France Preshern (1800 – 1849) - Sonete

Sonete

U zhduk dhe qielli. Ndrit pafundësisht
mori e yjve, endur më çdo kënd,
një bukuri që zgjat pambarimisht,
sodit kjo tokë kur diellin sjell ndërmend.

Le të përskuqen retë lart në qiell,
dhe trëndafili ngjyrën të përhapë,
toka s’e do më tradhëtarin diell,
nuk dëshiron të ndeshet me të prapë.

Si tejpërtej ndër yje, pa kufi,
vështrimn hedh në tufën vajzërore,
prej tyre, cilado, me ata sy,

do të më ndillte brenda në rrethore,
por un’ u robërova nga dy sy,
që rob më bënë, në hove dashurore!

* * *

Amur dhe ti Venerë, gjë s’ju mbeti…
Nuk do lejoj të jem më i mashtruar.
Mbaroi çdo himn, lëvdatë e papaguar,
Petrarka u këndoi kot që moti.

Nuk lodhen parkat, vitet ikin, shkojnë.
Nga poezia s’pata dot fitim
thimiama nuk do hedh, më nuk tymojnë,
prej dashurive s’prisja kaq mundim!

Gënjeshtra pata, po koha s’erdhi vallë,
të daim skllavërie në liri?
Me tallje më premtuat lumturi…

Po prapë do fitoj, ndofta, më rrallë,
dhe mbrëmjeve do ngremë një dolli,
që të largon çdo brengë e mërzi.

* * *
Për dhimbjen dhe lavdinë që ke ti,
kur s’do më shohësh të larguar,
nga myshku i varrit, kur të jem mbuluar,
ti prapë do dëgjosh vargjet e mi.

E rrepta bukuroshe të dëgjojë,
me pëshpëritje, t’ëmbël shushsurimë,
do ndiejë m’u në zemër regëtimë,
dhe bes e dashuri do të lëvdojë.

Për viset tona fati do kthjellohet
do ndrijë natën kupa qiellore,
me kore yjesh – kënga do rizgjohet.

Se bes u kam un’ rrënjëve fisnore,
në largësi me vite s’do harrohet,
kjo fjala ime, fjalë shpirtërore.

Shqipëruar nga Dalan Shapllo