SHPËTIM DODA
Personalisht shprehem i mendimit se themelimi i këtyre organizmave dhe institucioneve
joqeveritare dhe jofi timprurëse, “shtëpitë e përkthyesve”, është mjaft i nevojshëm dhe, në mos do të ndikonte ndjeshëm në përhapjen e veprave të shkruara në gjuhën shqipe, të paktën do të paraqiste vullnetin e mirë të lëvruesve të këtyre letrave për t’u hapur ndaj botës jo shqipfolëse
Çështja e parashtruar fillimisht në këto kolona të gazetës "Shqip", ishte dhe, mbase, vijon të mbetet një: A mos ka mbërritur vallë ora që "shtëpitë e përkthyesve" të themelohen edhe në Shqipëri, siç janë themeluar në pjesën dërrmuese të vendeve të mbarë globit. Besoj se kjo ishte çështja që po lypte hapjen e një mendimrrahjeje, por ende nuk jam plotësisht i sigurt, pasi, nisur nga qëndrimet e shprehura, më duhet të them se, mjerisht, mendimrrahja arriti deri aty, sa tashmë kemi një çështje "amë", dhe disa çështje "bija", si të thuash, ndonëse në disa raste "bijat" nuk shfaqin ndonjë lidhje të fortë gjenetike me çështjen "amë". Në këto pak radhë do të përpiqem të rrok sa më shkurt disa prej tyre, që gjykoj se janë fryt keqleximesh dhe keqinterpretimesh bashkëkohore, apo ndoshta sjellje të qyshkurshme, anakronistike. Më së pari, për sa i përket çështjes "amë", personalisht shprehem i mendimit se themelimi i këtyre organizmave dhe institucioneve joqeveritare dhe jofitimprurëse është mjaft i nevojshëm dhe, në mos do të ndikonte ndjeshëm në përhapjen e veprave të shkruara në gjuhën shqipe, të paktën do të paraqiste vullnetin e mirë të lëvruesve të këtyre letrave për t‘u hapur ndaj botës jo shqipfolëse.
Porse, në një qëndrim rreth kësaj nevoje, vërejta se një sipërmarrje e këtillë tingëlluaka "idealistike" dhe "megalomane". Personalisht e kam fort të vështirë të dalloj hijen (trajtën jo e jo) të "megalomanisë"; për sa i përket ngjyresave "idealistike", më pas, personalisht shtrëngohem të vë në pah se, mjerisht, gjendemi përpara një anakronizmi të pavend. Për t‘u bindur për ngjyresat anakroniste të "idealistikes", s‘është edhe aq fort e nevojshme të sjellim me patjetër në kujtesë këmbëvënien mbi hënë të Armstrong-ut, as telematicizimin (kompjuterizimin e internetizimin) mbarëplanetar, as prurjet më të fundit të inxhinierisë gjenetike, e cila po mëton dita më ditë që ta bindë njeriun se kufijtë e së pamundshmes tashmë gjenden larg, tepër dhe pamatshmërisht larg. Jo, s‘besoj se duhet të ngarendim me patjetër kaq larg; për t‘u bindur rreth anakronizmit të epitetit "idealistik", do të mjaftonte të sillnim në kujtesë thjesht edhe përvojat nëpër të cilat ka kaluar bota shqiptare (që nga rënia e sistemit totalitar, deri tek aderimi në NATO dhe te pavarësia e Kosovës etj.), për të parë se, ajo çka shfaqet në të shumtën e herëve e kufizuar nuk është vetë mundshmëria e sipërmarrjeve, por thjesht dhe përjashtimisht vullneti për t‘i hyrë sipërmarrjeve. Më pas, duke kaluar tashmë në rrafshin më praktik, duke njohur një pjesë të mirë të "shtëpive të përkthyesve" në Europë, personalisht s‘arrij të shoh se ku qëndron "idealistikja", ku, për të qenë disi më të drejtpërdrejtë, fatura financiare s‘është edhe aq e papërballueshme apo e ububushme, ndërkohë që mund të ndiqej fare mirë, si në rastin e vendeve të tjera, një skemë bashkëpunimi me donatorë të huaj dhe kompanive apo bizneseve vendas, ku shteti në këtë rast mund të jepte ndihmën e vet përmes përvijimit të disa politikave fiskale në mbështetje të këtyre nismave. Porse, mjerisht, kjo çështje "bijë" s‘u trajtua asfare në asnjë prej qëndrimeve të shprehura në lidhje me këtë çështje; përkundrazi, shteti u fut në valle, siç pritej, helbete!, porse në formën më të sforcuar dhe më të qyshkurshme (anakronistike) të mundshme, a thua se veprat letrare kanë nevojë për "viza", apo për akte, marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, apo qëndrime politike e marrëdhënie diplomatike të këtij apo atij niveli, për të kaluar nga një kufi gjuhësor e kulturor në tjetrin; në kohën e regjimit totalitarist, besoj se po; por në kohët e tanishme as që bëhet fjalë. Në këtë drejtim, madje, marrëveshjet apo aktet dhe qëndrimet politike më së tepërmi e pengojnë vozitjen e veprës letrare nga një horizont gjuhësor dhe kulturor në tjetrin. Ndërkaq, vepra letrare dhe vozitja e saj nga një horizont gjuhësor dhe kulturor në tjetrin udhëhiqet nga, dhe i nënshtrohet disa ligjësive rrënjësisht të ndryshme nga ato të natyrës gjeopolitike.
Dhe është pikërisht ky kuadër i mësipërm, ai që e bën që të shfaqet e paqëndrueshme dhe e qyshkurshme (anakronistik) një tjetër çështje "bijë" që lindi në mënyrë fort të sforcuar nga çështja "amë"; më konkretisht, fjala është për (para)-gjykimin sipas të cilit të këtilla "shtëpi përkthyesish" s‘duhet të ekzistojnë (apo janë "idealistike"??!!) sepse asnjë botues në botë s‘interesohet të botojë letërsi shqiptare. Më së pari, ky argument më tingëllon fort i mbrapshtë e, më pas, sipas frymës së qyshkurit. Mbi ç‘prova mund të mbështetemi për të pohuar se asnjë botues në botë s‘interesohet të botojë "letërsi shqiptare"? Për të arritur në një përfundim të tillë, madje, paksa drastik, përvoja vetjake e aksh apo aksh përkthyesi nuk mjafton, sikundërse nuk mjafton as përvoja e aksh apo aksh botuesi, pasi çdo botues ka strategjitë, programet botimore dhe audiencën së cilës i drejtohet. Së dyti, siç thashë, është një argument i qyshkurshëm, dhe kjo për tepër se një arsye; së pari, ekzistenca e një "racizmi letrar" më tingëllon fort i qyshkurshëm, të paktën kjo sipas pamësisë sunduese të kohëve tona, kur ëndrra e Goethe-s për një Weltliteratur (letërsi të mbarëbotshme) sa vjen e po bëhet gjithnjë edhe më e njëmendtë, njëlloj siç po gjen terren gjithnjë edhe më të gjerë në gjeopolitikë vizioni kozmopolit i Kant-it, prej nga e mori shtysën edhe ëndrra e Goethe-s; në kohët tona kemi një letërsi që s‘po mëton të përvijohet si ndërkombëtare, por mbikombëtare, prej nga ku Letrat e lëvruar në suazat e një entiteti të caktuar gjeopolitik/fizik me apo pa dashje fillojnë të jetojnë brenda një hapësire më të gjerë. Nga kjo këndqasje, madje, personalisht shprehemi i mendimit se nuk ekziston një letërsi shqiptare, gjermane etj., por vepra të shkruara në gjuhën shqipe, gjermane etj. Mendoni pak rastin e Rainer Maria Rilke-s, Franz Kafka-s, Paul Celan-it etj., të cilët zgjodhën një atdhe tjetër, përtej trevave të përvijuara nëpër hartat gjeografike dhe gjeopolitike: Gjuhën. Që të tre shkruan në gjermanisht, pa qenë aspak gjermanë (dhe mendoni pak rastin e Celan-it!), dhe gjermanishtja, jo Gjermania, ishte atdheu i tyre. Ky kuadër, që sa vjen dhe po shfaqet pjesë e realitetit letrar të mbarë botës, s‘besoj se na shtyn me patjetër drejt një përftimi të ri të letërsisë dhe të gjeografisë së saj, pasi Letërsia kjo ka qenë, është, dhe besoj se do të jetë mot e jetë (natyrisht, duke përjashtuar vetëm ato faza kalimtare kur fashizmi, nazizmi dhe të tjera oligarki të ngjashme ksenofobe dhe tjetër-vrasëse ulen këmbëkryq në ndërgjegjen, mendësinë, sjelljet dhe qëndrimet e një periudhe të caktuar!); përkundrazi, ky kuadër thjesht nxjerr në pah atë patologji dhe prirje të qyshkurshme për të përmbysur jo vetëm rendin, por edhe natyrën e vetë gjërave; tek e fundit, atë kahje subversive për të ontologjizuar jo ontologjiken dhe deontologjizuar ontologjiken. Kjo prirje i ka rrënjët më të thella, por që në kohët tona, ndoshta, shfaqet në trajtat më të qarta, më të ndjeshme dhe, herë-herë më të acaruara, duke arritur deri në përvijime kalkesh ideologjike. Mjafton të sjellim në kujtesë faktin se sot flasim për një Lindje dhe për një Perëndim, dhe asnjëherë nuk kujtohemi se fjala s‘është për një realitet që mbart një bërthamë ontologjike, por për një realitet që shpërfaqet frytësim i një gjerdani ndërlikjesh sa kozmike, gjithpoaq edhe ideologjike; a na ka shkuar ndonjëherë në mend vallë se në sytë e lindorëve perëndimorët janë lindorë, duke qenë se përqokëzimi lidhet me "lindjen" e diellit, e se dielli në Lindje "lind" pikërisht nga ajo anë që gjeopolitikisht njihet si Perëndim? Me po të njëjtën frymë dhe mendësi shprehemi për historinë dhe letërsinë, mend si të ishin realitete me bërthamë ontologjike, aq sa shpeshherë më duket se nga çasti në çast do të shoh njeriun që të më gishtojë një "gjësend", duke më thënë: ky sendi këtu është Letërsia, ndërsa ky sendi tjetër është Historia etj., ndërkohë që syresh janë frytësim ndërlikjesh, jo realitete të mirëfillta ontologjike. Ndërkohë që i ndryshëm shfaqet rasti i veprave të shkruara në aksh apo aksh gjuhë; për këto, nuk pres ndokënd të m‘i gishtojë, pasi arrij t‘i shoh edhe vetë. Në këtë rast, madje, kemi një sistem përqokëzimi fort të qëndrueshëm, që s‘varet nga ideologjitë, qëndrimet apo ndryshimet gjeopolitike dhe gjeofizike (mendoni pak rastin e Argjentinës!): gjuhën, sistemin e qëndrueshëm përqokëzues të çdo shkrimtari. Po, pikërisht gjuhën, e cila në këtë rast i jep kuptim real dhe të prekshëm shprehjes "vepra të shkruara në gjuhën shqipe", dhe jo "vepra të letërsisë ‘shqiptare‘." Nga kjo këndqasje, në qoftë se i kthehemi "çështjes amë", pesha nuk bie thjesht dhe vetëm mbi botimtarinë, por, më së pari, mbi përkthimtarinë, dhe pikërisht për këtë arsye, gjykoj, realizimi i një sipërmarrjeje si ajo e themelimit të një "shtëpie përkthyesish" shfaqet një nevojë, madje, jetësore. Në qoftë se do të krijoheshin mundësitë për krijimin e një institucioni të këtillë, përpos se shprehje e vullnetit të mirë të lëvruesve të Letrave shqipe për të qenë pjesë e letërsisë mbikombëtare dhe të mbarëbotshme, të jemi të sigurt se edhe "përkthyesit" jo-shqiptarë do të ndiheshin shumë më të grishur jo për t‘i hyrë "mik" ndonjë botuesi të huaj, por, më së paku, për të zgjedhur nga veprat e shkruara në gjuhën shqipe ato më të arrirat dhe me mesazhe që nuk janë fatshënjuar të qarkullojnë vetëm ndër qarqe provincash apo tryeza kafenesh, dhe nuk do të ngarendnin që të përkthenin "për mik", apo "për hatër", si të thuash, aksh apo aksh shkrimtar. Nëse përkthyesi arrin të zgjedhë një vepër të këtillë, jam i sigurt se vozitja e saj në horizontet e tjera gjuhësore dhe kulturore nuk shfaqet thjesht e mundshme, por e sigurt, duke lënë pas krahëve "doganat e qyshkurit", njëlloj siç ndodh me qytetarët e Europës së Bashkuar kur lëvizin nga një vend në tjetrin. E kjo ligjësi, dua të kujtoj, vlen edhe për rastet e veprave të shkruara në suhalisht, siç ka treguar koha.





