“Darka e gabuar”, tragjikomedia shqiptare

Françoise Lazare*

Për Shqipërinë dihen pak gjera, përveç se është një vend i vogël, i varfër, i dhunshëm, që ndodhet mu në mes të Evropës. Vetëm një shkrimtar nga ky vend është i njohur ndërkombëtarisht. Është autori i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare, romani i fundit i të cilit “Darka e gabuar” na ka ardhur këto ditë në gjuhën frënge. Kadare tregon aty trazimet e një vendi, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, gjendet i shkatërruar për shkak të zgjedhjeve të veta politike.
Ndodhemi në zemër të Ballkanit. Perandoria Osmane është shkatëruar. Përpara Luftës, Mussolini ia aneksoi Shqipërinë, Italisë fashiste. Në Tiranë, Enver Hoxha nuk e ka marrë ende pushtetin, por Partia Komuniste ishte e fuqishme në Evropë, një degë e së cilës ishte ngritur edhe në Shqipëri. Sidoqoftë në Konferencën e Jaltës, në shkurt të vitit 1945, të “mëdhenjtë”, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kanë vendosur që Shqipëria të jetë pjesë e botës lindore.
Kadare zgjedh këtu të tregojë historinë e “madhe” duke u nisur nga një histori e “vogël”, atë të bashkëjetesës së vështirë të dy mjekëve në qytetin e Gjirokastrës, në jug të vendit, apo “qyteti i gurtë”, që është edhe vendlindja e autorit.
Një ditë, në 1943, zbarkojnë një kontigjent ushtarësh gjermanë hitlerianë, drejtuar nga koloneli Fritz von Schwabe, i dekoruar me kryqin e hekurt dhe që paraqitet si një prej ish-miqve më të mirë të doktor Gurametos. Rreth 20 vjet më herët, të dy burrat kanë studjuar së bashku për mjekësi në Mynih. Doktor Gurametoja “i madh” organizon një darkë të kushtueshme për nder të ushtarakut gjerman. Po çfarë ndodh gjatë kësaj mbrëmjeje? A është Gurameto një hero, apo një tradhtar? Gjithmonë është ai që thotë se ishte një “darkë e gabuar”. Gjendja degjeneron. Gjermanët largohen nga dhoma. Koloneli Fritz von Schwabe e pyet mbi Besën, aq shumë të lartësuar nga Gurametoja, gjatë kohës kur ata ishin studentë, - Besa një fjalë që do të thotë “të mbash fjalën”, një kod nderi, që nënkupton një formë mikpritjeje nga ana e shqiptarëve.
Çfarë roli luan kjo darkë në histori? Ne mund të harrojmë, kështu thotë Kadare, që Shqipëria nuk kishte krijuar “komplotin e vet të bluzave të bardha”, mbi modelin e operacionit masiv, montuar nga Kremlini, për të diskredituar mjekët hebrenj që konsideroheshin si kundërshtarë. Në atë kohë, shumica e shqiptarëve ishin të tërhequr nga komunizmi, Gjermania Perëndimore përshkruhej shpesh si “e urryer”, ajo e Lindjes si “parajsore” dhe Stalini shihej si një hero. Kjo darkë e famshme me gjermanët vjen si me porosi me një fjalë. Gurameto merret në pyetje, arrestohet dhe torturohet për një kohë të gjatë.
Në “komplotin e bluzave të bardha” në versionin shqiptar, Ismail Kadare përzjen me mjeshtëri gjithë legjendat dhe pengjet e vendit të tij. Ai i ofron kështu lexuesit një ngarkesë tragjikomike kundër gjithë diktaturave, që ai ka njohur, osmane, fashiste dhe komuniste. Një ngarkesë e mbushur me humor, çmenduri dhe tallje.
* “Le Monde”