O Q E A N E T/Një "produkt" jashtëtokësor?

Përkundër ideve që janë krijuar prej kohësh tashmë, atmosfera dhe oqeanet ndoshta nuk janë krijuar prej avujve të lëshuar gjatë vullkanizmave intensivë në momentet e parë të krijimit të planetit tonë. Francis Albarede i Laboratorit të Shkencave të Tokës në Universitetin e Lionit thotë se uji nuk ishte pjesë e "inventarit" fillestar të Tokës, por ai vjen nga turbulencat e shkaktuara në sistemin e jashtëm diellor nga planetët gjigantë. Asteroidë të mbuluar me akull kanë mbërritur në tokë afro njëqind milionë vjet më parë, pas lindjes së planetëve.

Kështu që, uji në Tokë mund të jetë jashtëtokësor, ka mbërritur vonë në histori dhe prania e tij mund të ketë lehtësuar tektonikën e pllakave edhe përpara se të shfaqej jeta. Konkluzionet e studimit të kryer nga Albarede shfaqen në një artikull të botuar në 29 tetor 2009 në revistën "Nature".

Agjencitë hapësinore e kanë marrë mesazhin: kudo ku ka jetë, duhet të ketë ujë. Afro 4.5 miliardë vjet më parë, Tokës iu la trashëgim ujë i mjaftueshëm për të krijuar oqeanet dhe që jeta të gjente qoshe të ngrohta në detet dhe në kontinentet që rezultuan prej tektonikës së pllakave. Në krahasim me të, Hëna dhe Mërkuri janë shkretëtira të thata dhe shumë të ftohta, Marsi u tha shumë shpejt dhe sipërfaqja e Venusit është një ferr që djeg.

Sipas librave, oqeanët dhe atmosfera u krijuan nga gazrat vullkanikë dhe brendësia e Tokës është burim i elementëve të luhatshëm. Megjithatë, shkëmbinjtë e mantelit të tokës kanë mangësi në ujë (gjeokimistët e vlerësojnë përqendrimin e tij në dy të qindat përqind). E njëjta gjë është e vërtetë për planetët simotra të Tokës, Venusi dhe Marsi. Arsyeja kryesore që propozon Albarede është se, gjatë formimit të sistemit diellor, temperatura nuk ka rënë asnjëherë sa duhet ndërmjet Diellit dhe orbitës së Jupiterit, që elementët e luhatshëm të ishin në gjendje të kondensonin me material planetar. Mbërritja e ujit në Tokë korrespondon kështu me një periudhë të vonë të historisë planetare.

Pranohet gjerësisht se planetët tokësorë janë formuar gjatë disa milionë viteve përmes grumbullimit të asteroidëve (me përmasa kilometrike), më pas protoplanetëve (me përmasa sa Marsi). Mbërritja e të fundmit nga këta objekte të mëdha korrespondon me impaktin hënor, 30 milionë vite pas formimit të Sistemit Diellor. Fillimisht, kjo poterë ndodhi ndërmjet objekteve planetarë të ndodhur brenda vijës së dëborës, me fjalë të tjera ndërmjet Diellit dhe brezit të asteroidëve. Kjo hapësirë, e fshirë prej erërave elektromagnetike të diellit të sapokrijuar, ishte atëherë shmë e nxehtë për ujin dhe elementët e luhatshëm që të kondensoheshin me të. Shpërndarja madhore e elementëve të luhatshëm në planetin tonë mund të kishte korresponduar me një fenomen që ndodhi disa dhjetëra miliona vite pas impaktit hënor: ky ishte pastrimi i parë i sistemit të jashtëm diellor që u iniciua prej planetëve gjigantë. Për shkak të gravitetit të tyre shumë të fuqishëm, ata dërguan mbetjet e fundit akullnajore lanetare në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe drejtimin e vet. Pasi ka penetruar në mantel përmes sipërfaqes, uji më pas do të ketë zbutur Tokën dhe ka reduktuar tendosjen e përplasjen e materialeve. Më pas nisi veprimtaria e pllakave tektonike dhe bashkë me të edhe krijimi i kontinenteve, kushte këto ndoshta të dmosdoshme për shfaqjen e jetës.

Marsi u tha përpara se uji të arrinte të penetronte në thellësi, ndërsa sa i përket Venusit, kushtet që mbizotëroinn përpara rimodelimit të dhunshëm të sipërfaqes së tij 800 milionë vjet më parë, përmes vullkanizmit intensiv janë ende të panjohur. Në një kohë kur banueshmëria e planeteve jashtëtokësorë po fillohet që të eksplorohet seriozisht, të kuptosh se çfarë e bëri Tokën të vetmin vend ku ka jetë është një pikëpyetje e madhe.

Related Posts: