Nga Naum Prifti
Me Dhorin ishim bashkë në
shkollën Unike të Ersekës.
Për shkak të moshës, ai ish
te një klasë më poshte se
unë, por ne u miqësuam shpejt për hir të bashkëpunimit në gazetën e murit të shkollës. Ashtu si unë edhe ai vinte çdo ditë nga fshati dhe kthehej pasditeve në shtëpi, në Lëngëzë, nje emër krejt shqiptar, por një fshat aq i vogël aq i vogël, sa vështirë t’i gjeje shoqe tjetër në Kolonjë. Kishte vetëm tetë a nëntë shtëpi, anash Virkës, një përroi të thellë, ku ujët nuk shteronte kurrë. Shtëpitë ishin në anën veriore ku e rrihte dielli dhe po në atë faqe ndodheshin edhe pronat e tyre, livadhet, arat e kopshtet, pemët dhe kullotat.
Fshati im Rehova, ishte pak më afër se Lëngëza, gati njëzet minuta nga Erseka, ndërsa Lëngëza gjysmë ore, pra për ne vajtja në shkollë ishte sin jë shëtitje, ndërsa disa nxënës të tjerë detyroheshin të vinin nga një orë e më shumë larg çdo ditë, vetëm nga dëshira për të vazhduar shkollën. Qysh në fillim më la mbresë të veçantë shkrimi i Dhorit, një kaligrafi e përkryer, që rrëfente njëheresh kujdesin dhe karakterin e tij, dashurinë e tij për të bukurën. Doreshkrimet e tij dukeshin si qendisje, me shkronja të rregullta e të bukura, pak sipër vijës fundore, çka u jepte një hijeshi praruese.
Edhe pasi kreva shkollën unike, lidhjet me Dhorin i vazhdova me anë të letrave, po ashtu edhe kur ai shkoi në gjimnazin e Shkodrës. Ne u futëm të dy shpejt në letërsi në vitet 50, tok me plejaden e njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu; natyrisht rrugën e nisën edhe plot të rinj të tjerë, por shumë prej tyre gajasën, mbetën rrugës.
Lirizmi i Dhorit ra në sy qysh në vëllimin e pare, “Kur zemra rreh së pari,” (1958). Edhe sot më kujtohet vargjet e një vjershe për trokitjen e vjeshtës në anët tona.
Fluturoi një varg me pata,
Mbi zabelet kodrinore,
Ah ju pata, ah ju pata,
Sollët erë prej dëbore…
Ne i shihnim patat që fluturonin nga fillimi i nëntorit në formë këndi nga veriu drejt jugut dhe e dinim se stina dimrit po trokiste dhe majat e Gramozit shpejt do vinin kësulën e bardhë të dëborës, por askush nuk i kishte vizatuar me aq hijeshi. Këto vargje i futa edhe në dramën time fatkeqe “Rrethimi i Bardhë,” e cila pati jetë shkurtër për shkak të goditjes direkte nga Enver Hoxha, i cili e mori si kritikë personale që la në mëshirën e fatit punëtorët e izoluar nga dëbora.
Sapo u diplomua nga fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, u emërua mësues në gjimnazin e Ersekës. Sigurisht Dhori u gëzua, se do të ishte pranë mamasë, qe mezi e priste se e kishte djalë të vetëm dhe do të jepte mësime po në atë shkollë ku ishte edukuar. Shkolla 8-vjeçare tani qe graduar gjimnaz dhe titulli profesor qe joshës. Por unë besoj se në çdo cep te atdheut ta kishin hedhur, nuk do të vuante aq shumë sa në vendlindjen e tij. Edhe pse ishte mësues gjimnazi Dhorit ia refuzuan strehimin në qytet, në bazë të një udhëzimi idiot, se atyre që jetonin në një rreze 5 kilometra nga qyteti nuk u takonte strehim. Ata duhet të vejevinin nga fshatrat e tyre në Ersekë, ndërkohë që shoferëve të zyrtarëve u jepej menjëherë strehim se shefat i donin pranë, në gatishmëri, sa herë u duhej makina. U deshën shumë vjet që Dhorit t’I jepnin një garsonierë ku jetoi tok me nënën e tij, deri sa doli në pension më 1988. Edhe pse i takonin ligjërisht dy dhoma e një guzhinë, strehimi nuk ia dha, madje Komiteti kurrë nuk ia njohu të drejtën të gëzonte një dhomë si shkrimtar i njohur, si poet, si gjithë artistët e tjerë. Kolonja, djepi i Rindjes Kombëtare me plot figura të shquara, që nga Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Shahin Kolonja, Themistokli e Telemak Germenji, Sali Butka, Zalo Prodani e plot të tjerë, tani qeverisej nga njerëz mendjengushtë, për të cilët kultura ishte e huaj. Shefat e Kolonjës s’kishin pikë dashurie për artin e respektivisht edhe për artistët. Dhorin kujtoheshin ta thërrisnin vetëm kur afronte Festivali Folkloristik i Gjirokastrës, se atëherë duhet të redaktonte tekstet dhe disa herë të shkruante vargje popullore pa emër, sikurse qe traditë.
Dhori ishte poet lirik i lindur, i dashuruar me natyrën, me lulet, me zogjtë, me çdo gjë të bukur e njerëzore, por prirja e tij asaj kohe binte pak ndesh me frymën e poezisë luftarake të kohës, prandaj dashamirët e këshilluan ta ndryshonte paksa drejtimin.
MILOSAO





