Historia e 17-vjeçarit që donte të rrëzonte pushtetin

alma mile

Është marrëzi të mendosh se një 17-vjeçar dëshiron të rrëzojë pushtetin. Por duket se ky ishte trilli i “perëndive” të diktaturës. Adoleshentit Amik Kasoruho i vihen prangat dhe burgoset. Shkolla e tij do të bëhej burgu, qelitë që pikonin lagështirë dhe torturat sistematike. Do të kalonin vite, deri sa shkrimtari dhe përkthyesi Kasoruho të ulej dhe të shkruante romanin e jetës së tij. Titullohet “Ikje nga trilli i perëndive” dhe pasi ka shkuar së pari në duart e lexuesit italian, vjen edhe në shqip, përmes shtëpisë botuese “Buzuku” në Prishtinë. Gjatë dy dekadave të fundit janë shkruar boll libra nga vuajtës dënimesh në burgjet e komunizmit. Shumë e kanë quajtur këtë “letërsi burgu”, apo “qelie”, por në të vërtetë, nëse një roman, qoftë edhe ai autobiografik, nuk ka përse të marrë mbi vete “përcaktorë” të tillë. “Ikje nga trilli i perëndive” i shkrimtarit Amik Kasoruho është romani që mban peshën e fatit të një njeriu, të cilin e burgosin në moshën 17-vjeçare, duke i mohuar rininë. Tragjedia vetjake shumëfishohet me pushkatimin e të atin pas tre vjetësh, si i implikuar në ngjarjen e Ambasadës sovjetike. Për të vijuar me internimin e së ëmës në rrethinat e Lushnjës. Vuajtjet e tij nuk mbarojnë me burgun, atë vetë dhe familjen e re e pret internimi i gjatë për 25 vjet në Gosë të Kavajës. Dhe në fund, ikja nga Shqipëria. Romani autobiografik i Kasoruhos, nuk është vetëm dëshmi historike, në një kohë që janë të shumtë vuajtësit si ai. Kjo histori mbijetese vjen përmes artit, përmes penës së shkrimtarit. “Ikje nga trilli i perëndive”, i botuar disa vite më parë në gjuhën italiane, është pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika italiane, të cilët përthithën me kureshtje këtë histori njerëzore, e cila mbartte në vetvete, dramën e një populli të tërë. Ndërsa në Shqipëri, ky libër vjen si kujtesë, me qëllim që e shkuara të mos harrohet e të mos përsëritet. Në vend të parathënies, libri hapet me një poezi që përkthyesi Robert Shvartz i kushton mikut të tij të rinisë, Amik Kasoruhos. Poezia është botuar në gazetën “Drita” në maj të vitit 1991. Promovimi i librit pritet të zhvillohet gjatë ditëve të Panairit të Librit “Tirana 2009”.
Pjesë nga libri
Përjashtimi nga rregulli
-Ti ke borxhe për të shlyer, dhe deri sa t’i shlyesh një më një, nuk ke për ta parë dritën e diellit! Mos të gënjejë mendja: ne i dimë të gjitha. Çdo lëvizje, çdo fjalë, çdo takim që ke bërë, ne i dimë. Nëse këmbëngulim që ti t’u përgjigjesh pyetjeve tona, është sepse duam të të ndihmojmë të dalësh nga tuneli ku ndodhesh, nga llumi ku je zhytur. Je i ri dhe na dhimbsesh. Partia nuk ka interes të dënojë njerëzit. Aq më pak të rinjtë. Por nëse ti nuk arrin ta kuptosh, më keq për ty...
Ishte gjithë po ai avaz. Fjalët i vinin nga larg, pa ndonjë lidhje, pothuajse pa asnjë kuptim. Teksa ata, oficerët K.Sh. e V.A. të Ministrisë së Brendshme i flitnin, ai mendonte kaushin e tij, ku, mbasi mbaronte pyetja, kthehej i dërrmuar, i hutuar, i shkatërruar, i indinjuar për aq sa mund të kishte emocione një njeri në ato kushte.
Prej sa kohe vazhdonte ajo histori?
Sikur të mos ishte një gardian (ai nuk arrinte të kuptonte si e kishin lënë në atë burg), nuk do ishte në gjendje ta merrte vesh. Koncepti i kohës aty, në atë vend të harruar nga jeta, e humbiste kuptimin që i jepnin njerëzit. Ai gardian i thoshte ç’ditë e javës ishte, sa kishte zgjatur pyetja, si ishte nëna e tij, me kë kishte ardhur t’i sillte ndërresat, çfarë moti bënte jashtë.
Ishte një nënoficer rreth të dyzetave, i heshtur dhe i rëndë, por kishte një zemër shumë të gjerë. E quanin Muharrem Sotomani. Gjithmonë i qetë, kur hapte portën e qelisë për t’i sjellë racionin, gjithmonë i shqetësuar kur duhej ta shoqëronte në hetuesi.
Një natë, mbas pyetjes, gati i kishte rënë të fikët. Ishte dimër dhe rrobat e lagura nga gjithë ata ujë që hera-herës i hidhnin mbi trup për ta mbajtur zgjuar, mbas gati tri ditësh hetimi të pandërprerë, i jepnin dridhma. Nuk e merrte vesh nëse dridhej nga që nuk kishte fjetur, apo nga ajo tërë ajo lagështirë. Nuk ishte në gjendje të ecte. Oficeri që e kishte marrë në pyetje i fundit (në ato gjashtëdhjetë orë ishin ndërruar disa hetues mes tyre) thirri dy roje që e kapën nga sqetullat dhe mbasi e tërhoqën gjatë gjithë korridorit, hapën portën e qelisë dhe e lëshuan mbi dyshemenë prej çimentoje.
Duke u dhënë bërrylave, (duart i kishte në pranga), duke u zvarritur, arriti te dysheku, ku mundi të mbështeste kokën. Nuk mund të lëvizte: i dhimbte gjithë trupi. E vetmja gjë e re e atij hetimi ishte pagjumësia. Gjithçka tjetër bënte pjesë në mënyrat klasike që përdornin hetuesit.
Nuk e dinte sa kohë kishte kaluar që kur e kishin sjellë në kaush dhe ndjeu që porta filloi të hapej ngadalë. Në fillim mendoi se erdhën për ta marrë përsëri për të vazhduar pyetjet dhe pati frikë. Nuk do të ishte hera e parë: kur i arrestuari mendonte se e kishte mbaruar hetimin e asaj dite, dhe kishte mbaruar tortura ja fillonin nga fillimi. Por edhe pse ndodhej në një gjendje gjysmë të vetëdijshme, u habit që nuk dëgjoi atë urdhrin e zakonshëm “Çohu!” Deshi të hapte sytë, por qepallat nuk iu bindën. Por ja doli të shikonte që dikush qe kërrusur mbi të. Vetvetiu mbuloi fytyrën me duart me pranga dhe u mblodh kruspull: mendoi se donin ta qëllonin. Por ai që ishte përkulur mbi të e preku me majë të gishtave, lehtë, pak e nga pak në gjithë fytyrën. Edhe pse ajo e prekur ishte shumë, shumë e butë, ai u përpoq të kthente kokën nga ana tjetër me një lëvizje gjoja të shpejtë. Një zë (i kujt ishte?) i pësh--përiti:
-Mos ki frikë. Nuk dua të bëj keq. Jam unë.
Ndjeu t’i fshinte ballin me një shami të lagur. Pastaj faqet. Pastaj sërish tëmthat. Pastaj mjekrën. O zot, sa i dhimbte gjithçka! Bëri të pyeste diçka, por tjetri i tha të heshtte:
-Shshshsht! Mos fol! Mos u lodh!- dhe duke treguar një kovë me ujë, vijoi gjithmonë me zë të ulët: - Kovën nuk mund ta lë. Mbaje këtë shami dhe vere aty ku të dhemb. Unë duhet të shkoj.
Dhe mbylli me çelës portën mbas tij.
Për shumë ditë nuk e kishte idenë se cili kishte qenë. Pastaj, një pasdite, disa ditë më vonë, ndërsa nënoficeri Sotomani erdhi të hapte derën, në orarin që e shoqëronin në banjë, ai e pyeti:
- Zoti kapter: mos vallë rastësisht keni harruar shaminë në kaushin tim?
Nuk mund të ishte tjetërkush veç atij. Gardiani buzëqeshi më nënkuptim. Ose kështu iu duk atij.
-Unë? Jo. Por, po deshe, ma jep mua. Do të pyes rrotull.
Në atë botë errësire, ai qe një çast plot humanizëm çlirues.
Ditët e para mbas daljes nga burgu, nëna i kujtoi se herën e parë, kur i patën kthyer ndërresat e tij të lagura e me ndonjë gjurmë gjaku të përtharë, u shqetësua, por pastaj e kishte qetësuar një nënoficer duke i thënë se me gjasë të birit i kishte dalë pak gjak nga hundët – Do të ketë pasur pak rrufë do të ketë dashur t’ju lehtësojë punën duke i shpëlarë teshat.
-Po kush ishte ai nënoficer?
-Ai që ndonjëherë më jepte lajme për ty. Di që e quanin Muharrem. Muharrem Sotomani.
Mbasi doli nga burgu, nuk e takoi asnjëherë. Dhe nuk e mësoi dot nëse ky gardian aq i papërshtatshëm në atë ferr, ishte ende gjallë. U ndie në borxh. Por ky ishte një borxh që do donte ta shlyente, edhe pse nuk e dinte kur dhe si. Ishte një borxh ndaj një njeriu të mirë, si nuk mund të hasje çdo ditë.
Dhe ishte ky përjashtimi që vërtetonte rregullin: njeriu nuk lind për të qenë i lig.
INKUIZICIONI KOMUNIST DHE TEORITË E DARVINIT
....Nuk mund të flinte. Oh, sa do kish dashur të flinte, të mund të mbyllte sytë për disa çaste e të humbiste në një përkundje gjumi, që a mblidhte veten nga ajo ditë që kishte qenë një nga më të vështirat e gjithë asaj periudhe ta gjatë dhe sfilitëse izolimi.
Ajo torturë pagjumësie, edhe pse nuk ishte e vazhdueshme, kishte më shumë se pesë ditësh që po zgjaste. Kishte çaste të caktuara kur nuk ja dilte të dallonte përfytyrimin nga njëmendja: e para ishte fryt i trurit të tij të paralizuar, e dyta ishte irreale.
Në seancat e pyetjeve vazhdonin t’i kërkonin të njëjtat gjëra për orë e orë. Dhe nëse ai jepte shenjë se nuk mund të qëndronte dot në këmbë dhe ishte gati për t’u rrëzuar në tokë, e godisnin me majën e këpucëve mbi kërcinj, ose thërrisnin rojet, të cilët i hidhnin përsipër ujë.
Mund të mendonte vetëm një gjë që ja përsëriste mekanikisht vetes me dhëmbë të shtrënguar: “Do të kalojë! Do të kalojë edhe kjo! ... Do të kalojë!” Por nuk kishte vallë një kufi për rezistencën? Nuk kishte një kufi për egërsinë?
Gishtërinjtë e këmbëve i rridhnin ende gjak prej thonjve të shkulur. Askush nuk ishte kujtuar t’ia mjekonte. I kishte mjekuar vetë ai me duhan dhe me hi cigaresh të lagur me pështymë.
Nuk ishte një hero: ishte një qenie njerëzore. Dhe i jepte zemër vetes: “Do të kalojë! Edhe këtë herë do të kalojë, do të kalojë!”
“Roje,- dëgjoi një zë,- Merreni! (Po kush kishte folur? Kë të merrnin? Dhe ku ta çonin?)
Aty, në kaush, egërsia dhe ligësia e hetuesve kishte sajuar një vazhdim të tmerrshëm të torturës: roja që kishte radhën e shërbimit, kishte marrë urdhër të mos e lejonte të flinte. Duhej të rrinte zgjuar sa më gjatë. Me krahët e lidhur në hekurat e dritares, ai duhej të qëndronte në këmbë, me majat e gishtërinjve që sa e çiknin dyshemenë. Dhe çdo herë që, i dërrmuar nga pagjumësia, varte kokën, roja që hera herës, me intervale të rregullta, hapte sportelin e portës për ta kontrolluar, hynte brenda dhe e zgjonte, në të shumtën herëve duke i hedhur ujë mbi trup. Ishte më e lehtë kështu.
Nuk kuptonte se çfarë ishte duke ndodhur, as se ku ndodhej. Shkundëte kokën. Pastaj, dalëngadalë, fillonte e zhytej përsëri në një gjendje të ëmbël përgjumjeje, në një harrim magjiplotë dhe e humbte vetëdijen e peshës së trupit të tij.
Duart nuk i ndjente më të vetat. Por pikërisht kur ajo përhumbje fillonte ta dominonte të tërin dhe kur ai, me një kënaqësi të paprovuar deri atëherë, humbiste në dehjen e gjumit, apo truri i tij nuk donte të funksiononte, pikërisht, atëherë ndjente mbi trup atë ujë të ftohtë që i shkaktonte të dredhura. Trembej, përshkundej, ngjitej më shumë mbas murit me kurriz, për ta lëshuar pastaj veten sërish e për t’u ndier edhe një herë (sa herë?) atë gjendjen pa peshë dhe pa vetëdije, sikur të ishte një lojë, një lojë që i pëlqente, që e mbante larg atij realiteti, i cili, në ato çaste i dukej se ekzistonte vetëm jashtë tij.
Shyqyr që ajo torturë, në më të shumtën e herëve ndërpritej natën: gardianët donin të çlodheshin!
Kur u zgjua, pa se ndodhej në mes të një pellgu me ujë. Si duket, dikush e kishte zgjidhur, por ai nuk mbante mend asgjë. Ishte bërë qull, por çka ishte edhe më keq, dysheku dhe mbulesa notonin në ujë. Kushedi sa kohë kishte që flinte mbi atë dyshek të lagur...
Në kohë të drekës, kur i sollën tasin me lëngovinën e zakonshme dhe një copë buke misri, roja solli edhe një kovë me një leckë.
-Pastroje dyshemenë! – e urdhëroi,- armik i poshtër!
-Me falni, a mund ta çoj dyshekun në ndonjë vend për ta nderur sa të thahet? – pyeti më gjysmë zëri.
-Mos vallë zotëria dëshiron të bëjë edhe banjo dielli? – u përgjigj roja dhe mbylli derën.
Bëri hall vetëm me kovën dhe me leckën. U ndie i lumtur që ishte qershor dhe që kishte shëndetin e një tetëmbëdhjetë vjeçari.
U kujtua për atë thënien e teorisë darviniane, simbas së cilës përshtatja ndaj rrethanave kishte kontribuar në krijimin e llojeve të reja kafshësh. Çfarë kafshe do dilte nga njeriu që do t’i nënshtrohej diktaturës së proletariatit?

VARGJE LAMTUMIRE PER NJE SHOK RINIE (për A.K.)


Ne vetëm ëndrra kishim – asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanim pantollat,
Dhe na pëlqente ai kushtrimi i vjetër:
Si shqipet lart – e jo rrëshqan si bollat.

Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.
S’e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.
Dhe vanë ditët, vitet ... e na lanë:
Temjan mortor e flakërim qirinjsh.

Tashti sikur dhe botën të na e falin,
S’na duhet më - ja kthejmë prapë Mizorisë!
Asgjë, asgjë s’na e shuan dot më mallin
Për të pafajmet ëndrra të rinisë.

Ne vetëm ato kishim – asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanin pantallonat,
Hovet dhe shpresat dhe besën e vjetër
Drejt qiellit i lëshonim si balonat ...

Tashti po ikën ... Më ti s’do të kthehesh!
(As ty s’t’i kthyen vitet e qelive!)
Me vlagën e atdheut më s’do të dehesh –
As kaq s’të la ty trilli i “Perëndive”!
Robert Shvartz
Gazeta “Drita”, Maj 1991


Jeta mes qelisë dhe letërsisë

Amik Kasoruho lindi në 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë nga dy prindër intelektualë. Babai i tij, Qemal Kasoruho, ishte ekonomist, kurse nëna e tij, Nadide Kasoruho, me origjinë nga familja e dëgjuar e Jusufatëve të Libohovës, ishte njëra nga gratë e pakta të shkolluara jashtë vendit. Në vitin 1949 e arrestuan kur ishte vetëm 17 vjeç, bashkë me një grup të rinjsh adoleshentë, mes të cilëve edhe një vajzë dhe e dënuan me 10 vjet burg me akuzën “Se ka dashur të përmbysë me dhunë pushtetin popullor”. Qysh në atë moshë, Amiku zotëronte frëngjishten dhe italishten. Në shkurt të vitit 1951, babai i tij, Qemal Kasoruho, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, së bashku me 22 intelektualë dhe njerëz të shkolluar për të ashtuquajturën “bombë në ambasadën sovjetike”. “Universiteti” i Amik Kasoruho ishin vitet e burgut, sidomos ato të Burrelit. Njohja me ajkën e intelektualëve shqiptarë të burgosur, me përfaqësuesit eruditë të klerit, me thesarin e tyre kulturor e me dinjitetin burrëror ishin diploma e paçmuar e asaj kohe. Në burg mësoi latinishten, anglishten, rusishten dhe pati rast të studiojë edhe gjuhën tonë të lashtë arbëreshe. Gjatë gjithë jetës krijoi arkivin e tij të punës, përkthime nga letërsia italiane, frënge, spanjolle dhe amerikane, transkriptime veprash të poetëve arbëreshë, por asnjë prej tyre nuk gjeti dritën e botimit gjatë viteve të gjata të diktaturës. Në vitet 1951-1956, nëna e tij u internua në Lushnje.
Pasi doli nga burgu jetoi në Kavajë në periudhën 1956-1962. Më tej, i dëbuan në Gosë në vitet 1962-1990. Gjatë këtyre viteve ka kryer nga punët më të rëndomta. Nga 1956-1960 si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë. Në vitet 1960-1980 punoi si gjeometër në fermën Gosë, Në vitet 1980-1981 punëtor ndërtimi në Gosë, në vitet 1981-1990 si teknik ndërtimi në NSHN Durrës, etj. Prej vitit 1990, Amik Kasoruho së bashku me familjen e tij, jeton në Monopoli, pranë Barit në Itali, duke zhvilluar punën si publicist, përkthyes, studiues dhe poet, punë me të cilat e mbush jetën e vet.


Botime dhe perkthime

Botime në Itali
“Un incubo di mezzo secolo – l’Albania di Enver Hoxha”,
“Il prezzo di un sogno – il tormentato risveglio dell’Albania”, “Il lunghissimo volo di un ora”, “Besa”, Leçe, 2002,
“Tra carcere Dio”, “Besa”, Leçe, 2003

Përkthime
“Paula”, Isabel Allende, roman
“Novela dhe tregime”, Luigi Pirandello
“Mos dashuro kurrë një të huaj”, Harold Robbins, roman
“Pablo Ruiz Picasso”, Patrick O’Brian , biografi
“Eva Luna rrëfen”, Isabel Allende, tregime
“Harry Potter” (1-7), Joanne K. Rowling, roman
“Bija e fatit”, Isabel Allende, roman
“Kështjella”, Franz Kafka, roman
“Kodi i Da Vinçit”, Dan Brown, roman
“Nata e parë”, Luigi Pirandello, tregime
“Diabolus”, Dan Brown, roman, etj.