Dritëroi Agolli: “Ja pse rrashë brenda me Sadijen”

Petrika GROSI

Ka një lidhje 46-vjeçare, të mbushur me momente të bukura e të vështira, duke qenë shpesh në qendër të vëmendjes, politikës, debateve e thashethemeve të njerëzve e të mediave, duke udhëhequr mendimin letrar e politik në kohë të caktuara... Duke i kënduar natyrës e më pas duke e shijuar atë, duke i kënduar dashurisë e duke shkruar dhe kënduar për të... Po si lindi kjo dashuri që do të zgjaste për vite të tëra me këtë bashkëjetesë 46-vjeçare me në krah bashkëshorten e tij të sotme dhe çfarë e shtyu shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, që ta Sadijen për shoqen e tij të jetës? Cila është filozofia dhe koncepti për dashurinë, jetën, gruan, bashkëjetesën dhe martesën për lirikut e njohur që në të vërtetë nuk është aspak tip romantik? Të gjitha këtyre pyetjeve mundohemi t’i japim përgjigje nëpërmjet intervistës që vijon, për të cilën u nisëm nga Tirana drejt Tushemishtit, në Pogradec, ku çifti Agolli bashkë me mbesën e tyre po kalojnë pushimet verore sivjet.

Ndërsa Sadija thotë se te ju dashuroi burrin, çfarë dashuroi Dritëroi Agolli te gruaja e tij?
Dashuria nuk ka për kryesore tërheqjen e jashtme por bashkimin e shpirtit të njërit me shpirtin e tjetrit. Kur shpirtërat bëhen njësh të dy, atëherë dashuria është e plotë. Dashuria nuk është problemi i seksit që shikon një femër të bukur dhe thua: “Ah sikur të flej një herë me këtë, e mbase e bëj edhe grua...” Por, ka edhe të përbashkëta nga rinia jonë me këtë të tanishmen; njeriu i pamartuar, që do të gjejë shoqen e jetës, në atë kohë mendohej më shumë. Takonim e rrinim me gra, shokë e shoqe të ndryshme, njihnim shumë por natyrisht, nuk martoheshim me të gjitha... Kështu, vet e zgjodha atë që më pëlqente dhe që afrohej shpirtërisht me mua por edhe që ishte e bukur. Ne kemi filozofinë që të gjesh një shoqe të mirë dhe të jetosh gjatë derisa të vdesësh me atë, por filozofia e përgjithshme dhe dashuria kanë ca ndryshime. Gruaja që do të marrësh duhet të të pëlqejë edhe nga ana e jashtme, se nuk mund të flesh me një lugat apo jo? Nuk mund të flesh as me një hundëmadhe që e ka hundën si hunda ime... Mund të jetë një grua shumë e zgjuar, që në 100 vjet të bëjë 100 romane por kjo nuk mjafton. Gruaja duhet të ketë nje pamje të mirë dhe të jetë e dashur që të të tërheqë. Pastaj ti e shikon që sjelljet, shpirti i saj, afrohen me dëshirat e tua, me filozofinë tënde e me gjithë të tjerat. Fjala vjen, shtëpia jonë ka qenë një shtëpi që ruante traditat e hershme dhe i mbante dyert të hapura për njerëzit. Unë kisha shumë miq, shokë e të njohur nëpër fshatra, deri te miqtë e miqve të mi. Kur këta vinin në qytet, doemos do të vinin në shtëpinë tonë dhe Sadija nuk përtonte t’i priste ashtu si unë, me fisnikëri e dashuri, që ata ta ndjenin veten të lirë si në shtëpitë e tyre. As atëherë e as tani, kur në shtëpinë tonë të paktën 4-5 veta në ditë do të vinë, gruaja nuk është mërzitur dhe nuk ka përtuar asnjëherë. Sadija nuk ishte transplantuar për t’u përshtatur me familjen time por qe pjesë e organizmit.

A i bëje provokime Sadijes gjatë njohes tuaj për ta kuptuar atë më mirë?
Nuk bëja provokime. Që në fillim më pëlqente dhe flisja normalisht.

Kur një burrë vendos që të martohet me një grua, thonë se ky çast është pak mister, pra, i pashpjegueshëm. Ju si mendoni?
Njeriu është kozmos në përgjithësi, por kur ti vendos që do të bashkohesh me njërën, anët pozitive apo negative të asaj që do të bashkohesh dalin dalëngadalë dhe nuk zbulohen menjëherë. Bile, e mira është që gjithnjë te gruaja jote apo tek e dashura, të gjesh një gjë të re si në një roman që saherë ta lexosh zbulon diçka që nuk e dije. Ky është sekreti që e bën dashurinë të zgjasë sepse po i zbulove të gjitha njëherësh, gjithçka përsëritet nga dita në ditë e nga viti në vit dhe humb kurioziteti bashkë me interesin. Jetëgjatësia e dashurisë dhe e bashkimit të një gruaje me një burrë është zbulimi i gjërave të reja. Mund të zbulosh një mirësi të re, mund të zbulosh një ëmbëlsi të madhe, por papritur zbulon edhe një inat që s’ta priste mendja dhe edhe kjo është një gjë shumë tërheqëse. Nëse kthehet në monotone, gjithnjë po me ato gjëra, jeta nuk ka kuptim. E gjitha kjo është njësoj si të hedhësh një gur në liqen apo një pikë uji mbi ujë. Aty do të hapet një valë e vogël, e cila dalëngadalë zmadhohet në trajtë rrethore derisa bëhet valë e madhe. Nëse guri bie në këtë liqen apo pellg me ujë dhe nuk bën asnjë valë, atëherë çfarë interesi ka e gjitha kjo? Ana tjetër është që të dy bashkëshortët duhet të shfaqen sa më të natyrshëm në gëzimet e jetës dhe të mos jenë artificialë. Gjithashtu, humori duhet mbajtur gjallë.

A mund t’i thuhen njeriut që dashuron të gjitha gjërat që ti bën dhe që mendon?
Të gjitha gjërat nuk mundet t’i thotë njeriu, sepse as vetes së tij nuk ja thotë. Ai duhet të thotë një të vërtetë të përgjithshme, aq sa e lejon rrethana. Një herë, takova në mbrëmje një njeri të panjohur rrugës, që vinte nga Malësia. Gjatë rrugës e pyesja “...more, çfarë bën, si je, nga je etj...”
-Ja, tha, kam ardhur po s’gjej dot hotel se vajta te hotel “Vjosa” dhe nuk kishte vend.
-E njoh unë, atë të hotelit, i thashë, ndaj ajde të shkojmë bashkë.
Shkuam dhe më thanë se nuk kishte asnjë vend. E ftova të vinte në shtëpi burrin pasi nuk kisha si ta lija të flinte jashtë. Kështu ai erdhi në shtëpi. Aty ishte nëna, Sadija dhe të tjerët.
-Ky është një miku im, u thashë dhe sot do të flerë këtu.
Ia bëmë të gjitha të mirat atij. Nëna kishte një gjysmë pule dhe ja nxorri. Në atë kohë punoja në gazetën “Zëri i popullit”. Mirëpo pastaj mendova se ky i panjohur mund të ishte ndonjeri që kishte probleme me pushtetin, mund të ishte ndonjë hajdut, ndonjë që ka ikur nga burgu, apo ndonjë që ka lidhje me agjentura të huaja... Këto nuk i mendova shumë në momentin kur e mora të panjohurin me vete se atë çast thashë le të dalë ku të dalë.
Më tepër se merak isha dhe shumë kurioz. Prita deri në mëngjes dhe kur ai ishte ngritur për të shkuar në banjë hyra në dhomën e këtij të panjohuri që e kisha marrë të flinte në shtëpinë time.
Pashë se kishte lënë te komoja e madhe në mes të dhomës, mes të tjerave edhe një kobure. Në këtë moment u qetësova se mendova që duhej të ishte njeri i besuar pasi nuk mund të guxonte që të mbante armë me vete në atë kohë një njeri që nuk e kishte në rregull me pushtetin. Pas pak vitesh, në 1968-n, në një udhëtim që bëri Enver Hoxha në Shqipërinë e Veriut, në mitingun e Kukësit më del edhe ky miku. Unë isha me një ekip të tërë dhe mbaja shënime për të bërë reportazhe mbi Enver Hoxhën. Nga turma del një njeri e më thotë “tungjatjeta”.
-Unë këtej matanë Drinit e kam shtëpinë. Do të vish me mua në shtëpi se më ke bërë një nder që asnjeri tjetër s’ma ka bërë deri më sot. Jam këtej, tha, nga një fshat afër Hasit. Ajde shkojmë të flejmë sot në shtëpinë time!
Por unë nuk pranova: -Po jo bre, i thashë, unë jam gazetar dhe po mbaj shënime se do të shkruaj për Enver Hoxhën.
E pra, është e vërtetë ajo thënja që mali me malin nuk takohen...

Nuk ju shqetësoi puna e kobures?
Ky njeri ishte një malësor që jetonte pranë kufirit dhe mbante armë. E kisha të qartë këtë gjë ndaj nuk u frikësova.

Atë kohë sapo ishit martuar apo jo?
Po dhe Sadija tregoi atëherë e më pas, se ishte grua dhe shoqe në problemet e fëmijëve, ndihmës të njerëzve në nevojë, mosprishjes së miqësive etj., e po kështu edhe unë në dashurinë me të dhe në sjelljen time me prindërit e Sadijes. Mund të marrësh një grua që të mos dojë ansjë nga farefisi yt por ajo nuk është jetë!

Ju ka pëlqyer familja patriarkale
Një djalë kam dhe shtëpia është e madhe, me 4-5 dhoma. Duhet që vet ai të përpiqet e të luftojë siç bëra unë. Jam plak dhe jo biznesmen, pastaj nuk e kemi qejf vetminë dhe jemi njerëz socialë, me miqësira e shoqëri të mëdha. Nëse do të nisem nëpër fshatra tani, në Mokërr, Goropar, Devoll apo në vende të tjera të fushës së Korçës, ju siguroj se duhet të rri pesë vjet vetëm duke më pritur miqtë. Me Sadijen kemi shkuar gjithandej nëpër Shqipëri, madje deri në Kërnajë, përtej Tropojës, në atë zonë që quhet “Bjeshkët e Namuna”. Bashkë kemi qenë edhe jashtë vendit, në Francë, Itali, Turqi, Gjermani, Rusi, Zvicër e Amerikë, vetëm në Kinë që nuk kemi qenë bashkë. Nuk isha egoist, që të ikja vetëm e ta lija Sadijen këtu. Bile, i kam vënë kusht edhe të tjerëve, që kur më ftonin, të shkoja i shoqëruar. Pra, udhëtimet, sa herë që kishim mundësi i kryenim së bashku, por jo gjithmonë, kuptohet.

Udhëtonit shumë si gazetar?
Me makinën e shkrimit me vete, ikja në shërbim. Dilja mblidhja informacione e mbaja shënime në fletë dhe pastaj kthehesha dhe shkruaja artikullin. Ishte shumë më e vështirë se sa të punosh me kompjuter sot.

A ju vjen keq që mungonte kaq shumë liria në atë kohë?
Nëse ka shtet nuk ka liri të plotë. Kur të mos ketë shtet, atëherë do të jetë liri e plotë. Kur doli njeriu nga majmuni ishte i lirë. Pastaj, kur filloi prona, ndarja e gjërave (kjo është e imja dhe kjo e jotja...) njeriu e humbi lirinë. Kur të mos ketë pronë do të ketë liri.

Sipas Sadijes, Dritëro Agolli nuk ka qenë shumë tip romantiku, pse?
Romantizmin varet si ta kuptosh. Çdo njeri e ka një bërrthamë romantike. Fjala vjen, shikon këto lulet që kemi para ne dhe thua: “Sa të bukura janë këto lule!” Edhe kjo është një shprehje romantike. Romantika te njeriu jeton gjithmonë, ndërsa romantizmi është rrymë që edhe del nga moda. Ajo që nuk desha unë ishte romantika e stisur, e trilluar, për të qenë i bukur, për ta bërë një femër për vete duke i thënë që unë jam poeti më i madh etj.
E pra, këtë nuk e kam pasur kurrë. E pëlqej një gjë vërtet dhe them: “Më pëlqen një lepur, kam qejf ta zë për veshi...”
Trillimi është armiku im më i madh. Po ta shohësh, edhe në shkrime apo intervistat që kam bërë, asnjëherë nuk kam qenë i shtirur. I kam thënë të metat edhe të partive ku nuk jam, edhe të metat e asaj partie ku jam. Në Kongresin X të Partisë së Punës fola dhe mu ngritën të tjerët kundra...

Sa ka qenë i vështirë për ju, momenti i diskutimit në Kongresin X të PPSH-së, pra, si i mbani mend ato ditë?
Sa u dha raporti në Kongresin X të Partisë së Punës (8-12 qershor 1991) erdha në shtëpi dhe nuk thashë asnjë fjalë. Shkova të flija gjumë dhe i thashë Sadijes që, kushdo që të më merrte në telefon nuk isha në shtëpi. E kisha si zakon të flija ditën. U zgjova nga ora 7 dhe bisedova me Sadijen. I thashë se ata nuk e kuptonin që kishte ardhur koha e pluralizmit dhe gjërat duhet të ndryshonin. Do të shkruaja diskutimin tim dhe deri natën vonë ndenjëm zgjuar. Unë shkruaja, Sadija daktilografonte. Pasi e mbajta diskutimin e kuptova se nuk po më jepnin të drejtë. Kishte shumë fanatikë. Megjithatë, Misto Treska, Petro Lalaj, Moikom Zeqo dhe Qamil Buxheli më mbështetën, ndërkohë që të tjerët më bënin letra nga më të ndryshmet, ku më kujtonin të gjitha të mirat që kishte bërë Partia e Punës për mua.


Dritëro Agolli: “Më vinte turp të bëhesha dhëndër!”


EKSKLUZIVE II/ Vazhdon rrëfimi i Dritëro dhe Sadije Agollit

Petrika GROSI
Ndonëse gazetar dhe poet i afirmuar që në rininë e vet, ai ka qenë edhe i turpshëm, madje, siç i kujton Dritëroi ato ditë, një dhëndër aq turpanik sa i vinte rëndë që të bënte celebrimet e të martohej. Në intervistën e sotme, që vijon nga numri i djeshëm, shkrimtari Dritëro Agolli flet për detaje të tjera, të pathëna më parë sa i takon lidhjes së tij me Sadijen, rivalitetin që shkrimtari i madh ka pasur me meshkujt e tjerë për këtë femër, konceptin e tij mbi romantizmin dhe të qenurit romantik, dashurinë në kohët e sotme dhe ato të djeshme. Dhe, biseda kalon natyrshëm nga problemet dhe mendësia e asokohe drejt të sotshmes, te problemet që lidhen me ndalimin e mbulimit të grave myslimane nëpër shkolla me shami e me ferexhe, për ta mbyllur me filozofinë e tij të jetës e të pritavdekjes, materjen dhe shndërrimin e saj, vazhdimisht në forma e trajta të reja, pas një cikli të caktuar jetësor... Dritëroi nuk beson në Zot, por kjo nuk do të thotë se nuk beson te shndërrimi i njeriut pas vdekjes; në bar, lule, pemë apo në ndonjë gjë tjetër.

A reflektuat gjatë për guximin që morët para se të dilnit me fjalimin tuaj në Kongresin X të PPSh-së?
E kisha menduar prej kohësh atë punë dhe vendosa se duhet të sakrifikoja dhe ta thosha. Në fakt, nuk qe e lehtë për t’u përballuar; duhej të ishe një hero. Ishte Kongresi X i Partisë së Punës dhe në këtë kongres u ndërrua edhe emri i Partisë.

Sadija thotë se jeni tip i mbyllur. Si ka mundësi që gjithmonë gjërat i keni mbajtur përbenda sado të vështira që ishin?
E kam pasur dhe e kam këtë gjë si parim. Nuk dua t’i mërzit të tjerët. Ka probleme që ndonjëherë ja them Sadijes pas një viti. As sëmundjen nuk e tregoj. Ja një histori pak komike që m’u kujtua; Sadija ishte në konviktin e vajzave në Universitetin e Tiranës për filologji. Aty ishte një roje, një portier, të cilit i thesha ta lajmëronte Sadijen që të dilte. I tregoja atij historira të ndryshme, që nga kohërat e lashta, e shumë të tjera, pasi ishte shumë kurioz dhe më pyeste. Më pas, roja, kur kthehej Sadija nga takimi me mua, i thoshte asaj: “Po ai i di gjërat që në kohën e Turqisë... Ç’e ke marrë këtë burrë kaq të vjetër?!...” Më pas i thoshte Sadijes, se kishte një djalë të mirë dhe ajo duhej që të martohej me të. Po këtë gjë më thoshte dhe mua, që kishte një djalë shumë të mirë.(Qesh)

Ke pasur rivalitete të tjera me meshkujt sa i takon Sadijes?
Sa e njoha Sadijen, nuk kam pasur rivalitet me asnjërin. Më përpara, si të gjithë të rinjtë, secili mund të ketë pasur pëlqime, po mbi mua ajo nuk vinte njeri. Dija shumë, e pastaj nuk isha dhe kaq i shëmtuar, megjithëse hundën akoma pak të madhe e kam.

A bëhej dashuri në kohën tuaj si në ditët e sotme?
Po këngët popullore e di si janë apo jo?

“O kjo anë e lumit
Ka bibila shumë
Dale o bandill dale
Sa të rritem unë

Nepërkë e Shullërit
Djegurë për ujë
Dale bandill dale
Sa të rritem unë

Fusha na bën baltë
Mali bën furtunë
Dale bandill dale
Sa të rritem unë...”

Kjo këngë popullore është mbi 100 vjet e vjetër. Nuk ka kohë pa dashuri. Kush thotë të kundërtën trillon. Fundja, unë në atë kohë kam dashuruar. E vërtetë është që nuk kishte shthurrjet e sotme, nuk kishte pube dhe as kazino, por ishin këto lisat, ja kjo pema, lulishtja, liqeni siç është tani... Ja, e sheh këtë pemën dekorative? Dilje pas saj dhe e puthje të dashurën. Ne para se të fejoheshim me Sadijen, flinim bashkë. Nuk të rrinte njeri me dyfek: “Aman mos bëj dashuri!”. E gjithë shoqëria jonë me dashuri u morën. Kurvëria ndalohej por jo dashuria. Bile kishte vendime që njerëzit të martoheshin me dashuri e jo me shkesëri. Ka vendime të Partisë të asaj kohe, sipas të cilave shkesët dënoheshin. Që në vitet ’70 kam bërë një vjershë për shkesët.

Edhe sot, ka mjaft lidhje me shkesi apo mblesëri, si e shikoni këtë fenomen?
Ka plot shkesira, në fshatra e nëpër qytete. Ndërsa në atë kohë gjërat ishin kolektive. Vajza e djem njiheshin bashkë se punonin në ndërmarrje e kooperativa. Tani vajzat punojnë te pronari, apo sekretare te ministri dhe i përqafon ministri... Pse, kjo është dashuri?!

Ç’mendim keni për modën e bashkëjetesave?
Mbase është diçka e kohës. Edhe Lenini me Propskajën nuk ishin të martuar. Në Revolucionin e Tetorit nuk kishte celebrime se quheshin si gjëra borgjeze. Atëherë ishte një epokë ku të dashuruarit bashkëjetonin pa celebrime. As Lenini nuk kishte bërë celebrim.

Po te ne, pse bëheshin celebrimet teksa për shembull kishim Rusinë, Leninin e Stalinin?
Nuk zgjati shumë kjo puna e bashkëjetesës, as në Rusi, por vetëm në vitet e para të Revolucionit. Pastaj u vendos dhe këtu. Sot bashkëjetesa është modë e kohës, madje dhe e mirë. Bashkëjeton, nëse nuk të pëlqen ndahesh; më do, s’më do dhe ikën pa u zënë nëpër gjykata... Për veten time, nuk i kam dhënë rëndësi celebrimit. Më vinte turp të bëhesha dhëndër. Bile, më kujtohet se kur bëmë dasmën, të gjithë ishin mbledhur në shtëpi ndërsa unë me Sadijen dolëm përjashta. Pasi e mora nusen me makinë nga Shkodra dhe erdhëm këtu, ndenjëm pak me mysafirët dhe i them Sadijes që të dalim një xhiro. I lamë njerëzit në qejfin e tyre të pinin e të këndonin dhe dolëm e shkuam te lokali më i mirë i asaj kohe, “Kafe Tirana”, aty ku është Muzeumi sot. Sadija mori një akullore, unë një konjak. Aty vjen Niko Nishku, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Na shikon dhe duke qeshur na thotë: “Ore, unë po vij te ju për vizitë, për t’ju uruar martesën, dhe ju rrini këtu?!” Pastaj u ngritëm dhe shkuam që të tre në shtëpi.

Po për fustanet e shkurtra, fundet, buzëkuqet e theksuara dhe takat, që nuk shiheshin me sy të mirë në atë kohë, ç’mendim keni?
Atëherë ishte moda e fundeve të shkurtëra deri te gjuri. Edhe për takat u fol njëherë nga disa të prapambetur por nuk u zbatua si ligj, ashtu siç mund të ketë sot shumë dëshira që nuk zbatohen. Një gjë e tillë u tha si influencë e revolucionit kulturor kinez por pastaj u hoq. Sadija mbante këpucë me taka, buzëkuq madje dhe dekolte të hapur fare. Në një kolegjium për arsimin, ku bëja pjesë dhe unë ishte Manush Myftiu, Sekretar i Parë i Tiranës dhe antar i Byrosë Politike, burrë shumë i zgjuar. Ngrihet njëri aty dhe thotë: “Po ja, na vijnë mësuset në shkollë dhe buzët i lyejnë me të kuqe, ngallosen...” Manush Myftiu ja ktheu: “Pse more, me karbon duhet që t’i lyejnë buzët ato?!”

Meqënëse jemi në temën e ndalimeve, sa i takon viteve të fundit kemi probleme me ferexhetë. Janë përjashtuar vajza që mbulohen me shami nga shkollat e mesme, universitetet dhe nuk kanë munguar debate të mëdha e reagime të komunitetit mysliman. Dritëro Agolli si e shikon këtë çështje?
Unë vetë nuk i pranoj ferexhetë. Nuk besoj në Zot. Jam atesit. Si unë munden të ketë qenë Marksi. Nuk dua as shami e as ferexhe. Janë të papranueshme dhe mirë bëjnë, duhet të mos i pranojnë universitetet e shkollat e mesme gjëra të tilla. Edhe Ahmet Zogu që ishte fanatik i madh, i ndaloi ferexhetë në shkolla. Më kujtohet një tregim i Migjenit “Të hapen arkapiat”, lexojeni! Këto janë gjëra arkaike. Ne nuk hyjmë te vendet arabe, të cilat mund të justifikohen, shqiptarët janë Europë.

Si shpjegohet që shkodranët i ngjit gjaku me korçarët?
Janë dy qytetet më të lavdishme për kulturën dhe njerëzit e shquar që kanë nxjerrë. Para Korçës dhe Shkodrës Tirana është shumë e re. Janë dy qytete që kanë dhënë dhe kanë marrë shumë me njëra-tjetrën.

Cilat janë sakrificat që të janë dashur të bësh për Sadijen?
Kam bërë sakrificë për të mbajtur shëndetin, pra, që nuk kam vdekur. (Qesh) Kjo është sakrifica më e madhe.

Poezia e fundit që keni bërë për gruan tuaj?
Nuk e mbaj mend se cila është, por tani, së shpejti do të nxjerr një libër që ja kushtoj të tërin Sadijes. “Prit edhe pak” titullohet. Pra, i them vdekjes që të më presë dhe pak.

Megjithëmend, a mund të thoni tri gjëra për të cilat vdekja duhet t’ju presë edhe pak?
Nuk më pëlqen t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, për të mos rënë në skematizëm. Shiko, punën e vdekjes e konceptoj kështu; Unë jam materialist dhe mendoj se të gjithë ata që vdesin kthehen pastaj në bar apo në një gjë tjetër, por nuk e ruajnë ndërgjegjen e as mendojnë siç thonë panteistët, të cilët një këmbë e kanë në materializëm dhe këmbën tjetër në idealizëm. Deri këtu, që njeriu vdes, ndryshon dhe bëhet një gjë tjetër, është materializëm dhe jam shumë dakord. Por, jo që të mendojë miza, pema dhe qeni si njeriu, me këtë nuk jam dakord!

A nuk është e trishtueshme kur e mendon dhe ke bindje se pas kësaj jete nuk ka asgjë tjetër?
Nuk është e trishtueshme sepse nuk je i pari dhe as i fundit... Po të vdesësh 20-vjeçar mund të jetë e trishtueshme, ndërsa kur e plotëson ciklin mbi 70 vjet, nuk ka gjë të trishtueshme. Të gjithë ata që lindin një ditë do të vdesin. Edhe kjo Toka jonë, pas miliona vjetësh do të pëlcasë, librat dhe bibliotekat do të shkatërrohen, e bashkë me to edhe gjenitë.

Po nëse gjithçka do të shkatërrohet pashmanshmërisht, atëherë ç’kuptim kanë gjërat dhe përpjekjet që njerëzit bëjnë?
Globalistët dhe ambjentalistët për këtë mendojnë dhe ata që merren me anijet kozmike, gjithashtu; pra, që të mund të bëjmë shtëpi edhe në Mars një ditë. Por, e ardhmja nuk mund të parashikohet pasi gjëra që dje ishin përralla, sot janë bërë realitet; Marrim rastin e qilimit fluturues që është një parashikim i hershëm i avionit.



Sadija: “Kushtet që i vura Dritëroit para martesës”

“Nuk ishte romantik por bënte shumë shaka. Te Dritëroi dashurova burrin”

Petrika GGROSI
Bashkëshortja e Dritëroit, Sadije Agolli, flet ekskluzivisht për gazetën dhe tregon detajet më mbresëlënëse të njohjes dhe lidhjes me shkrimtarin e madh. Te Dritëroi ajo gjeti burrin e vërtetë dhe jo thjesht një mashkull, me të cilin duhej të martohej dhe të kalonte jetën. Sipas përshkrimit të zonjës Agolli, Dritëroi nuk ishte shumë romantik; megjithëse ai shkruante poezi e lirika të mrekullueshme, dinte dhe nuk donte, të bënte letra të zjarrta dashurie. Një detaj tjetër që vjen për herë të parë për publikun janë dhe kushtet që nusja i vuri Dritëroit para se të martoheshin. Kështu vjen një profil më i plotë i dashurisë dhe lidhjes gati gjysmë shekullore të çiftit Agolli në optikën e burrit dhe të gruas.

Si do ta përshkruanit me disa fjali bashkëjetesën tuaj me Dritëroin?
Kemi 46 vjet që njihemi me Dritëroin, që në vitin 1963, kur unë isha 21 vjeç dhe ai 32 vjeç. U rrita me Dritëroin dhe ai u mësua me mua. Si çdo grua që ka jetën e vet, me të mirat e me të këqijat e saj bëra jetën time krah tij. Kisha shokë e miq plot më përpara, por derisa njoha Dritëroin nuk kisha gjetur një burrë të vërtetë. Ai më befasonte me çdo gjë, si në jetë dhe në krijimtari. Kur njoha Dritëroin gjeta një burrë ku të kisha mbështetje.

Pra, te Dritëroi dashuruat burrin?
Një burrë të fuqishëm, jo thjesht një mashkull. Dhe kjo gjë u provua gjatë gjithë jetës. Megjithëse Dritëroi kishte pasur një jetë tjetër më parë, që ishte i martuar, ai e kaloi shpejt atë ngjarje me djalin dhe gruan që la në Rusi. Ndoshta me mua u dashurua sepse isha më e gjerë se sa gratë e tjera, që mund t’ja kujtonin këtë gjë. Me mua, Dritëroi kishte kujtimet e veta që u mbyllën në një qese fotografish, meqënëse ai ishte shkrimtar dhe do t’i duheshin për jetën e tij.

A patët konflikt me veten, apo xhelozi, për këtë pjesë të së kaluarës të Dritëroit?
Në fillim të njohjes sonë ai më tregoi jetën e tij dhe unë timen e pastaj vendosëm që të martoheshim. Nuk kisha xhelozi, aq më tepër që ajo tjetra ishte në Rusi.

Keni pasur momente të vështira përkrah Dritëroit, apo jo?
Momente të vështira kemi pasur plot. Megjithatë, sa i takon krijimtarisë, Dritëroi ka shumë pak vjersha për Partinë. Më tepër bëri poema lirike. Sigurisht, ai besonte në idealet e veta dhe nuk mund ta bëjmë disident. Ishte një njeri i kulturuar që dinte të kishte vizion për jetën. Për çdo gjë kemi bashkëpunuar me Dritëroin, qoftë dhe për tregimet e vjershat që ja lexoja e para dhe i daktilografoja pothuaj shumicën e tyre. I bëja vërrejtjet e mia për ndonjë gjë që mendoja se nuk shkonte por ai asnjëherë nuk më jepte të drejtë. Më pas shikoja se kur i shkruante bënte ndryshime. Pra, e merrte mendimin tim në konsideratë.

A flisnit mbi politikën gjatë bisedave tuaja, në kohën kur u njohët dhe u lidhët me Dritëroin?
Më shumë flisnim për letërsinë dhe për gjëra të tjera, ndërsa për politikën nuk diskutonim fare në ato kohë. Nuk kisha ndonjë interes të tillë, pastaj, ne jetonim në një sistem të vendosur dhe ishim mësuar me atë mënyrë. Edhe më vonë, për politikën flisnim vetëm kur ishim të dy bashkë; kur bëheshin pleniumet etj. Bile, kisha ndonjëherë frikë se mos kur Dritëroit kur pinte, mund t’i shpëtonte ndonjë fjalë e pamenduar mirë.

Para intervistës më treguat për një kompromis tuajin. Çfarë kushtesh i vutë Dritëroit që ta pranonit martesën?
Unë vija nga një familje besimtare myslimane ndërsa Dritëroi ishte atesit.
-Unë, vërtet do të martohem me ty, i thashë, por baba im është mysliman dhe falet pesë herë në ditë. Ti do ta pranosh?
-Po, po, patjetër që do ta pranoj.
-Edhe mishin e derrit, kur të vijë babai nuk do ta nxirrni në shtëpi, i thashë, në mënyrë që ai të mos fyhet.
Dritëroi tregoi një tolerancë të madhe dhe i pranoi këto gjëra, pavarësisht se ai vetë nuk besonte. Pastaj, i thashë se baba im, (xhaxhai, të cilit i thoshim babë sepse nuk kishte fëmijë) ka qenë në burg si tregtar që kishte fshehur pasurinë dhe në vitin ’47, kur isha pesë vjeçe, ai u fut në punë të detyruar, thyente gurë. Një nga momentet më prekëse ishte kur xhaxhai qe shtruar në senatorium me tuberkuloz. Shkova atje me rrobat e bardha të nusërisë dhe pasi dolën njerëzit, e putha xhaxhain dhe qava shumë.
-Deri te Ura e Bunës ke të drejtë të qash, më thoshte Dritëroi.

Si i mbani mend takimet tuaja të para?
Një vit ndenjta në Shkodër si mësuese në shkollën e natës. Dritëroi vinte herë majë motorrit e herë me ndonjë makinë që gjente rrugës. Në vitin ’63 u njohëm dhe në ’64 – ‘65 ishim të fejuar. Në 4 korrik, 1965 u martuam. Mandej erdha mësuese letërsie në shkollë të mesme. Punova rreth 5 vjet aty dhe pastaj kalova në gazetën “Mësuesi” e në revistën “Skena dhe ekrani”, ku punova deri në vitin 1992. Kur mbusha 50 vjeç dola në pension të jashtëzakonshëm. Mirëpo pata vështirësi në fillim, sepse kur i hyra gazetarisë, Dritëroi mi hidhte poshtë shkrimet dhe më mësonte që të nxirrja gjithmonë problematikën e të isha më kërkuese.

Një kohë e vështirë, ku dashuria bëhej më shumë nëpërmjet letrave. Sa ishin ato të pranishme kur ju ndodheshit larg njëri-tjetrit?
Shkruante Dritëroi, shkruaja dhe unë, por ai vinte e më gjente shpesh në Shkodër. Ndonjëherë i shkruaja letër kur më vinin fjalë se e kishin parë Dritëroin nëpër tavolina duke pirë. Ai mi përgënjeshtronte duke më qetësuar.

Letra më e bukur që ju ka shkruar Dritëroi?
Këto letra i kishte plot me humor, të mbushura me ngjarje, si të ishin tregime. Nuk shkruante thjesht me fraza të tipit “Të dua shpirt” apo gjëra të këtij lloji... Njëherë, kur ishte në Gjirokastër më thoshte: “...këtu mund të biesh duke u rrokullisur nga njëra çati në tjetrën...”.

Poezia që Dritëroi ka shkruar për ju dhe që nuk do ta harroni kurrë?
Megjithëse ne jemi rritur dhe edukuar në atë kohë me romantizmin, Dritëroi nuk ishte tip romantik dhe nuk bënte poezi që të mi dedikonte mua.

Si i kaloni momentet e vështira?
Problemet i tregonte vetëm kur kishin kaluar ose kur qenë zgjidhur, e jo vetëm kaq; çdo njeri kur është i sëmurë ankon dhe rrënkon, ndërsa Dritëroi nuk bënte zë kurrë. Zinte kokën me duar dhe rrinte mënjanë. Pastaj, kur e kuptoja dhe e pyesja se çfarë kishte, më thoshte se nuk donte të më mërziste me problemin apo sëmundjen e tij. Nuk mbaj mend që Dritëroi të jetë qarë ndonjë herë.