Takimet tona: Qerim Ujkani

Rruga më e mirë është ajo që e çan vet

Qani MEHMEDI: Albumi i
gazetarisë sime

Me një poet të harruar nga
reklamat, nga të gjitha shpërblimet
letrare, nga gazetarët,
por të adhuruar nga mijëra
lexues

Dita e punës së poetit s’mund
edhe të përshkruhet aq lehtë,
mbase edhe fare... Kur punon
i duhet vetmia e kur s’punon
s’ke se si ta përshkruash punën e
tij!
Bashkëbiseduesi ynë Qerim Ujkani,
që 15 vite përgatit emisionin
letrar në Radio Prishtinë “Variacione
poetike” për të cilin mund të
flitet “kështu edhe ashtu” (çka
s’është “lëndë” e kësaj bisede) dhe
shkruan poezi...
(I lartë, grandioz, mandan, mbase
është poeti që vishet dhe mbahet
më së miri në Kosovë. Më parë
të ngjan në një jurist se sa në
shkrimtar. Ç’është e vërteta edhe
ka studiuar regjistruar nën atë rubrikën
“me fakultet”. E ka braktisur
njëherë e përgjithmonë!).
Disa herë u morëm vesh për këtë
bisedë dhe ndonëse “u pajtuam”
përsëri një mbrëmje na u desh t’i
telefonojmë gati urgjentisht: nesër
biseda duhet të dorëzohet në shtyp!
Takohemi në restorantin “Rugova”!...
(Që në fillim e lutëm që të na huazojë
ato përmbledhje poezish të
cilat na mungojnë, por na tha se
si autori i tyre ruan një të vetëm
ekzemplar, prandaj nuk insistuam,
të sigurt se mund t’i gjejmë të njëri
ndër ata (Jo të shumtë) që patë
shkruar për poezinë e tij.
“Me poezinë time”...
Dhe bisedën e fillojmë:
Për asgjë nuk do të flasim çka të na
vijë në gojë/për flamurin natalitetin
identitetin socializmin/Do të flasim
fjalë të denja/Nuk do të druajmë/ E
vërteta është e guximshme dhe e
pathyeshme/Mbaj vesh!... (Qerim
Ujkani, Me poezinë time, “Fjala 15
Dhjetor 1984)
Fjala nxjerr fjalën: flasim për inflacionin,
për çmimet, për punësinë
dhe për gjendjen e shkrimtarit në të
gjitha këto...
Tretmani i krijuesit të duket se gati
s’ka ndryshuar kurrë. As ai shoqëror
as ai material. Mendoj për
atë që merren kryekreje me krijimtari.
Ka thënë dikush se: “Të jesh
poet do të thotë të jetosh si qen
e të vdesësh si zot!...” Unë nuk
kam marrë asnjë shpërblim letrar
deri më sot, por kjo edhe nuk më
brengos. Poezinë nuk e verifikojnë
shpërblimet!... Si populli që i gjen
vetë moduset e jetës ashtu edhe
poezia jeton nga vlerat e saj...
A të kalojmë “in medias res”. Të
flasim pak për fillimet e juaja krijuese,
për atmosferën e atëhershme,
për mësuesit e parë, për
rrugën që ke ndjekur... Krijuesi
i ri gjithmonë gjendet para
dilemës: kah t’ia mbaj?!
-Diku në klasën e shtatë të shkollës
fillore (është rregull që çdo punë
e mbarë niset në mëngjesin e
hershëm, kurse përjashtim – në
orët e mesditës) ia nisa të shkruaj
për fëmijë. Në vitet e ’50-ta fillova
të botoj poezi për të rritur dhe
s’pushova kurrë... Më duket se të
gjithë poetët e brezit tim kanë pasur
më shumë përkrahje se sa unë.
Mua s’më ka përkrahur askush!...
Dhe jam fatlum për këtë. Kur më
bie ndonjëherë ndërmend të mendoj
për përkrahjet dhe pengesat e
krijuesit gjithherë vij te i njëjti konstatim:
kur s’ke përkrahje prej askujt,
atëherë përgatitesh më shumë,
ke më shumë forcë dhe këmbëngulësi
për ta çarë rrugën. Kështu
edhe origjinaliteti krijues më duket
se vjen më shumë në shprehje. Ke
përpara horizonte e detit!... do të
notosh si e kah ta merr mendja...
tash mund të them: poet s’më bëri
askush! Më bëri dashuria e këmbëngulësia
ime!
“Këshilla” për poetin e ri
Vjen një ditë një i ri, tregon Qerim
Ujkani, dhe kërkon farë këshillime
prej meje për të shkruar poezi.
Çka t’i them?! – Mendo njëherë nja
gjashtë muaj, ulu e shkruaje një poezi
e sjell e të shohim se çka mund
të të them...
E ju si shkruani? Ç’mund të na thoni
për “laboratirumin” tuaj krijues?
(Vazhdimisht i hareshëm, me një
krenari të nëpërdukshme, madje
edhe pamja e jashtme sikur i jep
njëfarë pompoziteti, mundimshëm
fillon të flasë sikur s’ka menduar
kurrë për të dhënë përgjigje në një
pyetje të tillë)
-Shkruaj në çdo kohë dhe gjithkund.
Më duket shumë i qëlluar mendimi i
Majakovskit se poetit i duhet të ketë
laps dhe letër në të cilën mund të
shkruhet. Jam mësuar të mendoj
gjatë për diçka, e bart një “temë”
me muaj, ndonjëherë edhe me vite,
derisa vjen çasti për ta nxjerrë në
letër. Poezinë, derisa e shkruaj me
makinë shkrimi, s’kam parafytyrim
se si duket ajo. Harxhoj shumë
letër. E shkruaj nga disa herë. Për
katër vargje, mbase, i harxhoj nja
njëzet fletë makine. Di t’i recitoj
shumë nga vargjet e mia. Po puna
krijuese i ka huqet e veta. Vargu i
parë më “dhuron” më së shumti
mundime. Bile kështu më ndodh
edhe në shkrimet që i përgatis për
“Variacionet poetike”. Më duket se
vargu i parë është “vendimtar” ai
që hap shumë rrugë. Madje, edhe
një fjalë e vetme, e qëlluar, e rrallë
mund të të nxisë. Kjo tek e fundit
është edhe e njohur. Ajo “kurrë më”
e spikatur aq për mrekulli në gjuhën
tonë nga Noli, dihet që e ka shty
Edgar Allan Ponë për ta shkruar
poezinë, do të thosha të shekullit
“Korbi”... Ç’të të them tjetër?! S’di
as të përgjigjem për shpejt e shpejt!...
Lëre më të shkruaj... Njeriu
flet kur ndjen nevojë. Përrallat më
të bukura, si fëmijë, i kam dëgjuar
duke qëruar misër...
Pra, shkruani kur keni çka të
thoni. Duke lexuar poezinë e juaj
deti, dielli, rrafshnalta... në duket
se kanë funksion shumëkuptimësor?
-“Deti ose poema e shqetësueme”,
bie fjalë është shkruar në shërbim
ushtarak. Ishte nëntor, natë, në
roje, po filloj të mendoj në atë ishull.
Në qetësi e vetmi ndjehesha se
gjendem në mes të detit. Çka mund
të bëja në luftë me madhështinë e
detit... Më dukej si madhështia e
popullit që s’ka skaje. As “rrafshnalta”
s’mendoj se është e paqartë.
E “dielli?! Cila shumëkuptueshmëri
e tij mund ta nxjerrë si të mjegulluar
kur është i pastër si loti?! Poezia
nuk shpjegohet tërësisht, aq
më pak nga autori i saj. Ajo ndjehet
dhe kuptohet... “Rrafshnalta” është
diçka si ideali... /Pakkush hipi në
Rrafshnaltë/Rrugën ia preu akullnaja/
Hovin ia ndalën shi e baltë/
Erë e tufan në lugje të pllaja/...
(Në poezinë e Qerim Ujkanit, thotë
kritiku Hysni Hoxha, dashuria është
figurë e shpeshtë simbolike me të
cilën evokohet vizioni i së ardhmes,
i idealit poetik. Përveç kësaj, fjalët
– cilësia në të cilat shfaqet vizioni i
njëjtë poetik janë edhe figurat: deti,
dielli, kulla. Përveç këtyre fjalëve
metaforike, paraqiten edhe fjalë
tematike, që plotësojnë kuptimin e
përgjithshëm të preokupimeve krijuese
të këtij poeti. Të tilla shprehje
janë: udhëtimi, largësia, vetmia,
heshtja etj.).
Mësimet – dymijë e sa vjetshme...
Në krijimtarinë tuaj më të re vërehet
një kthim kah format e rregullta
të vargut. Mos është ky kthim kah
tradita? – e pyesim poetin.
Ishin mjeshtër të mëdhenj dalte
Mirë e skalitën dhunën në gurë
Po etrit tanë zotur të kësaj balte
Qenë më mjeshtër se çdo burrë..
(vargje nga poezia “Etrit”)
-Vargu i lidhur po më imponohet.
S’kam përmbledhje të botuar poetike
që s’ka rimë. Dashuria ndaj
rimës është e hershme, spontane,
jo e dhunshme. Duket, dikur në
fëmijëri, më është ngulitur vargu i
rregullt dhe rima. Ç’është e vërteta,
për vjershërinë kam mësuar shumë
nga ajo shkollë poetike shqiptare
dy mijë e sa vjetësh. Raickoviqi në
letërsinë bashkëkohore jugosllave
ka dëshmuar se edhe brenda
rimave klasike mund të ngërthehet
sensibiliteti modern, edhe atë
për mrekulli. Po kështu, kujdesen
shumë për gjuhën e poezisë sime.
E përmendët traditën, përvojën
krijuese të të tjerëve, ç’keni mësuar
prej saj?
-Çdo shkrimtar shfrytëzon përvojën
krijuese të të tjerëve, dhe mirë
është që është kështu. Vetëm krijuesit
shpirtvegjël frikohen ta pranojnë
këtë. Mirëpo, siç ka thënë
poeti Nazim Kikmeti, ndikimi i një
poeti ndaj poetëve të tjerë duhet
të jetë si ndikimi i shiut ndaj luleve.
Pra, megjithëkëtë, lulet jetën
e marrin prej toke... Unë më së
shumti kam mësuar prej poetëve
të Rilindjes sonë Kombëtare. Kam
mësuar edhe prej letërsisë bashkëkohore
jugosllave, dhe nga disa
poetë botërorë. Përfundimisht kam
mësuar dhe po mësoj prej letërsisë
bashkëkohore shqipe, për të cilën
kam mendim shumë favorizues.
Nëpër sa thera e lule është dashur
të kalohet për të arritur deri ku është
arritur! Në të vërtetë na intereson të
dimë ç’kontinuitete dhe diskontinuitete
sheh poeti në poezinë e tij dhe
në atë bashkëkohore shqipe...
-Në poezinë time shoh kontinuitet
ideor dhe transformime realizimesh
artistike. Ndërkaq, në poezinë tonë
shoh edhe diskontinuitete. Mirëpo,
një gjë është e qartë: në pikëpamje
të preokupimeve, përkundër
prozës, poezia jonë nuk u ka ikur
çështjeve më vitale. Si dhe me
çfarë thellësie janë ato të realizuara
artistikisht është çështje për
të cilën mund të flitet. Pra, poezia
jonë ka një gjerësi shumë të madhe
se sa proza. Gati nuk ekzistojnë
për të zona të paprekura jetësore...
Në prozë po, edhe atë shumë.
Kam bindjen se në poezinë tima ka
shumë jetë, ashtu edhe si në poezinë
tonë përgjithësisht.
“S’iu takoj kaluareve...”
Qerim Ujkani, shkruan Agim Vinca,
është njëri ndër poetët tanë më të
frytshëm edhe më aktiv. Për ndryshim
nga disa poetë tanë të tjerë,
qofshin të gjeneratës së tij apo të
brezave të tjerë, të cilët ose janë
hedhur në valët e eksperimentimit
ose kanë ardhur duke e përsëritur
vetveten, Q. Ujkani si poet është
zhvilluar vazhdimisht, jo duke bërë
ndryshime të mëdha në presedeun
dhe verbin e tij krijues, por duke e
ruajtur kontinuitetin e tij.
I them poetit: jeni ndër ata që
mendimin kritik është marrë me
poezinë tuaj më pak se sa që e
meriton ajo. Shpërblimet letrare
e konstatuam se ju kanë harrur.
Konkurset letrare duket se s’i
keni shumë në qejf. Reklamën,
bisedat me gazetare po ashtu.
Dhe, a udhëtoni e a jemi takuar
më shumë shokë tuaj të penës?
-Kritika s’më ka harruar kurrë, ndonëse
ndodh që mos të jetë marrë
sa duhet me poezinë time. Kryesisht
jam i kënaqur me të. Shpërblimet
letrare, kryesisht ndahen nëpër
koluare e unë nuk ju takoj atyre.
Konkurset letrare është e vërtetë
që nuk i kam shumë në huj edhe
për fatin se harroj kur janë hapur
e kur duhet të mbyllen. Dy herë që
kam marrë pjesë, në të dyja kam
fituar, edhe atë në ato të “Jetës
së re”. I ke do poetë që po të jetë
botuar edhe një lajm i shkurtër për
veprën e tyre e ndajnë prej gazete
dhe e ruajnë, unë nga reklamat nuk
mbledh asgjë. Mbase, kjo edhe nuk
është mirë, por i tillë jam. Kurse, në
anën tjetër jam edhe njëfarë bibliofili.
Disa revista letrare i mbledh dhe
i ruaj me përkujdesje. “Jetën e Re”,
po edhe “Fjalën”, mbase i kam komplet.
Sa për të udhëtuar, udhëtoj.
Në të kaluarën kam udhëtuar më
shumë. Nëpër mbarë Jugosllavinë.
Krahas Enver Gjergjekut dhe Ali
Podrimjes unë jam nga ata që kam
marrë pjesë më së shumti nëpër
manifestime letrare në Jugosllavi.
Prej atyre takimeve me shkollë të
penës kam ndie kënaqësi dhe kam
mësuar shumë. Janë disa krijues
që me pedanteri mbajnë dhe korrespondencë,
kurse unë, jo që s’dua,
po disi s’po më shkon të shkruaj
letra.
“Po duhet të ecim, të arrijmë...”
Bisedat me poetë janë të këndshme,
megjithatë diku duhet venë
pikë. Më së miri me vargje:
Ec kali im zemrak ec me trok
Kësaj here udha do të jetë e gjatë
Dhe ndryshe nga udhët e tjera
Mespërmes do t’u biem befasive
Vedet do të jenë po ato
Po njerëzit të tjerë do jenë
Disa nga miqtë do të kenë vdekur
Miqtë e rinj s’i kemi sprovuar ende
(Çudi, miqtë ndërrojnë armiqtë
kurrë!)
Shtigjet mbase do të jenë shembur
Urat mund t’i ketë marrë vërshima
Dhe ujërat me not duhet t’i kalojmë
Bën që tërë rrugës do të jemi
vetëm
Bën që do të jemi edhe të pangrënë
e të papirë
Po duhet të ecim të arrijmë
Ai që mbetet në gjysmë të rrugës
As që është nisur ndonjëherë
(Nga poezia “Kalorësi”)
Duke lexuar vargje, gazetarit sikur
i bie të habitet: ç’fat të keq kemi
ne. Çdo gjë duhet shkruar për së
shpejti, çdo gjë duhet harruar për
së shpejti.
Sa herë që e merr “Botën e re”,
thotë bashkëbiseduesi ynë, befasohem
këndshëm. Ndërkaq, kritiku
Agim Vinca, citon Ramiz Kelmendin:
Krahas “Rilindjes” të së shtunës,
gazetën e studentëve e pres
me padurim!..
Përse vallë?!..


Marrë nga “Bota e Re” 1985