Ikona e "anës së errët"

Edgar Allan Poe

Fytyra, veshja, vështrimi kanë bërë që ai të kthehet në një personazh ideal të misterit që mbështetet gjerësisht edhe prej veprës që la pas. Jeta e këtij burri ishte e turbullt. Edgar Allan Poe jetonte nën ankth të vazhdueshëm. Veprat e reflektojnë më shumë gjendjen e tij shpirtërore. Vuante. Imagjinata e tij ishte komplekse. Romantizmi dhe ndjeshmëria e kanë kthyer në një model që u ndoq menjëherë në Europë; lanë shenjë në atdheun e tij, Amerikë, ku ishin të shumtë ata që e panë si një devijues, trasgresiv deri në tepri, makabër. Mbetet një prej autorëve më të njohur amerikanë, një frymëzues muzikor, një ikonë e "anës së errët" dhe e misterit. Prej historive të tij kanë lindur kryevepra të kinematografisë ndërkombëtare, romane të reja, këngë klasike e pop. Në emër të tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dorëzohet edhe çmimi më i rëndësishëm i narratives që lindi prej tij, "Edgar Allan Poe Award". Akoma edhe sot, ai mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi, shkëndijë artistike për shumë të rinj. Më 11 tetor të këtij viti, 160 vite pas vdekjes, shkrimtari më në fund u nderua me një funeral të denjë për një autor të kalibrit të tij. Në Baltimorë, ku kaloi edhe pjesën e fundit të jetës, për autorin e "Korbit" të famshëm, u organizua funerali solemn, i denjë për njërën prej figurave më të rëndësishme të letërsisë amerikane, shpikësit të rrëfimit policesk dhe romaneve të verdhë psikologjikë. Edgar Allan Poe lindi më 19 janar të vitit 1809 në Boston, nga David Poe dhe Elizabeth Arnold, të dy aktorë. Babai, braktis familjen kur Edgar ishte ende shumë i vogël dhe menjëherë pas kësaj e ëma ndërron jetë. Edhe pse jo zyrtarisht, Edgar që ishte dy vjeç në atë kohë, birësohet nga John Allan, një tregtar i pasur nga Virginia. Pikërisht prej tij ai ka shtuar edhe mbiemrin Allan bashkë me origjinalin. Për çështje tregtare të të atit, bashkë me familjen transferohet në Londër ku frekuenton shkolla private për t‘u kthyer më pas në Richmond në vitin 1820. Në vitin 1826 regjistrohet në Universitetin e Virginia-s. Lë pas studimet pasi nis të bëhet pre e vesit të lojërave të fatit. Babai birësues refuzon të paguajë borxhet e shumta të tij, duke e detyruar të lërë shkollën dhe të nisë punë për të përballuar shpenzimet e mëdha. Prej këtij momenti mes të dyve nisin mosmarrëveshjet e mëdha që e shtyjnë shkrimtarin e famshëm të braktisi shtëpinë dhe të transferohet në Boston, e më pas të shkojë ushtar. Në vitin 1829 publikon në mënyrë anonime "Tamerlane and other poems", dhe më pas me emrin e tij, "Al Aaraaf, Tamerlane and minor poems". Në të njëjtën kohë ai lë ushtrinë për t‘u transferuar te disa të afërm në Baltimorë. Në vitin 1830 regjistrohet në akademinë ushtarake të West Point, nga e cila përjashtohet shumë shpejt pasi nuk i bindej urdhrave të eprorëve. Gjatë këtyre viteve Poe vazhdon të shkruajë vargje satirike. Në vitin 1832 nis të ndihet suksesi fillestar si shkrimtar. Babai birësues ndërron jetë pa i lënë asgjë në trashëgimi djalit. Në moshën 27-vjeçare, Edgar Allan Poe martohet me kushërirën e tij, Virginia Clemm, e cila ishte vetëm 13 vjeç. Është pikërisht kjo periudha në të cilën ai boton artikuj pafund, tregime dhe poezi, por pa fituar shumë. Në kërkim të një fati më të mirë, ai vendos të transferohet në Nju Jork. Nga viti 1939 deri në vitin 1940 bëhet redaktor i "Gentleman‘s magazine", e në të njëjtën kohë botohet edhe "Tales of the grotesque and arabesque", që i sjell një sukses të konsiderueshëm. Ishte kaq i aftë si redaktor sa në çdo shtyp të shkruar që shkonte, shitjet dyfishoheshin e madje edhe katërfishoheshin. Në vitin 1841 drejton "Graham‘s magazine".

Dy vite më pas, kushtet shëndetësore të së shoqes rëndohen gjithnjë e më shumë. Ajo ndërron jetë në vitin 1846 nga tuberkulozi. Kjo vdekje e njeriut të dashur e çon shkrimtarin drejt një gjendjeje shkatërruese dhe izolimi total. U mbërthye prej dhimbjes dhe keqardhjes, duke gjetur ngushëllim tek alkooli - nisi të pijë dhe më shumë nga sa pinte zakonisht. Varfëria ekstreme në të cilën jetonte tashmë. "Ju pyesni: mund të më thoni se cili demon i tmerrshëm ishte shkak i këtyre qarjeve të thella? Po, do të them më shumë akoma: ky ishte demoni më i madh që arriti të shkatërrojë një burrë. Gjashtë vite më parë, një grua të cilën e desha, dëshpërimisht theu një arterie ndërsa këndonte dhe unë vuajta të gjithë agoninë e vdekjes së saj... Si një i çmendur, më ndodhte të kisha edhe ndonjë interval qartësie dhe gjatë të pandërgjegjshmes që zgjaste shumë unë pija, Zoti e di sa. Miqtë e mi preferojnë vesin e të pirit më shumë se të pirën prej vesit: ishte e tmerrshme, lëkundje të pafundme mes shpresës dhe dëshpërimit të cilën nuk mundesha më ta duroja pa humbjen totale të arsyes. Më dhanë një jetë të re pas vdekjes së saj. Por, oh Zot, çfarë ekzistence melankolike! Unë nuk gjej asnjë kënaqësi në përdorimin e stimulantëve, kundrejt të cilëve unë jam kaq tolerant. Vetëm prej dëshirës për t‘iu nënshtruar torturës së kujtimeve kam vënë në rrezik jetën time dhe jo për dëshirë a kënaqësi", do të shkruante ai. E megjithatë vdekja e Virginia-s nuk e ndali vrullin e të shkruarit. Më 3 tetor 1849 Poe u gjet në rrugët e Baltimorës në gjendje deliri, "në vështirësi të madhe, kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme", tha njeriu që e gjeti dhe që e dërgoi në spitalin Washington College, ku ndërroi jetë të dielën e 7 tetorit në orën pesë të mëngjesit. Poe nuk u qartësua asnjëherë mjaftueshëm sa për të shpjeguar se si ndodhi që ishte në atë gjendje e madje as përse kishte në trup një veshje që nuk ishte e tija. Thuhet që vazhdimisht thërriste emrin "Reynolds" një natë para se të ndërronte jetë. Të tjerë thonë se fjalët e fundit të tij ishin: "Zot, ndihmoje shpirtin tim të mjerë". Të gjitha të dhënat mjekësore, përfshi edhe certifikatën e vdekjes së Poe, humbën. Shkaku i vdekjes së tij, akoma edhe sot është një mister.

ar.he.