Duke shfletuar “Diellin” befasohemi nga larmia e shkrimeve artistike të botuara qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen autorë me famë kombëtare e ndërkombëtare. Janë botuar tregime të shkurtra, poezi sintetike, si edhe novela që vijonin në disa numra
Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të “Diellit” ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e vlerësonin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik.
Naum Prifti
Kur flasim për letërsinë artistike në faqet e Diellit, kemi parasysh si letërsinë origjinale nga autorë shqiptarë, ashtu edhe letërsinë e përkthyer nga gjuhët e tjera, prozë e poezi, meqë ato përbëjnë një binom të pandarë. Duke shfletuar Diellin befasohemi nga larmia e shkrimeve artistike të botuara qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen autorë me famë kombëtare e ndërkombëtare. Midis të tjerash vlen të shënohet se janë botuar tregime të shkurtra, poezi sintetike që preferohen nga gazetat për arsye të kuptueshme, si edhe novela që vijonin në disa numra. Përzgjedhja e këtyre krijimeve dëshmon kulturën e gjerë të editorëve të “Diellit” dhe njohuritë e tyre për letërsinë botërore, si edhe kontaktet me kritikën bashkëkohëse. Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të “Diellit” ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e vlerësonin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik. Nga ana tjetër këto botime sidomos përkthimet ishin arma më e fortë që rrëzonte denigrimet e pasosura për gjuhën shqipe nga grekët, si gjuhë barinjsh, e paaftë të shprehte ndjenja të holla, mendime artistike e filozofike. Në kohën kur në SHBA doli në dritë “Dielli” në trojet etnike shqiptare, dua të them në katër vilajetet e saj, nuk kishte asnjë gazetë, asnjë revistë shqip, mbasi qeveria turke i quante subversive shkronjat shqipe. Patriotët Rilindës zgjodhën rrugën e botimit të gazetave, revistave e librave shqip jashtë kufijve të perandorisë Otomane. Shtegun e çeli Jeronim De Rada në Itali më 1883 me revistën e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore “Flamuri i Arbërit”. Më pas botimi i gazetave e revistave mori hov nëpër kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofie, Athinë e Kairo. Në Amerikë patrioti Sotir Peci nisi botimin e gazetës “Kombi” më 1906. Aty punoi disa kohë edhe Fan Noli. Përvoja e fituar e ndihmoi të drejtonte me sukses gazetën “Dielli.” Noli ka qenë editori i saj i parë, ai që e vuri mbi themele të shëndosha, çka e dëshmon jetëgjatësia e saj njëshekullore. Gazeta si organ i Federatës Panamerikane “Vatra” kishte karakter politik, shoqëror e kulturor, pra t’i shërbente komunitetit dhe atdheut. Zakonisht letërsia artistike në gazetat jo specifike qe e rastësishme, anësore, dhe sezonale. Nuk ka asnjë gazetë tjetër që ta ketë kundruar letërsinë si pjesë integrale të misionit të saj. Nga kjo anë gazeta “Dielli” shënon një rekord në shtypin shqiptar të para dhe të pas luftës së dytë botërore, si brenda edhe jashtë atdheut. Merita i takon konceptit që kishte Noli, editori i Diellit, për rolin dhe vlerën e letërsisë artistike. Pikëpamjet e tij gjetën përkrahje si nga Konica, ashtu edhe nga Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, njerëz me kulturë e vizion për të ardhmen. Në koleksionin e “Diellit” hasen emra autorësh të antikitetit, sikurse Eskili, Herakliti, pena të Mesjetës, Shekspiri, Molieri, Cervantes, Khajam, klasikët si Gëte, Heinrih Heine, Ibsen, Hugo, Gorki, Tolstoi, Mopassan, Stendhal, Alphons Daudet, Ibanez, Longfellou, Irving Washington e deri tek modernët Fridrih Niçe, Rudyard Kipling, Edgar Allan Poe, Bjornson, etj. Shumë nga përkthimet mbajnë firmën e Nolit, ose pseudonimet që përdorte. Te libri “Noli i panjohur” Efthim Dodona, me hulumtimet për jetën e Nolit në Harvard, ribotoi edhe përkthimet e tij botuar te “Kombi” dhe te “Dielli.” Ai vëren se komedinë me një akt “Martesa me pahir” të Molierit, Fan Noli e quan adaptim mbasi ndryshoi, më saktë shqiptarizoi emrat e personazheve, s’postoi vendin e veprimit në Korçë dhe latinizmat i ktheu në greqizma duke vënë në lojë elementët pro-grekë. Atje ku profesori grek e pyet me ç’ gjuhë do t’i flasë, latinisht, gjermanisht, frëngjisht, turqisht, protagonist ngulmon “Jo! Shqip, shqip, shqip!” Noli e përfundon komedinë me thirrjen “Rroftë Hyrieti! Rroftë Korça greke! Poshtë Masonët!” duke e aktualizuar që të shijohej nga shikuesit emigrantë. Novelën e Stendalit “Vanina Vanini” Noli e zgjodhi për të theksuar dramën e heroinës, e cila për të fituar të dashurin denoncon kryengritësit karbonarë, por pëson disfatë se Misirili e neverit sapo merr vesh ngjarjen. Te faqet e “Diellit” gjejmë përkthime nga Faik Konica, Kost Çekrezi, Dennis Kambury, autor i fjalorit të parë anglisht-shqip (1917), Shevqet Bënça, Dhionis Karbunara, të cilët janë të periudhës më të hershme. Pas tyre vijnë një sere përkthyesish të tjerë si Peter Prifti, Bardhyl Pogoni, Eduard Liço, Fekeçi, etj. Veç përkthimeve të spikatura, disa prej të cilave zunë vend në antologjitë e shkollave, sikurse “Korbi” dhe “Anabel Lee” të Edgar Allan Poes, Noli botoi mjaft poezi origjinale, midis të cilave edhe “Jepni për Nënën,” (25 maj 1917) një manifest që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve tej e mbanë Amerikës. Epopeja u përsërit gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, (1999) me ndihmat kolosale materiale nga emigrantët dhe me vullnetarët e “Batalionit Atlantiku” që rrëfyen se në rrembat e shqiptarëve vazhdonte të rridhte gjaku i Isë Boletinit dhe Adem Jasharit. Gjatë një shekulli “Dielli” u drejtua nga një sërë editorësh, të cilët meritojnë lavdërime për aftësitë dhe zellin e treguar. Pa përjashtim të gjithë kanë mbajtur lart dashurinë për atdheun, të pandarë nga dashuria për liri. Përkulemi me nderim përpara kujtimit të Kostë Çekrezit, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhiut, Refat Gurazezit, Eduard Liços, Arshi Pipës dhe shprehim respekt për editorin e fundit poetin dhe studiuesin Anton Çefa. Kërkojmë falje që nuk po i përmendim të gjithë.“Dielli” u bë tribunë e mendimit shqiptar, jashtë vargonjve të censurës komuniste. Në shkrimet letrare të kësaj periudhe shprehet malli për vendlindjen, vuajtja nga mbyllja hermetike e kufijve, dëshira për ta parë atdheun të lirë. Poeti i poemit “Vallja e Vdekjes” bëhet kësisoj zëdhënës për ndjenjat dhe mendimet e të mërguarve politikë, pas viteve ‘50. Një shembull tjetër, poezia e Agim Karagjozit kushtuar dhimbjes për vdekjen e Nënës, hidhërimit që nuk iu ndodh në çastet e fundit, një poezi e ndjerë, mbrujtur me mallëngjim. Në bazë të copave të botuara te “Dielli,” Qerim Panariti redaktoi librin e Konicës “Shqipëria Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore,” dhe po ashtu mblodhi krijimet e Nolit te “Album”. Refat Gurazezi botoi një historik të Vatrës, Arshi Pipa botoi një sërë studimesh për De Radën e letërsinë shqipe, Eduard Liço hartoi përmbledhjen e bukur “Flamurtar i Kombit” për figurën e Nolit nga autorë që e kanë njohur së afërmi. “Dielli”e pasuroi letërsinë shqipe, me përkthime cilësore të autorëve të huaj, prozë e poezi. Shumë nga ato vepra, si “Vanina Vanini,” “Madam Fifi,” “Martesë me pahir,” “Dy miqtë” u ripërkthyen dhe u botuan në vitet ’60-70, dhe ne i lexuam me kënaqësi, pa e ditur se ato ishin përkthyer e botuar te “Dielli” gjysmë shekulli më parë. Ky fakt tregon se përzgjedhja e autorëve ka qenë cilësore. Këto janë vetëm një pjesë e përkthimeve letrare artistike. Lista e plotë pritet të hartohet nga studiuesit e pasionuar të shtypit tonë periodik. Në 100 vjetët e rrugëtimit të tij historik “Dielli” ka qenë tribunë e mendimit demokratik të pa censuruar, e njëkohësisht tribunë për krijimet artistike të emigrantëve politikë dhe të emigrantëve të rinj pas vitit ‘90. Botimet e letërsisë artistike te “Dielli” ruajnë vlera të larta estetike dhe njëkohësisht gjuhësore.
New York – “Tribuna”
Home »
» Letërsia artistike në faqet e gazetës “Dielli”