Për një panair të librit dhe lexuesve

Ndriçim Kulla

Panairi i librit sapo për fundoi dhe me të u shuan edhe fanfarat e suksesit apo të “ankesave” të adresuara ndaj tij. Mirëpo, tani që mendja duhet të jetë e ftohtë nga pasionet dhe inatet, duhet të arrijë ta përthithë më mirë thelbin e një perspektive dhe qëndrimi të ri ndaj organizimit të këtij eventi të madh për lexuesit dhe botuesit shqiptarë, që unë do ta përmblidhja në moton: “Për një panair të librit, autorëve dhe lexuesve, jo vetëm të botuesve”. Veçse për ta kuptuar thellësinë dhe hapësirën e re që synohet të propozohet duhen pastruar dhe larguar nga sheshi i mendimit, disa etiketime të dala nga gjendja e sikletshme në të cilën gjendet çdo organizator kur i kritikohet organizimi i vet. Duket, pra që ka shumë pikëpyetje, pikëpyetje që lindin nga dëshira për të ndërtuar një ndërtesë kritike konstruktive, për të paraqitur një alternativë më cilësore dhe më profesionale. Sigurisht, gjithçka është mbrujtur në vite, por ka ardhur koha që të gjejë një përgjigje, sepse shqetësimi nuk është aspak i ngushtë, personal, inatçor, shprehje paaftësie a ku di unë çfarë etiketimesh i kanë vënë ata qw kanw prishur rregullat e lojws, por një premisë e një shqetësimi të brendshëm, intelektual e me një frymëmarrje të gjerë e perspektivë largpamëse, që merr më të mirën e përvojës botërore dhe kërkon ta realizojë pas 12 vitesh, edhe në kulturën shqiptare rregullat e konkurrencës së prishur.
A ka ardhur koha, pas 12 vitesh, të ndryshojë praktika e organizimit të panaireve edhe tek ne, duke menduar seriozisht pwr respektimin e rregullave tw lojws? A ka probleme ligjshmërie dhe klientelizmi kjo praktikë? Kështu, pasi ta kemi pastruar sheshin e mendimit, nga gramishtet e makinacioneve dhe strategjive për ta reduktuar dhe zbutur çështjen, le të mundohemi t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve.
Në radhë të parë, le të mundohemi të davaritim tymnajën e suksesit të panairit.
Po, panairi i librit ka shumë vite që është kthyer në një event të rëndwsishëm për lexuesin dhe paraqitjen e librit shqip, për promovimin e shkrimtarëve dhe veprave të tyre më të mëdha e më të reja. Po a është kthyer ai vallë në një festë? Trumbetohet si sukses pjeswmarrja e gjerë e publikut, por a është vallë ky një kriter i punës së mirw të organizatorëve, kur lexuesi tashmë e dhjetë vjet është mwsuar me panairin dhe për çdo lexues të rregullt të librit është kthyer në ritual. Nuk shoh kurrsesi një bum vizitorësh që t’i japë të drejtë suksesit të promovimit në media. Përkundrazi shoh një ndjeshmëri më të rritur të disa mediave dhe një qëndrim cinik të disa të tjerave.
Thuhet se ka pasur promovime të shkrimtarëve tanë më të njohur si Kadare, Meksi, Blushi, Açka, etj., e se ata kanë shpërndarë me qindra autografe. Ç’hyn këtu një promocion personal apo i një shtëpie përkatëse botuese, me organizatorët dhe suksesin e tyre. Kjo është një rritje e cilësisë së punës promovuese të editorisë shqiptare, jo e organizatorëve dhe shoqatave që e organizojnë, se tek e fundit, ato do të kryheshin përjashtimisht edhe pa to. Përkundrazi, pikërisht kjo gjë zbulon lakuriq paaftësinë e tyre për t’u ngritur mbi këtë nivel, sepse një shoqatë dhe një grupim botuesish duhet të zotërojë patjetër aftësi organizuese dhe promovuese shumë më të mëdha, si në mjete ashtu dhe në kapacitete. Atëherë, cilin autor të madh ndërkombëtar, ose rajonal promovoi shoqata? Ç’aktivitet, animacion, ligjëratë, zhvilloi ajo në një nivel më të lartë se një botues i vetëm, çdo ditë të panairit që të ngërthente interesimin dhe kërshërinë e publikut? Ç’letërsi rajonale paraqiti? Ç’të ftuar nderi pati? Cilin shtet apo ç’lloj letërsie? E nëse këto gjëra janë të kushtueshme, pse nuk pati kreativitetin, të paraqiste le ta zëmë shkrimtarë të rinj, përkthyes e poetë të rinj, apo gjini e zhanre që lëvrohen nga të rinj ose që janë të reja dhe pak të njohura gjerësisht për publikun? Vizibiliteti i tyre është shumë i pakët, po kështu dhe njohja e publikut, ndaj për këta autorë kjo do të qe një festë, kurse për publikun një risi, e pse jo edhe një festë e zbulimit të diçkaje të ndryshme. E kjo besoj se nuk është aspak e kushtueshme në lidhje me promocionet e sipërm. Me pak fantazi, mund të bëheshin shumë gjëra të bukura. Por edhe me më shumë aftësi organizuese në raportet me biznesin, mund të organizoheshin edhe ato evente që nuk i mungojnë çdo aktiviteti përkatës, në shumë vende fqinjë, për të mos thënë në të gjitha vendet e përparuara. Madje, gjëra të tilla më mirë janë bërë në vitet e para të panaireve, dhe dalëngadalë u zbehën për t’u shuar fare vitet e fundit. Kjo e bën panairin një festë të autorëve, lexuesve dhe të gjithë hapësirës së librit, jo vetëm të botuesve. Atëherë, nuk mund të vihet në pikëpyetje fjala “sukses” e përballur me kritere dhe norma të tilla vlerësimi. Besoj se po dhe kjo është mëse e dukshme. Atëherë, shtrohet pyetja: Cilat janë hapat që duhen hedhur për të arritur në këto standarde. Kush e ka penguar dhe kush mund ta çlirojë organizimin e panairit nga ky qerthull vicioz. Në radhë të parë, duhet të shkëputet lidhja shoqatë-panair. E këtë e them, sepse kjo nyje ka probleme të mëdha qoftë legaliteti, qoftë legjitimiteti. Ndaj, i bëj thirrje si fillim organeve kompetente, institucioneve të shtetit të kontrollojë vlefshmërinë legale, e më pas edhe financiare të buxhetit të këtij organizimi për 10 vite me radhë. Do të qe mirë të bëhej transparente ku kanë shkuar dhe si janë shpenzuar paratë, nga 30 mijë lekë m2 që e jep qendra më parw në 77 mijë lekë m2 që e paguan çdo botues këtë vit. Nëse ka korrupsion, le ta zgjidhin organet kompetente, por më e pakta që mund të thuhet është se këtu kemi të bëjmë me keq-administrim dhe klientelizëm. Pse? Pretendohet se shoqata është një sindikatë në mbrojtje të të drejtave të botuesve. Shumë drejt, por pikërisht këtë gjë nuk ka kryer deri më sot kjo shoqatë. Se po të ndodhte vërtet kështu, atëherë ajo duhet të luftonte me të gjitha mjetet, të kishte kreativitet formash, qoftë edhe me lobime dhe ngritje zëri ndaj qeverisë dhe biznesit, për ta ulur çdo vit vlerën e qirasë që duhet të paguajë çdo botues dhe jo ta ngrinte atw nga 25 apo 30 euro në 55 euro. Pra, ka ndodhur e kundërta. Atëherë çka bërë shoqata në këtë drejtim? Është pajtuar me inercinë amullore, e ndoshta dhe me plogështinë klienteliste. Ndryshe nuk mund të kuptohet që një firmë maqedonase, me të cilën ne patëm vështirësi të komunikonim e t’i shpjegonim idetë tona për ndërtimin e stendës, sjell për vite të tëra dhe po ato materiale, thua u shua BIZNESI SHQIPTAR, e s’mund t’i ofrojë më lirë e më mirë. Leva kryesore që ul çmimet është cilësia dhe konkurrenca, e kjo arrihet me tenderim dhe gjetje formash që të futen edhe aktorë të tjerë në lojë. Mirëpo këtë s’mund ta bëjë një shoqatë jo fitimprurëse, çka forcon akoma dhe më tepër tezën se dikush tjetër që ka mundësi të ofrojë këto mekanizma lipset të jetë organizator. Edhe një fakt tjetër. Panairet e organizuar tek “Piramida” ishin jo vetëm më të lirë, por edhe më të mirë e cilësorë në hapësirë se ato të organizuara te Pallati i Kongreseve. Edhe një herë del problemi i konkurrencës midis qendrave. Ja, këto dy mekanizma konkurrence duhet të kishte përdorur shoqata nëse donte të vepronte vërtet si sindikatë dhe jo si qendër biznesi. Ajo s’duhet të mbulohet as me petkun se s’ka qendra apo se këto gjëra janë të kushtueshme. Po të qe kështu, pse nuk ndërmori ajo një lëvizje lobuese dhe të mbështetur nga shoqëria civile që t’i arrinte qëllimet, por e mbylli qëllimin vetëm tek vetja e saj?! Apo mos vallë e tërhoqi “zjarri i vatrës së ngrohtë” së një lidhje të ngushtë e tashmë të konsoliduar me një qendër apo me një firmë stendë-ofruese?
Por përtej kësaj, unë do të doja t’i bëj thirrje edhe korrektesës intelektuale dhe morale që ta shohë çështjen edhe në anën e vet legjitime. Nuk duhet ngatërruar legaliteti me legjitimitetin, por në një qëndrim kritik janë që të dy të rëndësishëm, madje legjitimiteti është i pari dhe i pacenueshëm. Shoqatat kanë një konflikt të hapur interesi me panairin, ndaj duhet ta lënë të lirë sheshin e konkurrencës në të mirë të të gjithë agjentëve veprues në tregun e librit. Madje, nëse do të zotërohej një aspiratë akoma dhe më e lartë, për të dalë edhe përtej interesit personal, ose interesit të një grupi tashmë të konsoliduar botuesish që përbëjnë bazën e editorisë shqiptare (duke mos përjashtuar edhe veten), do të qe mirë në emër të legjitimitetit të vendosej, edhe një nivel tavan i m2 që çdo botues do të marrë për stendën e tij, për t’ju lënë kështu vend edhe atyre botuesve të vegjël, shumë të vegjël, ose atyre që botojnë në një “qoshkë” të specializuar të tregut të librit për të marrë pjesë në një event, që vetëm për 5 ditë i bën të ndihen si të barabartë, pasi gjatë gjithë vitit, “shtypen” nga publiciteti dhe “pesha” reale e më të mëdhenjve. Është një nocion ky i “qoshkave” në letërsi dhe editori, goxha i përparuar dhe bashkëkohor, që duhet të hyjë edhe tek ne. Nuk ia ul aspak shkëlqimin dhe nuk ia zbeh bujën asnjë shtëpie Botuese, që ndoshta për megalomani, e jo për biznes real, merr me dhjetëra m2. Se 10 metra më pak atij s’i shton asgjë, por përkundrazi, lexuesit i jep më shumë hapësirë njohje e informimi, e pse jo edhe vlerash duke qenë prezent edhe botuesi i vogël dhe ky është një element që e kthen panairin në festë të autorëve, lexuesve dhe librit në tërë hapësirën e vet.

*Kryetar i shoqatës “Aleanca për librin”