Një rrëfim për vendin e të parëve

Pas publikimit të vëllimit të parë "Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave", shkrimtari Gjikë Kurtiqi vjen për lexuesit me një vëllim të dytë i titulluar "Vithkuqi, larg dhe afër". Ai synon të plotësojë tablonë e vendit nga vjen, ta bëjë atë të njohur për



Të shumtë janë shkrimtarët që i kanë kushtuar krijime të veçanta vendit të origjinës, që kohë pas kohe, prej mallit, dashurisë e krenarisë, vendosin të rrëfejnë diçka më shumë për të. Të ngjan se një rrymë e re letërsie zhvillohet kështu, e cila megjithëse duket lokale, sërish mbetet informuese dhe absolutisht e nevojshme për të njohur më tepër mbi pasuritë natyrore, intelektuale a monumentale të vendit tonë. I tillë është edhe rasti i shkrimtarit Gjikë Kurtiqi, i cili prej pak kohësh ka publikuar një vëllim të dytë kushtuar Vithkuqit, vendit të lindjes, të cilin e ka titulluar "Vithkuqi, larg dhe afër".

Lexuesit ju njohin më së shumti si lëvrues i gjinive të humorit, kryesisht si fabulist, fejtonist, autor të komedive etj...

Po, është e vërtetë. Unë kam botuar 12 vëllime me fabula, komedinë "Miq të pa ftuar", vënë në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar, skenarin e kinokomedisë "Ëndërr për një karrige", sa kam përfunduar edhe një komedi me titull "Njeriu që kafshon qentë", kam botuar edhe shumë fejtone, poezi satirike, skeçe, komedi me një akt dhe pjesë për skenën e teatrit të fëmijëve.

Kohët e fundit, ju i jeni kthyer historisë dhe studimit të saj. Porsa keni nxjerrë nga shtypi dy libra që lidhen me Vithkuqin dhe historinë e tij. Mungonin studime të tilla?

Vithkuqi është vendlindja ime dhe çdokush është i lidhur me vendlindjen siç është i lidhur me prindërit, me familjen e vet. Duke mësuar që në fëmijëri nga gjyshërit dhe nga vithkuqarët e tjerë të moshuar, shumë tregime për Vithkuqin e lashtë dhe ngjarjet historike, të lidhura me bëmat patriotike në vite e vite, ndieja në veten time një lloj krenarie. Në mesjetë, në shekujt 17 dhe 18, në Shqipërinë Juglindore kanë qenë të zhvilluara dhe të lulëzuara dy qytete, në krah të njëri-tjetrit: Vithkuqi dhe Voskopoja. Por ndërsa për Voskopojën, unë dhe lexuesit e tjerë, here pas here, kemi lexuar shumë botime, të shkruara nga studiues e historianë me emër, për Vithkuqin nuk është botuar asnjë studim i plotë. Për të qenë më i saktë, dua të shtoj se studime të pjesshme janë bërë në periudha të ndryshme nga disa historianë e studiues të njohur si: Nuçi Naçi, Ilo Mitkë Qafzezi, profesor Petraq Pepo, profesor Stilian Adhami, Myslim Islami etj., por studime e botime të plota nuk ka pasur.

Pra ishte kjo mungesë që ju nxiti të shkruani për vendin tuaj? Mbi të gjitha është dashuria e veçantë dhe krenaria për Vithkuqin. Këtë dashuri e krenari, e kam hasur te gjithë vendasit dhe tek ata që kanë një lidhje me Vithkuqin. Kur jam takuar për here të parë me profesor Petraq Pepon, punoja në gazetën "Mësuesi" dhe kur ai mësoi se unë isha vithkuqar u shpreh: "E ndjej veten krenar që në dejet e mia rrjedh gjak vithkuqari. Vithkuqi ka nxjerrë shumë figura të shquara me të cilët krenohet kombi ynë. Gjyshja ime është nga fisi vithkuqar i Sumbullorëve". Dhe si historian me gjak vithkuqari, profesor Pepoja dhe profesor Adhami kanë bërë një varg studimesh, të cilat më ndihmuan edhe mua në shkrimin e librit të parë "Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave" dhe të librit të dytë "Vithkuqi, larg dhe afër". Kohët e fundit kam mësuar se me origjinë vithkuqare është dhe historiani i shquar Kristo Frashëri, nga i cili unë pres të shkruaj për Vithkuqin dhe vithkuqarët e lashtë si: Evstrat Vithkuqari, Kostandin Cepi, Naum Veqilharxhi, Spiro Dine, Dhimitër Konomi, dr. Mihal Turtulli, Aleksandër Baltadori, Gligor Cilka etj., etj.

Në librin e parë, ju shkruani edhe për një vithkuqar tjetër që, sipas jush, është shenjtori i parë shqiptar, apo jo?

Po. Kam shkruar për Shën Nikodhimën, i cili është shenjtëruar nga Patrikana e Stambollit, shumë kohë para shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila po shenjtërohet kohët e fundit. Por, unë nuk kam ditur për një shenjtor tjetër, shumë kohë para Niko Dhimës. Edhe ky është vithkuqar, i pa njohur dhe që quhet Shën Gjikë Shqipëtari. Për këtë shenjt, në librin e dytë, "Vithkuqi, larg dhe afër", kam botuar një poemth të shkruar, me sa duket, nga Kristo Floqi dhe ribotuar nga shkrimtari Naum Prifti, në gazetën Ylliria të Nju Jorkut. Por Vithkuqi nuk ka vetëm shenjtorët e parë shqiptarë. Ai ka edhe alfabetin e parë të gjuhës shqipe, abetaren e parë "Evëtarin", që lidhen me figurën e rilindësit të parë, Naum Veqilharxhit, ose Naum Bredhit, siç e njohin vithkuqarët..., për të vazhduar me piktorët, kompozitorët, regjisorët profesionistë etj. Për të mos folur pastaj edhe për kishën e parë ortodokse, të ndërtuar nga emigrantët e parë vithkuqarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shën Kollin e Sollbrixhit, për të cilin Fan Noli ka shkruar një botim të veçantë. Ka të dhëna që kur Noli shkoi në kishën e Shën Kollit dhe u njoh me kontributin e vithkuqarëve, jo vetën për ndërtimin e saj por edhe për ndërtimin e shkollës shqipe në Vithkuq, të ndërtimit të rrugëve, krojeve etj., u ul dhe shkroi poezinë e tij të njohur "Jepni për nënën".

Dy librat tuaj për Vithkuqin nuk janë vetëm të karakterit historik. I përqaseni qëllimisht një natyre enciklopedike?

Kjo është bërë me qëllim që lexuesi të mos njihet vetëm me historinë që lidhet me këtë vendbanim të lashtë, por edhe me figurat e atyre që kanë lënë gjurmë të pashlyera në histori, të njihet edhe me zakonet, traditat, folklorin, kulturën dhe mënyrën e jetesës, sakrificat për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe etj. Sakrificat që kanë bërë vithkuqarët për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe, në mesjetë, janë krejt të veçanta. Për këtë flasin gojëdhënat, por edhe objektet monumentale dhe historike siç është "Varri i Pagëzimit", që ndodhet pranë kishës së Shën Millit. Nuk është rastësi dalja nga radhët e vithkuqarëve e Naun Bredhit që hartoi alfabetin dhe abetaren shqipe. Veç këtyre një kapitull të gjerë e më të plotë në librin e dytë, "Vithkuqi, larg dhe afër", zë ai që flet për resurset turistike të Vithkuqit. Vithkuqi është një mrekulli e natyrës dhe e klimës malore. Ai ndodhet në një lartësi rreth 1200 metra mbi nivelin e detit dhe është pajisur me resurse turistike që vështirë se gjenden në një vend tjetër. Kur unë them që Vithkuqi ka 100 kroje dhe 24 kisha nuk bëj asnjë teprim, por shpreh realitetin. 24 kishat e Vithkuqit janë ndërtuar që nga fillimi vitit 1200 dhe deri në ditët tona. Prej tyre i kanë rezistuar kohës dhe shkatërrimit të luftërave vetëm 13. Numri i kishave korrespondon me numrin e mëhallëve që ka pasur Vithkuqi qytet. Ato janë shumë të pasura me ikona e piktura murale, të punuar nga mjeshtër të pikturës si: David Selenicasi, Kostandin Shpataraku, vëllezërit Kostandin dhe Anastas Zografi, nga Korça dhe me ikonostasë të punuar nga mjeshtrit oparakë të punimit të drurit të arrës. Objektet historikë e kulturorë me interes për turistët në Vithkuq janë të shumtë dhe interesantë për atë çka dëshmojnë. Ato janë me vlera të veçanta arkitektonike, historike, artistike dhe kulturore. Të tilla janë tri kalatë e kohës ilire të ndërtuar në dy drejtimet hyrëse të Vithkuqit. Kishat e shpallura monument kulture. Veç kishave të shumta e krojeve janë edhe rrugët e lashta të shtruara me kalldrëm që e lidhnin Vithkuqin me Voskopojën, Beratin, Selanikun, Konicën, Janinën etj., janë urat me qemerë, mullinjtë, "Varri Pagëzimit", banesat e vjetra etj. Vithkuqarët kanë dhe ruajnë një nivel jetese cilësor. Ky nivel trashëgohet që nga mesjeta, kur Vithkuqi ishte qytet i lulëzuar, por ai është pasuruar dhe përmirësuar veçanërisht nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtetet e Europës e të Ballkanit. Niveli i jetesës në Vithkuq jo vetëm që nuk ndryshon nga ai qytetar, por ka, ruan dhe zhvillon edhe veçoritë e veta, të cilat lidhen me ambientin familjar, me ushqimin, gatimin, veshjen, pastrimin, me ruajtjen e zakoneve e traditave të shëndosha, me mikpritjen, me shfrytëzimin e kohës etj.