Ndeshja kryesore e xhiros së tretë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve është zhvilluar ndërmjet dy skuadrave më të trofeshme në Ligën e Kampionëve, të cilat kanë zhvilluar ndeshjen e xhiros së tretë në Grupin C. Në pjesën e parë të dyja skuadrat zhvilluan një lojë më të mbyllur dhe më të kujdesshme, mirëpo një gabim trashanik të portierit Dida, e shfrytëzoi ikona e Los Blancos, Raul, i cili i solli mbretërit në epërsi (19’). Në pjesën e dytë u zhvillua një ndeshje më dinamike, me ç’rast u shënuan katër gola. Mesfushori italian Andrea Pirlo barazoi rezultatin pas një supergoditje nga distanca, duke lënë të shtangur portierin Iker Casillas (62’). Rossonerët i kaloi në epërsi Alexandro Pato (66’), i cili pranoi një top nga Massimo Ambrosini për ta shënuar golin e dytë për mysafirët. Los Blancos barazuan rezultatin me anë të të inkuadruarit në pjesën e dytë, Royston Drenthe (76’), i cili pas një skeme me Raulin mposhti portierin Dida. Ndërkohë tri pikë të merituara Milanit ia solli braziliani Pato me golin e dytë personal dhe të tretin në këtë ndeshje (88’).
Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Marseille ka shënuar fitore minimale si mysafir i Zurichut. Pas xhiros së tretë, Milani dhe Reali kanë nga gjashtë pikë, ndërsa Marseille dhe Zurichu nga tri pikë.





