
Përkthimi i Dom Simon Filipajt ka nxjerrë në pah një problematikë të tërë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe tërheqëse për gjuhëtarin, i cili interesohet për çfarë po ndodh në gjuhën e sotme shqipe të shkruar, cila është ecuria, prirja, arritjet e vështirësitë. Po e theksoj këtë, sepse kam përshtypjen që puna ka ngecur te disa kritika për gjuhën e gazetarisë e të politikës, te gabimet e përkthyesve e purizmi, te dialektet dhe standardi me një trajtim të përciptë, pa u thelluar në lëndën e gjerë me procese të shumanshme, për shembull, të gjuhës së letërsisë artistike, të veprimtarisë shtetërore-administrative, të veprimtarisë fetare, të degëve të ndryshme të shkencave dhe të ekonomisë.
Parimi mbizotërues i përkthimeve fetare në gjuhën shqipe ka qenë t’i rrinim sa më pranë origjinalit. Ndërkaq, ky parim i thjeshtë është shoqëruar me ndërlikime gjatë punës praktike. Fare shkurt, çështja kryesore që lind mund të shtrohet kështu: besnikëri ndaj fjalës apo besnikëria ndaj domethënies? I pari që i ka paraqitur rrugët për ta kapërcyer këtë mëdyshje ka qenë Kristoforidhi. Në punimin e tij të vitit 1860 ka dhënë si kriter disa zgjidhje: vihen në kllapa ose shkruhen me kursive fjalët e nënkuptueshme nga konteksti por jo të pranishme në origjinal; shpjegon fjalë të hebraishtes dhe të greqishtes së vjetër të lëna siç ishin në origjinal; shpjegohen fjalët që nuk mund të përkthehen drejtpërdrejtë me shqipen.
Me punën e disa brezave tashmë mjaft vështirësi janë kapërcyer dhe prandaj është hapur rruga që të bëhen përparime në rrokjen e domethënies së origjinalit, krahas përpunimit të mënyrave të reja për t’ia përcjellë lexuesit përmbajtjen nga thellësia. Arritjen më interesante në këtë drejtim e kemi te përkthimi i Don Simon Filipaj, botuar më 1994 (shkurt më tej: BSF).
Që në titullin e veprës Dom Simon Filipaj e ka zbatuar qasjen e vet të shqiptuar te Parathënia. Kopertina ka fjalën Bibla si përdorim i thjeshtë i shkurtër, por në faqen e titullit e shënon shkrimi i shenjtë. Menjëherë vjen emërtimi i dy pjesëve të mëdha: besëlidhja e re dhe Besëlidhja e Vjetër, sepse e ka quajtur se qëndrojnë më afër termit hebraisht (beridh). E ka quajtur kështu, sepse jepet më mirë domethënia kundrejt Dhiatave, që është një huazimin i ri në shqipen, dhe kundrejt Testamenti, që ka sot në radhë të parë kuptimin e përgjithshëm të vullnetit, të dëshirës së fundit të njeriut. Po e vë në dukje këtë, që të mos vështrohet në mënyrë të thjeshtëzuar sikur përkthyesi ka synuar vetëm pastërtinë e shqipes. Diskutimi i kësaj natyre në këto raste është më me peshë se sa disa qasje të rëndomta të shumëpërsëritura. Dhe plotësohet ky titull me fjalët: Përktheu dhe shtjelloi Don Simon Filipaj. Për herë të parë kemi një përvojë të tillë të zbatuar sistematikisht dhe përkthyesi në krye të çdo libri, përveç të dhënave të tjera i ka kushtuar kujdes shpjegimit të anës gjuhësore, për ta kapur lexuesi drejt domethënien e emërtimeve. Pothuajse në çdo faqe ka shënime plotësuese për fjalët e shprehjet që ndeshen në tekst, si për çështjet që dalin nga origjinali, po ashtu për lenden e shqipes që ka parapëlqyer përkthyesi.
Librat e veçantë e kanë të përligjur titullin, disa tërheqin vëmendjen për zgjidhjen e arritur. Për “Gjenezën” është vënë Zanafilla, por në shpjegimet shihet mirë se e kanë njohur edhe variantin Të bërët, që e kishte Kristoforidhi. Për “Eksodin” kemi Dalja, që Kristoforidhi e kishte Të dalët. Në një botim tjetër të Biblës po në atë vit (shkurt BD) është parapëlqyer Eksodi, tashmë një fjalë e përgjithshme te ne për shkak të ngjarjeve të vitit 1990 në Shqipëri.
“Ekleziasti” është një nga librat më kureshtar me pohime të tilla, si: “Nuk ka asgjë të re nën diell” dhe se ku ka shumë dije, ka edhe shumë shqetësime, e kush shton dijet shton edhe dhimbjet. Filipaj e ka kthyer shqip Kishtari, ndërsa BD e ka bërë Predikuesi. Në këtë rastin e dytë është ndjekur përkthimi anglisht te versioni i Mbretit Xhejms, (shkurt BXH), në të cilën gjejmë “Eclesiastes or the Preacher”, kurse në një version të ri të Shoqërisë Biblike Ndërkombëtare, titulli ishte “Eclesiastes”, por në tekst përdoret fjala mësuesi (Teacher). Me mprehtësi Filipaj ka shënuar se përmbajtja e librit shpaloset si përsiatje të thella e të bukura. Te [ërfundimi marrim vesh se përsiatjet i përkasin një të urti domethënë në këtë libër janë dy ligjërata: ajo e përsiatësit dhe ajo e autorit, i cili e paraqet të parin dhe pastaj jep përfundimet. Titulli në këtë rast ka peshë, sepse përcakton edhe emërtimin që do të përdoret gjatë tekstit, domethënë Kishtari.
Nuk është e mundur që ta gjurmoj në tekstin e këtij vëllimi të gjerë gjithë punën që ka bërë Dom Simon Filipaj me ndjekje konsekuente të kësaj mënyre pune. Prandaj do të ndalem te pak shembuj, të nxjerr prej Ligjit të përtërirë, duke nisur me Kreun 11.
BSF: 11.1. Duaje, pra, Zotin, Hyjin tënd, e zbato gjithmonë çka të urdhëron të zbatosh: urdhërimet, ligjet e rregulloret e tija!
Këto fjali te Kristoforidhi (shkurt ND) kanë qenë:
ND: 11.1. Duaje pra Zonë, Perëndinë tënde, edhe ruaj të ruajturit e atij, e urdhërimet e atij, e gjyqet e atij, e porosinë e atij, gjithë dit.
Vërehet qartë se ka një përmirësim të ndjeshëm, sepse Kristoforidhi i ishte përmbajtur më afër fjalës së origjinalit, rrjedhimisht lexuesi i sotëm nuk i rrok lehtë domethënien. Nga ana tjetër, te botimi tjetër shqip i viti 1994 ndeshemi me dallime të tjera:
BD: 11.1. Duaje pra Zotin, perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.
Natyrisht, do ta pranojmë se përgjithësisht përkthimi i një libri të tillë përbën një detyrë të mundimshme me shkallë të lartë vështirësie. E mbështet këtë vetë krahasimi edhe i përkthimeve në gjuhë të tjera evropiane, prej të cilit dalin dallime jo vetëm ndërmjet gjuhëve të ndryshme, por edhe ndërmjet varianteve brenda po asaj gjuhe, bashkë me ecurinë e secilës gjuhë. Nga rreshtat e mësipërm po veçoj katër nocione me fjalët përkatëse sipas rastit.
Për frëngjishten ka qenë e lehtë që lat. praeceptum ta jepte me precepte. Përkthimi i Mbretit Xhejms (BXH) e kishte zharge, për botimi ndërkombëtar (NIV) e ka zëvendësuar me requirements. Kristoforidhi e kishte bërë të ruajturat. Shohim se BSF është çka të urdhëron të zbatosh. Ky është një interpretim, i cili na ndihmon të kuptojmë më qartë foljen e Kristoriodhit “ruaj”, që atëherë do të thotë “zbato, respekto”, kuptim që nuk e kemi te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980). Botimi tjetër (BD) i ka dhënë rregullat dhe kjo i ka nxjerrë probleme me vijimin e fjalisë.
Fjalën e dytë edhe Kristoforidhi, edhe Filipaj e kanë urdhërimet, ndërsa botimi tjetër (BD) e kanë statutet. Në ditët tona të gjithë e njohin me një kuptim të caktuar këtë fjalë të fundit. Kurse në këtë kontekst ajo është thjeshtë një kapërcim i fjalës prej anglishtes (statutes) ku ka kuptimi “ligji hyjnor”, të panjohur për shqiptarët. Për pasojë ky përkthim (BD) është nisur nga varianti i Mbretit Xhejms (BXH), që e ka pikërisht “statues”, ndërsa NIV e ka “decrees”.
Fjala e tretë është ligjet, ndërsa te Kristoforidhi ishte gjyqet. Kjo mospërputhje duket e çuditshme, mirëpo te BXH është pikërisht fjala e anglishtes “judgements”, domethënë gjykimet, vendimet e dhëna, ndërkohë që NIV e ka “lows”, domethënë ligjet. Frëngjishtja e ka zgjidhur me “ordonnances”, që këtu është për urdhëresa. Përsëri te BD kemi një fjalë të papritur: dekretet, rrjedhimisht, bëhen dy fjalë (statutet dhe dekretet) me të cilat ky përkthim vendos shoqërime krejt moderne ligjore. Këtë radhë burimi është nga NIV, ku e gjejmë anglisht “decrees”.
Fjala e katërt është rregulloret, ndërsa te Kristoforidhi ishte: porosit. Që të dy përkthyesit janë ndeshur me një vështirësi, sepse e kanë konsumuar më përpara fjalën urdhërimet, e cila në origjinal vjen në fund dhe aty e gjejmë te BD. Besoj se edhe me kaq del e qartë, që zgjidhjet nuk arrihen thjesht duke ndjekur fjalë pas fjale origjinalin, madje as duke iu drejtuar domethënies së tyre, sepse ato janë në marrëdhënie të ndërlikuara.
Nuk do ta vijoj me paragrafin e dytë, i cili gjithashtu jep një lëndë po aq interesante për krahasime dhe përsiatje. Po përmend vetëm edhe një fjalë: Kristoforidhi e ka mundimi i Zotit, BSF e ka mësimet e Zotit, kurse BD e ka disiplina e Zotit. Duket një mospërputhje e pakuptueshme ndërmjet mundim, mësim, disiplinë, porse përsëri ndërlidhja është te domethënia dhe fjala përkatëse na çon tek teksti prej të cilit është nxjerrë. Kristoforidhi e ka marrë nga BXH, ku është “chastisement” (angl. ndëshkim me të rrahur, domethënë mundimi për atë që ndëshkohet); BD e ka marrë nga NIV, ku është pikërisht “discipline”, ndërkohë që në anglishten kjo ka edhe kuptimin e ndëshkimit me kamxhik, me këtë është përdorur te ky kontekst, dhe e shpie në një drejtim krejt të papritur lexuesin shqiptar, i cili e di me tjetër kuptim disiplinën. Fjala mësimet te BSF atëherë duhet interpretuar si mësimet që dalin nga ndëshkimi.
Kërkesa për t'iu drejtuar domethënies së fjalëve brenda kontekstit dhe sidomos në marrëdhëniet me fjalët e tjera, në mikrostrukturat paradigmatike ku bën pjesë, del edhe për rastet kur do të ishim të bindur se janë vetvetiu të qarta, për shembull, te emërtimet e bimëve dhe të kafshëve. Mund të duket se kemi terma të përcaktuar, mjafton të hapen fjalorët dygjuhësh dhe zgjidhja është e gatshme. Porse përkthimi i Dom Simon Filipajt ka nxjerrë në pah një problematikë të tërë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe tërheqëse për gjuhëtarin, i cili interesohet për çfarë po ndodh në gjuhën e sotme shqipe të shkruar, cila është ecuria, prirja, arritjet e vështirësitë. Po e theksoj këtë, sepse kam përshtypjen që puna ka ngecur te disa kritika për gjuhën e gazetarisë e të politikës, te gabimet e përkthyesve e purizmi, te dialektet dhe standardi me një trajtim të përciptë, pa u thelluar në lëndën e gjerë me procese të shumanshme, për shembull, të gjuhës së letërsisë artistike, të veprimtarisë shtetërore-administrative, të veprimtarisë fetare, të degëve të ndryshme të shkencave dhe të ekonomisë.
Pa u larguar nga Libri i Ligjit të Përtërirë po rendis emërtimet e faunës të Kreut 14: kau, delja, dhia, kaprolli, suta, dreri, dhia e egër, antilopa, bualli, dhia e shkëmbinjve (4/5); deveja, lepuri, gjeri (7); shqiponja, shqiponja kërmëngrënëse, shqiponja e detit (12); skifteri, sokoli (13); korbi (14); struci, kukuvajka, gjelaroja, petriti (15); hutini, zhytra, ibisi (16); mjellma, pelikani, shqiponja qafëshogët (17); lejleku, çafka, pupëza, lakuriqi (18). Dihet se, me gjithë kërkimet e bëra, deri më sot nuk janë përcaktuar me saktësi kafshët dhe zogjtë e përmendur në këtë libër, rrjedhimisht nuk ka përputhje ndërmjet varianteve të ndryshme të përkthimeve. Për Dom Simon Filipajn kanë dalë me ndërlikime emërtimet e kafshëve të familjes së drerit dhe llojet e dhive. Për larashin përkthyesi ka ndërtuar togfjalëshin shqiponja kërmëngrënëse, sepse vërtet është një fajkua që ushqehet me kërma. Për shqiponjën kokëbardhë ka ndërtuar togfjalëshin shqipeja qafëshogët, sipas angl. 'bald eagle'. Për pulëbardhën ka gjelaroja. Për hirakoidin ka gjeri, që në të vërtetë është tjetër kafshë. Te rreshti 16 është ndeshur me llojet e bufit dhe me të drejtë e ka pranuar termin e huazuar ibisi. Katër fjalë ndër këto nuk janë pasqyruar në fjalorët e gjuhës shqipe: kërmëngrënës, qafëshogët, ibisi dhe gjelarojë. Nuk do të bëj krahasime me përkthimet e tjera, sepse do të kërkonte zgjatje të tepërt. Po shënoj vetëm se Kristoforidhi ka këtu fjalën pygargu, e cila del te BXH 'pygarg', një huazim nga origjinali që nuk e japin as fjalorët e sotëm të anglishtes, ndërsa duket se është për dhinë e shkëmbit. Ai ka edhe kamilopardalla, që vjen nga lat. Camelopardalus për gjirafën, por nuk shkon këtu as si fjalë e shqipes, as si kuptim. Hutin bishtgërshërë e ka dhënë shqipeja gjype dhe ka kaluar nga fajkoi te gjypsi, ndoshta për gjeraqinën. Nuk kam arritur ta shpjegoj as fjalën qykni, që e ka Kristoforidhi për fajkoin peshkatar, ndërsa eordhiosi është huazim i qartë nga greqishtja, por nuk njihet në gjuhën shqipe. Ndërmjet fjalëve të BD, stambeku për dhinë e shkëmbit është huazim prej italishtes, i papërvetësuar në shqipen. Për hirakoidin edhe këtu ka pasaktësi, sepse baldosa është tjetër kafshë.
Pavarësisht se ky vështrim i shkurtër është kufizuar me një numër të vogël shembujsh nga lënda e gjerë e librit, është i mjaftueshëm që të arrihet te një përfundim përgjithësues.
Botimi i plotë i Biblës shqip nga Dom Simon Filipaj 15 vjet më parë përbën një ngjarje të shënuar edhe për studimet gjuhësore. Përpjekjet për të mos kaluar përciptazi gjatë përkthimit, për të mos gjetur thjesht një fjalë barazvlerëse të shqipes shkëputurazi, siç ndodh në një fjalor dygjuhësh, por përkundrazi, puna e thelluar në domethënien e tekstit origjinal dhe të fjalëve në marrëdhëniet ndërmjet tyre e me kontekstin, na ka dhënë zgjidhje të reja. Para së gjithash, kemi një pasurim të leksikut të shqipes jo thjesht me fjalëformime të reja, por edhe me ngjyrime e vlera të reja kuptimore. Ata pak shembuj që shtjellova më sipër dëshmojnë se puna me sinonimet është drejtimi më i frytshëm në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës së shkruar. Zgjidhjet e krahasuara të disa përkthimeve për të njëjtin tekst tregojnë jo vetëm pasurinë sinonimike, por edhe kërkesën për rigrupime të sinonimeve sipas marrëdhënieve kuptimore, e sidomos sipas marrëdhënieve paradigmatike.
Pas kësaj tabloje të re që na përftohet me përkthimin e Dom Simon Filipajt, ne mund t'u kthehemi me njohje të pasuruar teksteve të ngjashme shqipe. Këtu solla disa raste nga Kristoforidhi, të cilat tashti mund t'i kuptojmë e t'i shpjegojmë më mirë. Kam bindjen se me këtë rrugë mund të depërtojmë edhe më prapa në kohë, domethënë po ta studiojmë shkencërisht arritjen e Dom Simon Filipajt, shpresoj se do t'i qasemi me dije më të sigurt edhe vetë tekstit të Gjon Buzukut. Puna e mundimshme e bërë deri më sot nga studiuesit tanë për ta shqyrtuar veprën e Buzukut, duke bërë krahasime me tekstet origjinale në gjuhë të huaj, domethënë krahasimi i jashtëm, mund të plotësohet tashti me krahasimet e brendshme, domethënë ndërmjet varianteve shqipe. Nuk do t'i nënvlerësoja vështirësitë që paraqiten, por ky është një drejtim i qartë për leksikografinë historike, prej së cilës bëhet më i mbështetur edhe studimi i ecurisë së gjuhës shqipe të shkruar.





