Wislawa Szymborska - Fëmijët e epokës

FËMIJËT E EPOKËS
Jemi fëmijë të epokës,
epoka është politike.

Të gjitha çështjet tua, tonat, tuajat,
çështje të ditës, çështje të natës,
këto janë çështje politike.

Deshe nuk deshe,
gjenet e tua e kanë të kaluarën politike,
lëkura, nuancën politike,
sytë, aspektin politik.

Çfarëdo të flasësh, ka rezonancën,
për çfarëdo të heshtësh, ka shqiptimin
sidoqoftë politik.

Edhe kur të shkosh pyllishtes
bën hapa politikë
në bazën politike.

Poezitë apolitike po ashtu janë politike,
ndërsa lart ndrit hëna,
objekti tanimë nuk është i hënës.
Të rrosh apo mos të rrosh, kjo është çështja.
Çfarë çështje, përgjigju i dashur
Çështje politike.

Nuk duhet të jesh madje as qenie njerëzore,
që të fitosh rëndësi politike.
Mjafton të jesh naftë e papërpunuar,
ushqim i koncentruar ose lëndë dytësore.

Ose tryezë konsultimesh, për formën e të cilës
zihen muaj e muaj:
rreth së cilës duhen bërë pazarllëqe
mbi jetën dhe vdekjen,
rreth tryezës së rrumbullakët ose katrore.

Ndërkohë vdiskan njerëzit,
ngordhkan kafshët,
djegur janë shtëpitë
dhe fushat e lëna pas dore
si në epoka të moçme
dhe më pak politike.

Related Posts: