Shenja nga yjet




Victor SEGALEN

Vepra më e rëndësishme e V. Segalen është “Steles”, përmbledhje që e botoi më 1912 në Pekin, në 81 kopje, duke ia kushtuar Paul Claudel-it. Teksa i flet për këtë libër një tjetër miku të tij, Jules de Gaultier-it, në një letër të vitit 1913, Segalen-i shënon: ”Në Kinë nuk kërkoj ide apo subjekte, por forma që njihen pak, forma të larmishme, krenare.”
Poezitë e kësaj përmbledhjeje, me të cilën ai synonte t’i përcillte europianit modern përvojën e një diturie të lashtë, janë frymëzuar nga stili i disa shkrimeve kineze, të cilat gjenden të skalitura nëpër shtylla, në hyrje qytetesh, në kryqëzime, në tempuj, dhe i këndojnë dashurisë, vdekjes, jetës së përditshme.

Honi

Kundruall thellëtirës, njeriu, me ballin prirur, përhumbet. Ç’fsheh vallë përfund golles shkëmbore? Natën poshtë dheut, Perandorinë e hijes.

*
Unë, tek përkulem sipër vetes dhe kuvendoj me honin tim, - oh, unë! - drithërohem. Më duket sikur bie, zgjohem dhe nuk dua të shoh tjetër gjë veç natës.

Për t’i plotësuar hatrin

Për t’i bërë hatrin harxhova gjithë jetën. Tash që kam çikur skajin e tejmë të fuqive të mia, ende vras mendjen të gjej diçka për t’i bërë hatrin.
Ajo dëshiron të grisë mëndafsh: do t’i jap njëqind kute pëlhurë që tingëllin. Por tashmë kjo britmë s’është dhe aq e re për të.
Ajo dëshiron të shohë verën që rrjedh dhe njerëzit që dehen: por pija nuk është dhe aq e athët dhe këta avuj më nuk e trullosin.

*
Për t’i plotësuar htarin, do të tendos shpirtin tim të rraskapitur: i shqyer, nën gishtat e saj, do të kërcasë. Dhe gjakun tim do ta përhap porsi vera në kacek. Një buzëqeshje, atëherë, do të priret sipër meje.

E dashura ime ka dhuntitë e ujit

E dashura ime ka dhuntitë e ujit: një buzagaz të tejpashëm, ca nojma rrjedhëse, një zë të kulluar që këndon pikë-pikë. Dhe kur, pa dashur, vështrimi ndonjëherë më ndizet zjarr, ajo di ta trajtojë me drithërima: ujë i derdhur mbi thëngjijtë e kuq.
Uji im i gjallë, derdhur i gjithi, atje tej, mbi dhé! Shket e më ikën; më merr etja dhe i bëhem pas. Me duar, bëj një kupë. Me të dyja duart e mbledh gjithë dalldi, e shtrëngoj, e ngre te buzët:
Dhe gëlltis një grusht baltë.

Blatesë mongole

Këtu ëshë vendi ku e zumë të gjallë. Tek luftonte trimërisht, i kërkuam të vihej në shërbimin tonë: parapëlqeu t’i shërbente Princit të tij deri në vdekje.
I premë backat: zuri të tundte krahët për të treguar se nuk dorëzohej, i premë krahët: ulërinte se i përkushtohej veç Atij.
Ia shqyem gojën vesh më vesh: na dha shenjë, me sy, se do t’i qëndronte besnik deri në fund.

*
Sytë të mos ia nxjerrim siç bëjmë me frikacakët; por duke ia prerë kokën gjithë respekt, le t’ia derdhim kuminë e trimave e këtë blatesë t’i themi:
Kur të rilindësh, Çen Huo-Çang, bëna nderin të rilindësh midis nesh.

E shkruar me gjak

Jemi në pikë të fundit. Hëngrëm kuajt, zogjtë, minj e gra. Dhe kemi ende uri.
Rrethuesit radhë-radhë nëpër bedena. Ata janë më shumë se dyzet mijë; kurse ne më pak se katërqind.
Tashmë as harkun nuk tendosim dot, as u drejtojmë dot më britma poshtërimi; vetëm nofullat shtrëngojmë nga lakmia për t’i kafshuar.

*
Jemi vërtet në pikë të fundit. Perandori, në denjoftë të lexojë këto radhë të shkruara me gjak, le të mos i qortojë kufomat tona. Shpirtrat tanë le të mos i grishë: duam të shndërrohemi në djaj të asaj racës më të keqe:
Nga lakmia për të kafshuar e gllabëruar këta njerëz!

Shtyllë lotësh

Gjenden në njëzet e tetë shtëpitë e Qiellit: Druga yjeshumë që mëndafsh nuk endi kurrë; Demi i yjëzuar me litarin në grykë, që nuk tërheq dot karron; Rrjeta mijërafijëshe, që aq bukur është punuar për të joshur lepujt e që nuk kap dot asanjë; Sita që nuk sit; Luga që nuk bën as për të matur vajin! Dhe gjindja e zejtarëve tokësorë truajnë qiellorët për mashtrim e padobi.
Poeti thotë: Ata rrezatojnë.

Princi i kënaqësive të ndaluara

Princ, o Princ i kënaqësive të ndaluara, pa dëgjo këngën ç’thotë: “Katër gjokët trokojnë, frerët u valëviten: të lësh të keqen për të mirën është një ëndje tjetërsoj!”
Princ, o Princ, fundi yt u shpall. Mendo për Perandorinë! Mendo për veten!

*
Pronci thotë: Mjaft! Shenja ogurzeza! Unë për Perandorinë jam si Dielli për Qiellin. E kush mund të shkojë ta zhvarë? Veç kur të bjerë ajo, do të bie edhe unë. Froni im është më i rëndë se Shtatë Malet mbrojtëse: ai është shtrirë mbi pesë dëshirat, madje edhe mbi të gjashtën. Po vijnë hordhitë: do t’i këndellim dhe ato.
Perandoria e kënaqësive të ndaluara nuk di ç’është rënia.

Përktheu Romeo Çollaku