzve, gjë që çoi në krijimin e romanit seriozo-komik, sqaron po ashtu fazën tjetër të karrierës së tij. Gjatë gjithë jetës së tij artistike bie në sy apo del në pah njëfarë ambicie për të botuar botime të shumanshme; një suazë e madhe për mjaft tablo; një sistem rrëfenjash që përmbajnë tregime si "Netët Arabe". Pikërisht është ambicia që e shtyn më pas të bëhet botues i dy revistave, "Bota shtëpiake" dhe "Një vit plot". Te këto revista bie në sy kuptimi fillimor i ndjesisë së shitores; dhe aluzioni tjetër i dëshirës së pafre për të mbajtur një tregtore në të cilën të shitet gjithçka. Dikensi bëri emër me romanin "Nikolas Nikëllbi". Ndërsa plani tjetër që do të quhej "Sahati i pronarit Hamfri", do të përbëhej nga histori të ndryshme treguar nga një tokicë miqsh. Me mendimin për t‘i bërë ato sa më miqësore ai i ktheu disa prej tyre në miq të vjetër; duke rifutur zotin Pikuik dhe dy uellërët, ndonëse këto personazhe vështirë se mund të quheshin të punuar mjeshtërisht, autori e kishte përqendruar vëmendjen në gjëra krejt të tjera. Njëra prej këtyre qe një roman historik, ngjizur mbase më shumë sipas stilit të Skotit se sa stilit prozaik të Smolletit6, stil të cilin Dikensi zakonisht ndoqi. Romani në fjalë quhej "Barnabi Ruxh" (1840) dhe ajo që ngjallte më shumë interes tek ai ishin Rrëmujat e Gordonit dhe turma e prishësve të rendit e qetësisë na udhëhiqej nga një i marrë, i cili kishte një hajmali dhe një dell për letërsi të lirë të bujshme që e shfrytëzonte për ta zbavitur veten. Por romani i sipërpërmendur ka gjithashtu një fabul, që ndonëse është e ndërlikuar, prapëseprapë është më e qartë se subjekti i "Oliver Tuistit"; një intrigë që i ngjalli së tepërmi interesin mendjes hetuese të Pouit. Asgjëmangut, Barnabi Ruxhi s‘është edhe aq dikensian sa romani që e parapriu apo romani tjetër që e pasoi. Romani i dytë, shtrënguar pasigurtshëm në kornizën e "Sahatit të mjeshtërit Hamfri", ishte "Shitorja me gjëra të vjetra, të rralla" (1841), siç kuptohet vagullisht nga ndoca prej përmendjeve të historisë. Pritja botore e këtij romani sqaron tej mase qartë çka është thënë për tiparin e dyfishtë të suksesit të tij. Në njërën anë qëndronte suksesi i tij i përnjëmendtë si mjeshtër në gdhendjen e figurave të personazheve të ndryshme, përgjithësisht groteske dhe fort shëmtaraqe. Ndërsa në anën tjetër qëndronte suksesi i tij më i vogël si mjeshtër për gjithçka që prirej të kthehej më së shumti në një tregtar shëtitës (që shet mallra të lira). Në të vërtetë, romani "Shitorja me gjëra të vjetra, të rralla", përmban humorin më tërheqës e më të përfytyruar në të gjithë veprat e tij argëtuese; në asnjë vend tjetër s‘gjejmë një shërbim më të përkryer se sa ai që i bën zoti Suivël kusarit ose fjalimi që zoti Bras mban në varrimin e picingulit. Por, në përgjithësi, gojosjet dhe shoqërimi, e bashkë me to edhe gjithçmos tjetër në roman, duket se gëlltitet nga subjekti i përvajshëm i Nelit7 të Vogël. Nuk ka asnjë dyshim se kjo femër e pafat ushtroi ndikimin më fatkeq në gjithë përkapjen8 e veprimit letrar që kishte Dikensi. Atij iu rrit mendja, pasi njerëz të pamend i shkruanin letra në të cilat i përgjëroheshin me të madhe që të mos e linte Nelin të vdiste; nga ana tjetër ai harroi se sa shumë njerëz me mend ekzistonin që ecnin me shpresën që markeza të mos ngjëronte vdekje në jetë të jetëve. Neli e Vogël duhej më shumë e vdekur, pasi asaj i kishte plasur cipa shumë kohë më parë, duke u kthyer kësisoj në qenie të papërgjegjshme; ndaj, s‘mund ta shfajësojmë Dikensin që vazhdoi ta mbante në hekë personazhin në fjalë si shfaqje të fuqisë së tij krijuese. Me anë të këtij romani, ai po shfaqte prirjen për t‘u bërë një drejtues shfaqjeje dhe njëherazi magjistar, gjë e cila sqaron të gjithë gabimet e vërteta që ai bëri gjatë rrojtjes së tij.
Afërsisht në këtë kohë një ngjarje tejet vendimtare ndërpreu rrethanat e zhvillimit të letërsisë së tij: kurrgjë tjetër veç vizitës së tij në Amerikë. Ajo ishte paracaktuar të ushtronte, veçmas pasojave të tjera, një ndikim të drejtpërdrejtë mbi librin tjetër të tij, romanin "Martin Çazëlluiti" (1844). S‘do mend, në kritikën që ai ia drejtonte demokracisë perëndimore kishte mjaft elemente praktike e thjesht vetjake. Ligji i të drejtave të autorit që ishte kokë e këmbë i padrejtë, apo që ai ishte i mendimit se ishte tej mase i padrejtë, u kishte dhënë mundësi amerikanëve të piratonin me veprat e tij më të njohura; dhe dukej se njerëzit me të cilët u takua atje, sipas mënyrës së tyre të shpenguar, nuk ishin fare të prirur t‘i kërkonin të falur për anomalinë e shkaktuar. Por për Dikensin do të ishte mjaft e padrejtë të mohonte se arsyeja dhe ndjeshmëria e tij qenë ngacmuar nga ndonjë ndarje e vërtetë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në kulturën amerikane, ose më mirë me thënë në mungesën e saj, kishte ca gjëra që ai nuk pritej aspak t‘i kuptonte, por që në mënyrë të arsyeshme pritej t‘i mospëlqente. Liberalizmi i tij ligjebindës do të trembej gjithsesi nga tipari mizor dhe përndjekës që gjendej tek amerikanët; pikërisht siç do të tërhiqej nga egërsia e irlandezëve apo dhe e italianëve. Por tek amerikanët kjo veçori kishte lidhje me shoqërinë e tyre që dallohej për vrazhdësi dhe pagdhendësi, të cilat nuk mund t‘i zbuste as tradita e as romanca. Atë e mërziste, por edhe e argëtonte zakoni i amerikanëve për të shprehur monologë9 idealistë solemnë dhe përdorimi që ata i bënin retorikës në mënyrë jashtëzakonisht retorike. Por të gjitha këto përshtypje janë të rëndësishme kryesisht ngaqë ndryshuan rrjedhën e artit të tij tregimtar dhe nxorën në pah njëfarë gjendjeje apo të mete në tërë metodën e tij tregimtare.
S‘duhet harruar se tërë këta libra të hershëm të Dikensit, duke zënë fill nga Pikuiku e më tutje, janë serialë dhe të ndarë në pjesë. Ata priteshin me padurim të madh pikërisht si buletinet; dhe për kohën shkruheshin pikërisht me të njëjtin nxitim, si edhe njoftimet e gazetave. Njëra prej pasojave të kësaj metode qe se e nxiste romancierin të binte në një lloj ujdie dhe në një zakon pune të veçantë. Dhe personazhet që u përkitnin gjithmonë, në shkallë të ndryshme, romaneve të tij më së pari sqarohen te "Martin Çazëlluiti". Tirazhi i romaneve të hershëm, paçka se përmbanin dy karikaturat e mëdha të quajtura Lavarashi dhe zonja Çadër10, për disa arsye nuk kishin qenë edhe aq shumë të mirënjohura sa karikaturat e quajtura Babaxhani dhe zonjusha Skuiëz11. Dikensi po fillonte të shfaqte disi kapitjen e tmerrshme, e cila s‘ishte veçse reagim i natyrshëm i punës së tij të palodhshme. Atë e kishte zënë frika se mos lexuesi i gjerë ishte mërzitur me librin; mbase pavetëdijshmërisht atij iu mërzit disi libri. Atij i përshkrepi në mendje mendimi që ta linte përgjysmë historinë e personazhit duke e përfshirë në kujtimet e egra që i patën lënë amerikano-veriorët. Në kuptimin komedian kjo ishte krejtësisht e suksesshme; porse ia vlen të vërehet se Dikensi bëri diçka kureshtingjallëse, duke e shpënë beftësisht Martin Çazëlluitin përtej detit në Amerikë. S‘është edhe aq e lehtë të përfytyrosh Thekerin tek e hedh tutje papandehur Pendenisin nga Mejferi12 në zemër të Australisë, apo Xhorxh Eliotin që e shpërngul Feliks Holtin duke e flakur në Polin e Veriut. Ndryshimi ishte pjesërisht pasojë e karakterit dikensian dhe pjesërisht pasojë e metodës së botimit. Por s‘duhet harruar një gjë: ekziston më shumë se një shembull që përngjet porsi një ndryshim pozitiv i planit në historitë e Dikensit, i cili u mundësua nga ky zakon i kryehershëm për të mos e krijuar veprën e artit më së ploti. Disa kanë hedhur mendimin se zvetënimi i Bofinit në krye të herës ishte menduar të qe i njëmendtë, ndërsa fabula e tij e ngadaltë një ndërrim mendjeje: dhe e njëjta ide gjendet edhe në rindërtimet e "Eduin Druidit".
Në këtë kohë, në jetën e Dikensit ngjet një ndërprerje në më shumë se një fushë. Ndërprerja në fjalë pasqyrohet në vendimin e tij për të jetuar një copë herë jashtë kufijve të shtetit, kryesisht për shkaqe ekonomike. Asgjë tjetër, vetëm pasojat e fundit të tejzgjatura të dështimit të deridikushëm të "Martin Çazëlluitit". Ai mori një vilë në afërsi të Gjenovës më 1844-ën. Së bashku me familjen e tij, e cila tashmë ishte goxha e madhe, u vendosën atje në atmosferën përmbyllëse që e meritonte të mbante për pak kohë damkën e mërgimit. Gjithsesi, është me interes për t‘u vërejtur se vepra letrare që ai krijoi atje, ka disi tiparin e një interludi dhe përnjëmend një interlud aspak i përshtatshëm. Kjo, pasi në atë mjedis italian ai u përqendrua në një qëmtim kaq shtëpiak, kaq të kufizuar e madje kaq kokni sa "Kambanat" (1845). Pastaj vazhdoi gjithë zell historitë e Krishtlindjeve, që kishin filluar së fundmi në mjegullirën londineze, rrëfenja që u përmblodhën në librin "Këngë Krishtlindjesh" (1843). Cilat do që të ishin meritat apo të metat e "Këngëve të Krishtlindjeve", ajo janë vërtet këngë fetare, në kuptimin që janë të shkurtra, të drejtpërdrejta dhe i përshkon një kor tejendanë. E njëjta gjë është e vërtetë në një mënyrë tjetër edhe për "Kambanat" dhe për shumicën e gjërave që e mbajtën të zënë në shtëpinë e tij italiane. Ai s‘ia kishte vënë gjoksin punës me një libër tjetër të gjatë e të rëndësishëm dhe shpejt u bë e qartë se ai nuk ia kishte vënë gjoksin punës fare. U kthye në Londër, mjedisi i së cilës për të ishte vërtet më romantiku e madje me rëndësinë më të madhe historike dhe atje bëri diçka kaq tipike kërcënueshmërisht për vendin dhe kohën, sa që dukej krejt si Provania grishëse. Ai u bë botuesi i parë i "Lajmeve ditore", një gazetë që kishte filluar t‘u mbahej pikëpamjeve liberale, në mos edhe atyre radikale, me të cilat kishte të përbashkët botëkuptimin e sigurt dhe thjeshtësinë njerëzore. Ai nuk mbeti për shumë kohë i lidhur pas karriges së botuesit, e madje edhe pas metropolit, ngase kjo ishte periudha më e paqetë e jetës së tij. Ai u kthye vrikthi në Lozanë dhe sakaq në Londër. Dukej e mundshme që kjo shkëputje në jetën e tij shoqërore përkonte me një të tillë në jetën e tij artistike: e cila, në njëfarë kuptimi, për pak do të niste rishtas kudo dhe do të përfundonte. Ai shkroi vërtet një tjetër roman të përmasave të zakonshme si ato të llojit të hershëm, "Dombi e biri" (1846-48), por ai kishte tiparin e mbylljes së një veprimtarie të vjetër, pikërisht si mbyllja e "shoqërisë Dombi" në fund të librit. Romani në fjalë përmban nota komike dhe çdo lëvdim i mëtutjeshëm do të ishte i thatë. Ai është klasik porsi subjektet e hershme që ishin të tilla dhe në të vërtetë nuk mëtonte të ishte kurrgjë më shumë se kaq. Romani flet për një fëmijë që është duke vdekur, sipas modelit të vogëlushes Neli. Romani shquhet në pjesën më të madhe të tij për veti argëtuese të përmirësuara më së shumti te modeli i zotit Dauler. Por poshtë gjithë kësaj përsëritjeje të shkathtësisë dhe ngathtësisë së vjetër, prestidigjitatori e ka mendjen tjetërkund. "Dombi e biri" ishte më i suksesshëm se "Martin Çazëlluiti" në kuptimin fitimprurës, paçka se qe vërtet më i suksesshëm se shumë nga romanet e tij të tjerë. Dikensi nisi të bënte në Angli një jetë më të begatë: dërgoi të birin në kolegjin e Itonit dhe ajo që bëri më shumë bujë, filloi të pushonte. Vetëm pas një periudhe pushimi të gjatë në Brodsteirs, në rrethana më të lehta e më të mbara, ngjau një rritje e begatshme dhe një ndryshim i përgjithshëm në pikëpamje, e cila u bë e dukshme në vitin 1849 në një roman krejtësisht të ri, shkruar në një stil plotësisht të ri.
Ashtu siç ekziston një ndryshim i krejtësishëm midis jetës dhe ndeshtrashave të David Koperfildit dhe jetës e peripecive të Nikolas Nikëllbit, po kështu edhe midis jetës së Çarls Dikensit dhe jetës së Armadit të Galisë. Kjo e fundit mund të quhet romancë e bukur, por edhe e keqe njëherazi, ndërsa romani i parë është një biografi romantike, vetëm se është aq shumë realiste, sa s‘ka si të jetë romantike; pasi romanca është pjesë thelbësore e jetës e mbase pjesa më jetësore e rinisë. Dikensi kish vërtitur teleskopin, ose kishte mjaft të ngjarë që po shikonte nga ana tjetër e tij, duke shqyrtuar mbase nga ndonjë pasqyrë, duke vëzhguar gjithë kujdes një dritare të re. Dhe ai po shikonte jetën, e cila ishte deri-diku çudanë; por ajo qe veç jeta e tij, dhe madje edhe mënyra si e kishte jetuar. Me fjalë të tjera, ajo është e përfytyruar, por jo e sajuar, pasi nuk ishte shpikur në mënyrën e trillimit. Te Pikuiku, ose te Nikëllbija, në njëfarë kuptimi ai u kishte hukatur personazheve të reja jetë të re të përfytyruar, por ata ishin ende personazhe të skenës. Në stilin e ri ai mund edhe të jetë bujar, por nuk është aspak skenik. Zjarrmi i mjegullt i zmadhimit dhe magjepsjes, të cilat përshkojnë tejendanë krerët hapës të "David Koperfildit", që ca figura i zmadhon ndërsa të tjerat i zvogëlon, s‘është përveçse sentimentalizëm i kulluar dhe dashuria e shtypur e rinisë. Kjo s‘është më një karikaturë e zakonshme, apo që ecën në gjurmët e traditës. Në roman gjejmë personazhe të tilla si Stiforthi apo Dora. Ata nuk janë bash si djemuria që vetëm sa i kundron, porse si djemuria që i sodit gjithë ëndje. Kjo autobiografi e zjarrtë, ndonëse e ngurtësuar në një formalizëm më të madh për periudhën e njëmendtë të dashurisë së zjarrtë, është- e thënë në vija të trasha -një dokument që përshkohet thellësisht nga ndjenja njerëzore. Por, një frymë krejt e re, më e hollë dhe më e dashur, e mbase më pak krijuese, përshkon gjithë librat që u shkruan pas këtij viti. Romani tjetër, sipas renditjes kronologjike, është "Shtëpia e shkretë" (1853). Një satirë kjo drejtuar kryesisht Gjykatës së Lartë Angleze dhe vonesës së zbatimit të ligjit, por që përmban në vetvete një satirë të shkëlqyer në gjërat e tjera, porsi i marri filantropik e tret vështrimin në skaj të dheut. Veç kësaj, përshkrimi i gjallë i përtacisë së Rikut përmban notën e re të asaj që burri i ri dashamirës nuk është më thjesht "zotëria i parë që ecën me këmbët e veta". Mbas një faze edhe më të ashpër te romani tjetër i tij, "Kohë të vështira" (1854) (e rëndësishme historikisht po aq sa edhe revolta e Radikalizmit kundër Individualizmit Ekonomik njëjtësuar me Radikalizmin), ai vazhdoi me të njëjtën prirje te "Vogëlushja Dorrit" (1857), toni i së cilës është ndoshta më i trishti ilustruar nga humori dikensian. Ai u shkëput nga tradita e tij e zakonshme, duke provuar një eksperiment të bujshëm në romanin historik, duke shkruar veprën "Rrëfenjë për dy qytete" (1859), dhe kjo më së shumti për shkak të ndikimit të Karlilit1. Përfundimisht, ai arriti atë që ishte mbase maja e metodës së tij të re artistike në kuptimin artistik të fjalës. Ai kurrë më nuk shkroi diçka më të mirë, të cilësuar letërsi, se sa krerët çelës të romanit "Shpresa të mëdha" (1861). Fundja fundit, te Dikensi ka diçka që s‘i lejon kritikët të kënaqen me cilësimin e veprës së tij si letërsi. Duket se për çështjen në fjalë përfshihet diçka më e madhe, e cila nuk është letërsi, por që është vetë jeta. Gjithsesi, është krejt e kundërta e dokumentimit të mënyrës së jetesës. Kujtdo që i vijnë ndër mend Pikuiku dhe Lavarashi, krijesa si Lugati apo Pani2, nganjëherë mund të çuditet nëse vepra e tij flet për jetën e njëmendtë kur s‘është asfare e tillë.
Togu i historive që pasojnë "David Koperfildin", nga viti 1850 e më tej, bëjnë pjesë në kornizën e skemave botuese të Dikensit; por kësaj here skema është shumë më tepër e suksesshme. Ai nisi të drejtonte botimin e "Rrëfenjave të Njohura", ndër të cilat disa, jo të gjitha, panë dritën e botimit. Ai vazhdoi ta bënte një veprimtari të tillë derisa e shkëmbeu në vitin 1859 me një tjetër botim periodik të përngjashëm, të quajtur "Gjatë Gjithë Vitit". Pikërisht siç e gjejmë këtë kohë të nxitur më së fundmi, për të zënë përfundimisht kolltukun e rehatshëm të botuesit, po kështu e gjejmë në fund edhe më të rehatuar në një vendbanim që njëmend mund të quhej shtëpi, kur, teksa u kthye së fundmi në rajonin e Roçesterit të tij të dashur në rrugën e madhe të Kentit, ai e ngriti konakun e tij në kodrën që mban emrin Geds. Është e pikëllueshme të merret me mend që rehatinë materiale shtëpiake e pasoi trazimi me natyrë morale; ndërsa ndarja e Dikensit me të shoqen, me marrëveshjen e të dyja palëve (për të cilën s‘ka shumë nevojë të thuhet tepër) tashmë kishte ngjarë qysh në vitin 1856. Por vërtet, pavarësisht nga tragjedia në fjalë, për Dikensin është tipësore që periudha e pushimit të tij s‘duhet marrë asnjëherë si përfundimtare. Jeta e tij qe paracaktuar të përfundonte në një tufan të një lloj veprimtarie krejtësisht të re, e cila sidoqoftë asnjëherë s‘e ndërpreu atë punë krijuese që përbënte kënaqësinë e pareshtur gjatë gjithë ditëve të jetës së tij. Ai shkroi një roman më të plotë, të titulluar "Miku ynë i përbashkët" (1864-65), dhe është aq i plotë, sa s‘mund të thuhet kurrfarë fjale kundër tij. Ai është vërtet një prej romaneve më të mira të tij, ndonëse jo më dikensiani i romaneve të Dikensit. Paskëtaj, dhuntinë e tij të ethshme e drejtoi kah diçkaje me natyrë detektive, duke ecur në gjurmët e mikut të tij, Uillki Kollinsi. Historia fillon duke ngritur një çështje. Në këtë rast bëhet fjalë për çështjen që ngrihet për një të fshehtë dhe vazhdimësinë e fatit të heroit, Eduin Drudit. Çështjes nuk i jepet moskurrë përgjigje, ngaqë lihet në mes nga e vetmja gjë që është edhe më dramatike se sa vdekja e heroit: vdekja e autorit. Çarls Dikensi jep shpirt.
Ai vdiq krejt papriturazi, duke u plandosur nga karrigia ndanë tryezës së bukës, në vitin 1870, në moshën deri-diku të parakohshme pesëdhjetë e tetë vjeç. Një vdekje kaq e papritur, e veçanërisht kaq e parakohshme, s‘mund të bënte tjetër vetëm se të ngjallte dyshime për urtinë e zellit të tij shpejtak dhe për debate të larmishme rreth të fshehtës së Eduin Drudit. Por pa zmadhuar asnjë nga elementët që ndihmuan këtë, mund të vërejmë se vetë periudha e fundit e jetës së tij ishte një periudhë e re; dhe qe pothuajse e mbushur me veprimtarinë e leximit botor të veprave të tij letrare. Për këtë qëllim të veçantë, ai pati vajtur në Amerikë sërishtas në nëntor të 1867-ës dhe fushata e tij e mbajtjes së fjalimeve botore sipas këtij stili ishte njëmend amerikane për sa i përket qëllimit dhe shkallës. Në qoftë se me Amerikën ishte sjellë si një shkrimtar i padrejtë, është kureshtare se ai arriti popullaritetin e tij përfundimtar e mbase edhe rënien e përfundshme, me një natyrë kaq të madhërishme amerikane. Ekzistojnë ndryshime se sa shumë e zmadhoi punën ose se sa shumë biografi i tij e zmadhoi rrezikun; por letrat e tij, në të cilat bien në sy pagjumësia dhe padurimi, stërplot me rraskapitje dëshpëruese dhe me më shumë guxim dëshpërues, mjaftojnë për të kuptuar se ai po luante një lojë tejet të rrezikshme për një burrë që po i qasej të gjashtëdhjetave. Por, nga ana tjetër, sigurisht është e vërtetë, sikundër edhe hamendësohet, se kjo s‘ishte asgjë e re në qëndrimin e përgjithshëm të Dikensit; se atij kishin filluar t‘i shternin forcat kohë më parë; e të paktë kanë qenë ata njerëz, sa u përket dhuntive të natyrshme, që kanë ndrirë si qirinj kaq madhërisht e lavdisht.
Ai u kall në Abacinë e Uestminstërit3, në varrezën e poetëve dhe pavarësisht se shumë kritikë i kanë quajtur veprat e tij të reja e të rëndomta, ai ishte më i madh se mjaft nga poetët që qenë varrosur atje me cilësimin e poetit. Ai ia dorëzoi shpirtin e tij Hyjit dhe mëshirës së Jezu Krishtit, ndërsa veprat e tij ua la brezave të ardhshëm për t‘i vlerësuar. Për sa u përket të dyja këtyre, veprimi i mbipërmendur ishte simbolik dhe do të jetë ngaherë kuptimplotë në histori. Intelektualisht i kufizuar siç ishte ai, prej mohimeve mjaft të pavlera e qesharake të periudhës së racionalizmit tregtar, s‘kishte qenë asnjëherë përkrahës i flaktë i laicizmit apo një antiklerik. Në thelb ishte tradicional dhe kishte më shumë afri me krishterimin puritan, se sa me atë anglikan dhe vepra e tij tregon ende për përjetësimin e misterit gazmor të Krishtlindjeve. Ndërsa nga ana tjetër ai ka përjetuar dhe ka shumë të ngjarë të përjetojë sërishmi ndryshimet që kanë të bëjnë me vetë metodat e kriticizmit. Por, vepra e tij ishte me natyrë krijuese, ajo i shtoi diçka jetës dhe s‘është e lehtë për t‘u besuar se një gjë e tillë mund të shkatërrohet në mënyrë të krejtësishme. Të metat e veprës së tij krijuese duken sheshit, por vështirë se mund të kapen nga syri i njeriut të thjeshtë. Ato duhen theksuar sa më pak që të jetë e mundur pasi, mjerisht, edhe ai ngaherë vepronte kështu. Ç‘është e vërteta, veprat që ai i shkroi më keq, mbahen si më të mirat.
Vetë akuza e zmadhimit në vetvete është e tepruar. Ajo që ka edhe më shumë rëndësi, është se një gjë e tillë përsëritet në mënyrë mekanike, pa shqyrtuar aspak kuptimin e saj të vërtetë. Ç‘është e vërteta, Dikensi e teproi, por zmadhimi apo teprimi i tij ishte fund e krye dikensian. Në këtë kuptim, vetë rëndomësia e tij shquhej për vetinë e veçantisë. Të thuash se një njeri është jo pak, por dhjetë këmbë4 i gjatë, të thuash se një mëngjes i akullt ngriu Niagarën, kjo është pak a shumë e lehtë për t‘u thënë, ndonëse herë pas here kjo bëhet me zgjuarsi tejet të madhe, sidomos nga amerikanët. Por veçantësia e Dikensit mund të pikaset edhe në akuzën e zakonshme lëshuar kundrejt tij. Për të është thënë se njerëzit i ka kthyer në përbindësha të humorit apo të llahtarisë, paçka se ata njerëz s‘qenë tjetër veçse mirëfilli persona të zakonshëm e të rëndomtë shitoresh e zyrash. Në qoftë se ndonjë kritik nënvlerëson metodën dikensiane si thjesht fryrje, përgjigjja është më se e qartë: le të zgjedhë ndoca prej këtyre njerëzve të rëndomtë e t‘i zmadhojë. Pa kaluar shumë kohë do të zbulojë se s‘ka as kuptimin më të turbullt në lidhje me atë që do të fryjë. Shumë shpejt ka për t‘i rënë në të se nuk bëhet fjalë për një çështje të thjeshtë teprimi, në kuptimin e shtrirjes së thjeshtë. Çështja nuk është për ta bërë një njeri disi më të gjatë ose mëngjesin një grimë më të ftohtë. Sfida për të përfytyruar nuk qëndron në atë në qoftë se ai mund ta teprojë, por nëse mund të gjejë gjësendi që ia vlen të zmadhohet. Tanimë aftësia gjeniale e Dikensit qëndron në këqyrjen te dikushi, atë që syreshët e tjerë mund ta quajnë thjesht prozaike, farën e llojit të poemës prozë. Pikërisht te ky njeri ekzistonte qëndrimi, dashuria, apo zakoni i të menduarit, së cilës i nevojitej veçse një çikje zmadhimi për t‘u bërë një përfytyrim i hirshëm ose një kundërshti dramatike. Ç‘është e vërteta, librat e Dikensit janë plot e përplot të mërzitshëm, porse që nuk na shkaktojnë kurrfarë mërzitje, thjesht meqë ato s‘i shkaktonin asnjë bezdi atij. S‘ka njeri në botë që të mos ia ketë zënë veshi nja njëqind herë marifetet shpirtlodhëse të ligjëruesve, që bëjnë pyetje retorike për të cilat s‘dëshirojnë që t‘u kthejnë përgjigje. Çdonjëri prej nesh mund të ketë pasur rastin të ketë dëgjuar ndonjë ministër kundërshtues të dhjamur që bën një gjë të tillë gjatë ndonjë pritjeje për çaj dhe sa mirë që na del krejt nga mendja një i tillë njeri. Sidoqoftë, s‘ka njeri që të mos bjerë pre e ideve të gabuara, duke i kthyer ato në fantazi: te pyetja që bën zoti Shedbendi për të marrë vesh arsyen që nuk mundet të fluturojë dot, ose te shfajësimi i tij i marrë e i bukur njëherazi për elefantin dhe ngjalën. Fjala është për t‘i çelur njerëzit dhe kjo është paralelja më e afërt që i bëhet fuqisë së Dikensit. Ai arriti të ravijëzonte një lumë të tërë karikaturash plot ngjyra vetëm te një njeri i thjeshtë, habitshëm porsi një prestidigjitator nxjerr rokelë të tërë me letër me ngjyra të forta nga një kësulë e zakonshme. Por në qoftë se ndokush mendon se marifeti i prestidigjitatorit është i lehtë për t‘u bërë, atëherë le ta bëjë me personin tjetër të zakonshëm që do të rastisë. Zmadhimi është përherë fryrja logjike e asaj që ekziston përnjëmend, porse gjenia shfaqet, pikësëpari duke kuptuar se kjo ekziston dhe pikë së dyti duke kuptuar se ajo shfaqet e zmadhuar. Kjo ndryshon krejtësisht kur i jep një njeriu një hundë të gjatë dhe kur ndan në mënyrë kirurgjike të brishtë apo zgjaton një nerv të gjallë. Kjo përçon një lumë mendimesh qesharake që shkojnë përtej përkapjes së menduesit të sotëm, por në të vërtetë nevojitet vetëm të vësh pakëz mendjen në punë për ta kuptuar. Aftësia e mbipërmendur i bën të marrët më të marrë nga ç‘mund të bëhen në këtë lugajë lotësh dhe jo kushdo i marrë mund ta bëjë këtë.
Por ka edhe arsye të tjera për trajtimin e padrejtë që i bëhet rastit të Dikensit. Paçka se personazhet e tij shpeshherë qenë karikatura, ato nuk qenë aq të shëmtuara sa ç‘mendonin ata që s‘kishin njohur asnjëherë karikatura të tilla. E kritikët nuk kishin njohur kurrë personazhe, ngase kritikët nuk bënin jetën e zakonshme të popullit anglez; ndërsa Dikensi po. Anglia ishte një vend shumë më tepër zbavitës e frikëndjellës njëherazi, sa ç‘i dukej njeriut që shkruante analizat për gazetën "Tremujori" dhe, pavarësisht nga gjithë përparimi shkencor apo reforma shoqërore, ajo mbetet ende e tillë. Skamja e tejskajshme dhe pështjellimi i jetës së hershme të Dikensit e kishin mbushur kujtesën e tij me gjëra çudane dhe njerëz që s‘kishin për t‘u zbuluar askurrë as në shtëpitë e fshatit tenisonian e madje as në dhomat e pritjes thekeriane. Varfëria bën që të biesh në shoqëri me njerëz fort të çuditshëm, pikërisht të njëjtët njerëz me të cilët zoti Pikuik u grind që të shtinte rishtas në dorë skufjen e tij të natës. E thënë shkoqur, ai rrojti përnjëmend në rrugën Kuiër5 dhe ra në njohje me gjithfarë personash të çuditshëm. Dhe është deri-diku ironi që tragjedia e tij shërbeu si përligjje e farsës së tij. Ai jo vetëm që mësoi në vuajtje atë që tregoi në këngë, porse arriti ta jepte, si të thuash, në një këngë komike.
Megjithatë, po ashtu është e vërtetë se ai zuri mjaft peshq të tillë ngase ia kishte qejfi të peshkonte në ujëra të turbullta. Një shembull i mirë i ndërthurjes së gjasës dhe çuditërisë6 mund të gjendet në dashurinë e tij të pakufishme për t‘i shtegtuar drejtuesit e shfaqjeve dhe endacakët e të gjitha llojeve, posaçërisht viganët, xhuxhët dhe shëmtirat e këtilla. Ndoca mund të shikojnë te kjo e vërtetë një lloj parodie nga gjithë paroditë e tjera. Do të ishte më e lehtë të hidhje mendimin për një teori psikologjike, me anë të së cilës tërë arti i tij prirej drejt qëndrimeve groteske të jonormalitetit; porse nga ana tjetër kjo do të ishte krejtësisht e rreme. Do të qe shumë më e vërtetë të thuhej se Dikensi krijoi kaq shumë karikatura të egjra dhe të çuditshme, ngaqë ai vetë ishte i rëndomtë. Sipas mënyrës më bashkëkohore, ai asndonjëherë s‘e njëjtëson vetveten me kurrgjë jonormale. Në shfaqjet e tij udhëtuese, Vigani ngaherë nuk ia arrin të bëhet Mbinjeri. Dhe ndonëse ai grishet jashtëzakonisht lehtshëm prej një patosi të dukshëm, te xhuxhët e tij s‘ekziston asgjë veçanërisht patetike. Argëtimi i tij është më i fuqishëm; e madje në këtë kuptim edhe më i pashpirt. E vërteta është se qëndrimi i Dikensit kundrejt jonormalitetit është keqkuptuar për shkak të keqkuptimit bashkëkohor të idesë së normales. Ai ishte në shumë mënyra satirist i egër dhe satira themelohet në mendjen e shëndoshë. Edhe ai kishte kufizimet e tij kokni të njëmendta. Por përkorja e tij nuk ishte kufizim, përkundrazi liri, pasi kjo e lejonte atë të sulmonte në të gjitha drejtimet. Pikërisht pse kishte një këndvështrim të thjeshtë e të ndjeshëm ndaj jetës, ai ia doli mbanë të maste marrëzinë e plotë qoftë të babëzisë së Gredgrindit e qoftë edhe shkujdesjen e Mikobrit. Për arsye se ai ishte i zakonshëm, pikërisht Dombi i dukej kaq i ngurtë, ose Xhellabi kaq shkatarraq. Në një brez të mëvonshëm, nëse një person i vërtetë do të merrte shpesh një qëndrim të tillë të shtirë, s‘do të kishte më mundësi të qeshte; si, për shembull, kur Oskar Uajlldi tha me gjithë mend se Skimpoli kishte folur në erë. Gjykimi i shëndoshë viktorian nuk qe në masë të plotë i tillë dhe Dikensi vuante ngaqë kishte një kulturë më të cekët se Suifti apo Rableja. Por, gjithsesi ai s‘vuante pse ishte i pandjeshëm. Ai arriti të na jepte në mënyrë kaq të shkëlqyer një vend çudirash që përbëhej prej të marrësh më shumë për shkak të ndjesisë, se sa për shkak të arsyes; më shumë për arsye të acarimit të ngjallur, se sa për shkak të arsyes së shëndoshë.
Vepra e tij letrare ushtoi sigurisht shumë më tepër se një pasojë letrare. Ai ishte poeti i fundit i madh, në kuptimin e vërtetë të krijuesit, që arriti të bënte gjësendi për polemin dhe ishte tmerrësisht i njohur. Emrin e tij e mbajnë ende jo vetëm një rreth letrar, por një bashkim shoqatash apo shoqata të veçuara, numri i të cilave shkon me mijëra anekënd botës. Lidhur me këtë, shpesh është vërejtur se ai ia doli mbanë të arrinte një shumësi gjërash, duke u cilësuar një reformator shoqëror, politik e praktik. Ai lejoi që drita të depërtonte nëpër skutat më të errëta, të tilla si strofullat e pista e të vrazhda që rëndom quheshin mësonjëtore, sidomos në Jorkshir. Sipas të gjitha gjasave, ai kishte më shumë të bënte me faktin që e bënte Tajën një zonjë më të mefshtë, por një person më të besueshëm se zonja Gemp. Është më se e mjaftueshme që përshkrimet e tij të gjalla, ndihmuar nga gjithë prirja e kohës, shpejtuan shkrirjen e burgosjeve të rëndomta për borxhet dhe qartësuan shumë nga kaosi fillestar i Gjykatës së Lartë Angleze. Por meqë kjo është stërthënë shpesh, do të ishte më mirë sikur të mos përmendej tepër shpesh. Pse e bën satirën e tij të duket shumë më tepër sipërfaqësore dhe utilitariste nga ç‘ka qenë në të vërtetë; ngase satiristi i madh është i interesuar për gjëra që s‘mund të shkatërrohen me lehtësi. Ne e nderojmë më shumë Dikensin duke nxjerrë në pah të këqijat që ai s‘arriti t‘i shkatërronte, se sa për ato që bëri. Adhurimi i thekshëm i njeriut që është thjesht pasunar, por që është teveqel e i parëndësishëm, gjë që duket në çështjen e Merdlit, kurrsesi nuk është zhdukur nga çështjet tona të kohëve të fundit. Plakushi i vjetër Barnakël hundëpërpjetë dhe rioshi i këndshëm Barnakëll janë pothuajse po aq të gjallë sa ç‘ishin edhe në ditët e Dikensit. Fshirja nga faqja e dheut e fisnikërisë së vogël të vërtetë në personin e zotit Tuemlou, në periudhën e plotokracisë së re, përfaqësuar nga zoti Vënering, ka shkuar edhe më tej se në ditët e Dikensit. Porse kjo e bën satirën e Dikensit edhe më të vlefshme për brezat e ardhshëm. Stili tjetër, që përshkruan më së miri gjithë shpërdorimet që kanë lidhje me të shkuarën, nuk ka prirjen të reformojë, porse të falë prehje dhe përjetësimin e versionit prej snobi e të parëndësishëm të traditës dikensiane.
Ardhmëria e namit të Dikensit nuk është pjesë e kujtimeve dikensiane dhe nga ana tjetër është një pjesë dyshimtare e kriticizmit dikensian. Disa kanë hedhur mendimin se zulmi i tij do të shuhet teksa stilet e reja do të arrijnë suksesin e atyre që satirizoi ai; ndërsa të tjerët kanë thënë, së paku në mënyrë të arsyeshme, se vetë ndryshimi në fjalë shuhet kur tërë stilet vjetrohen. Kështu Aristofani dhe Servantesi kanë mundur të jetojnë më shumë se pasardhësit e tyre sikundër edhe bashkëkohësit e tyre. Por nuk mund të vihet në dyshim rëndësia e Dikensit si një ngjarje njerëzore në histori; një zjarrnajë e madhe dhe shfytyrim pikërisht në zemrën e asaj që quhet periudha viktoriane; një flakërim i dukshëm i një gjeniu natyral, që shpërthen te një njeri pa kulturë, pa traditë, pa ndihmë nga fetë historike, filozofitë ose nga shkollat e huaja të mëdha; dhe ai zbuloi një dritë që s‘ishte kurrë as në det, por edhe as në tokë, veç në hijesimet përfytyrore të gjata që lëshonin gjërat e zakonshme.
Qëndrimi i Dikensit kundrejt jonormalitetit është keqkuptuar për shkak të keqkuptimit bashkëkohor të idesë së normales. Ai ishte në shumë mënyra satirist i egër dhe satira themelohet në mendjen e shëndoshë. Edhe ai kishte kufizimet e tij kokni të njëmendta. Por përkorja e tij nuk ishte kufizim, përkundrazi liri, pasi kjo e lejonte atë të sulmonte në të gjitha drejtimet.
Shqip
Home »
» Çarls Dikens, mjeshtri i madh i fjalës dhe mendimit