Pse ende e lexojmë Dickens-in?



Victoriani i madh është ndoshta më shumë i gjithëpranishëm tani sesa ka qenë në kohën e tij. Si mbetet kaq i lexueshëm është një pyetje intriguese.


Duket se nuk mund të kthehesh në një qoshe këtë vit pa u ndeshur me Charles Dickens-in. Deri më tani kemi parë botimin e katër romaneve të rëndësishme të bazuara në jetën e ikonës Victoriane: ‘Drood’ i autorit Dan Simmons (shkurt), ‘The Last Dickens’ i Matthew Pearl (mars), ‘Wanting’ i autorit Richard Flanagan (maj) dhe ‘Girl in a Blue Dress’ i Gaynor Arnold (korrik). Në fillim të këtij viti BBC1 lëshoi prodhimin e ri të ‘Little Dorrit’ që u nominua për pesë shpërblime Bafta në Mbretërinë e Bashkuar dhe njëmbëdhjetë shpërblime Emmys në SHBA. Gazetat dhe revistat kanë botuar artikuj mbi lidhjen e tij me krizën aktuale ekonomike në botë. Dhe me sezonin e Krishtlindjeve, vetëm katër muaj larg, duket që nuk mund t’i ikësh atij askund.

Si dikush që jep mësim dhe shkruan rreth Dickens-it, pyetja pse ne ende e lexojmë atë është diçka që shpesh është në mendjen time. Por kjo pyetje nuk ka qenë kurrë më shumë problematike sesa një ditë, para dhjetë vjetëve, kur unë po qëndroja si ligjërues mysafir përballë klasës prej tridhjetë studentëve të shkollës së lartë. Isha duke folur për rreth njëzet minuta me kopje të romanit ‘David Copperfield’ të vitit 1850 në duar, duke u thënë studentëve se për lexuesit viktorianë, krijimtaria e Dickens-it ka qenë bukur shumë si një lloj ‘vazhdon në javën tjetër’ i gjërave që kanë prodhuar trendët dhe manitë, më shumë sesa TV shfaqjet e tyre kanë bërë sot për ta.

Pastaj një dorë u ngrit në mes të sallës.

“Por pse ne ende duhet t’i lexojmë këto gjëra?”

Mbeta pa fjalë sepse në atë moment e kuptova se, megjithëse kisha filluar disertacionin e doktoraturës mbi Dickens-in, kurrë nuk më ka shkuar mendja t’ia bëj vetes këtë pyetje.
Përgjigjja që ia dhashë ishte e pranueshme: “Për shkak se ai të mëson si të mendosh,” thash unë. Por shumica e shkrimtarëve mund të të mësojnë si të mendosh dhe e dija se kjo nuk ishte vërtetë arsyeja.

Pyetja me ka bezdisur me vite të tëra dhe për shumë vite ia kam thënë vetës përgjigjet, por asnjëherë me kënaqësi të plotë. Ne e lexojmë Dickens-in jo vetëm për shkak se ai ka qenë njëri i kohës së tij, por për shkak se ai gjithashtu ka qenë edhe njëri për kohët tona. Ne e lexojmë Dickens-in për shkak se perceptimi dhe hulumtimi i tij i shpirtit njerëzor është i thellë, preciz dhe ndriçues dhe për shkak se ai na thotë gjëra rreth vetes sonë duke portretizuar tiparet dhe sjelljet e individualiteteve që mund të na duken shumë të afërm. Mesazhet e tij për varfërinë dhe bamirësinë kanë udhëtuar nëpër dekada dhe ne mund të mësojmë nga përvoja e personazheve të tij pothuajse aq lehtë sa mund të mësojmë nga përvojat tona.

Këto të gjitha janë arsye të mrekullueshme për ta lexuar Dickens-in. Por këto nuk janë saktësisht arsyet pse e lexoj Dickens-in.
Kërkimi im për një përgjigje ka vazhduar por asnjëherë me sukses, deri kur një vit një rreze e vogël erdhi – jo befasisht – nga një studente tjetër e shkollës së lartë, esenë e së cilës po e rishikoja për një garë shkrimi. “Kemi nevojë të lexojmë romanet e Dickens-it,” ka shkruar ajo, “për shkak se ato na thonë, në mënyrën më të mirë të mundshme, pse jemi ata çfarë jemi.”

Dhe kush isha unë, që më duhej të ma thoshte dikush pse isha ai që isha? Sikur shumica e njerëzve, mendoj se e dija kush kam qenë para se ta njoh atë. Isha Oliver Twist, gjithmonë duke kërkuar më shumë. Isha Nicholas Nickleby, biri i një të vdekuri, pashërueshëm i bindur se babai im po më vështronte nga përtej varrit. Isha Esther Summerson, duke iu përgjëruar nënës, e cila më kishte braktisur që shumë kohë për shkak të rrethanave që nuk vareshin nga ajo. Isha Pip i dashuruar me dikë shumë larg nivelit tim. Unë isha të gjithë ato personazhe, të rishkruar për një kohë dhe vend tjetër dhe fillova të kuptoj më shumë rreth asaj pse isha ai që isha për shkak se Dickens më ka thënë shumë për qeniet njerëzore dhe bashkëveprimin njerëzor.

The Guardian