Çeljani rrugën poezisë!

Mimoza Ahmeti, Primo Shllaku, Alban Bala e Gentian Çoçoli i janë bashkuar debatit kushtuar poezisë. A ka humbur terren ajo? Sa vend zënë vargjet në letërsi, por edhe te vetë lexuesi? Po humbet ajo? Të gjitha këtyre pyetjeve, poetët u kthejnë përgjigje d



Poezia ka ulje-ngritjet e saj. Ka ndodhur kështu ndër mijëravjeçarë e vazhdon të ndodhë akoma. Ajo, sikundër gjithçka lëviz, evoluon, u përshtatet ndryshimeve të shoqërisë, bëhet më e bukur, më e ndjeshme, më agresive, e drejtpërdrejtë apo praktike... Ajo i përket njeriut të frymëzuar, por edhe atij që nuk e refuzon mendimin e thellë e të ndjerë. "Herë meket e herë gajaset", thotë Primo Shllaku. Ata e vlerësojnë poezinë shqiptare, të renë e përkëdhelin dhe i ofrojnë mirëseardhjen. Nuk e paragjykojnë. "Larg cilësdo megalomanie, apo përgjumjeje të arsyes, e them me qetësinë e bindjes së paluajtshme, se në Shqipëri sot po shkruhet një prej poezive më të mira të Europës", thotë Gentian Çoçoli, ndërsa poetja Mimoza Ahmeti nuk kursehet të flasë për një poezi të ndjerë të porsalexuar. Si përfundim, ata mbërrijnë të gjithë në një destinacion: poezia nuk vdes dot...



Primo Shllaku

Duhet t‘i ndërgjegjësojmë njerëzit

Mendoj se poezia nuk është drejt fundit. Ajo funksionon kështu: herë meket e herë gajaset. Ai që e ka bërë poezinë të mos jetë një art në masë, është elitarizmi i saj. Madje edhe më shumë se muzika. Ata njerëz që dëgjojnë rregullisht muzikë, nuk janë detyrimisht lexues të poezisë. Poezia është shumë më aristokratike. Te ne rasti është shumë i varfër dhe jo përgjithësues. Ajo që ka ndodhur te ne nuk është tipike dikund tjetër dhe çdo pikëpamje për ta përfshirë rastin tonë në rastin e përbotshëm, është dështim. Ne ishim në diktaturë dhe njerëzit përmes letërsisë arratiseshin prej atij realiteti. Le të ishte edhe skarso letërsia. Në atë kohë kishte një horizont pritjeje, kishte lexues, botime, radhë për libra. Përmes leximit, njerëzit kryenin në një farë mase nevojën e daljes jashtë shtetit. Kur poetët e pas diktaturës u vunë në kontakt dhe e panë se ku ka shkuar poezia botërore, ndodhi ajo që nuk mund ta fillonin dot aty dhe u detyruan ta kapin dikund tjetër, inkasuan sërish vonesa të reja. Njeriu që nuk jeton me përpunimin intelektual poetik dhe me format e larta të të gjitha kohëve, është automatikisht i përjashtuar prej kësaj, sepse nuk ka as kulturën, as arsimin dhe as shtegun se ku mund t‘i marrë. Ne kemi një çarje të madhe sizmike mes lexuesit në përgjithësi dhe poetëve. Gjithnjë e më shumë i kryejmë nevojat tona të poezisë vetëm me njëri-tjetrin. Sikur periodikisht ta lëvronim në mbrëmje intime poezinë, mendoj se kjo gjini do të afrojë përherë më shumë njerëz, të cilët do të bëheshin përherë e më të ndërgjegjshëm.

Mimoza Ahmeti

Poezia e keqe është prozë, proza e mirë është poezi

Teza e cila flet për vdekjen e poezisë është një tezë radikale e cila ka filluar që me lindjen e poezisë. Kjo është një teori e cila na vjen që nga Greqia e lashtë. Por poezia mund të mbarojë. Kjo nuk ka si të ndodhë. Ajo mund të mbarojë po mbaroi organizimi njerëzor. Poezia është një riorganizim i raporteve të sendeve dhe njerëzve nëpërmjet riorganizimit të fjalës. Një tendencë spontane për të vënë re marrëdhëniet mes tyre nëpërmjet një rendi të ri të fjalëve, duke i pozicionuar nëpër vende të reja dhe duke u dhënë një konotacion të ri. Duke pritur të flisnim bashkë, isha duke lexuar një poezi të një poeti që quhet Vladimir Marku dhe që titullohej "Hapini rrugën poetit". Një nga vargjet thoshte "edhe mëkati i poetit është fisnik", pra unë po lexoja një poezi që më pëlqeu. E citoj këtë për të thënë se poetët shqiptarë shkruajnë poezi shumë të bukura dhe vazhdojnë shkruajnë shumë bukur. E megjithatë ndodh që lexuesi i largohet disi poezisë. Kjo ndodh edhe prej faktit se futja në rutinë e njeriut, trashja, krijimi i një komoditeti të ndërtuar me apo pa mund, çon në nevojën e një leximi që quhet ndryshe prozë, e cila rrallon intensitetin mendor që ka poezia. Është një lloj leximi që rrit qëllimin e parashikuar nga pikëpamja e krijuesit. Ai që në fillim e di strategjikisht se ku do të dalë dhe çfarë kërkon lexuesi i tij. E kthen fenomenin letrar relativisht nga art, në produkt, por kjo nuk është absolute. Për këtë arsye unë mund të them se poezia e keqe është prozë dhe se proza e mirë është poezi. Për sa u përket poetëve të rinj, unë jam e mendimit që njerëzit e frymëzuar gjithmonë sjellin risi gjuhësore, risi që janë për lexuesin më të bukura nga ato që ishin, për arsyen e thjeshtë se ato që ishin, ne i kemi inkorporuar me lexim. Njeriu është një organizëm konsumativ i artit dhe i çdo gjëje të bukur. Dhe në momentin që ai i inkorporon ato në trurin e vet, kërkon një gjë të re dhe ajo e reja është pastaj më e bukura. Unë jam e bindur se ashtu siç ka zhvillime në gjithçka, edhe në konektivitetin njerëzor ndodh diçka e re. Këtë e shikojmë edhe në mënyrën e të perceptuarit të dramave. Edhe kjo pjesë ka ndryshuar. E shikojmë gjithashtu në mënyrën e të jetuarit jashtë integrimit utilitar. Të gjitha këto përsosin perceptimet, rivendosin pika të reja shikimi, krijojnë një lidhje me të papritura nga më të bukurat që janë gjithmonë e më pak agresive dhe për këtë arsye është shumë e bukur.


Alban Bala

Poezia është produkt i frymëzimit hyjnor

Njoh shumë njerëz që jetojnë, punojnë, mendojnë duke kënduar dhe asnjëri prej tyre nuk është naiv me tepri. Maksimumi është i mirë me tepri. Ju mendoni se jetojmë në kohë apoetike? Për sa kohë gjejmë njerëz të vlerë, të dashur, të kujdesshëm dhe që arrijnë të jenë të lumtur falë këngës së tyre, epoka mbetet po aq poetike sa cilido fragment tjetër historik i njerëzimit. Kam bindjen se apoetika që flasim, ka të bëjë me perceptimin tonë rreth publikut. Mund ta pohojmë se publiku sot është thjesht më i varfër në mjete shprehjeje dhe më i verbër se ç‘e presim të jetë. Por te të verbrit unë përfshij të gjithë ata - jo veç në rastin e poezisë - që zgjedhin të shkojnë ngarkuar me përditshmërinë dhe humbin të përjetshmen. Është interesante sesi mediat sociale dhe rrjetet virtuale të komunikimit kanë ringjallur konsumin shpirtëror të artit në përgjithësi dhe poezisë në veçanti, pavarësisht të asaj që konsumohet në rrjet. Numri i atyre që shkruajnë dhe shpërndajnë poezi, pa bragashat e kritikës, përzgjedhjes, pa paragjykuar nivelin kulturor të grupit ku drejtohen, ka prodhuar sot një rizgjim të mjedisit poetik, edhe pse ndoshta jo edhe të poezisë.

Sepse poezia është ajo që mbetet. Jo ajo që vjen e ikën.

Nuk pranoj të flas për vdekjen e poezisë. Poezia është në gjykimin tim vetvetja e lexuar prej së ardhmes. Nuk ka ekzistencë pa vizionin e të ardhmes. Cilësisht, poezia është sublimja e njeriut, përpjekja e njeriut për të ngjarë me idealin e vetes. Pyetja nëse ky ideal po vdes, ky ind sublim i njeriut është drejt zhdukjes etj., nuk bën sens. Poezia është njëkohshëm transcendentale dhe transcendentalja është e përjetshme. Ajo mund të mpihet si një nerv i stërmunduar, mund të humbasë përkohshëm në qiell si një hënë poshtë reve, mund të eklipsohet, por mbetet e pacenueshme, e pa sfidë: ajo është produkt i frymëzimit hyjnor me të cilin njeriu lind; ajo është kujtesë, dhuratë e madhështisë së origjinës së Krijimit. Nuk vdes dot poezia...

Humbja e shtysave për ta dashur fort jetën, zbehja e peshës së njeriut në mjedisin shoqëror - qoftë kombëtar, qoftë mbikombëtar, humbja e roleve gjinore në ndërtimin e një vizioni shoqëror, mosgjetja e një raporti të drejtë mes aftësisë për të ndier, perceptuar dhe për t‘u shprehur poetikisht përballë premisave shumë më të zbërdhylta që kërkon përgjegjësia sociale në Shqipëri, mendësia dominuese shqiptare se një shoqëri mund të lulëzojë edhe në kushtet e mungesës së të ardhmes së përbashkët, të gjitha këto motive kanë vakur ajrin poetik që thith një shoqëri. Po ashtu, rritja e lakuriqësisë si teknikë komunikimi, denatyrimi i raporteve njerëzore si teknikë ndërveprimi (përfshi atë seksual), dhe forcimi i prirjeve me rrënjë instiktive (pa asnjë kërkesë lëvrimi kulturor) dhe me qasje mundësisht krejt pasive (TV, video, PC) - të gjitha kanë prodhuar një mjedis kulturor që ka kundërshtuar forcimin e kërcellit të poetikës në rrafsh global, por jo edhe shfaqjen e gjethëzave të reja, të mrekullueshme që lulëzojnë sot e gjithë ditën.

Gentian Çocoli

Poezi ka, institucionet s‘e promovojnë

Duke e ditur dhe besuar fort aksiomën letrare që ‘qoftë edhe lexuesi më i mirë, është nja njëzetë vite mbrapa në shije nga poezia më e mirë që po shkruhet në atë segment kohe‘, diktime të tilla nuk para më shqetësojnë (por nga ana tjetër më vjen mirë që ky shqetësim të zërë vend në gazetën tuaj). Pra, nuk mendoj se poezia e sotme shqipe po humbet sikundër po thuhet ‘terren‘. Dhe personalisht nuk para besoj në përcaktime të tilla të përcipta e që nuk kanë të bëjnë fare me thelbin e çështjes, të tipit ‘Po vdes poezia!‘ ose ‘Po vdes romani!‘ Nga kjo pikëpamje i bie që pra ka pasur një poezi të madhe para nesh, por që tani nuk po vijohet më. Në të vërtetë është e krejt e kundërta. Në kohë dhe zhvillime të caktuara sociale dhe politike të një vendi, ka arte që për disa arsye, marrin një zhvillim më të madh se artet e tjera. Në kushtet e Shqipërisë, një vend në kapërcyell - politik, ekonomik, kulturor, pra në fund të fundit gjuhësor, fuqitë që ushqejnë poezinë dhe artet e tjera janë të mëdha. Dhe veçanërisht poezia, e cila në këtë fazë të ndërmjetme të riformatimit të identitetit tonë total, në këtë fazë të zhvillimeve të brendshme të mëdha gjuhësore, ka njohur zhvillim të admirueshëm. Ndërsa mbetet arti më pak i mbështetur në Shqipëri, apo më mirë të themi më i braktisuri, sido të jetë është në natyrën e vet më të thellë që poezia të mos shqetësohet për kurrgjë përveçse vetvetes. Është në natyrën e vet më të thellë që edhe në kushtet e mungesës së një lexuesi konkret, të projektojë lexuesin potencial, është në natyrën e vet që energjinë e vërtetë e merr prej poetikës së vet gjuhës, që shndërrimet sociale jo domosdoshmërisht do gjejnë jehonën e tyre aty. Poezia është në fund të fundit historia e emocionit njerëzor, është historia e shpirtit, sado dalëboje mund t‘i duken dikujt fjalë të tilla si shpirt, emocion, ndjenjë (kujtoj Eliot-in kur thoshte se poezia ka detyrën e ruajtjes dhe mbrojtjes së emocioneve njerëzore). Nga kjo pikëpamje, poezia shqipe e pesëmbëdhjetë -njëzetë viteve të fundit, është ndofta poezia më e rëndësishme që është shkruar në njëqind vitet. Por natyrisht sado e pamundshme të duket për ata që nuk e kanë vokacion poezinë (dhe nuk është e thënë të jesh domosdo poet ta mendosh këtë), këtë ka për ta provuar historia e mëvonshme e letërsisë shqipe. Larg cilësdo megalomanie, apo përgjumjeje të arsyes, e them me qetësinë e bindjes së paluajtshme, se në Shqipëri sot po shkruhet një prej poezive më të mira të Europës. Fakti që sa e njohur apo e panjohur mbetet kjo për lexuesin tonë apo atë europian, them se u mbetet detyrë morale institucioneve që duhet të përkujdesen për këtë njohje, të krijojnë mekanizmat e nevojshme që ta realizojnë këtë njohje. Por në këtë shkallë zhvillimi kjo duket disi e parakohshme, por herët a vonë kjo gjë ka për t‘u qartësuar më mirë, sigurisht në dobi të të gjithëve.