Kadare merr çmimin prestigjioz Princi i Asturias



Nga Tema
Në një ceremoni madhështore, shkrimtari ynë Ismail Kadare ka marrë dje çmimin prestigjioz Princi i Asturias në letërsi për vitin 2009. Çmimin e madh shkrimtarit shqiptar ia ka dorëzuar princi i Spanjës, Filip në një ceremoni ku ishin të pranishëm mbreti dhe mbretëresha, personalitete të mëdha të artit, kulturës dhe të fushave të tjera. Duke folur para të pranishmëve, shkrimtari shqiptar tha: “20 vjet më parë, nëse në vendin tim komunist dikush do të deklaronte se një shkrimtar shqiptar do të merrte këtë çmim, do të përfundonte në burg dhe do të konsiderohej si komplotist. Vendet tona nuk kanë pasur lidhje, por mrekullia e letërsisë bëri që një kalorës të kalojë kufijtë e pamundur. Besoj se e dini se për kë bëhet fjalë, Don Kishotin. Si Don Kishoti, ashtu dhe shteti im ishin të marrë”, tha Kadare.
Shkrimtari shqiptar është vlerësuar nga juria e fondacionit Princi i Asturias për letërsinë e tij, e cila i ka kapërcyer kufijtë e të qenit shqiptare dhe është futur në fondin e vlerave universale të njerëzimit. Kadare e ka marrë këtë çmim përballë emrave shumë të njohur të letërsisë botërore ku dallohen Kundera, Tabucchi etj. Ceremonia ka qenë e jashtëzakonshme dhe princi trashëgimtar i fronit spanjoll ka mbajtur një fjalim ku i drejtohej botës dhe njerëzve që të shprehin më të mirën e tyre në mbrojtje të vlerave universale dhe të punojnë që këto vlera të mbeten të patjetërsueshme. Fjalimi i princit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve është fjalimi më i rëndësishëm që mban princi i Spanjës. Ismail Kadare me veprën e tij është cilësuar si një shkrimtar dhe intelektual që renditet tek më të njohurit e gjithë epokës. Shtypi dhe mediat ndërkombëtare, sidomos ato spanjolle i dhanë një rëndësi të madhe ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Disa prej gazetave më të njohura e cilësuan Kadarenë si një shkrimtar, vepra e të cilit përmes vështirësive të komunizmit arriti të kapë majat e letërsisë botërore. Ish ministri spanjoll i Kulturës tha se çmimi Princi i Asturias duhet të jetë edhe një këshillë për akademinë e Nobelit.

Çmimi Princi i Asturias, një nga çmimet më të rëndësishme në botë

Princi i Asturias, së bashku me Çmimin Nobel, është mirënjohja më prestigjoze për meritat e atyre burrave e grave që kanë kontribuar në progresin e njerëzimit.
Në edicionin e vitit 2009, Çmimi Princi i Asturias për Letërsinë, i është dhënë figurës së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadaré për “bukurinë dhe kompromisin e thellë të krijimtarisë së tij letrare”.
Ai përbën një rast për të njohur më mirë këto çmime në Shqipëri ashtu si dhe për të bërë të njohur më mirë veprën e Kadaresë dhe me anë të saj, kulturën dhe historinë e Shqipërisë, në gjithë botën spanjisht folëse.
Fondacioni Princi i Asturias është themeluar në qytetin e Oviedos në 24 shtator 1980 në një ceremoni formale të kryesuar nga lartësia e tij Princi i Asturias, trashëgimtar i fronit të Spanjës, i cili u shoqërua nga prindërit e tij, madhëria e tyre mbreti dhe mbretëresha e Spanjës.
Qëllimi kryesor i fondacionit është të konsolidojë lidhjet mes principatës dhe princit të Asturias dhe të kontribuojë në inkurajimin dhe promovimin e vlerave shkencore, kulturore dhe humane që janë pjesë të trashëgimisë universale.

Janë tetë çmime Princi i Asturias që u dhanë në edicionin e tij të 29-të

- Çmimi për Artet: Norman Foster
- Çmimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar: Organizata Botërore e Shëndetësisë
- Çmimi për Shkencat Shoqërore: David Attenborough
- Çmimi për Komunikimin dhe Shkencat Humane: Universiteti Autonom Kombëtar i Meksikos
- Çmimi për Kërkimin Shkencor dhe Teknik: Martin Cooper dhe Raymond S. Tomlinson.
- Çmimi për Sportin: Yelena Isinbayeva

Lista e fituesve të çmimit Princi i Asturias për letërsinë

2008: Margaret Atwood
2007: Amos Oz
2006: Paul Auster
2005: Nélida Piñón
2004: Claudio Magris
2003: Fatema Mernissi e Susan Sontag
2002: Arthur Miller
2001: Doris Lessing
2000: Augusto Monterosso
1999: Günter Grass
1998: Francisco Ayala
1997: Alvaro Mutis
1996: Francisco Umbral
1995: Carlos Bousoño
1994: Carlos Fuentes
1993: Claudio Rodríguez
1992: Francisco Morales Nieva
1991: Puerto Rico’s People
1990: Arturo Uslar Pietro
1989: Ricardo Gullón
1988: Carmen Martín Gaite e José Ángel Valente
1987: Camilo José Cela
1986: Mario Vargas Llosa e Rafael Lapesa Melgar
1985: Ángel González
1984: Pablo García Baena

Disa personalitete të tjera të nderuara me këtë çmim

Ky vlerësim për Ismail Kadarenë e vendos atë në një Olimp imagjinar pranë personaliteteve të tjera të njohura dhe të respektuara anekënd botës për punën e tyre si Nelson Mandela, Yasser Arafat, Isaac Rabin, Al Gore, Daniel Barenboim Edward Said, Vittorio Gassman, Antoni Tapies, Ingrid Betancourt, Jürgen Habermas, Paul Krugman, Raymond Karr, Umberto Eco, Bob Dylan, Pedro Almodóvar, Woody Allen, Stephen Haëkins, Carl Lewis, Lance Armstrong, Sebastian Coe apo institucione të tilla si Google, National Geographic, Fondacioni Bill dhe Melinda Gates apo UNICEF.

Mediat për çmimin e dhënë Kadaresë

Shtypi spanjoll

Është një gjë e thjeshtë të vendosësh një autor në rrugën e Kafkës apo të Borgesit dhe ta vlerësosh atë. Në këtë rast është korrekte t’i përmendësh ata: ai është kafkian sepse shumë nga romanet e tij janë alegori e vetmisë dhe e pandihmësisë së njeriut kundrejt makinerisë së pashpirt, komplekse, të padepërtueshme, absurde të superstrukturës sociale dhe politike që e sundon atë; dhe ai është borgesian për shpikjen nga ana et ij të hapësirave metaforike të paharrueshme.
Arkiva të pafundme, piramida të mëdha të ndërtuara për të shpenzuar energjinë e vendit në diçka krejt të padobishme (Piramida): ministri ku mijëra nëpunës civilë analizojnë ëndrrat e njerëzve sepse aty mund të jetë fshehur pak disidencë (Pallati i Ëndrrave).

Ignacio Vidal-Folch,
El País, 25 qershor 2009

Admirues i Homerit, Eskilit (të cilit i dedikoi një libër) dhe Shekspirit, Ismail Kadare është autor i shumë romaneve, shumica e të cilave e përkther në spanjisht nga mbështetësi i madh dhe specialsiti Ramón Sánchez Lizarralde, i cili duhet përgëzuar sot. Ai gjithashtu shkruan ese. Çmimi Princi i Asturias për Kadarenë nuk është vetëm një akt drejtësie dhe mirënjohje për punën e tij, por gjithashtu edhe një këshillë për Akademinë Suedeze.

César Antonio Molina, Ish ministër i Kulturës
El Mundo, 25 qershor 2009

Shtypi argjentinas

Shkrimtari ka fituar garën me shkrimtarë të tillë si Milan Kundera, i konsideruar si një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë të gjallë, italianin Antonia Tabuçhi, Duthman Cees Nooteboom dhe britanikun Ian McEwan, një nga më të shquarit e brezit të tij.
Një grup prej 25 shkrimtarësh të nominuar nga 31 kombësi ishin në garë për këtë çmim që jep fondacioni Princi i Asturias për një person, grup, institucion apo grup institucionesh për punën e tyre apo kërkimin si një domethënie për kontributin në vlerat dhe kulturën universale në fushën e linguistikës dhe të letërsisë.

Clarín, 24 qershor, 2009

Shtypi amerikan

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është vlerësuar me çmimin Princi i Asturias të mërkurën si mirënjohje për angazhimin shoqëror dhe punën e tij. Duke e përshkruar atë si një nga autorët më të mëdhenj botërorë në letërsi, organizatorët e çmimit thanë se Kadare përfaqëson kulmin e letërsisë shqiptare dhe pa harruar rrënjët e tij ka kapërcyer kufijtë për tu ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit.

Ciaran Giles, 24 qershor, 2009

Shtypi francez

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është vlerësuar me çmimin Princi i Asturias në letërsi për vitin 2009, njoftoi të mërkurën juria që jep këto çmime, e cila është më presigjiozja në Spanjë.
Kadare, kandidat për çmimn Nobel në letërsi është konsideruar si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë. Vepra e tij është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës.

Le Monde, 24 qershor 2009