Hafiz Ali Ulqinaku, rilindësi që i kushtoi jetën gjuhës dhe diturisë

VIRTYT AVDYLI

Kleriku i njohur luftoi në mbrojtje të Ulqinit dhe të trevave të tjera që u aneksuan nga serbët

Rilindja Kombëtare njihet si periudha me një plejadë të shkëlqyer figurash të shquara të kulturës shqiptare. Njëra prej këtyre figurave është Hafiz Ali Ulqinaku. Dokumentet e shumtë historikë dhe studimet rreth jetës e veprës së tij nxjerrin në pah vlera të padiskutueshme të një niveli intelektual të denjë për një elitë jo vetëm për kombin tonë, por edhe më gjerë. Në fakt ka qenë vetë personaliteti i tij, jo vetëm në shërbim të fesë, por edhe në shkrimin, ruajtjen e përhapjen e gjuhës shqipe si dhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare me armë në dorë, që ka shtyrë studiues të shumtë, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, për tu marrë me plot pasion me aktivitetin dhe veprat e Hafiz Ali Ulqinakut.

Kush ishte Hafiz Ali Ulqinaku

Ai u lind në Ulqin në vitin 1853, pranë plazhit të vogël të këtij qyteti. Shkollën fillore dhe një pjesë të medresesë i kreu në Ulqin. Më pas, duke qenë se familja e tij u shpërngul në Shkodër e përfundoi shkollën e mesme në medresenë e Bushatlinjve. Shkollimi i tij do të lunte një rol tepër të madh jo vetëm për marrjen e dijeve, por edhe në formimin e personalitetit si dhe brumosjen me ndjenjën e dashurisë për atdheun, kombin e gjuhën. Një rol të rëndësishëm në formimin e Hafiz Ali Ulqinakut në medresenë e Ulqinit luajti mësuesi i tij myftiu Sali efendi Hylen, i cili luftoi për mbrojtjen e Ulqinit kundër ushtrive të Malit të Zi e të Turqisë në vitet 1876-77 dhe 1880. I edukuar të vinte atdheun mbi të gjitha, edhe Hafiz Ali Ulqinaku luftoi në të dy betejat për mbrojtjen e Ulqinit. Më pas, pas rënies së Ulqinit, dijet e tij në fushën e fesë, kulturës, edukatës patriotike, Hafiz Ali Ulqinaku do ti thellonte më tej gjatë mësimeve, aktivitetit dhe jetës që kaloi në Shkodër, ku u vendos familja e tij dhe mjaft ulqinakëve të tjerë. Një ndikim të madh pati dhe jeta e tij në Lezhë, ku gjeti një përkrahje të madhe nga banorët e asaj zone. Në Shkodër, tek Hafiz Ali Ulqinaku patën ndikime mësimet dhe përvojat e personaliteteve të shquara të kohës, si në fushën e fesë, ashtu dhe atë të kulturës e progresit si Daut Boriçi, Isuf Tabaku, Sheh Shamia etj. Një ndikim të jashtëzakonshëm tek ai patën dhe traditat, historia, kultura, qytetërimi i Shkodrës. Në vitin 1882 fillon punën si mësues i shkollës fillore të lagjes së vjetër "Dudas" të qytetit të Shkodrës. Vlen të theksohet se para emërimit të tij, Hafiz Ali Ulqinaku dërgoi autobiografinë e tij në Ministrinë e Arsimit të Turqisë, ku nuk fshihej aspak identiteti i tij kombëtar për hir të situatës, apo të një vendi pune. Në dokumentin historik të kohës, kërkesa e tij për të punuar mësues përmbante fjalët: “Gjuha ime asht shqipja, shkruaj e flas arabisht, turqisht e shqip". Në vitin 1884 e transferojnë në Lezhë si mësues dhe si imam. Personaliteti dhe njohuritë e tij ranë në sy të banorëve të Lezhës, të cilët propozuan për ta graduar me titullin, myfti i Lezhës. Autoriteti më i lartë fetar në Stamboll e miratoi këtë kërkesë në vitin 1889. Në vitin 1913, Hafiz Ali Ulqinaku ndërroi jetë në Lezhë, por u varros në Shkodër, ku ishte organizuar një ceremoni mbresëlënëse, në të cilën merrnin pjesë të gjithë banorët e Shkodrës. Studiuesit e shumtë e rendisin Hafiz Ali Ulqinakun ndër figurat më të ndritura në fushën e letërsisë, të gjuhësisë, të arsimit dhe të fesë. Në fushën e letërsisë, njihet sidomos për përkthimet me mjaft vlera. Në vitin 1873 në Ulqin përkthen në shqip Mevludin e shkruar nga poeti me famë Sulejman Çelepi nga Bursa e Turqisë. Ka përkthyer vargjet "Huda Rabbim" të dijetarit dhe filozofit turk Haki Erzurum. Përktheu dhe përshtati në vargje edhe disa njohuri fetare si një libër besimi i vogël. Të tria këto vepra u shtypën në Stamboll në vitin 1887 në një libër të vetëm. Duke qenë se këto përkthime në shqip ishin bërë në bazë të alfabetit arabo-turk të asaj kohe, në vitin 1936, i biri i tij Hafiz Seiti, kujdeset për daljen e ribotimit me alfabet shqip të Mevludit nën titullin "Mevludi Sherif".

Mevludi në shqip

Në moshën 23-vjeçare, Hafiz Ali Ulqinaku shkroi Mevludin në gjuhën shqipe. Vetë ai do të shënonte dhe qëllimet e shkrimit në shqip të Mevludit:

"Ngjuhën shqipe kam qëllim un me i tregue

Që kështu vllaznit sa do pak me përfitue",10

sepse .... Asht nji gjuh qi me kalem sasht kollanis".

Sipas studiuesve, Mevludi i Hafiz Ali Ulqinakut mbart vlera të mëdha edukative dhe estetike. Në këtë vepër zë një vend të rëndësishëm përsosmëria morale dhe shpirtërore që duhet të jetë si shembull për tu ndjekur nga i riu dhe i rrituri. Të shkruarit në shqip në atë kohë u binte ndesh rregullave të krijuara prej kohësh, ndaj dhe hasi kundërshti të mëdha. Pavarësisht kundërshtive ndaj Mevludit shqip të Hafiz Ali Ulqinakut, ai u përqafua dhe këndua brez pas brezi në të gjitha trevat veriore shqiptare. Mevludi i parë në këndvështrimin e një vepre letrare lexohet, por ajo edhe këndohet me një melodi të caktuar, që në zonën e Shkodrës ka pasur në themel tonet e këngës popullore shkodrane. Nga ana tjetër organizimi i festave popullore, ceremoniali i krijuar ka nxitur miqësinë, bashkimin popullor, mirëkuptimin, vëllazërimin dhe afrimin shpirtëror të njerëzve, ndaj Mevludi përmban dhe vlera të vyera etnografike. Vlerat e autorit rriten më tej kur vëzhgon se vepra e tij është shkruar në një periudhë, kur ai akoma nuk kishte rënë në kontakt me letërsinë e kultivuar shqipe. Një vlerësim të veçantë i jepet gjuhës shqipe të Hafiz Ali Ulqinakut dhe vetë atij si autor, nisur dhe nga fakti se shkrimi i një vepre fetare në gjuhën mëmë në ato vite nga një autor mysliman ishte një akt i shquar atdhetarie tepër i guximshëm, pasi perandoria turke nuk njihte kombësi, por fe.

Në luftë për të folur shqip

Në atë kohë banorët e perandorisë turke ndaheshin në myslimanë, romë e të krishterë. Banorët katolikë kishin mbrojtjen e Austrisë, ndaj sipas marrëveshjes me Turqinë e sipas Kushtetutës austriake mund të përdornin gjuhën amtare. Ndërsa në shkollat e fëmijëve të besimit mysliman, si dhe atyre ortodoks ishte e ndaluar gjuha shqipe, ndaj ndiqeshin e persekutoheshin mësuesit që guxonin të mësonin fëmijët në shqip. E parë në këtë situatë, guximi i Hafiz Ali Ulqinaku në luftën me armë kundër malazezëve dhe turqve për mbrojtjen e Ulqinit, u shpalos dhe në aktin e shkrimit të një vepre në gjuhën shqipe. Ndërkohë Hafiz Ali Ulqinaku mbeti i pavdekshëm në popull edhe në sajë të shprehjeve të tij, të cilat ruajtën vlerat e shprehjeve të urta popullore.

"Grat si trimat, trimat mu vesh porsi gratë,

Prishet gjith dynjaja, mbushet Me fesatë".24

"Vorri nuk njef kënd të madh, as padishah", "Ndash ta vrasin, ndash ta mbysin sdes gabim. "Mjer i shtrenjti, vet se ha as kujt sja jep.

Sipas studiuesve të gjuhësisë, Mevludi përcjell vlerat e kontributit të jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe nga ndikimet e gjuhës sllave sidomos në trevat shqiptare që iu aneksuan Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Njëkohësisht ky Mevlud ka ndikuar dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe tek shqiptarët që emigruan në vende të ndryshme të botës në Amerikë dhe Australi.

Kontributi në gjuhësi

-Në fushën e gjuhësisë Hafiz Aliu është i njohur dhe për hartimin e tre fjalorëve, turqisht-shqip në vargje, turqisht-shqip me rend alfabetik dhe shqip-turqisht, po me rend alfabetik.

Fjalorët të emërtuar që të tre me emrin e vendlindjes së tij “Ulqin” kanë së bashku 1334 faqe.

Hafiz Ali Ulqinaku është dhe hartues i një abetareje shqipe të shkruar me shkronja arabe. Abetarja fillon me alfabetin prej 40 shkronjash, 30 bashkëtingëllore dhe 10 zanore, të cilat i krijoi vetë. Ndërkohë në faqet e saj ka ushtrime për praktikimin e tyre. Abetarja nëpërmjet fjalëve jep edhe njohuri gramatikore, për mjedisin e nxënësve, për natyrën etj. Fjalorët dhe abetarja mbetën dorëshkrime. Botimi i tyre pengohej nga Stambolli që nuk donte abetare e fjalorë për gjuhën shqipe, sepse ata mbillnin farën e shqiptarizmës, të lirisë e të përparimit të vendit.

Të gjitha këto vepra Hafiz Ali Ulqinaku i punoi, ndërkohë që shquhej dhe për kryerjen perfekte të detyrave fetare, si hoxhë, si imam e si myfti. U shqua për zhvillimin me cilësi të riteve fetare, për predikimet, për drejtimin e vartësve e administrimin e shkollave fetare, për ngritjen e xhamisë në Lezhë në vitin 1909, për komunikimin me besimtarët, për sigurimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, të tolerancës e të harmonisë ndërfetare, duke krijuar një jehonë pozitive që ruhet e përmendet gojë më gojë edhe pas dekada vitesh. Autoritetin e lartë fetar, erudicionin në problemet teologjike dhe kompetencën e thellë të Hafizit Aliut janë vlerësuar me anë të një shkrese edhe nga ana e Kryemyftinisë së Stambollit në vitin 1900.

Në vitin 1994 Presidentit të Republikës, Sali Berisha, dekoroi Ali Ulqinakun (1853-1913) me medaljen "Për veprimtari patriotike" si aktivist i dalluar dhe luftëtar i Lidhjes së Prizrenit.