Rita Saliu vjen me "Ecje vertikalisht nëpër oqean"

Arkiva e poetes prizrenase është e ruajtur me shumë kujdes: foto, disqe, gazeta të plastifikuara të pafund





Nga Kozeta MAMAQI


U takova me Elmira Mujën me mall. U ndjeva si në ato kohë, kur punonim sëbashku në Radiotelevizionin shqiptar. Mes bisedës së ngrohtë, ajo më pyeti:

- A vjen me mua në Kosovë? Një veprimtare e shquar e çështjes së Kosovës do të promovojë një libër me poezi.

- Vij, i thashë e sigurt, - e para, sepse Kosova është dashuri e imja, tjetra, sepse jam e gatshme t'i mbështes gratë e zonja.


Rita Saliu e lidhi ëndrrën me mësuesinë


Kjo vashë prizrenase e lidhi ëndrrën për t'u bërë mësuese me vendin e vet. Ajo punoi në këtë mision të rëndësishëm, si në fshatra, ashtu edhe në qytet, çdo çast pranë fëmijëve, që i donte shumë e u jepte dije.

Me shokun e saj të jetës, Ademin, inxhinier në minierën e Trepçes në atë kohë, patën tre fëmijë, tre djem, si yje. Jetonin e punonin në harmoni brenda familjes. Mbas ngjarjeve që ndodhën në minierë, filluan edhe presionet e keqtrajtimet për familjen e tyre. Ademin e larguan nga puna, edhe pse inxhinier shumë i zoti në profesion. Presionet e keqtrajtimet rriteshin ndaj tyre, kështuqë, nuk pati rrugëdalje, veç mërgimit, të cilin nuk e patën dëshiruar as për të tjerët.


Amerika


Këtë shtet të lirive të mëdha zgjodhi çifti Saliu për t'u vendosur. Janë atje që nga viti 1992, në shtetin Rhode-Island. Ademi punon si inxhinier nuklear në një kompani të madhe, në Masaçuset. Të tre fëmijët u rritën e u shkolluan atje, duke arritur madje rezultate të shkëlqyera. Drilonin, djalin e madh të tyre, kur u pranua në Universitetin e Harvardit, e pyetën:

A je i kënaqur që arrite gjer këtu?

Jo, u përgjigj djali.

U çuditën ata që kishin pyetur, ndërsa Driloni, buzëdridhur, shtoi:

- Jo, sepse shokët e shoqet e mia, me të cilët kam qenë sëbashku në fillore në Kosovë, sot janë nën kërcënimin e tytave të automatikut. (Ishte viti 1999).

Ky djalosh e përfundoi shkëlqyeshëm atë Universitet, në shkencat e Mjekësisë. Vijoi edhe Universitetin e Bostonit për Farmaci dhe sot punon si doktor farmacist.

Learti, djali i dytë i çiftit Saliu ka studiuar në Universitetin Rhode-Island-CC dhe është diplomuar në biznes internacional. Ai punon në një kompani të rëndësishme.

Edhe Gramozi, djali i vogël, po studion në Universitetin e Bostonit për farmaci.

Rita, gjithë këta vite në mërgim, nuk e ka ndalur fluturimin nga Amerika në Atdhe e kthim. Ajo, çdo vit, ka shkuar në Kosovë mbi dy-tri herë: - Për të çuar pak dritë në terr, siç thotë.


Lufta në Kosovë


Rita nuk ndihej mirë në Amerikë. Në vendin e saj kishte filluar lufta. 1999. Ajo ndiqte nga ekrani i televizorit ngjarjet. A mund të rrinte dot larg? E pamundur. E mbështetur nga bashkëshorti dhe djemtë, ajo u nis për në Atdhe.

Fotua e Ritës, me lot në sytë e tmerruar, kur e pa Kosovën në flakë e të djegur gjithandej, u bë dëshmi e dhimbjes në të gjitha mediat e Amerikës.

Sa herë të tjera fluturoi kjo grua guximtare drejt Atdheut të vet në ato kohë të vështira, herë me emrin e saj e herë me tjetër emër. U fut mes grupeve të gazetarëve, që u nisën nga e gjithë Bota atje. Shkonte për të qenë pranë njerëzve në nevojë, edhe me ndihma ekonomike nga familja e saj. Ajo shkoi në Drenicë, vetëm 7-8 ditë pas masakrës e mes shumë peripecive. Shkoi në Krushën e Madhe, në Krushën e Vogël, në Reçak, etj. Së bashku me gazetarët amerikanë, ajo u bë dëshmitare e tmerreve, që serbët kishin kryer kundër popullit të saj, pa njerëz të djegur për së gjalli. Rita Saliu pa, fotografoi dhe dëshmoi para mediave amerikane ato krime monstruoze. Me disa gishta të prerë nga fëmijë të vegjël, që ajo mbante në duar para kamerave, Rita Saliu bërtiste, duke tërhequr opinionin mbarë botëror:- Shihni! Shihni ç'po i bëjnë popullit tim! Kjo është e padrejtë! Këto krime duhen dënuar!

Ajo shfleton foto pa numër para meje. Një nënë, pranë gjashtë varreve. Kishin qenë djemtë e saj, që ia kishin vrarë. Foto me kufoma të djegura. Foto, foto pafund, edhe nëpër gazeta. Edhe CD. Intervistat që Rita ka dhënë. Mes atyre fotone vë re ca, ku disa fëmijë zbresin nga një avion e vrapojnë për diku…

-Po vijnë në krahët e mi, më thotë Rita. Kemi mbajtur 17 fëmijë në shtëpinë tonë, 17 vocrrakë, që patën ardhur nga Kosova. I mbajtëm gjersa u sistemuan. Edhe të tjerë njerëz kemi pritur në familje. Kemi ndihmuar edhe disa fëmijë, që ishin të djeguar dhe u qëndruam pranë, edhe në spital, gjersa u shëruan fare.

Një ofshamë i del nga gjoksi kësaj gruaje të fortë. Foto të tjera kalojnë nga duart e Ritës në duart e mia. Unë i ndjek ato me vëmendje dhe tronditem. Rita, më ve re e më thotë:

- Nuk e di se si jam gjallë, sinqerisht.

E shoh në sy dhe ndjej se atë grua e mban gjallë dashuria që ka për Kosovën, për njerëzit, për popullin e saj, për të cilin ajo s'pushon së punuari.

Arkiva e Rita Saliut është e ruajtur me shumë kujdes. Foto, disqe, gazeta të plastifikuara dhe të pafund. Me siguri, ajo do që ato t'u dëshmojnë edhe brezave, për të mos harruar atë të kaluar të hidhur e drithëruese, të tmerreve e krimeve çnjerëzore, që pësoi populli e vendi i tyre, Kosova.

Në këtë arkivë të pasur, Rita ka dhe shumë falenderime e mirënjohje, si nga Amerika, ashtu edhe nga Kosova. Nga majorja e qytetit ku jeton, ka marrë mirënjohjen "Engjëlli i Amerikës", në vitin 1999.


Paslufta


Rita Saliu, përsëri, vijon fluturimet e saj nga Amerika në Kosovë e anasjelltas. Përherë për të qenë më afër Atdheut, për të qenë pranë njerëzve, që i do dhe e duan. Ajo u çon atyre, mes ndihmave të herëpasherëshme materiale, edhe shpirt nga shpirti i saj, me fjalën e ngrohtë, me shpresën se Kosova do të bëhet, çdo ditë, edhe më e bukur. Për këtë veprimtari të pandalshme në dobi të vendit të vet, ajo është shquar mes komunitetit shqiptar që jeton e vepron në Amerikë. Organizata e gruas shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi", në N.Y. i ka dhënë asaj mirënjohjen "Gruaja e vitit", më 2004.


Poezi në mërgim, atje ku malli për Atdheun "të mbyt".


Rita Saliu ka shkruar poezi që herët dhe ka botuar disa prej tyre në shtypin e kohës, në Kosovë. Por, më shumë e kultivoi këtë gjini në mërgim, atje ku malli për Atdheun "të mbyt". Ka botuar poezi në gazetën "Iliria", në Amerikë. Disa prej tyre janë përkthyer dhe botuar, edhe në shtypin amerikan. Në mërgim, Rita shkruante më shumë për veten. Derdhte mallin, dashurinë për vendin, për njerëzit. Derdhte emocionet, që provonte në takim me ta, në vajtje-ardhjet pandal, që bënte nga Amerika në Kosovë e kthim. Një ditë, më shumë bashkëshorti, Ademi e djemtë, i sugjeruan t'i mblidhte poezitë. Ajo u kënaq sa s'ka nga ky propozim. Me ngut u nis përsëri për në Kosovë, ku punoi gjersa e botoi librin e saj të parë. E kreu. Pas arritjes, vjen festa.

Në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë ishin mbledhur miq e mikesha të poetes Rita Saliu. Kishte shkrimtarë e artistë, përfaqësues të shtetit, titullarët e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Drejtësisë etj. Të gjithë ishin mbledhur atje për të marrë pjesë në promovimin e librit të saj "Ecje vertikalisht nëpër oqean". Zoti Naim Dedushaj, punonjës i lartë pranë zyrës së Kryeministrit, i cili e mori fjalën i pari, vlerësoi veprimtarinë e zonjës Rita Saliu në dobi të Kosovës. Koordinatorja për median e organizatës së gruas shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi" në N.Y., Elmira Muja, gjithashtu, foli për veprimtarinë e shquar të kësaj gruaje në komunitetin shqiptar të Amerikës. Me këtë rast, ajo lexoi edhe përshëndetjen që kishte dërguar dr. Ana Kohen, për këtë eveniment. Një përshëndetje e veçantë kishte ardhur në këtë festë të librit edhe nga familja e zonjës Saliu, nga SHBA.

Shkrimtari Isak Havolli, njëkohësisht edhe recenzent i librit, foli për vlerat e këtij vëllimi poetik. Mes të tjerave, u shpreh: "Duke lexuar me qetësi gjithë materialin poetik, që sjell në këtë libër, patjetër se bindesh që asaj nuk i duhet të ngrejë zërin për t'i futur në kokë mësime të tjerëve. Asaj i mjafton një buzëqeshje që shpërthen nga e gjithë qenia e saj, që ta kuptojnë gjithë ritmin e flatrave të shpirtit të saj poetik".

Vlerësime për këtë libër dhanë edhe zonja Shukrije Ramadani, zyrtare e lartë e Qeverisë së Kosovës etj. Gazetari i mirënjohur, zoti Hivzi Krasniqi, e moderoi në mënyrë të shkëlqyer këtë veprimtari, e cila u kombinua edhe me interpretim të veprave të repertorit muzikor shqiptar nga okteti i burrave. Ilustrimi i disa poezive, interpretuar nga artisti i madh, Cun Lajçi, drithëroi publikun, që e përcolli me duartrokitje këtë festë të librit me poezi të ngrohtë e të sinqertë të zonjës Rita Saliu.