Arbnori, letrat e burgut JU rrefej spiunet e denimin e dyte

Admirina Peçi

Çfarë i ndodhi Pjetër Arbnorit gjatë 29 viteve burg, në izolim të plotë, në qelitë e Burrelit? Çfarë mendonte? Cilat ishin
kujtimet që i bënin shoqëri, dëshirat, njerëzit që mbante pranë zemrës, planet dhe detajet e vogla me të cilat përpiqej të zbukuronte ditët e errëta larg çdo shenje lirie? Cilat ishin fijet e padukshme të durimit ku ishte kapur fort për të mos rënë në krahët e dëshpërimit? Tre vjetët pas vdekjes, në papafingon e shtëpisë së tij, pranë stadiumit “Dinamo”, mund të gjejmë sot shumë përgjigje për këtë periudhë të pazakontë të jetës së shkrimtarit, politikanit, intelektualit dhe studiuesit Pjetër Arbnori. Bashkëshortja e tij, Suzana së bashku me studiuesin Nevruz Shehu, kalojnë shumë kohë në atë papafingo, ndërsa kalojnë dorë më dorë çdo dosje të arkivit të tij personal. Një projekt për të botuar gjithë veprën e tij epistolare, por edhe veprën e plotë letrare, i ka shtyrë të kërkojnë imtësisht në shënimet e tij. “Janë rreth 1500 letra, telegrame, e kartolina, që i përkasin viteve kur ai ishte në burg. Janë ruajtur me kujdesin më të madh nga nëna dhe motrat e tij, deri ditën kur Arbnori doli sërish në liri. Është një gjest i pazakontë dhe një pasuri e paimagjinueshme”, - thotë studiuesi Shehu, i cili prej disa muajsh ka nisur të përgatisë veprën e parë, pikërisht atë epistolare.
Suzana nxjerr një kuti të zverdhur nga arkivi. “S’kam pasur kurajë t’i shoh, t’i shfletoj. Vetëm tani po zbuloj pak nga pak çdo ditë copëza nga jeta e tij, përshkruar deri në imtësi, detaje që edhe pse ai mi ka treguar me gojë, disa herë nuk kam arritur kurrë t’i perceptoj deri në këtë masë”, - thotë ajo.
Kutia që sapo ka hapur mban brenda një pjesë të epistolarit të tij, vendosur me kujdes sipas rendit kronologjik. Janë letrat e viteve ’60-të. “Pikërisht ajo pjesë që mungonte deri më tani”, - saktëson studiuesi Shehu, ndërsa nis t’i rendisë të gjitha sipas viteve për t’ia bashkangjitur pjesës tjetër të veprës epistolare.
Periudha kur janë shkruar i takon viteve 1962 -1989. Vetëm viti 1961, nuk ka letra, pasi korrespondon me vitin kur ai u arrestua dhe ka qenë në hetuesi, vit ky kur ai nuk mund të komunikonte me të afërmit e tij.

Letrat optimiste e plot humor
Letrat që ai dërgon në familje kapin shifrën 500. Thuajse të gjitha nisin njëlloj. “…E dashuna Nanë, Netë e Margeritë…”. Nëna dhe dy motrat e tij Neta dhe Margarita janë personazhet që e shoqërojnë në të gjithë momentet e ditëve të tij në burg. Ju shkruan atyre për çdo gjë, për nevojat e tij personale, për veshmbathje e ushqim, për libra e fjalorë, për porosi të çfarëdoshme, këshilla e mendime. Nuk flet kurrë për momentet e vështira që kalon në burg. Nuk thotë kurrë jam sëmurë, jam i dëshpëruar apo i mërzitur. Përkundrazi. Shkruan: “…Unë jam shëndoshë e mirë…”, ose “Me shëndet jam krejt mirë. Megjithëse ka ra grip, mue s’më ka zanë, ene dhimbje trupi, nuk kam ndi sivjet…”. Madje, edhe kur ka probleme shëndetësore, mundohet t’i kalojë me dy rreshta dhe gjithmonë pasi ai shqetësim ka kaluar.
Është optimist dhe një humor i këndshëm i shoqëron të gjithë letrat tek ai kujton momente nga fëmijëria e tij, ditët kur ishte jashtë në liri, personazhe e ndodhi gazmore. Mundohet t’u japë forcë atyre e t’u dëshmojë se ai mundet të përballojë çdo sfidë e vështirësi aty brenda. Nga leximi i këtyre letrave duket sikur Arbnori i ka vënë një qëllim vetes. Ta mbajë nënën gjallë me çdo kusht, që ajo të ketë mundësi ta mbërrijë ditën kur ai të dalë nga burgu, e ta shohë djalin e saj të lirë.
Siç shpjegon studiuesi Shehu, “Arbnori e drejton familjen që nga burgu. Është në qendër të gjithë ndodhive dhe marrëdhënieve mes familjarëve të tij. Nëna dhe motrat e njoftojnë për të rejat që kanë ngjarë, i çojnë lajmet e fundit, i kërkojnë mendim vazhdimisht për çështje të familjes. Marrëdhëniet me motrat janë mjaft të veçanta, ai kujdeset për to dhe i këshillon, deri edhe për gjëra të vogla që kanë të bëjnë me shijet e leximit, të filmave dhe arteve të tjera. Nga ana tjetër ata i kërkojnë mendim atij për gjithçka, dhe sigurisht një moment i rëndësishëm është martesa e tyre, ku ato kërkojnë miratimin e tij. Pra, ai është vëllai i tyre, por është edhe babai, sepse babai kishte vdekur. Ishte vrarë që në 1942 nga komunistët, sepse ishte oficer i kohës së Zogut”.

Kartolinat, një mjet komunikimi
Pjetër Arbnori kishte krijuar një univers të tijin, një mikrobotë, përmes së cilës ai mund ti injoronte kufijtë e ashpër dhe izolimin e qelive. E kishte ndërtuar gjithë kujdes e nuk donte të pranonte se ishte në burg. Në çdo takim me nën dhe motrat kërkonte vazhdimisht ti çonin fotografi, apo kartolina të ndryshme nga Shkodra, Tirana, Durrësi dhe gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Nuk ishte kjo vetëm një mënyrë për të ruajtur lidhjet me të afërmit dhe miqtë, një mënyrë për t’u uruar atyre festat dhe ditët e shënuara. Përmes tyre ai kërkonte të komunikonte me botën jashtë, të vinte re ndryshimet, detajet e reja, ç’kishte ndodhur në qytetin e tij të lindjes, në kryeqytet, ku ai kishte kaluar vitet studentore, e kështu me radhë. Lidhjen e pandërprerë me botën jashtë ai kërkonte gjithkund, deri edhe tek sendet që shiteshin e bliheshin në dyqane. “Janë më shumë se 600 kartolina që ai i ka koleksionuar në arkivin e tij dhe veç mesazheve e urimeve, ata mbartin edhe këtë linjë të fshehtë komunikimi më këtë botë të cilën nuk e mbërrinte dot fizikisht”, - thotë studiuesi Shehu.

Flora, një rreze drite…
Në vitin 1972, Pjetër Arbnori pati rastin të shihte për herë të parë Florën, mbesën e tij kur ajo ishte vetëm 13-muajshe. Ajo ishte një gëzim i veçantë në orët e tij të gjata të vetmisë e të izolimit. Që nga ajo kohë Flora do të ishte e pranishme në ditët e tij herë me vizitat, e herë me rrëfimet e motrave e të nënës, derisa ajo shkoi në shkollë e nisi t’i shkruajë vetë letra dajës së saj. Nuk ka thuajse asnjë letër që i takon periudhës pas 1972, ku të mos përmendet Flora. Ajo vogëlushe ka zaptuar tashmë të gjithë mendimet, ëndrrat, dëshirat dhe idetë e tij. Interesohet për edukimin e saj që kur Flora shkon në klasë të parë, i jep leksione gjuhe, këshilla leximi, e deri tek momentet kur ai interesohet për veshjet e saj, dhe kujdesin rreth paraqitjes. Nëna dhe motrat përpiqen ta marrin gjithmonë me vete vogëlushen sa herë nisen për në Burrel kur kanë ditën e takimit.
Ai vetë iu flet miqve të tij në burg për të, iu lexon letrat që ajo i shkruan. E sheh mbesën e tij si një rreze drite që ka mbërritur në jetët e tyre të trazuara, i vetmi gëzim në të gjithë dramën e atyre 29 viteve. Në vitin 1989, ditën ku Pjetër Arbnori doli nga burgu, Flora ishte aty duke e pritur. Kishin kaluar shumë vite dhe ajo ishte bërë tashmë vajzë e rritur 17 vjeçe.

Neta, lotët s’do të më reshtin kurrë
Në një prej vizitave që bëjmë në shtëpinë e Arbnorit, ndërsa fotografojmë letrat, kartolinat dhe fotografitë e tij ruajtur në dosje të veçanta, takojmë një ditë Netën, motrën e Arbnorit. Ajo vjen shpesh dhe takon Suzanën dhe fëmijët e vëllait të saj. “Kam pasur një lidhje të veçantë me Pjerinin (kështu e thërrasin të gjithë në familje). S’mund ta besoj ende sot, tre vjet pas vdekjes së tij, se ai nuk është më. Kurrë se kam menduar se ai do të ikte para meje…”. Neta mbytet në vaj tek përmend ditët kur shkonte në Burrel për ta takuar dhe kujton “lojërat e shpejtësisë” dhe gjuhën e fshehtë me të cilën komunikonin ata të dy. Kur thotë lojërat e shpejtësisë, ka parasysh një rreng që ata bënin sa herë Arbnori donte të nxirrte ndonjë dorëshkrim sekret nga burgu. “Përdornim dy trasta të zeza identike dhe i shkëmbenim aq shpejt, sa s’kuptohej cila ishte imja dhe cila e Pjerinit”, - thotë ajo.
Tek shfleton albumet e fotografive, Neta befas harron dhimbjen e saj dhe zë e buzëqesh tek kujton ndodhi e episode të ndryshme me të vëllanë. Ajo tregon se të gjitha albumet janë bërë me dorë nga Arbnori në burg. Ai u kërkonte familjarëve t’i çonin mjetet e nevojshme për t’i ndërtuar e mandej i mbushte me fotografitë e tyre. Sheh një foto të Arbnorit kur ishte fëmijë në Shkodër, e përmallet sërish. “Lotët s’do më shterin kurrë..., - psherëtin ajo, - kurrë... deri ditën kur edhe unë të shkoj atje. S’ishte jetë kjo, as për të, e as për ne. Diktatura rrënoi çdo gjë tonën…”


Në vitin 1979 Pjetër Arbnori ishte në prag në përfundimit të dënimit. Kishte kryer 18 vjet burg. Aq e kish
in dënuar në vitin 1962. Por, në kohën kur të gjithë prisnin me padurim daljen e tij nga burgu, sidomos nëna dhe dy motrat e tij, një tjetër skenar për një dënim të dytë po përgatitej prej kohësh. Arbnori e dinte këtë. E priste. Romani i tij në dorëshkrim i shkruar në burg me titullin, “Shtëpia e mbetur përgjysmë” ishte shfrytëzuar për të nxjerrë akuza të reja për agjitacion e propagandë. Një grusht dëshmitarësh që Arbnori i rrëfen me emra në një letër drejtuar nënës së tij (nxjerrë fshehurazi nga burgu), i kishin kopsitur tashmë dëshmitë e tyre. Dhe, dënimi i dytë nuk vonoi të mbërrinte. Arbnori u dënua me 12 vite të tjera heqje lirie. Dhe, i fshiu një herë e mirë të gjitha shpresat dhe ëndrrat për t’i lënë pas qelitë e ftohta e të lagështa të burgut të Burrelit.
Kjo letër, e cila botohet për herë të parë është zbardhur e plotë sipas variantit origjinal nxjerrë nga arkivi i tij. Në të Arbnori tregon me emra të gjithë dëshmitarët e rremë dhe i jep zemër nënës së tij të durojë. “Çështja ishte e qartë: ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi, ose të shtoja vitet e mia të burgut dhe të rrija edhe ma gjatë larg teje, motrave e të gjithë të dashunve të mi. Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme që edhe ti do të ma këshilloje patjetër”, - i shkruan Arbnori nënë së tij në letrën e 2 korrikut 1979, e nxjerrë fshehurazi nga burgu. Por veç kësaj letre, ku ai shprehet hapur, pasi xhelatët e tij nuk kishin mundësi ta shtinin në dorë, ai shkruan dhe një letër tjetër dërguar në rrugë zyrtare familjes së tij. Tek i shkruan për të gjithë hapat që janë ndjekur nga koha e izolimit e deri në gjykimin e dytë, Arbnori i shkruan nënës në letrën e 15 shtatorit 1979. “Kështu nanë e dashun, përsëri po ju takon të hiqni keq tue u kujdesë për mue, si ty ashtu edhe motrave. Ky mendim më ka munue shumë gjatë kohës së izolimit, se jo vetëm nuk ma patë hajrin kurrë, por vetëm telashe ju kam nxjerrë”..
Në këto dy letra mund të kuptohet lehtë gjendja që ai përjetoi pas atij dënimi, por del në pah edhe një fakt tjetër mjaft me vlerë, i cili hedh poshtë gjithë ato akuza të thëna ndër dhëmbë se Arbnori ka shitur miqtë e tij kur ishte në burg.

Dënimi im i dytë

Burrel 2.7.1979

E dashuna Nanë,
Kuptohet që s’mundem me ja shkrue qartë në letër çështjen e dënimit tim të dytë. Sot po kam rastin të nxjerr fshehtas këtë pusullë. Kishte vite që më silleshin rrotull për të më dënue. Çështja ishte e qartë: ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi ose të shtoja vitet e mia të burgut dhe të rrija edhe ma gjatë larg teje, motrave e të gjithë të dashunve të mi. Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme që edhe ti do të ma këshilloje patjetër.
Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan.
Akuzat ishin qesharake. Ky i fundit tha për shembull se unë isha gëzuar kur Kina sulmoi Vietnamin, gjë për të cilën unë s’kisha fare dijeni sepse nga janari 1979 deri në qershor gjindesha i izoluar në hetuesi, pa gazet, pa lajme, kurse Bajrami thoshte se bisedën e paskam ba në dhomën e burgut, mes shokësh, në mars apo në prill 1979. Meqë gjyqi ishte qesharak u bë në zyrën e vogël të kryetarit të gjykatës, njëfarë Sotiraqi.
Ekspert për shkrimet e mia dhe romanin tim “Shtëpia e mbetur përgjysmë” doli një farë gazetari në emrin Sofokli Afezolli i cili tha se Pjetër Arbnorit i duhet prerë dora sepse ka shkruar në burgun e Burrelit me qëllim që t’i botojë librat në Perëndim dhe të diskreditojë pushtetin popullor dhe komunizmin.
Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij, e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi.
Përqafime motrave
Florën e puth
Jueji Pjetri

U ktheva sërish në burg…

15.9.1979

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë,
E para punë që po baj asht letra për ju. Jam krejt mirë me shëndet dhe u ktheva përsëri në burg. Sikurse e dini më 30.1.1979 u arrestova me akuzën se kam zhvillue agjitacion e propagandë në bazë të ish nenit 73/1 të kodit të shfuqizuar (me që ishte fjala për vitin 1969 e ma vonë). Unë nuk e pranova atë akuzë sepse nuk kam zhvillue nji agjitacion të tillë, përveç kësaj as që kam pasë kurrë shoqni, miqësi, muhabet, shetitje apo çfarëdo marrëdhanieje me dëshmitarët, kështu u shty gjyqi. Edhe në seancën e fundit dy prej tre dëshmitarëve nuk u paraqitën, por më nxorën nji dëshmitar të ri që tha se kam zhvillue agjitacion në 1979. Kështu neni i vjetër 73/1 u zëvendësue me nenin e kodit të ri 55. Gjykata i mori parasysh dëshmitë e tyne dhe e pau të arsyeshme të më dënojë. Kështu nanë e dashun, përsëri po ju takon të hiqni keq tue u kujdesë për mue, si ty ashtu edhe motrave. Ky mendim më ka munue shumë gjatë kohës së izolimit, se jo vetëm nuk ma patë hajrin kurrë, por vetëm telashe ju kam nxjerrë. Ushqimet që më keni sjellë i kam marrë të gjitha në rregull, mjaft i porositshe rojet me ju thanë që të vijshit rrallë, por ju tuejën e tuejën. Sa jam zanë me mend me Netën, sidomos kur erdhi atë ditën e borës më 28 shkurt. Ma besoni tashti çdo kafshatë që vjen prej jush ka nisë e më randon. Marakun e kam pasë kryesisht te ti nanë, se do të jesh lodhë fort me këtë rast por s’kam ç’ka të baj nanë e dashun, të lutem vetëm të shtrëngohesh. Deri tashti të kam porositë shpesh që të mos kjash; tashti po të thom kjaj kur të të vijë mall, por kurrsesi për mue po për veti e për fatin tand, se sa për mue unë jam shëndosh e mirë, i qetë si përherë. Le po mbi të gjitha ndodhi dhe tërmeti i madh i 15 prillit. Atë ditë po shëtitja nëpër çelë kur befas m’u morën kambët, më erdhi menja rrotull e sa s’u përplasa për mur. Më erdhi me qeshë e i thashë vetes me za: “Po ti Pjetrush a kaq shpejt u lodhe?”. Kur atë çast dëgjoj njerëzit që bërtasin jashtë “o tërmet, tërmet!”. E po, thashë, ndonji gja e vogël do të jetë. Mbas tri ditësh kur erdhën e ma sjellin telegramin të thom të drejtën u bana dyshim e s’po kuptojshe ç’janë ato fjalë “jena shumë mirë të gjithë”, madje ngurrova e s’ndigjojshe me ju përgjigjë, veç kur më thanë se do të jetë puna e tërmetit që kishte ba shumë dame. Atëherë ju dërgova përgjigjen. Kur të teket nanë mos merr asgja në dorë, po eja vetë çal më çal, se mue s’më mungon asgja.
Florës i puth sytë. Sot i lexova me qef letrat e saj. Për mue mos u bani aspak merak. Përqafime e shëndet të gjithëve.
Jueji Pjetri








Nëntë letra nga burgu të Pjeter Arbnorit

Botohen për herë të parë 9 letra nxjerrë nga arkivi familjar i Pjetër Arbnorit derguar nënës dhe motrave nga burgu i Burrelit.

Sot 37-vjetori im

Burrel 18.1.1972

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë
Letra e fundit që kam marë prej jush asht letër e Netës datë 1.1.1972.
Unë jam shëndoshë e mirë. Ju dërgova nji telegram që të vini mundësisht në fund të janarit me qenë se nana mund të jetë ba marak. Asht pak ftohtë e nuk asht lehtë me udhëtue në dimën, por kah më thonte Neta në letër të vet se mund ta niste nanën, thashë edhe unë le të vijë ma mirë. Ju si jeni? A ka ba dimën andej sivjet? Këndej vetëm këto ditë ra pak borë. Nana a mbahet? Vera e Margerita si janë?Po Florën e vogël si e kam? A po rritet ndonji grimë, apo e ka marrë ngadalë? Tashma u ba dhjetë muejshe e shpejt ndoshta ka me nisë me ecë kambadoras e dalëngadalë edhe në kambë. Po ju mos e ngutni. Margeritë ç’ka i jep me hangër? Sa kile peshon tashti? Më shkruente Neta për Vitin e Ri se e kishit marrë Florën me vete te daja Cin e kishte ndejë zgjue deri mbas mesnate. Po pisha e festës a e gëzoi?
Sikurse ju thashë edhe në letrën e muejit të kaluem të gjitha plaçkat e ushqimet i mora në rregull. Asnji send nuk më mungoi. Kishit ba mirë fort që më kishit pru qymyr, megjithëse una kam ende prej të vjetrit, mbasi ajo puna e furnelave ende nuk asht zgjidhë, njiherë nisëm me i përdorë, por tash nji herë asht anulue prap. Mjaft kam frikë se mund t’ju bezdis edhe nji herë kah pranvera, por ndoshta deri atëherë rregullohet puna. Këtë rradhë më bini nji kile groshë, nji kile miell e disa qepë ose purrij. Salcë, pse më prutë dy kutia. Ma mirë m’i bini nga nji kur t’jua kërkoj vetë, se këtu i hapin kavanozat.
Dita e sotme qe edhe tridhjeteshtatë vjetori im. Mot i ftohtë e ndeja tue u nxe gjithë paraditen. Tashma këto lloj festash nuk më bajn asnji lloj përshtypjeje. Njeriu dalëngadalë pa e kuptue as vetë, vjen e bahet i ftohtë për shumë gjana. Vetëm dashunia për njerëzit e vet vjen gjithnji tue ju shtue për ditë e ma tepër kuptohet ajo lidhje e fortë që asht familja e çmohen sakrificat e njerëzve të afërm. Shumë gjana që dikur jashtë mund të më emociononin të më idhnonin ose gëzonin, tashti i shoh me indiferentizëm. Ndërsa disa të tjera të bajnë përshtypje. Sheh nji lule në skaj të oborrit e rri nji gjysë ore tue e vështrue me kënaqësi; merr nji copë bukë nga racioni e ua hedh harabelave dhe habitesh tue pa se si mblidhen e hanë; kënaqesh me micën e kuzhinës që ban gjithfarë laradashash kur e gicilon. Këtu bisedat mbarohen shpejt e njerëzit rrinë e përsërisin gjithnji po njato gjana. S’e ka për gja tjetri me të diftue nji histori për të tridhjetën herë e i mbetë hatri mos me e ndigjjue, megjithëse muhabeti i tij mund të të hajë gjithë ditën. Vjet e pata festue ditëlindjen, por sivjet kisha një libër të bukur në dorë, romanin Qartësi të Anri Barbysit e s’bana za aspak. Mirë ardhëshi. Florën e puth në të dy faqet. Ushqime, kuptohet, mos bini shumë.

Jueji Pjetr

Lulet më kanë pëlqyer shumë…

Burrel 1.6.1976

Shumë e dashuna Nanë, Netë, Margeritë e Florë
Këtë rradhë po ju drejtohem të katërtave, sepse Flora tue vu firmën e vet për të parën herë në letrën tuej e bani veten pjestare të plotë të familjes, m’u kënaq zemra kur i pashë ato gërma shtrema shtrema që m’i kishte dërgue vogëlushja nga larg. Edhe fotografitë e saj që më solli Neta më pëlqyen shumë sa s’dita të dalloj cila asht ma e bukur se tjetra. Në të gjitha pozat kishte dalë e bukur, e dashun, ledhatare, ashtu si e due unë.
Neta më shkruente nji letër shumë të mirë për nanën, më dëftonte për shëndetin e saj e gjendjen e saj në përgjithësi. E di se njeriut bashkë me moshën i ikin dhe fuqitë, po nana nuk don të pajtohet me këtë gja, dhe lodhet njilloj sikur të ishte e re. Puna me masë nuk sjell dam, vetëm dobi, sidomos po të endet tue bubrrue nëpër atë copë kopsht që kemi, ku të mbulon blerimi e të duket sikur je në fshat. Ato që të plakin janë mendimet, dhe kësosh nana ka pasë me tepri veç barabashkave të tjera. Kam vu re se veç nanës asht thinjë edhe Margerita, ndarësa ti Netë i ke flokët si në rini. Nanën do ta banit mirë me e pru dhe ma rrallë e po kështu edhe Margeritën. Për shëmbull në fund të qershorit s’keni pse të vini të tria mjafton Margerita me ni strajcë të vogël fort, herën tjetër të vijë nana e kështu me rradhë. Luçit të axhës Zef i jepni urimet e mia për fejesën. Do t’i kisha dërgue nji telegram, por nuk ia di adresën. Këtu, simbas zakonit ndava karamele e cigare, sadoqë unë e kam lanë Luçin nji pëllambë e më vjen çudi se si rriten njerëzit. Harroj se sa kohë kam që jam nda prej jush dhe kam hy në vitin e gjashtëmbëdhjetë. Pyeta për të fejuemin dhe më folën fjalë të mira. Gjithashtu më erdhi shumë mirë për fejesën e Viktorit. Kurdo që ta shifini urojeni fort nga ana ime. Vajzën s’e di a e njoh, po për të jatin kam ndigjue prej Ejllit. Madje i thashë nji herë nji shokut: Si je në moshë me Viktorin. – Jam moshatar – më tha ai. E pra mos e humb shpresën, se edhe ai e gjeti nji nuse dhe u qeshëm.
Lexova në gazetë për Nikolinin që kishte mbrojtë diplomën me sukses. E uroj me gjithë zemër për punën e mirë dhe edhe mbasi të futet në punë, të mos i ndahet kurrë punës artistike.
Neta më shkruen shpesh për lulet e oborrit dhe për kujdesin që tregon për to. Lulet më kanë pëlqye shumë edhe mue, por nuk jam kujdesë për to si motrat, madje, nji herë që më patët lëshue nji pëllumb që pata marrë me e mësue në kafaz, unë hapa fshehtas derën e kopshtit e qingjat banë kërdinë ndër lule.
Më shkrueni se filmi televiziv “David Kioperfild” ju ka pëlqye mbi të gjithë. Më vjen mirë që mendoni ashtu se ajo asht vërtetë nji nga kryeveprat e letërsisë engleze dhe vepra ma e madhe e Dikensit. Unë e kam lexue disa herë e më pëlqen shumë.
Margeritë po qe se të del ndonji herë autorizimi për televizor, shiteni pardesynë time se mue s’më duhet gja, le që deri atëherë edhe coha e tij mund të skadojë se unë s’e di se si janë këto punët e najloneve, po ju e dini ma mirë.
Netë ike me marak ditën e takimit se si do t’ja baj për ushqimet, por unë kur u ktheva i gjeta të gjitha në rregull nuk më ishte prishë asnji send.

Jueji Pjetri
Në ëndërr mu shfaq Çabej

Burrel 30.8.1980

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë,
T’ju tregoj diçka interesante: Nga mesi i muejit shoh andërr sikur jam në Tiranë, në Universitet dhe futem në zyrën e profesor Çabejt si dikur kur jepshe provimet me të. Futem në atë zyrë ku kisha hy sa e sa herë dhe e gjej ulun po në atë tryezë si para njizet e sa vjetëve, bashkë me profesorë të tjerë. I dhashë letrën e më priti me gëzim siç i priste gjithmonë studentët e zellshëm. “Hë, Pjetër, si je? – më pyet”. “Mirë, profesor, ju faleminderit”, - i përgjigjem. “A të kujtohet, më thotë, ku e kemi lënë bisedën, kur jemi takuar herën e fundit?”. “Po, ia kthej, më keni pyetë për përdorimin e dy fjalëve të rralla dhe për kuptimin dhe trajtat e tyre. Kam ndigjue se në Shirokë të gjitha lundrave së bashku u thonë enë-t, edhe njëjës enë-a. Besoj se fjala anije ka lidhje me to e rrjedh nga emri enë-a, shumës enë-t. Tamam këtu e kemi lënë bisedën më tha, e t’u kujtoka mirë. Mandej biseduem për nji fjalë tjetër të rrallë që përdoret në malësitë tona. Profesori shikoi sahatin dhe më tha: “Shkoi ora!” – dhe doli jashtë. Mbas tij dolën dhe të tjerët. Mbetën vetëm disa kalamaj tue kërcye. Unë u habita dhe pyeta ku shkoi profesori. Më thanë: nuk kthehet ma se mbaroi orari. Atë çast më doli gjumi gjithë shqetësim. Sa u ba zgjimi, i dëftova andrrën nji shoku. “Kushedi, m’u përgjigj, mos asht i sëmurë i shkreti.” Nuk kaluen as dhjetë minuta kur radioja dha lajmin e vdekjes së profesorit tim Eqerem Çabejt. U pikëllova shumë se më ka dashtë shumë dhe më ka ndihmue tepër kur isha i ri. Dhe asht interesante se gjithë sa biseduem në andërr i kam bisedue vërtetë me të kur isha në shkollë.
Me kaq përqafime
Jueji Pjetri

Lexova “Skënderbeun” e Sabri Godos
Burrel 1.7.1975

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë,
U ndava me merak prej takimit me ju, se tamam nj’atë herë nisi nji shi që do t’ju ketë lagë mirë. Manej s’dija sa ishte ora e a arritët dot autobusin. Se këtë rradhë s’kisha vetëm hallin e Florës së vogël por edhe tuejin nanë e Margeritë, se të dyja nuk jeni mbarë nga shëndeti. Harrova me ju thanë që të më banit nji telegram ku të më tregonit për kthimin tuj. Prej vogëlushes Florë mbeta shumë i kënaqun. Ishte rritë, zbukurue, ba shumë e dashun e e shkathët, megjithëse kështu ka qenë qysh se ma keni pru në fillim. Sidomos këtë rradhë, si t’i ndiente diçka zemra, s’mu nda nji çast, veç rrinte tue më puthë e përqafue papushim, e kah ndiente erën e trupit më thonte: “si je ba me djersë kështu mor dajë?”. S’e di ajo e lumja se nuk u vjen të gjithëve erë trëndafili siç u vjen fëmijëve në atë moshë. Fotografia e saj kishte dalë e mrekullueshme: megjithëse katër vjeçe ishte mbajtë si vajzë e madhe e sidomos qeshja e saj e çiltër i jepte nji dritë të veçantë. Sikurse ju thashë edhe në takim, isha pesëmbëdhjetë ditë i dënuem. Ditën e diel, më 29.6. në drekë u ktheva në dhomë. Të gjitha ushqimet i gjeta në rregull, m’i kishin ndreqë shokët ma mirë se i baj vetë. Pulën e axhës Tahir e kishin fërgue e mbulue me vaj, kështuqë e hangra tue i urue shëndet. Asgja s’më ishte prishë veç pjeshkave që tashti s’qëndrojnë.
Me shëndet jam krejt mirë. Megjithëse ka ra grip, mue s’më ka zanë ene dhimbje trupi, nuk kam ndi sivjet.
Unë e kaloj mitrë. Kam lexue këto kohët e fundit romanin “Skënderbeu” të Sabri Godos. Ishte një roman i mirë, po aq i mirë sa Ali Pashë Tepelena që ka botue para disa vjetësh. E di që s’keni kohë për lexime, megjithëse ju, kur ishit të reja lexojshit me etje sa e sa libra të bukur ndërsa gjypnerët e penin s’i lëshojshi prej dore tue thurë triko. Tashti kam kërkue me gjetë Katedralen e Parisit që asht botue tash së fundi. Unë e kam në frengjisht atë vepër të Hygoit dhe e kam lexue disa herë në origjinal, por pata qef me e pa përkthimin shqip. Gjithshtu kam lexue Bankierin e L.Uollerit e më ka pëlqye shumë. Po ju që s’keni kohë për libra sidoqoftë zavendësoini diçka sadopak me kinemanë dhe televizorin, sidomos tashti që janë shtue shumë.
Së largu ju përqafoj të gjithëve e ju porosis të mos mërziteni për mue se jam mirë me të gjitha. Ç’kado që kam nevojë jua kërkoj leqë ju kurrë s’më keni lanë me hapë gojën me kërkue diçka se m’i keni plotësue vetë të gjitha. Flora tashma ban mirë me i mësue katër a pesë shkronja sa me vu nji emën në fund të letrës. Unë i diftova se si mica jonë na doli frikacake e në vend që me hangër miun që ia lidhëm për kambe, na e hangri miu në buzë. Nji herë tjetër kur të vijë, të më tregojë për micën e vet.

Ju puth së largu
Jueji Pjetri

Qymyr mos bini këtë rradhë.

Ende nuk jam plak...

Burrel 1.3.1973

Shumë e dashun Nanë, Netë e Margeritë,
Mbas takimit fillova me pi vojin e peshkut. E pi me lehtësi të madhe. Vetëm kur ban të nxehtë e kam pak vështirë, por tash për tash të nxehtit asht larg, madje para tri ditësh ra edhe borë sa me e ba me shëndet. Luejtëm me topa bore thuejse të gjithë. Po dimni përgjithësisht kaloi mirë. Shallin e kam vu nja dy-tri ditë. Kova plastmase asht shumë e mirë, veçse duhet me mbajtë rradhë se e kërkojnë të gjithë për me la. Unë me rroba jam në rregull. Ju kam qitë dy rradhë nga nji palë çorapë leshi me m’i shartue. Të paktën njenën palë m’i goditni. Me thanë të drejtën, më shkyhen shpejt. Konservat dhe kutitë e qumështit herë tjetër mos i hapni. Ne këtu e kemi rregull që i dorëzojmë në magazinë e për to marrim bileta. Në letrën që më shkruente Margerita në fillim të frorit e pashë se ishte mërzitë pak për shkak të ndrrimit të punës. Ka shumë të drejtë, sidomos për shkak të sëmundjes së randë që ka në kambë po edhe pse Flora e vogël don shërbim e ju nuk do të jeni gjithmonë bashkë që t’i gjindeni përkrah. Ajo mund të bajë ankesë në komisionin qendror të pensioneve në Tiranë, por edhe mundet me durue deri në fund të vitit, kur të dalë përsëri në komision. Puna e thurjes së shportave nuk asht e randë, për ma tepër asht e bukur e do gusto. Sa ma mirë ta mësojë aq ma mirë asht, se njeriu duhet të dijë gjithçka. Madje të hapi sytë e të mësojë edhe punimet me kashtë thekne se mund t’i hyjnë në punë. Për Florën e vogël më ka marrë malli.
Tham kur të dalë vera e të vijë me më pa, ka me më diftue gjithë ato gjana për nanën, babën, tezet e gjyshet. Ndoshta ka me më recitue edhe ndonji vjershë se në dhetuer kur erdhi mbeti në gjysë sadoqë ishte vajzë e madhe 21 muejsh. Nana më porosit që të ruej shëndetin, të kujdesem për veten. Mos të ketë marak se jam shumë mirë e i ruhem të ftohtit sa s’ka , le që moti nuk asht i keq. Po afër zjarrit nuk rri kurr me u nxe, se ende nuk jam plak.
Tjetër s’po ju shkruej, veç ju dërgoj të fala e përqafime.
Florën e vogël e puth fort e fort.

Jueji Pjetri

Me blini fjalorët...

Burrel 1 prill 1978

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë,
Po e shkruej letrën ende me përshtypjet e takimit. Këtë rradhë s’dija kë të shikoj ma parë: a nanën, për të cilën më kishte marrë malli shumë, a Florën, që e kam gjithnji në zemër që s’më ndahej me përqafimet e vetë, apo Netën që po heq e lodhet kaq shumë për mue pa u ankue nji herë, edhe që atë ditë rrinte mënjanë që të më lente me u çmallë me nanën e mbesën. Margarita më qahej në nji letër që s’e lejon shëndeti me udhëtue me makina se iu ba nji kohë e gjatë pa më pa. Mos të gabojë kurrsesi me më marrë rrugën për mue. Unë e di dashurinë e saj dhe kurrë nuk e kam dallue një motër nga tjetra. Madje edhe kur kam dash me anue ndonjiherë nga njëna, jam gjetë në hall, se ndërsa Neta ka vuejtë ma shumë shpirtnisht, Margerita ka vuejtë e vuen fizikisht. Mjafton që ajo më bie Florën herë mbas here, le që tashti ka nisë edhe me më shkrue letra. Letra e fundit ishte shumë e bukur: e thjeshtë, e sinqertë, e shkrueme pastër e me shumë pak gabime. Radio shkruhet me një r dhe jo rradio. Së dyti malli shkruhet me dy l dhe jo me dh, së treti shkruhet “mbesa jote” dhe jo “mbesa yte”, por këto janë gabime shumë të vogla që nga njiherë i bajnë edhe të rritunit jo ma nji nxanëse e klasës së parë fillore. Pra jam shumë, shumë i kënaqun, nga përparimi i Florës në mësime dhe e besoj për dhjetat që thotë se merr. Sillem e sillem e prap vij te mbesa e vogël, vjershën e abetares e recitoi shumë mirë. Sidomos ne që jemi mallue me ndigjue nji za fëmije, shprehja e saj më duket si cicërimë zogu. Por kulmin e mërriti kur i tha nanës gjithë seriozitet: A e pe djalin? E pashë. – A të duket mirë? – Mirë. A u kënaqe me të? – U kënaqa. - Tash ti pra mos rri tue na thanë nëpër shtëpi: Uh djali, uh djali! Atë çast mu mbush mendja që shumë shprehje të saj, që m’i shkruen Neta ndër letra, Flora i ka të vetvetishme, që i thotë pa ia mësue kush.
Unë për vete jam mirë. Asgja nuk më mungon. Po të më ndigjoni mue nuk vini aspak në prill. Papuçet e gomës që më blete vjet qëlluen shumë të dobëta, janë plasë krejt në te, por verën e kaloj me to. Në rast se ka Neta ndonji tepricë stofi të zi ose teritali të mbyllët sa për nji berretë të ma sjellë, veç mos të gabojë me e ble. Do ta qep vetë a bahet me dy rrathë, nji i sipërm i plotë e nji i poshtëm me birën që masën e kokës në mes, veçse duhet të jetë nji çupë. Unë e kam pasë ble nji berretë të re por më ka mbetë në thes se asht numër 55 e unë marshalla e kam kryet e madh e nuk më zen. Qymyr e salc mos më bini se kam.
Kam nji porosi: Kur të dalë “Fjalori i Gjuhës shqipe” mundësisht ma bleni. Këtë vit mund të dalin edhe fjalorët e mëdhenj Frengjisht-Shqip, Anglisht-Shqip, Italisht-Shqip, Gjermanisht Shqip dhe Rusisht – Shqip. Porositni Antonin ose Tomën të m’i blejnë e mbani në shtëpi, mbasi këtu nuk lejohen me hy. Gjithashtu më bleni “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” me 32000 fjalë (ky ka dalë e mund të bleni vetë në librari). Pra ju porosita për shtatë fjalorë, por kujdes mos më bleni botimet e mëparshme, por vetëm 1977 e mbrapa. Të hollat që do të shpenzoni i zbritni nga ato që do të më çoni mue ma vonë.


Fotografitë e Florës...

Burrel 15.5.1983

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë
Si gjithmonë, para se me nisë letrën, u mora erë luleve të Florës, që kësaj rradhe ka qenë tufa ma e bukur që më ka sjellë. Sidomos trëndafillja e verdhë ishte e mrekullueshme. Era e tyne më duket sikur më solli erën e shtëpisë, të nanës dhe të motrave.
Edhe Flora që më solli lulet këtë rradhë, m’u duk si një lule e freskët, e gjatë, e hijshme, e pastër e veshur mirë e me shije. Ka lindë dhjetë vjet mbasi jam nda prej jush dhe ja ku erdhi koha të futet në klasën e shtatë këtë vjeshtë. Nuk e di pse më thotë Neta se nuk asht e shëndetshme sa duhet. Përkundra mue më pëlqen që asht e hajthshme dhe që lëshon shtat gjithnji. Vetë gjallnia e saj asht diçka e bukur dhe sikur të merret pak me sport a me lojna do të jetë ma mirë. Fotografitë më pëlqyen shumë. Margarita e ka marrë veten, ka dalë shumë ma e shëndetshme se në fotografitë e vjetçme. Edhe Toma ishte shumë mirë, më pëlqen se gjithmonë keni paraqitje të mirë, të veshun e të mbathun. Flora ka marrë hije vajze të rritur. Në letrën e saj më ankohet se në pozat që ka ba me qenin e saj, ai ka nxjerrë gjuhën jashtë. Më shpjegonte edhe shkakun: Kishin shkue me vrap nga shtëpia në lulishte. Ma mbushi mendjen shpjegimi i saj por kur pashë fotografitë na doli nji pengesë. Pashë nji zinxhir të randë, me hallka të mëdha hekuri që edhe qenve të stanit mund t’ua merrte frymën, jo ma atij qenit tand të vogël e të bukur. Ti ankohesh se ka qitë gjuhën jashtë Florë, por unë habitem si nuk i ka ra gjuha në tokë prej gjithë atij sikleti. Prandaj ban si të bash gjej nji zinxhir tjetër ma të bukur, ma të hollë në daç mos me hi në gjynah me Lordin. Edhe në tufë të luleve, herë tjetër mos harro me futë ndërmjet të tjerave dhe gonxhe të paçelura, se të parat thahen shpejt, ndërsa gonxhet çelin njena mbas tjetrës. Kam harrue me pyetë për atë vishnjen që kemi pasë e kanë shkulë, e keni pre apo asht tha se ka gati dy vjet që s’më keni pru si e keni pasë zakon. Nana ka pas ba dikur vishnjak të mirë. Neta më tha se në qershor don me pru nanën. Mirë ban se u ba nji kohë e gjatë pa u pa dhe ndoshta heq mallin sadopak. Sidoqoftë më lajmëroni disa kohë ma parë se të niseni.
Më erdhi mirë që Juli kishte marrë goxha vajzë, si më tha Neta. Në qoftë se ju mbushet mendja me pru nanën herën tjetër, bani mirë të vizitoni te mjeku ma parë, se kam frikë se mos bahet sebep udhëtimi e takimi që ta shqetësojë. Filxhani që më solli nana më pëlqen shumë në daç si formë, edhe si ngjyrë. Më erdhi keq se u ciflos pak në buzë, kur e mora, por shumë pak.
Tjetër s’po ju shkruej. Ju përqafoj me mall së largu. Florës i puth sytë
E përfytyroj nanën në kopësht

Burrel 16.6.1981

Shumë e dashuna Nanë, Netë e Margeritë,
Vazhdimisht më shkon mendja te Flora. Tashti mbaroi klasën e katërt. Vërtetë e vogël asht por tashma e kaloi fazën e kukullave, klasa e pestë asht nji periudhë moshe kur fëmija kupton gjithçka, mban mend gjithçka, pasunon përshtypjet nga jeta, ndien gëzimet dhe hallet e familjes, madje ndien edhe përgjegjësitë e veta. Kur kam qenë unë në moshën e saj i kuptoja të gjitha problemet e familjes e në rasë se nuk flisja e nuk bisedoja, këtë e kisha nga ndrojtja që ndien i vogli para të mëdhejve. Sa kisha me dashë që ketë periudhë të moshës së saj që asht aq delikate, të merresha vetë me Florën, ta mësoja, ta shëtisja të bisedoja me të. Po prap jam i gëzuem që ju ka ju, që ashtu siç e keni rritë me kujdes të madh, ashtu edhe do ta edukoni si duhet. Dëshiroj që të bahet vajzë e gjallë, e çiltër, e dashun me të gjithë njerëzit e vet, dhe jo e mpitë dhe e mbyllët. Letrën që më kishte premtue ma vonoi. Në pastë hallin se i ka dalë ndonji notë jo ashtu si ka dëshirue mos të druhet se e kuptoj që s’mund t’i kthejë të gjitha në dhjeta për nji semestër. Mandej ka nxanës që e nisin dobët dhe vijnë vit mbas viti tue e përmirësue cilësinë e mësimit e besoj se edhe Flora hyn ndër këta. Harrova në takimin e fundit me ia shikue thonjtë, a i ha ma si përpara apo e ka heqë atë ves. Po për të veshun dhe për paraqitjen a ka kujdes dhe shije apo duhet të kujdeseni ju si ma parë?
Tash verës nanë, më pëlqen me të përfytyrue herë në kopsht, herë në oborr, herë para shkallëve me dyer e dritare hapun për me hy fresku. Po Florën a keni ndërmend me e dërgue ndokund për verim sivjet? Këtë vit s’më këni dërgue asnji fotografi të sajën. A e merr ndonji herë i ati në stadium apo nuk ka qef. Unë i ndoqa me vëmendje ndeshjet për kupën në futboll. Nji herë ma ftohën mendjen ata të Vllaznisë se e nisën keq, po ajo kthesa që banë në lojën e dytë qe e mrekullueshme. Pesë gola rresht në portën e Besës e banë stadiumin me ushtue nji orë rresht nga brohoritjet.
Gjithë kushërijve e të afërmve shëndet e të fala. Ju përqafoj së largu të gjithëve. Florës i puth sytë.

Jueji Pjetri

Milosao