MIRA MEKSI
Nobelistit Saramago politika i kërkon të heqë dorë nga kombësia portugeze
“Ka edhe nga ata që
më quajnë kurajoz”,
thotë Saramago.
“Por kjo ndodh sepse
nuk ekzistojnë më
turrat e druve të
inkuizicionit dhe mund
të mbështetem në lirinë
e shprehjes.” Asgjë
nuk ia mbyll gojën
intelektualit Saramago,
që ka opinione
radikale: një ditë
thërret për rrezikun e
“rishfaqjes së fashizmit
në Europë”, një ditë
tjetër armatoset kundër
“neomesjetarizmit
universal” të
Benediktit XVI
Më 23 tetor të këtij viti, në Oviedo
të Spanjës, me rastin e marrjes së
çmimit “Princi i Asturias” për letërsinë,
shkrimtari Ismail Kadare, në
fjalën e tij, midis të tjerash, tha: “...Në qoftë se
e pranojmë botën e letërsisë dhe arteve si botë
paralele, referenciale, kemi pranuar se ajo është
një botë rivale. Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse
rivaliteti çon zakonisht në konflikt, duam apo
s’duam do të pranojmë se midis këtyre dy botëve,
jetës dhe artit, do të ketë konflikt. Dhe konflikt
ka. Herë të shpallur, herë të pashpallur. Në këtë
përballje, bota reale ka armët e saj kundër artit:
censurën, doktrinat, burgjet. Arti gjithashtu ka
mjetet e tij, fortesat, veglat, së fundi, armët e tij,
shumica të fshehta. Bota reale qëllon të jetë e
pamëshirshme, mizore. Arti gjithashtu nuk është
një engjëll dhe mund të jetë i pamëshirshëm,
mizor. Një poet romantik gjerman i përfytyronte
tercinat e Dante Aligerit herë si heshta kërcënuese
e herë si vegla torture për ndërgjegjet e
rënduara nga krimi”. Dhe
më tej: “Ka shumë dallime
midis tyre, por ka një dallim
kolosal, që qëndron mbi
gjithë të tjerat. Dallimi është
ky: ndërsa në konfliktin e saj
me artin bota reale qëllon që
acarohet aq fort saqë turret
ta shkatërrojë artin, në asnjë
rast, e përsëris, në asnjë
rast letërsia dhe arti nuk e
sulmojnë jetën reale, për ta
dëmtuar, por përkundrazi,
luftojnë që ta bëjnë më të
bukur, më të jetueshme…”
Pothuaj një javë përpara
kësaj fjale, që, me sa duket,
nga ç’do të parashtrojmë më
poshtë, ish e shënjuar edhe
të yshtte “të keqen” që bota
reale do të përpiqej t’i bënte
botës së artit, më 15 tetor
doli në treg në Portugali nga
shtëpia botuese Caminho,
dhe në Spanjë dhe Amerikën
Latine nën shenjën
e Alfaguara-s, romani më
i fundit i nobelistit (1998)
portugez José Saramago,
Kaini. Nobelisti 87-vjeçar
kishte zgjedhur Panairin e
Librit në Frankfurt për t’i
dhënë “flatra” Kainit të tij, -
rrëfeu se kishte shumë vite
që mendonte për të, porse
ishte ulur që ta shkruante
veç në dhjetor 2008: shkrimi i pati marrë vetëm
4 muaj. “Qe si një lloj transi”, shpjegon ai, “nuk
më pati ndodhur kurrë, të paktën jo me këtë lloj
intensiteti, me këtë forcë”. Sipas autorit, ky është
libri më me humor që ka shkruar ndonjëherë,
porse, jo për të gjithë është i tillë. Në të vërtetë,
romani Kaini është një rishkrim, ala Saramago,
ironik dhe provokativ i një kapitulli të Biblës, -
çka ka shkaktuar në vendin e tij një polemikë të
ngjashme me atë që e detyroi autorin të shkonte
syrgjyn në Canaries më 1991, pas botimit të romanit
të tij Ungjilli sipas Jezu Krishtit. Asokohe,
Kisha dhe një pjesë e mirë e shoqërisë portugeze
u shokuan nga ky Krisht, të cilin shkrimtari i
vishte një aventurë dashurore me Maria Magdalenën.
“Kësaj here”, thotë Jean-Jacques Bozonnet
në një shkrim të tij në Le Monde, “Saramago e ka
ngjyer penën në Dhjatën e Vjetër, për të rivizituar
vëllavrasësin e famshëm. Shkrimtari nuk e shpëlan
nga faji, por i gjen shumë rrethana lehtësuese.
Kështu, për shembull, meqenëse Zoti shfaq
padrejtësisht preferencën e tij për Abelin, i bie të
ketë goxha përgjegjësi në këtë çështje, vlerëson
shkrimtari: “Kaini ndihet i poshtëruar nga Zoti
dhe ai vret të vëllanë ngaqë nuk ka mundësi të
vrasë Zotin”. Saramago rrëfen në roman për një
Bibël të dominuar nga dhuna dhe seksi, dhe nuk
mënon të kthejë në qesharakë pasazhe të tëra,
si ai i engjëllit të dërguar prej Zotit në minutën
e fundit për të ndalur dorën e Abrahamit, por
që mbërrin shumë vonë për të shpëtuar birin…
për shkak të një defekti në flatrën e djathtë. Asgjë
nga këto nuk mundte, sigurisht, t’i pëlqente
hierarkisë katolike dhe vlerëmohuesve të tij të
përhershëm, porse “rizgjimi i vërtetë i mllefeve
të vjetra” ndodhi pikërisht kur shkrimtari, i ftuar
nderi në Festivalin e Librit në Penfiel, pranë
Porto-s, pohoi se Bibla është “një përmbledhje
zakonesh të këqija” dhe “një katalog mizorish.”
Zëdhënësi i Konfederatës episkopale portugeze,
Manuel Morujao, e akuzoi se kishte fyer katolikët
vetëm e vetëm për të bërë publicitet. Rabini i Lisbonës,
Eliezer di Martino, ka vënë në shënjestër
interpretimin që i bën Jose Saramago-ja Dhjatës
së Vjetër. Nga ana e tij, teologu katolik Joaquim
Carreira de Neves ka shprehur keqardhjen që
një “gjeni i letërsisë” nuk di ta lexojë Biblën si
një “libër kulture”, porse i merr disa pasazhe
fjalëpërfjalshëm. “Kisha katolike do të dëshironte
të vendoste nga një teolog pas çdo lexuesi të
Biblës për të shpjeguar se gjithçka që ai po lexon
duhet interpretuar në mënyrë simbolike”, u
është përgjigjur këtyre sulmeve shkrimtari në një
konferencë shtypi. “Në Bibël ka mizori, incest,
dhunë të të gjitha llojeve, kasaphanë. Kjo është e
pakundërshtueshme, por mjafton që të dalë prej
gojës sime, që të ndizet polemika.” Dhe duke i
hedhur pothuaj benzinë zjarrit, ka shtuar se Zoti
i Biblës “nuk është i denjë për besim.” E më pas,
në një intervistë në të përditshmen spanjolle La
Vanguardia ka shtuar: “Njerëzit e ndërtuan Zotin
sipas imazhit dhe shëmbëlltyrës së tyre, andaj
edhe ai është kaq mizor, i lig dhe hakmarrës.”
Shkrimtari 87-vjeçar nuk lodhet duke lëshuar
kunja ndaj zgjimit të mërive të vjetra kundër
tij: “Jam një person që provokoj antikorpe te
shumë njerëz, por nuk e vras mendjen për këtë.”
Botuesi i tij Caminho, i dëshpëruar që polemika
ka shkuar kaq larg, shprehet se Saramago nuk ka
nevojë për publicitet. Ndërsa një eurodeputet
portugez konservator, Mario David, i ka kërkuar
nobelistit të heqë dorë nga kombësia portugeze
“përpara një turpi të tillë.” “Ka edhe nga ata që
më quajnë kurajoz”, thotë Saramago. “Por kjo
ndodh sepse nuk ekzistojnë më turrat e druve
të inkuizicionit dhe mund të mbështetem në
lirinë e shprehjes.” Asgjë nuk ia mbyll gojën
intelektualit Saramago, që ka opinione radikale:
një ditë thërret për rrezikun e “rishfaqjes së
fashizmit në Europë”, një ditë tjetër armatoset
kundër “neomesjetarizmit universal” të Benediktit
XVI. Prej muajsh ka vënë në shënjestër
Berlusconi-n, Kryeministrin e Italisë; ka shkruar
një sërë artikujsh në El Pais, si “Berlusconi është
fashizmi me kravatë Armani”, BERLUSCONI &
CIA, apo “Gjësendi Berlusconi”, ku pasi e quan
delicuente Il Cavaliere-n, thotë se ai është “një
virus që kërcënon të jetë vdekja morale e vendit
të Verdit”. Këto kohë, shtëpia botuese “Einaudi”
në Itali, pronë e Berlusconi-t, nuk ka pranuar të
botojë librin e Saramagos El Cuaderno (Fletorja),
ku janë përmbledhur esetë e muajve të fundit
të hedhura në Blog-un e tij dhe ku gjenden
edhe shkrimet kundër Berlusconi-t. Së fundmi,
Saramago-ja u ka thënë një fjalë të “mirë” atyre
që janë skandalizuar nga Kaini i tij; njëlloj si dikur
Borges-i, ai është shprehur: “Bibla ka diçka të
admirueshme, nga këndvështrimi letrar.”
Dy botët për të cilat flet Kadareja, bota reale
dhe bota e artit janë botë rivale dhe në konflikt
të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, porse, që ky
konflikt të mos shpjerë në përleshje të rënda
dhe me pasoja të paparashikuara, është më se
e rëndësishme të kuptohet se letërsia mbart
gjithnjë një përmasë të mirëfilltë kozmologjike;
pavarësisht se elementet kozmologjike
mund të përftohen apo të huazohen nga bota
e përditshme, bota që del në dritë nga krijimi
letrar është krejt tjetër nga ajo e përditshmja;
mund të jetë, me fort gjasa, porse jo gjithmonë,
një botë paralele, çka mund të konsiderohet si
lidhja më e madhe që mund të ekzistojë mes
dy botëve; por edhe në këtë rast, ligjësitë nga të
cilat udhëhiqet si njëra, ashtu edhe tjetra, janë
të ndryshme, dhe u përkasin dy sistemeve krejt
të ndryshme. Prej këtu, nëse në botën reale ka
ekzistuar një Budë apo një Krisht, apo një Hitler,
kush na siguron se nuk mund të gjejmë syresh
edhe në këtë botën “paralele” të botës reale, në
botën e krijimit letrar? Nëse ekzistojnë edhe në
këtë botë, kjo nuk duhet të na shtyjë që t’i shohim
Budën, Krishtin apo Hitlerin e saj të njëjtë dhe të
interpretueshëm sipas të njëjta ligjësive të botës
së përditshme; në kahe të kundërt, me të njëjtën
logjikë, duhet të interpretonim kësisoj edhe Bagdadin
e qilimit fluturues, apo të kalit fluturues
me parametrat dhe ligjësitë interpretative të
realitetit tonë të përditshëm, të botës reale, më
konkretisht, të Bagdadit të sotëm...





