Java e çmimeve "Nobel" është çelur dje. Sipas traditës ka qenë "Nobeli" për mjekësinë ai që është bërë i ditur i pari nga Akademia e Stokholmit, për të vijuar më pas me atë të fizikës, kimisë, letërsisë e paqes deri te "Nobeli" i fundit, ai për ekonominë.
Amos Oz, në krye të listës
Për të mësuar se cili do të jetë shkrimtari që do të vlerësohet këtë vit me çmimin më të rëndësishëm, do të duhet të presim deri të enjten, 8 tetor ora 13.00. Është pikërisht kjo koha kur emri i tij do të bëhet publik. E ashtu si çdo vit, edhe kësaj here është bërë gati një listë me më të preferuarit prej shkrimtarëve. Shkrimtari izraelit, Amos Oz, këtë vit qëndron në krye të listës për çmimin "Nobel" për letërsinë 2009. Menjëherë pas tij renditet shkrimtarja algjeriane Assia Djebar, shkrimtari spanjoll Juan Goytisolo dhe amerikanët Joyce Carol Oates, si edhe kandidati i përjetshëm Philip Roth. Në listë gjendet edhe poeti nga Siria Adonis, i cili në vitin 2008 ishte më i preferuari bazuar në parashikimet paraprake, pastaj vijnë shkrimtarët italianë Antoni Tabucchi dhe Claudio Magris, për të vijuar më pas me shkrimtarin japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari amerikan Thomas Pynchon. Pavarësisht parashikimeve shpresëdhënëse, edhe pse ndodhet në krye të listës së të preferuarve, izraeliti Amos Oz nuk mund të cilësohet ende si një fitues përfundimtar. Vitin e shkuar fituesi i çmimit "Nobel", shkrimtari francez Jean-Marie Gustave Le Clezio gjendej thuajse në fund të listës apo Harold Pinter që u shpall fitues në vitin 2005, i cili as nuk ishte pjesë e saj. Ndërkaq, shkrimtarët anglosaksonë këtë vit duket se nuk do të kenë mundësi t‘i afrohen "Nobelit". Kështu të pakta janë shanset për As Byatt, Salman Rushdie, Beryl Bainbridge dhe Ian McEwan.
Për vitin 2009, asnjëri prej kandidatëve nuk ka ndonjë shkëputje të madhe nga tjetri. Ambientet letrare dhe mediatike të Stokholmit hedhin hipoteza se këtë vit çmimi mund t‘i shkojë një poeti. Poetja e fundit që është nderuar me çmimin "Nobel" ka qenë polakja Wislawa Szymborska në vitin 1996. Edhe këtë vit, ata që janë fituesit e mundshëm të këtij çmimi të rëndësishëm do të qëndrojnë pas telefonit, në pritje të një telefonate nga Stokholmi. Pritja do të jetë sërish e ankthshme dhe emocionuese për ta. Çmimi në para për fituesin do të jetë rreth 1 milion euro, ose 10 milionë korona suedeze, të cilat i dorëzohen fituesit në datën 10 dhjetor së bashku me një medalje dhe një diplomë. Pas dorëzimit të çmimit "Nobel" për letërsinë, shtrohet banketi tradicional, ku merr pjesë edhe familja mbretërore suedeze. Çmimet janë pjesë e vullnetit të fundit të shprehur prej Alfred Nobel, shpikësit të dinamitit. Çmimet e para u dorëzuan në vitin 1901.
Emri i fituesit do të bëhet i ditur nga Akademia Mbretërore Suedeze gjatë së ashtuquajturës "Java e nobelave", e cila u çel dje dhe do të përfundojë të hënën më 12 tetor.
Amos Oz
Emri i vërtetë i Amos Oz është Amos Klausner. Ai, përveçse është autor i një sërë romanësh, është edhe shkrimtar, si edhe docent i letërsisë në Universitetin Ben Gurion të Negev, në Be‘er Sheva. Qysh prej vitit 1967, ai është mbështetës i zgjidhjes së konfliktit arabo-izraelit. Janë të shumta çmimet dhe mirënjohjet ndërkombëtare që i janë kushtuar shkrimtarit izraelit Amos Oz jo vetëm për veprën e tij letrare, por edhe për impenjimin në favor të paqes. Në vitin 2007 fiton çmimin "Princ i Asturias" në letërsi, si edhe çmimin "Grinzane" për kulturën mesdhetare. Në vitin 2008 vlerësohet me çmimin "Dan David" dhe po atë vit me çmimin ndërkombëtar "Primo Levi".
Assia Djebar
Kundërshtarja kryesore e Amos Oz është shkrimtarja algjeriane Assia Djebar. Në qendër të krijimtarisë së saj letrare është gjithnjë gjendja e gruas në Algjeri. Në të vërtetë, Assia Djebar është një pseudonim të cilin e ka adaptuar për të firmosur librat, pasi kishte frikë prej reagimit të të atit nëse do të zbulonte se ajo shkruante. Emri i saj i vërtetë është Fatima-Zohra Imalayen. Ajo ishte femra e parë e vendit të saj që u pranua në Ecole Normale Supérieure franceze në vitin 1955. Assia i është kushtuar edhe regjisë dhe veprave kinematografike. Ajo jep mësim në Universitetin "New York" dhe jeton mes Parisit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Juan Goytisolo
Shkrimtari spanjoll është përfaqësuesi më i madh i rrymës së romancierëve të gjeneratës së re spanjolle të viteve ‘70. Për shkak të shkrimeve therëse gjatë regjimit frankist, ai detyrohet të largohet drejt Francës, ku thelloi temën e emigracionit. Librin e parë e botoi në moshën 25-vjeçare në Paris. Aktualisht jeton mes Parisit dhe Marrakeshit. Konsiderohet si një njohës i thellë i kulturës myslimane. Ka qenë korrespondent lufte për "El Pais" në Çeçeni dhe në Bosnjë. Interesi i tij për varietetin e kulturave, ushqyer edhe prej eksperiencës së tij si një shkrimtar larg vendit të vet, ka bërë që të mbështesë perspektivën e një bashkimi vlerash mes qytetërimeve në konflikt.
Joyce Carol Oates
Shkrimtarja amerikane është autore e një sërë romanesh, tregimesh, skenarësh dhe poezish. Oates është rritur në fermën e prindërve të saj në një zonë rurale të shtetit të Nju Jorkut. Ajo ka eksperimentuar në shtigje të shumta të prozës moderne, duke përshtatur shumë kryevepra në fiction si "Blonde", "What I lived for" ose "Mosha e mesme", por duke i kthyer ato edhe në tregime të shkurtra, si dhe për fëmijë. Oates jep mësim në departamentin e shkrimit në Universitetin Princeton. Shkrimtarja ka shkruar libra të ndryshëm, pjesa më e madhe e të cilëve romane të mistershme, nën pseudonimin Rosamond Smith dhe Lauren Kelly.
Philip Roth
Shkrimtari amerikan, me origjinë hebraike, debuton me "Goodbye Columbus", një përmbledhje me gjashtë tregime, ku Roth do të shpërfaqet me stilin e tij ironik, të pjekur, të painfluencuar prej kulturave që i ka ndjekur me vëmendje: psikanalizën, kulturën apo satirën bashkëkohore. Krijimtaria e tij cilësohet si një diamant në letërsinë amerikane. Roth është disa herë fitues i "National Book Award", ndërsa në vitin 1997 është nderuar me çmimin "Pulitzer". Është shkrimtari i tretë amerikan që ka pasur nderin të shikojë të publikuar veprën e tij në "Library of America" në gjallje.





