VARGAS LLOSA
Çfarë e shtyn të hedhë mes rreshtash të qenat e të paqenat? A ka mister letrar apo thjesht një logjikë që duhet shpjeguar? Pyetje të tilla janë bërë ndër shekuj. Kanë marrë dhe s‘kanë marrë përgjigje. Kanë grishur shkrimtarë, pena të njohura të futen thellë brenda vetes, të shohin nën një dritë të pastër gjykimi vitet e kaluara para tryezës së shkrimit. "Nuk besoj se fatet e qenieve njerëzore janë të programuara që në barkun e nënës, nga fati, ose nga një fuqi hyjnore djallëzore që shpërndan te shpirtrat e sapolindur prirjet, mosprirjet, pëlqimet dhe mospëlqimet. Por, as nuk besoj, siç besoja dikur nën ndikimin e ekzistencialistëve francezë, veçanërisht të Sartrit, se prirja është zgjedhje, shprehje e lirë e vullnetit të individit, që përcakton të ardhmen e tij. Në të vërtetë, pavarësisht nga bindja ime se prirja letrare nuk është as e përcaktuar prej fatit dhe as e gdhendur në gjenet e shkrimtarëve të ardhshëm dhe se nga disiplina dhe këmbëngulja ndonjëherë mund të lindin gjeni, kam arritur në përfundimin se ajo nuk mund të shpjegohet vetëm me zgjedhjen e lirë. Sipas mendimit tim, zgjedhja e lirë është thelbësore, por vetëm në një fazë të dytë, pas një prirjeje fillestare subjektive, të lindur ose të ngjizur qysh në fëmijëri, apo në adoleshencën më të hershme, të cilën zgjedhja racionale mund ta forcojë, por që kurrsesi nuk mund ta prodhojë nga hiçi". Kështu shkruan Mario Vargas Llosa, romancier, dramaturg, eseist, gazetar, kritik letrar e një nga shkrimtarët kryesorë të botës spanjolle. Emri i tij i bashkohet atyre që janë rrekur të shpjegojnë të mistershmen. I ka hedhur në një libër mendimet e tij. Titullohet "Letra një shkrimtari të ri", botuar në shqip nga "Onufri". U drejtohet atyre që e ndjejnë brenda vetes zjarrin e shenjtë për të shkruar e për të rrëfyer. Botimi nuk është një manual i letërsisë, nuk ofron këshilla të përcaktuara rreptësisht, nuk dhuron formula që duhen aplikuar. Është më shumë një analizë e karakteristikave, e elementëve që të gjithë ata që janë tashmë shkrimtarë, që kanë arritur momentin t‘i gëzohen famës së tyre e ta shohin veten të preferuar, madje edhe të shitur. Në një bashkëbisedim me një shkrimtar të ri, një i imagjinuar, Llosa nuk mund të japë receta pasioni, krijimtarie, të kurajës për të shkruar. Ai flet e shkruan për ata që e kanë pikasur atë ndjenjë të çuditshme brenda vetes. Ata që duan të çlirohen me fjalë, me rreshta, me faqe të tëra. Ashtu siç ai e njeh letërsinë dhe e bën atë. Llosa flet për një rebelim. Për një rebelim nga ata që ndodh shpesh që shkrimtarët ta mëshirojnë në personazhin kryesor të romanit. Një rebelim që i kundërvihet gjithë botës, ligjeve të shkruara e të pashkruara të saj. Flet për një forcë bindëse që shkrimtari duhet të përcjellë te lexuesi i tij. Ai duhet ta kuptojë që në rreshtat e lexuar është një botë imagjinare, me pak thelb të vërtetë, më shumë të imagjinuar, por ta besojë sërish. Flet për stilin e të shkruarit, për rrëfyesin, kohën dhe hapësirën e rrëfimit. Rreket të japë një shpjegim të asaj që në kohën e tij, por edhe sot e quajnë "një profesion me zanafillë të mjegullt, që i shtyn disa burra dhe gra t‘i përkushtojnë jetën kësaj veprimtarie, që një ditë e kuptojnë se vetëm po të ndjekin këtë zanat, do të ndihen të plotësuar e në paqe me veten". Nuk është e thjeshtë të transmetosh në pak fjalë pasionin dhe intensitetin e krijimit, që përshkojnë faqet e këtij libri. A duhet të dallohet materiali autobiografik, zemra ku nis një libër nga lexuesit. Si duhet të transformohet ai teksa kalon në mendjen e penën e shkrimtarit? Mario vargas Llosa e quan një striptizë të filluar nga fundi. "Të shkruarit e librave është barasvlerës i asaj që bëjnë profesionistet e striptizës kur zhveshin teshat dhe tregojnë trupat lakuriq në skenë. Shkrimtari kryen të njëjtin akt, por në të kundërtën e tij. Për të krijuar një roman ai kryen të gjitha lëvizjet e të veshurit, duke fshehur lakuriqësinë me të cilën nisi punën, nën artikuj veshjesh të rënda, shumëngjyrëshe, të sajuara nga imagjinata e tij". Fjalë pas fjale e faqe pas faqe, Llosa kërkon të thotë se në fund shkrimtari është rob i të shkruarit. "Nuk shkruan për të jetuar, por jeton për të shkruar.





