Poradeci: Si takoi ministrin rumun,i “maskuar” si pasanik

Fatmira Nikolli

Lasgush Poradeci do të kalonte shtatë prej viteve të jetës së tij në kryeqytetin rumun, Bukuresht. Për të, siç e tregon edhe vetë në letrën e dërguar të vëllait, Vangjelit, ato vite do të ishin vite mjerimi. Varfëria dhe sëmundja do ta pengonin poetin të përfundonte shkollat ku u regjistrua. Ecejaket e tij do të ishin të pafundme duke dashur të diplomohej, për të realizuar në këtë mënyrë edhe dëshirën e fundit të të atit. Por, kjo s’do të qe e thënë, të paktën jo në Bukuresht. Diplomën ai do ta merrte diku tjetër. Për të kujtuar jetën e veprën e tij, pak ditë më parë, Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit mbajti një simpozium ndërkombëtar, ku fjalën përshëndetëse e mbajti deputetja rumune Oana Manolescu, ndërsa më tej për Lasgushin folën ambasadori Dashnor Dervishi, e bija e poetit Maria, shkrimtari Marius Dobrescu, si edhe studiuesi Luan Topciu e përfaqësuesi i Ministrisë shqiptare të Kulturës, Ermir Nika. Simpoziumi ndërkombëtar me titullin “Lasgush Poradeci: Poeti i shpirtit shqiptar” u mbajt me rastin e 110-vjetorit të lindjes së tij, në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve Rumunë, në sallën e “Pasqyrave”. Në sallën ku u mbajt simpoziumi ishin të pranishëm shumë intelekatualë rumunë por edhe shqiptarë që jetojnë e punojnë atje. Me rastin e këtij simpoziumi, por edhe duke qenë se viti 2009 është Viti i Lasgushit, Maria na tregon një pjesë të jetës së të atit në Rumani.
Veprimtaria
Prej qershorit 1923 deri në shtator 1924, Lasgushi shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Kolonisë Shqiptare të Rumanisë. Çdo të premte ai organizonte mbledhjet e kolonisë. Në këto mbledhje diskutohej për çështjet më të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e atdheut. Të gjithë anëtarët e kolonisë kontribuonin me të holla, kur bënte thirrje për ndihmë atdheu. Pas një tërmeti të fortë që ra në disa krahina të Shqipërisë, kolonia u dërgoi të dëmtuarve një sasi të madhe çadrash dhe grurë. Kur vdiq albanologu i shquar çek, Jurnik, kolonia i dërgoi ngushëllimet bashkëshortes së tij në Pragë shkruar në gjuhën frënge nga Lasgush Poradeci (Llazar Gusho). Sipas dorëshkrimeve të poetit, të cilat i ka lexuar e bija, një ditë në Koloninë e shqiptarëve të Rumanisë kishte shkuar Asdreni. Duke qeshur i kishte thënë: “Ku je more Lasgush. Shiko!” Ai i tregon Poradecit një telegram dërguar nga Shqipëria, nga Qeveria e Nolit. Në të shkruhej: “Lasgush Poradeci emërohet bursist i shtetit në Berlin. Të studiojë Albanologji”. Ai do të gëzohej pa masë. Pas shumë vuajtjeve dhe vështirësive financiare që po kalonte në Bukuresht, iu hap një shpresë. U nis për në Berlin, ku i thanë se ishte mbyllur katedra e Albanologjisë, por atij i duhej të shkonte në Austri. As në Vjenë nuk kishte katedër Albanologjie, ajo ishte vetëm në Universitetin e Grazit po në Austri. U nis për në Graz, por edhe atje ishte mbyllur katedra. Andaj, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë dhe Letrave, dega gjuhët romano-gjermanike.
Peripecitë
“Nuk mund të themi se Lasgushi u ndodh në kontakt me Rilindjen kur u nis për në Rumani, ku ndodhej Kolonia e shqiptarëve të Rumanisë, e njohur për aktivitetin e saj atdhetar. Lasgushi qe një krijesë e Rilindjes, qe gatuar me mish e me gjak rilindasi. Idetë e kësaj rilindjeje qenë ushqimi i parë fëmijëror, por lidhjet e tij me Rilindjen nuk mund t’i kuptojmë jashtë adhurimit të poetit për Naim Frashërin. Ai e studioi poezinë e tij në të gjitha dukuritë e saj”, - tregon vajza e Lasgushit. Ky i fundit do të studionte Frashërin në konceptin poetik, në shpirtin e Rilindjes, që rridhte si një lumë i qetë e me ujë shumë brenda saj, në prozë e sidomos në fjalor. Në Rumani, midis zgjedhjes së degës për t’u regjistruar në universitet, nuk mund të mos përfillej ajo e Arteve të Bukura, piktura, ku ai e ndiente talentin e tij. Është shumë interesante, thotë Marie Poradeci, se si Lasgushi u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura të Rumanisë. “Qeveria rumune, për t’i prerë rrugën regjistrimit në universitet studentëve hebrenj, kishte nxjerrë një urdhër ku ndalohej regjistrimi në universitete i të gjithë studentëve me kombësi të huaj”, - tregon ajo. Më tej ajo riprodhon rrëfimin e të atit. “Kështu, unë nuk mund të regjistrohesha si i huaj që isha. Shoku im i ngushtë, Jon Dobosari, më mësoi se kjo pengesë mund të kalohej vetëm me një lejë speciale tek ministri i Arsimit. Po si mund ta takoja unë atë? Atëherë përgatitëm planin. Morëm me qira një karrocë luksoze dhe një palë rroba pasaniku. Karrocieri (i mësuar dhe paguar nga unë), kur të ndalonte karrocën para derës së Ministrisë së Arsimit, duhej të zbriste dhe të hapte derën e karrocës nga e cila do të zbrisja unë. Portieri i ministrisë, duke menduar se unë jam ndonjë djalë milioneri, nuk më kërkoi fare fletëhyrje për në Ministri”. Më tej Lasgushi rrëfente se pasi hyri brenda, nuk dinte se ku të shkonte dhe filloi të hapë dyert me radhë. Në sallën e madhe, Këshilli Ministror ishte mbledhur për një mbledhje. Ishin vitet 1290 dhe sapo kishte përfunduar Revolucioni i Tetorit. Situata në botë ishte e turbullt dhe ndihej frika e terroristëve. “Kur unë shtyva derën ata më panë mua, një djalosh i ri, i veshur elegant. U shtangën. E kuptova që u trembën dhe nga frika se mos lajmëronin policinë, fillova të flas me një rumanishte të shkëlqyer. ‘Ju lutem mos u frikësoni. Unë jam një djalosh shqiptar që kam një dëshirë të vetme, të shkel pragun e lartë të universitetit. Unë kam mbaruar liceun rumun në Manastir dhe kam lexuar në origjinal poetët tuaj të mëdhenj si Eminesku, Coshbuk, etj. Ju lutem zotërinj, unë di dhe shumë hollësira të tjera për popullin rumun, ju lutem më krijoni mundësinë për t’u regjistruar në universitet! Ata më panë, biseduan dhe vendosën të më japin lejen speciale të regjistrimit”, - kujtonte kohë më parë Lasgushi.
Miçka
Por, leja nuk mjaftonte. Për t’u regjistruar duhej t’i nënshtroheshe konkursit, i cili zgjaste pesë ditë. Pretendentët i mbyllën në një sallë të madhe. Iu vunë përpara që ta vizatonin skulpturën e perëndeshës Afërdita. Sipas Marie Poradecit, Lasgushi do ta përfundonte konkursin në dy ditë. Në tri ditët e tjera filloi t’u bënte portrete shokëve. “Aty ishte edhe një femër dhe ishte shumë e bukur, po poeti nuk ia bëri portretin se kishte trup ta shikonte në sy. Në fund kur dhanë rezultatet, ai doli i pari, kurse ajo vajza, që quhej Miçka, nuk e fitoi konkursin”, - tregon Maria. E dëshpëruar, ajo e kishte pyetur cili ishte sekreti, sepse ajo konkurronte për të dytin vit dhe nuk e fitonte. Atëherë ai do t’i thoshte se piktura ka të fshehtat e saj, po ju hajdeni në dhomën time dhe do t’iu mësoj se cilat janë këto sekrete. Dhe, ajo kishte shkuar. Sapo kishte hyrë brenda, i kishte thënë zhvishu! Dhe, këtë e kishte bërë për t’i hequr asaj turpin. Një artist nuk duhet të ketë turp. E dinte se edhe në Akademinë Franceze të Artit, kur pranoheshin studentët duhej të kalonin nudo para pjesës tjetër të studentëve. Më pas ai do t’i mësonte Miçkës plot hollësira dhe të fshehta të pikturës, dhe ajo më vonë arriti e u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht.

Milosao