Eliot, vitet e pamundësive

"Nuk kam shkruar asgjë për 3 vjet rresht dhe shoh se të pakta janë gjasat që ta bëj një gjë të tillë. Krijimi i poezive të merr shumë kohë dhe sa për kohë, kam pasur gjithmonë fare pak"



Kjo fjali përmbledh thelbin e jetës së të famshmit TS Eliot gjatë tri viteve kur thuajse hoqi dorë nga krijimtaria, por jo nga të jetuarit në kuptimin e luftës së përditshme. Gjatë kësaj periudhe ai ishte shumë i zënë me një mijë gjëra të tjera, detyrime, telashe, drama. Një prej tyre ishte e shoqja, Vivien, një diplomate për filozofi në "Oksford", që vinte nga Amerika. Eliot dhe Vivien u martuan në qershor të vitit 1915, pak javë pasi ishin njohur. Në vitin 1923, disfata e kësaj martese sa vinte e po bëhej e dukshme për të gjitha palët. Vinien ishte shumë shëndetligë dhe shpesh situata e saj shëndetësore përkeqësohej në shkallë të fundit. Nuk është e qartë se deri në çfarë pike sëmundja e saj shkaktohej nga probleme të brendshme psikologjike, por kjo nuk kishte shumë rëndësi. I rëndësishëm dhe i rëndë ishte fakti i shfaqjes gjithnjë e më të shpeshtë të mungesës së qëndrueshmërisë mendore. Eliot kishte një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj së shoqes dhe fillimisht shqetësohej shumë për të, kujdesej dhe ia plotësonte me sa mundej të gjitha nevojat. Gruaja ishte vetëm një nga problemet e shumta. Një tjetër ishte edhe shkalla e shkëmbimit ndërkombëtar të monedhës, çështja e fondeve të jashtme të qeverisë dhe pagesat e borxheve të luftës. Eliot, duhet ta kujtojmë, me profesion ishte bankier. Që nga viti 1917 ai punonte në një bankë shumë të rëndësishme britanike, "Lloyd" dhe ishte graduar për punë të mirë në pozicione të rëndësishme dhe me përgjegjësi. Ai mbikëqyrte informacionin financiar në lidhje me aktivitetet e qeverive të Europës. Në vitin 1923, mundimi i jetës së tij të vështirë u bë i padurueshëm dhe pak nga pak puna në bankë dhe mundësia e të ardhurave dhe pensioneve të majme u bënë më të rëndësishme për të se sa shëndeti i bashkëshortes, ndërkaq e ardhmja e shëndetit të saj po bëhej përditë e më e turbullt. Ndërkaq, shqetësimet nuk përfundonin këtu. Veç të tjerash, atij i duhej që të shqetësohej edhe për "Criterion", revistën tremujore letrare që synonte të ishte në avangardë të letërsisë. Me të ai tentonte të merrej në kohën e lirë, të cilën në fakt nuk e kishte. Revista ishte publikuar për herë të parë në tetor të vitit 1922, e financuar nga Lady Rothermere, bashkëshortja e Harold Harmsworth, një viskont i famshëm britanik. Vetë Eliot aspironte që ta shndërronte këtë revistë në revistën më të rëndësishme letrare në vend, duke promovuar letërsinë moderne dhe publicistikën e ashtuquajtur reaksionare, por shumë shpejt e kuptoi se për të qenë një revistë e tillë, sasia e punës do të ishte e jashtëzakonshme. Ishte gjithmonë thuajse e pamundur që të respektonte afatet e publikimit, pasi të gjithë njerëzit e shquar që shkruanin për të ishin të zënë me punë të tjera dhe i vononin materialet. Elioti ishte njeriu që duhet të merrej me të gjitha, që nga gjetja e materialeve, ndarja e punëve, mbikëqyrja e shtypshkrimi, korrektimi e ndarja e pagesave, çka ishte një punë jashtëzakonisht e lodhshme dhe kërkonte shumë kohë. Në atë kohë u ankohej miqve të tij më të afërt se nuk kishte më fuqi që të vazhdonte, se ishte i lodhur, i ezauruar. Por momenti i tij më i zi ishte viti 1925, edhe pse siç do ta tregonte koha, momentet me të vërtetë të errëta ende nuk i kishin ardhur. "Jeta pra qenka minutë pas minute një tmerr", i shkruante ai Virxhinia Vulfit. Ajo që vlen të përmendet është se gjatë gjithë kësaj periudhe të errët, të ngarkuar e të paqartë, poeti, që konsiderohet si më i madhi i shekullit të kaluar, nuk hodhi në letër asnjë varg. Megjithëse vargjet e tij janë të vështira "për t‘u tretur nga stomaku" i të gjithë lexuesve. Një muaj më parë ai u konsiderua si poeti më i mirë i gjuhës angleze, çka tregon se tashmë shumë njerëz janë në gjendje që ta kuptojnë, ta perceptojnë dhe ta ndiejnë mesazhin e tij.
Elioti ishte një personazh kompleks dhe për lexuesit e admiruesit e veprave të tij ka pasur rëndësi të madhe jo vetëm poezia, por edhe vetë jeta e tij. Sepse jeta është pjesë e veprës. Kështu që janë me interes përjetimet e tij të ankthta për vendimet e rëndësishme që mori në jetë, si ndarjen nga bashkëshortja e tij Vivien, dhe së dyti vendimi për ta çuar atë në një sanatorium për t‘u kuruar. Përgjegjësia që ai për një kohë të gjatë pati për shëndetin e së shoqes, atë mendor dhe fizik, është pasqyruar edhe në një film të vitit 1984, "Tom dhe Viv". Së fundmi, në Britaninë e Madhe është botuar një vëllim me letrat e Eliot gjatë njërës prej periudhave më të vështira të jetës së tij, pra mes viteve 1922-1925. Ky vëllim hedh ditë mbi mendimet dhe perceptimet e të madhit të lerave dhe mbi të gjitha nënvizon edhe një anë të panjohur të krijimtarisë së tij, atë të kritikës letrare, zhanër të cilit iu dha me vrull, sidomos me botimin e librit "Druri i shenjtë", një vëllim me kritikë letrare dhe ese, që u shndërrua në një vepër autoritare dhe me shumë ndikim. Megjithatë jeta e një poeti, edhe pse mund të mendohet se është jeta e një njeriu që jeton mes resh dhe tokës, ka tiparet e zakonshme të një ekzistence njerëzore. Ajo është e mbushur me turbullira, momente vetmie e dramash personale, që shumë rrallë bëhen pjesë e publikut. Veçanërisht bëhet fjalë për dramat ku përfshihen ndjenjat, dhimbjet, ëndrrat dhe pamundësia për të realizuar atë që dëshiron dhe ke planifikuar. Në vëllim ka pjesë shumë interesante që i kushtohen punës së tij si drejtues i revistës letrare, gjithë përpjekjet personale dhe kolektive për të nxjerrë në treg një vlerë, e nga ana tjetër gjithë andrallat e një pune të tillë me vonesat e botimeve, orët e gjata të korrigjimit të materialeve, grindjet me shkrimtarët apo kritikët e ndryshëm që kishin pretendime për botimin dhe pagën, si dhe shumë sfilitje të këtij lloji, të njohura vetëm nga ata që merren me konceptimin dhe organizimin e një reviste, apo organi të shtypit. Mbi të gjitha del në pah fakti se Eliot i kishte shumë të qarta idetë në lidhje me llojin e botimit që donte të nxirrte në treg. Për sa i përket revistës "Criterion", edhe pse nuk ishte një revistë që fokusohej te politika, ajo kishte një qëndrim shumë të përcaktuar në rastet kur vendoste që të prekte çështjet politike. Ajo ishte armiqësore ndaj të gjitha formave të liberalizmit, romanticizmit dhe subjektivizmit. Eliot preferonte "klasicizmin". Në përpjekjen e tij për të gjetur një balancë për revistën, Eliot tentonte që t‘i vinte gjërat në peshore. Nga njëra anë donte të botonte vetëm materiale shumë cilësore të personave që nuk ishin shumë të famshëm, nga ana tjetër donte edhe shkrime të atyre që kishin bërë emër dhe bënin opinion. Kjo do të thoshte që ndonjëherë i duhej të bënte kompromis për të pranuar punë që ndoshta nuk ishin shumë cilësore për hir të emrit dhe balancës. Një tjetër aspekt i punës së tij në revistë ishte edhe ai i vendosjes së pagesave për secilin nga kontribuuesit. Në raste të tilla ai ishte shumë i vëmendshëm dhe i kursyer dhe toleronte vetëm në rastet e emrave jashtëzakonisht të famshëm, si Ezra Pound, Virginia Woolf, apo WB Yeats. Interesante janë edhe marrëdhëniet e Eliot me të ngjashmit e tij, pra me emrat e sipërpërmendur. Ndërsa Yeats-in e adhuronte për veprën e tij, me shoqen dhe hera-herës kolegen, Woolf, ndante shpesh edhe mendime antagoniste dhe madje edhe një farë rivaliteti të heshtur. Të gjitha këto veprimtari Eliot i bënte ndërsa punonte edhe në bankë. Por më në fund ai vendosi që ta braktiste "Lloyd‘s", për të pranuar ofertën e një firme botuese që do të merrej edhe me botimin e veprave të tij. Kjo shtëpi botuese nxori më pas vëllimin e famshëm të Eliot, "Toka e humbur". Megjithatë duhet thënë se me "Criterion" Eliot shënoi një sukses të madh dhe kjo revistë ishte një kontribut i jashtëzakonshëm në botën letrare të kohës, jo vetëm britanike, por edhe më gjerë. Në numrat e revistës shkruan penat më të spikatura të poezisë, prozës dhe kritikës letrare dhe kjo e bëri atë një zë autoritar. Vetëm një gjë nuk arriti dot Eliot që ta ndryshonte dhe ky ishte tirazhi i saj, që nuk i kaloi kurrë të 800 kopjet.
Për sa i përket librit të letrave të Eliot, ai përmban edhe vetëkritika në lidhje me punët e bëra. Kështu, ai mendon se në njërën prej veprave të tij më të shquara, "Toka e humbur", vetëm 30 vargje janë me vlerë, apo mendimi për prozën e tij se ajo shpesh "vërshohet nga një pompozitet reumatizmal". Ndër to ka edhe fraza në lidhje me mendimet e tij për letërsinë dhe poezinë si: "Një varg i mirë vlerësohet vetëm pas 5 vitesh, ndërsa një kritikë e mirë letrare dallohet menjëherë. Publiku i kultivuar preferon kritikën në vend të librit krijues". Në vëllim zënë vend edhe korrespondencat e tij me të ëmën dhe të vëllain, në të cilat del qartë se përveçse njeri me zemër, ai ishte edhe një biznesmen në kuptimin e vërtetë të fjalës. Eliot ishte ndër të tjera edhe një person i pasur me strategji vetëmbrojtëse, një kameleon i kamufluar dhe që adaptohej shumë shpejt. Dikush e ka krahasuar poetin me një kompani të tërë aktorësh që përmblidheshin në një njeri të vetëm. Ndoshta Eliot ishte i tillë falë jetës dhe zgjedhjeve që bëri gjatë saj, profesionit, përkushtimit për një kohë të gjatë ndaj një njeriu të sëmurë, dhe sfidave letrare e menaxheriale. Gjithë ky impenjim kërkonte shumë forcë dhe shpesh edhe fshehje e tjetërsim për hir të mbijetesës apo vazhdimësisë. Në vëllim jepen vetëm lerat e Eliotit, jo korrespondenca e plotë, pra përgjigjet e letrave të tij. Në fund janë dy letra të bashkëshortes fatkeqe të poetit. Bëhet fjalë për dy letra të shkruara bukur, por që përcjellin dëshpërim dhe errësirë. Letrën e parë Vivien ia dërgon shërbëtores së shtëpisë së saj, gjatë periudhës kur e kishin çuar për t‘u kuruar në sanatorium. Aty shpreh mungesën e dëshirës për të jetuar në një vend në të cilin nuk dëshironte që të qëndronte për asnjë minutë dhe ankthin për të gjetur sa më parë një rrugëzgjidhje. Ndërsa letra e dytë i dërgohet Eliotit. Është një letër e nisur me qetësi, por që shumë shpejt shndërrohet në një letër plot me fjalë të rënda, të shkruara me një shkrim që nuk kuptohet, të paqartë dhe me shumë shenja pikësimi. Nga fundi ajo shpërthen në një kërkesë të dëshpëruar për falje: "Më vjen keq që të kam torturuar dhe të kam bërë thuajse të çmendur. Nuk e kisha idenë deri dje pasdite se çfarë të kisha shkaktuar me të vërtetë. Kam qenë dhe jam një e çmendur. Ti nuk duhet të shqetësohesh më për mua". Por megjithatë Elioti vazhdoi për shumë kohë të shqetësohej dhe kujdesej për Vivienin, madje pa pushim. I ndodhur mes dy çmendurish, asaj të së shoqes dhe të fluksit të madh të punëve, krijimtarisë dhe biznesit, i madhi i poezisë u përpoq të ruajë një ekuilibër për të shpëtuar vetë nga një marri e sigurt.