Jam unë…
2033 Manahan Street Ridgevud NY
Kjo është adresa ime
Troket dera po unë nuk e hap se është një i panjohur
Ai troket prap
Është një zdap i gjatë i frikshëm si King Kongu
Hape jam unë, nuk më njeh?
Vij nga Shqipëria
Padyshim nga malet, mendoj
Atje kam punuar tetë vjet
Natyrisht kam bërë dhe ndonjë mëkat të vogël
Ke sjellë cigare dhe raki?
Këto dy gjëra kërkon emigranti
Hape derën po të them se përndryshe do ta shqyej
Më ze frika
Paguaj qera të kripur
Për çdo dëmtim paguaj plus
Po ai njeri bishë lëshon një ulurimë
Po s’e hape me të mirë
Që të hyj brenda dhe të prezantohemi
Këtë shtëpi kukulle prej kartoni
Do ta shtyp me putrat e mia
Dhe më tregoi putrat prej ariu
E hapa dhe ai hyri
Më mori në krahë King Kongu prej Shqipërie
Dhe unë njoha sivëllaun
Ndjeva erën e tij dhe m'u mblodh një komb në grykë
Kishte ardhur malli
Pse më le jashtë o faqezi
Si t'ia shpjegoja kësaj monstre të frikshme
Se këtu i thonë Amerikë
Se dyert e dyfishta rrinë të mbyllura për çdo njeri
Se këtu i thonë Amerikë?
Të etura për një puthje
Madonat të dielave dalin nga kishat e lagjeve,
kapërcejnë lumin e organos elektrike me varkat e pëllumbave të zinj
Dalin në rrugë
Me shenjat e afreskeve
Dhe me ngjyrat e vjetra të ikonave të krimbura
Madonat,
Ca vajza të hijshme
Me kurme sensuale
Gjokse të kërcyer,
Vithe të larta me majë
Kofshë të mishtorme
Me nga një lak te thembrat
Që i zenë djemtë si dema
Dhe i tërheqin zvarrë.
Dalin të dielave
Për të marrë pak ajër
Për një shëtitje në bulevard
Për një vallëzim në lokalet e natës
Për një puthje të vërtetë
Se puthjet në kishë
Janë puthje pleqsh pa epsh
Kishat e Rixhvudit mbeten larg
Në dritën prej qiriu të hënës
Kanë vënë kokën dhe dremisin
Mbi një pupël
Të zezë
Madonat dashurojnë me gjakun e flamingos
Te salsas
Te sambas
Dhe të tangos argjentinase.
Të kremten e mirë mbeten me barrë
Për krishtlindje lindin fëmijë
Dhe kjo dashuri
I bën më të bukura
Lindin përsëri
Gjashtë-shtatë fëmijë
Dhe i lenë rrugëve
Ata bëhen vrasës
Kurva, vjedhës, kriminelë
Babanë s’e njohin,
Njohin vetëm nënën
Por ajo s’i do më.
Madonat e zeza të Rixhvudit
Kujtohen të kthehen në kishë
Në mbrëmje
Me varkën e fundit të pëllumbave
Pa degën e ullirit në sqep
Të etura për një puthje
Pleqsh
Pa epsh
Dhe notojnë qetësisht në lumin elektrik të organos
Me shenjat prej engjëjsh të afreskeve
Me ngjyrat e vjetra të ikonave të krimbura
I vënë veshin Requiemit të Mozartit
Tokatës së Bahut
Halelujës së Hendelit
Dhe vdesin si shenjtore
Nuk vdesin si nëna
Se ato fëmijët nuk i duan më.
Ikonat e Onufrit
Ikonat e Onufrit po i ha krimbi nga kënaqësia
Nuk është punë arti
E kuqja e Onufrit që çmendi Parisin
Është bërë me gëlqere të shuar dhe me djath bagëtie
Qiellin shtrëngoj
Qiellin shtrëngoj në grusht qiellin
Rrëmoj me shpresë të gjej një peni
Po gjej vec imazhe poeti
Ç'të ha? Re? Rrufe? Shenjtër?
Qiellin shtrëngoj në grusht qiellin
Ah, që dhe aty s'gjej një peni!
Kur i ke humbur të gjitha
kur i ke humbur të gjitha dhe ke mbetur krejt vetëm
në tryezë pa bukën dhe verën e krishtit
pa qirinj në shandan
pa cigare
pa kafe me qumësht
në email të vjen një adresë për punë nga kishat amerikane
kërkojmë lutës
Flaka tjetër
ajo e nisi me kishat kur ishte e vogël
u frynte qirinjve se flakët ishin marrëzisht të bukura
mamaja e merrte përdore dhe ajo nuhaste parfumin e fortë
në palat e fustanit të zi
priste me orë të tëra pas dyerve të moteleve dhe e zinte gjumi
në prehërin e burrave të vjetër
pastaj u rrit si prej fildishi
mahnitej me kurmin e vet sikur të qe i një tjetre
përdore i thoshte e ëma se e ke dhuratë nga zoti
ku nuk shkoi me burra të martuar që e kafshuan
e përdhunuan
e shkelën me këmbë dhe sërish e dashuruan se ajo
ishte si rrufeja që digjet për të zbuluar qiellin e mistershëm
i mori më qafë grataçielet
woll stritin e mori më qafë
dhe kur e braktisnin prej një ngasjeje ktheheshin prap
ajo ishte bukuria e xhazit
paratë i shkelte me këmbë
nën takat e larta
ndaheshin shtete si nën një kompas seksi
parisi e bënte kurorë mbretëreshe me trill napoleoni
eifelin për të
nju jorku e priste si monedhë epshi statujën e lirisë
vetëm nga një ngrysje e vetullave të saj si harku i kupidit
hollivudi falimentonte
kjo ishte ajo
që tani pret vdekjen në metro
në një stol të drunjtë
sa herë ngrihet të bëjë ujët
stolin e dizinfektojnë
U zunë dy poetë
Ai ishte poeti poeti që s'dilte nga treni
vagon më vagon këndonte vargje nga dante dhe homeri
çirrej ulurinte po askush nuk ia vinte veshin
trillonte nga xhepi poeti
qëlloi një ditë një tjetër poet universiteti
që ia kopjoi vargjet poetit
dhe i solli honorarin një ditë tjetër
po poeti qeshi marrëzisht
qeshi poeti dhe e quajti këtë fyerje personaliteti
u zu poeti me poetin dhe s'dihej kush pati të drejtë
poeti që s'dilte nga treni trillonte për qejf të vet
dhe kjo i pëlqente trillonte për qejf të vet
poeti tjetër respektonte rregullat e klub penit
i pari mbeti në tren
i dyti vrapoi për në universitet
poeti që mbeti në tren mblidhte për vargjet e vet
dhe ato të dantes dhe ato të homerit nga një peni
Një stol për dimrin
kishin hyrë pëllumbat në metro e ndiqnin një të marrë
ai përpara ato pas duke zbritur nëpër shkallë
u bënë kaq shumë pëllumba
sa njerëzit nuk u besonin syve të vet
pse e ndiqnin atë njeri të marrë dhe kush ishte ai vërtet
zoti reitano bosi i tregtizës te qoshku i avenjusë së pestë
siciliani i mistik pica-s që kishte falimentuar krejt
çdo mëngjes ai ushqente pëllumbat
dhe ato ishin mësuar me mistik pica
tani e ndiqnin në metro te stoli prej druri
ku ai do të kalonte dimrin
Psherëtimat e harlemit
tromp e armstrongut nuk ka parë ditë më të këqija
ajo mbledh gjithë psherëtimat e zeza të harlemit
dhe i bën litar
lidh për qafe njerëzit
me një shtërngim prej mëndafshi
bluzi i shtrenjtë shitet për një grosh në metro
bjeri trompës si armstrongu po deshe
të zë trishtimi nga psherëtimat e zeza të harlemit
dhe prej harlemit vdes
kur treni të vjen te këmbët
Paske qenë e trashë…
Dëgjova të pëshpërisnin dy plaka të zeza në stolin e drunjtë në metro
canal street trenat q n r ë
Sot në mëngjes më përshëndeti një njeri, e gjen dot, Vivien?
Si ta gjej e dashur, unë gjithmonë kam qenë e trashë në shkollë.
S'do ta besosh kur ta them
presidenti Kenedi,
ai djaloshi i bukur i asaj putanës që u martua me atë bosin grek.
Pse e shan, e dashur?
Megjithëse unë s'kam qenë kurrë e bukur
prej saj erdhi fatkeqësia, ta them unë, prej saj erdhi fatkeqësia
dhe ai më përshëndeti sikur unë ta dija.
Çfare të dije ti, megjithëse unë s'ia them për këto.
Se ai do të vritet sot.
Pse, nuk e kanë vrarë kenedin?
Atë gjithmonë e vrasin, ti nuk e di këtë.
Unë s'ia them për këto gjëra, po dhe mua ma ndjen zemra
se Kenedin do ta vrasin nesër.
Paske qënë vërtet e trashë në shkollë, e dashur Vivien
I ndarë me të gjithë
ai është ndarë me të gjitha po vetëm një gjëje i ka qëndruar besnik
uiskit skocez që i zbraz në bark një gajde me këngë
dhe kori i zorrëve është kori i vjetër kelt që se le të fleje qetësisht
shishja e tij ështe brenda në një qeskë letre bojë kafe
se nuk duhet të duket që ai pi në metro
dhe ai i respekton ligjet
se dikur ka qenë profesor
uiski ky horr sakson e mori më qafë
po ai aspak s'ështe penduar
se poetët që shpjegonte ishin shumë të mjeruar
njëri kishte vdekur i dëbuar
tjetri në koshin e plehrave
një horr poet në arkat e pjeshkëve
më i madhi i çmendur
prandaj s’ia vlente të merrej me poetët
i ndërroi ata me uiskin e skocezëve
me një shishe të vogël në një qeskë letre
hedhur te këmbët
me një gajde me këngë
dhe kori i zorrëve kori madhështor
qe më i bukur se kori antik grek
profesori fle
po përmendet shpesh
janë miliona trena që çojnë në punë njujorkezët
vetëm atë s’e marrin
se ka mbërritur me kohë te bakusi në festë
Home »
» Roland GJOZA - Troket dera në Amerikë (Poezi)





