Letërsia mbetet një botë e pavarur. Prej kësaj gjysëmherezie pasurohet gjithnjë e më shumë bota jonë reale



Fjala e plotë nga Ismail
Kadare në ceremoninë e
mbajtur dje në Oviedo


Është një kënaqësi e veçantë për
mua të jem këtu sot dhe të flas në
këtë sallë. Kënaqësia është e dyfishtë
ngaqë kjo po ndodh për shkak të
letërsisë, univers të cilit unë i përkas.
Kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të
ekzistojnë ende dy ide radikalisht të
ndryshme për letërsinë. Njëra, më e
vjetër e disi naive, besonte se letërsia,
ashtu si artet e tjera, ishte i aftë
të prodhonte mrekullitë e botës,
kurse ideja tjetër, më moderne, edhe
ajo disi naive, që thotë se letërsia nuk
i shërben për gjë zhvillimit të njerëzimit.
Tek të dyja këto ide, e vërteta
dhe jo e vërteta kryqëzohen diku në
mes, megjithatë, si një njeri i artit që
jam, unë jam i prirur të besoj tek mrekullitë
që sjell letërsia.
Ekziston një model për këtë paradigmë:
Miti i Orfeut. Ai është konsideruar,
me të drejtë, si miti me më
shumë misteriozitet i njerëzimit. Thelbi
i tij është i lidhur me kompetencat
e artit. Orfeu triumfoi me gjërat e tij të
pabesueshme, edhe pse ato s’i mjaftuan
për të kapërcyer muret e vdekjes,
paçka se ai iu afrua më shumë
se çdokujt tjetër këtij synimi.
Iu referova këtij miti të famshëm
për të mbërritur tek një tjetër mrekulli,
shumë më e zakonshme në pamje,
paçka se ka të njëjtën natyrë.
Njëzet vjet më parë, në vendin tim
komunist, në qoftë se dikush do kishte
sugjeruar mundësinë që dikush,
një ditë - një shkrimtar shqiptar - do
të merrte një çmim në Spanjë, të akorduar
nga Princi i Kurorës, do ta cilësonin
menjëherë të çmendur, do ta
lidhnin me zinxhirë dhe do ta dërgonin
në çmendinë. Dhe kjo do të kishte
qenë alternativa më pak e keqe.
Sepse kishte edhe një version të dytë,
që dikush do të përfundonte në
gjykatë dhe do të torturohej si një komplotist
i rrezikshëm.
Ndoshta ju mund t’ju duket pak i
dramatizuar ky përshkrim, por po e
shpjegoj. Shqipëria, vendi im dhe
Spanja juaj, me përjashtim të një
miqësie të shkurtër në shekullin e
pesëmbëdhjetë, nuk patën asnjë
lidhje. Por këputja e plotë e tyre ndodhi
shekullin e kaluar, kur vendi im
komunist, i shquar për shkëputjen e
marrëdhënieve (që në njëfarë mënyre
ishte edhe specialiteti i tij), i preu të
gjitha lidhjet me Spanjën.
Por si çdo gjë në këtë botë, edhe
mrekullitë e letërsisë kanë traditën e
tyre. Në kohën kur po flisnim për
marrëdhëniet e akullta mes nesh e
kur nga Spanja nuk na vizitonte
askush, një kalorës i vetëm, duke injoruar
ligjet e botës, e kalonte gjithmonë
e më shpesh kufirin që dukej
si i pakapërcyeshëm. Të gjithë e mar-
rin me mend se e kam fjalën për Don
Kishotin. Kjo qe e vetmja gjë që regjimi
komunist s’mundi ta ndalte. Don
Kishoti, qoftë si një libër, qoftë si një
karakter i vërtetë, u bë kaq popullor
në Shqipëri, a thua se ai qe shkruar
aty. Disa gjetën shpjegimin e mëposhtëm
për këtë paradoks: Don
Kishoti ishte i çmendur, po aq i çmendur
sa edhe shteti shqiptar, kështu
që mund të imagjinohet se dy të lënë
nga trutë mund të merren vesh me
njëri-tjetrin.
Duke kërkuar paraprakisht ndjesë
për krahasimin e disponimit fisnik të
Don Kishotit me mbrapshtinë e
çmendur të shtetit tim, më lejoni të
kujtoj se ky paralelizëm është i lidhur
në fakt me një tjetër fenomen.
E bëra këtë hyrje të gjatë për t’u
ndalur tek tema kryesore e fjalës sime
të shkurtër, tek pavarësia e letërsisë.
Don Kishoti e kapërcente sa herë
dëshironte kufirin shqiptar, ndër të
tjera, për shkak se ai vend ishte i pavarur.
Dhe kur një shkrimtar shqiptar,
për një vepër të shkruar kryesisht në
një territor dhe nën një kohë komuniste,
vjen për të marrë një çmim të
dhënë nga një mbretëri perëndimore,
kjo ndodh për shkak se letërsia, për
nga natyra e vet, është e pavarur.
Debati mbetet i vjetër. Kjo ishte
dhe ndoshta ende mbetet shqetësimi
kryesor i artit. Përkundrejt pavarësisë
së shteteve, letërsia mbetet globale,
prandaj edhe mbrojtja e saj
është globale.
Por ky fakt nuk e bën më të lehtë
sfidën, përkundrazi. Pavarësia e letërsisë
dhe e arteve është një proces në
zhvillim. Është e vështirë për mendjen
tonë të kuptojmë përmasat e vërteta
të këtij procesi. Të mësuar me pavarësimin
që u referohen kryesisht shteteve,
kombeve, bile edhe individëve,
po hasim në vështirësi për t’i shkuar
më tej sfidës. Dhe të shkuarit më larg
do të thotë të kuptosh se pavarësia e
artit nuk është luks apo një dëshirë
për ta përsosur artin vetë. Mbetet një
parakusht objektiv, konsistent. Përndryshe,
ky univers paralel nuk do qendronte
dot në këmbë e prej kohësh do
ish shembur.
Koncepti, siç thashë, është i vjetër.
Gjithashtu është i njohur edhe termi i
lashtë “republika e letrave”. Tendenca
për ta parë letërsinë si një botë
shpirtërore, por gjithashtu me atributet
e veta materiale: hapësirën, kohën
a lëvizjen, është një qasje e
mirënjohur, por kaq nuk mjafton. Ne
e kemi pranuar atë si një pikë referimi,
si një botë paralele, por kur vjen
koha për të konceptuar një pamje të
plotë të saj, mendjet tona të ngushta
e konformiste e kanë të vështirë të
pranojnë ekzistencën e këtyre paralelizmave,
bile të këtyre realiteteve të
ndryshme e të pavarura. Themi “të
pavarur” dhe menjëherë instinkti ynë
i vjetër na drejton për kah e kundërta.
Ne jemi në gjendje të imagjinojmë
se nëse arti nuk varet nga shtetet,
doktrinat, modat e mënyrat e jetesës,
gjithsesi kanë marrëdhënie varësie
me to. Të mendojmë pastaj për
botën tonë të vërtetë, me fjalë të tjera
për vetë jetën tonë. Ideja se letërsia
varet nga jeta është pothuajse një
ide e pranuar në nivel planetar.
Dhe tani po shtroj një pyetje që
është gjithashtu planetare, paçka se
ngjan heretike: A është kjo e vërtetë?
Përgjigjja, tani për tani, mbetet e
dyzuar mes dy kahjeve: duhet detyrimisht
të jenë dy mënyra: s’mund të
mos pranojmë se arti ka lidhje me
jetën, paçka se vetëm pjesërisht.
Më lejoni, në fund të fjalës time,
të shpjegoj shkurtimisht këtë
gjysmëherezinë time.
Pasi kemi pranuar se letërsia
dhe artet janë referenca të një bote
paralele, kemi pranuar gjithashtu se
ato janë referenca edhe të një bote
rivale. Dhe kështu, meqë rivaliteti në
mënyrë rutinore të çon në konflikt, ne
jemi të detyruat të pranojmë, dashurpadashur,
se midis këtyre dy botëve,
midis jetës edhe artit, ka konflikt.
Dhe konflikti ekziston. Nganjëherë
i deklaruar e nganjëherë i
fshehur. Dhe bota reale ka armët e
veta kundër botës së artit në këtë
ballafaqim: censurën, doktrinën, burgun.
Por edhe arti ka mjetet e veta,
anët e tij të forta, të cilat janë kryesisht
të fshehtë.
Por bota reale nganjëherë provon
të jetë e pamëshirshme.
Një poet gjerman i imagjinonte
tercinat e Dante Alighierit, ndonjëherë
si pika kërcënuese e herë të tjera si
instrumente të tjera torture për
ndërgjegjet e tronditura nga krimi.
Por, lufta mes këtyre dy botëve
është më e komplikuar sesa duket.
Poeti gjerman këmbëngul se disa
veta janë lodhur me armiqësitë e artit
dhe disa të tjerë me dashurinë e
tij. Paradoksalisht, mjaft prej nesh zbulojnë
se janë tëhuajësuar me artin,
bash atëhere kur besonin se e
dashuronin atë. Siç shihet, pavarësimi
i letërsisë dhe i artit bëhet gjithnjë
e më i vështirë. Megjithatë, ne shkrimtarët
jemi të bindur se arti nuk
do ta ngrejë flamurin e dorëzimit.
Qëkur po përmend këtë fjalë të
ashpër, mendoj se duhet t’i kthehemi
sërish vizionit të dy botëve që gjenden
ballëpërballë në pritje të një fitoreje:
botës reale si dhe botës së artit.
Sigurisht, ka shumë dallime mes
tyre, por njëri prej tyre qendron kolosal
mbi gjithë të tjerët. Ndërsa në
konfliktin e vet me artin, bota e vërtetë
arrin në një tërbim të tillë që t’i turret
botës rivale për ta shkatërruar krejt,
përkundrazi, bota e artit në asnjë rast
- e përsëris - në asnjë rast, nuk e ka
sulmuar botën reale me qëllimin për
ta dëmtuar, por veç me synimin për
ta bërë atë më të bukur e më të përshtatshme.
Ky është një dallim thelbësor
mes dy botëve. Dhe në këtë
rast ky ndryshim nuk bën gjë tjetër
veçse konfirmon pavarësinë e vërtetë
dhe sublime të artit.
Falemindert!”