Botimi
Krenar Zejno
Gjashtë vjet tanimë prej të parit botim të "Uliksit" shqip. Një duzinë nga nisma dhe vitet e barrës së përkthimit, për t‘ia sjellë e anasjellë gjuhës. Një ngjarje thjesht letrare kjo, por që avitet e vjen sërish pothuajse si një ndodhi natyre, pse "natyra e urren zbrazëtinë". Ndërkohë, nga krijesa Ulisses - që e thënë sipas të zotit, përshfaq veprën më të gjerë e humane të shkruar në Europë që prej Rablesë - bota e kapërceu edhe një tjetër shekull. Qysh asokohe, kur një librare e imtë, Silvia Beach, duke i besuar egoizmit të Xhojsit e, mbase parandier se arti do ta përmbushte shekullin nën pagëzimin e tij, i dha fund odisesë së botimit. Me shfaqjen në dritë, ndonëse mes censorëve, të asaj peripecie gjuhësore revolucionare. Refuzimit të botimit, shkruesi Xhojs i ishte përgjigjur me një siguri edhe më të parevokueshme: "Si të doni, i nderuar zotëri! Por ta dini, ama, mospranimi i këtij libri ju bën përgjegjës për vonesën e qytetërimit në vendin tuaj"... Në krye të herës, Dedalusi i mitologjisë e pat pajisur birin Ikarus me krahë të ngjitur dylli, për të flatruar kah dritës, drejt diellit e për në zenit të tij, në hapësirat ku njësh me dritën e zjarrtë, flatrat shkrijnë e mbesin pa voli dhe, kësisoj, pa kuptim. Që të mbërrinte në të folurën shqip, ishte Uliksi që do kërkonte tashmë haraç plot vite e rrugëtim përkthimi, përpara tyre të tjera net me shkrime e studime paralele mbi të. Dhe një shtëpi, mes artesh, enkas në pritje të atij shfaqebotim që ish taksur të bëhej kumbarë e bujtës honori edhe për të tjerë të ftuar nderi nga kumbi i letërsisë së madhe. Vjen koha kur të ngjarat bëhen ngjarje, më tej kujtime. Jo për t‘i dhënë ndonjë domethënie kushedi, por së paku për t‘mos i tretur në pakuptim, gjej a shfrytëzoj rastin ta cek ndonjë prej tyre. Nuk është rasti për solemnitet, për më tepër këtu e në këtë libër, e kam parasysh. Por, më vjen mirë të kujtoj, tashmë, një ag dite të veçantë: atë mëngjes që po më çelej ndër një sy të skuqur të përkthyesit.
"Mbaroi!" - tha. Kaq! Nuk kam hasur më një çehre me njërin sy kaq melankolik, tjetrin hipokondrik, nën një pamje gjysmë dashnori e gjysmë gladiatori, a thua po humbte edhe Uliksin arketip homerik që bartim ndër vete, apo e kish sikterisur vetë me gjithë Xhojs. Kaq e kishte! Sikur të bëhej fjalë për një kryeqenie imagjinare njëqindkokëshe. Me gjymtyrë, bishtra e zëra sirenash. Të mos e lëmë pa e thënë as këtë vogëlimë çasti prekës, të prekjes e shfletimit ndër duar të kopjes së parë të "Uliksit" prej përkthyesit të tij. Mërmërima, mbi kopertinën e pasme ku shpallej e plotë një fotografi e shkrimtarit shik e me bastun, tani vonë po më sillet si nën atë emfazë shpërthyese prej pavarësie e mëvetësie të madhe...!
Idlir Azizi e solli atë në shqip përmes një udhe të gjatë, gati mbartur në kurriz si të ishte një kimerë. Prej njohjes e marrëdhënies sonë të hershme, shpresoj të shfaqem i besueshëm nëse them se: përkthimi i kumtit të Xhojsit është shkruar në kurmin e përkthyesit dhe lëkurën e tij. Empatia, ndoshta prej të qenit rast përkthyesi shkrimtar, pat rrëmbyer tërë qenien e njeriut që po përkthente shkrimtarin. Raporti i tij me të mbet brenda një trekëndëshi të rrallë e kurioz për t‘u këqyrur. I një studiuesi për shkrimtarin, përkthyesi kah tij, lexuesi mbi e ndënë të. Është një libërth, ku shpallet intervista titulluar ‘The Game of Evening‘ dhe ku Xhojsi, tek diskutojnë me përkthyesin e tij çek, poetin e botuesin Hoffmeister, mbi pjesën Anna Livia Plurabelle, i bën të qartë veten, si dhe mundin e atyre që do merren me të: "Mendoj se do t‘ju lypsej më shumë se një jetë për këtë. Mister Xhojs i shpik fjalët që përdor, nëse mundet të quhen ende fjalë ...Nuk dua të jem i përkthyer, dua të mbetem siç jam, thjesht i shpjeguar në gjuhën tuaj. Ju lë çdo liri të mundshme në transformimin e fjalëve. Po besohem te ju. Në vendin tuaj ka shumë lumenj...". Ky botim i tretë vjen i rishikuar, i riparë.
Home »
» "Uliksi" i James Joyce, në shqip për të tretën herë