CRISTOFORO COLOMBO, një pirat që paguhej
Historia e korsarëve, por edhe piraterisë është ngushtësisht e lidhur me historinë e lundrimit, të eksplorimit dhe të kolonizimit, me një fjalë e të gjithë ekspansionit perëndimor në botë: nuk mund t'i njihet fytyra e vërtetë pa njohur historinë e piratëve dhe të korsarëve. Duhet nënvizuar se, korsarët nuk u konsideruan si keqbërës në cepat e shoqërisë. Përkundrazi, në çdo epokë, u futën në komunitete të ndryshme dhe u bënë pjesë aktive dhe integrante. Fajtorë më shumë romane dhe filma aventure sesa historia në kuptimin e vërtetë të fjalës, përgjithësisht fjala korsar evokon në kohët tona kohë dhe detra të largët, lokalitete ekzotike, anije me vela të ngarkuar me thesarë, aventurierë kurajoz (shumë mizorë apo jashtëzakonisht të drejtë dhe idealistë) dhe shumë gjëra të tjera të jashtëzakonshme. Parasëgjithash, do të ishte mirë të kërkohej të vendosej një dallim midis pirat dhe korsar, dy fjalë që në përgjithësisht përdoren gabimisht në mënyrë të ndryshme. Pirati ishte hajduti - plaçkitës i detit, që vepronte me iniciativën e vet dhe për llogari të vet, duke sulmuar dhe plaçkitur të gjitha anijet që haste dhe, nganjëherë, duke bërë deri inkursione kundër plazheve më pak të mbrojtura dhe qyteteve të vogla bregdetare. Kurse korsari, edhe pse plaçkiste si pirati, e bënte këtë gjë me autorizim apo deri i ngarkuar nga një qeveri rregullisht e ndërtuar (me një letër autorizimi, sovrani i jepte të drejtë një kreu korsar që të pajisej me një anije të armatosur në kërkim anijesh tregtare armike në emër të drejtash, të vërteta apo falso që të ishin, që kjo qeveri rivendikonte mbi një zonë të caktuar deti apo mbi anijet e një shteti tjetër): me pak fjalë, ishte një lloj polici jo me rrogë që paguante veten me plaçkën e bërë. Këto me fjalë të thjeshta dhe, të paktën, teorikisht. Në praktikë, dallimi është shumë më i lehtë për t'u bërë: në çdo kohë, shumë flota pirate i kanë kryer ndërmarrjet e tyre pak a shumë dakord me shtete të mëdhenj e të vegjël dhe shumë lundërtarë që bënin të ashtuquajturën luftë në ndjekje, domethënë korsarë, nuk kanë hezituar të kryenin aksione piraterie. Kështu që, të dy figurat kanë përfunduar pak a shumë gjithmonë për t'u ngatërruar. Nëqoftëse shikojmë nga e kaluara, çdo dallim është i pamundur dhe, nga ana tjetër, të lashtët nuk kujdeseshin që ta bënin, sepse, të paktën në epokat më pak të vonshme, për ta pirateria ishte një aktivitet i ligjshëm si lufta. Akejas, kretas dhe fenikas sulmonin qytetet të pambrojtura dhe zinin skllevër për t'ia shitur tregut më të parë. Me zgjerimin e dominimit të Romës në Perëndim dhe në Lindje pati një zhvillim të frikshëm të inkursioneve nëpërmjet detit dhe tokës të tipit piratesk dhe Pompeu i madh u ngarkua nga Senati në vitin 67 B.C. për të çliruar detyrat nga sëmundja e keqe. Ai ia arriti për 3 muaj me ndihmën e 15 delegatëve apo mëkëmbësve dhe një flotë prej 500 anijesh. Deri në atë moment plaçkitësit kryqëzoheshin, kurse Pompeu u kufizua që t'i transferojë në koloni të ndryshme, në veçanti në Cilici, duke u dhënë atyre mundësinë që të jetonin në mënyrë më të rregullt. Me rënien e Perandorisë Romake, tregtitë detare u reduktuan gjithnjë e më shumë dhe, për disa shekuj, mund të thuhet se ujërat e Mesdheut nuk ofronin më pre. Nga shekulli i VIII-të u rishfaq marinaria me iniciativën e një populli që po përjetonte orën e tij: arabët. Pak e nga pak tregtitë po rimerrnin veten midis Perëndimit dhe Lindjes, në mënyrë të veçantë prej veprimtarisë së qyteteve e marinare: Amalfi, Piza, Gjenova, Gaeta, Venecia; anije të vogla tregtare bënin rrugën midis porteve bizantine dhe atyre të brigjeve mesdhetare jugore e perëndimore nga Siria në Katalonjë, pre e hajdutëve të detit. Ndërkohë, pothuajse njëkohësisht, një aktivitet tjetër piratesk ishte shfaqur në veri prej inisiativës së normanëve, që kryenin inkursione në Angli e Irlandë, Spanjë, Francë dhe Itali jugore, duke u shtyrë deri në Islandën e largët dhe në brigjet e Amerikës 500 vjet përpara Kolombit, falë një diturie marinare që sot askush nuk do të dinte ta barazonte. Me anijet e tyre të lehta me fund të sheshtë, që mund edhe të viheshin mbi rrota, normanët u ngjiteshin lumenjve dhe plaçkitnin fshatrat. "Ndërthurja" midis piratëve dhe korsarëve ka lindur pikërisht nga mbrojtja nga inkursionet marinare në kuptimin që qytetet, për t'u mbrojtur nga sulmet e plaçkitësve, filluan të mbrojnë piratët për t'i përdorur në rast sulmesh nga flota rivale dhe kundërshtare. Me kryqëzatat arrihet në periudhën në të cilën lufta në ndjekje përzihet ngushtësisht me piraterinë. Në fakt, kjo e fundit praktikohej dhe pranohej qysh nga shekujt e fundit të Mesjetës: të gjitha shtetet gëzonin të drejta mbi copëra të caktuara deti dhe anijet e tyre nuk kishin skrupull që të sulmonin dhe të plaçkitnin, nëqoftëse arrinin, anijet e huaja që ndeshnin në këto zona dhe për t'u kapur ekuipazhet dhe pasagjerët, duke kërkuar pastaj shpërblime pak a shumë të larta. Të gjitha anijet pajiseshin për luftim dhe nuk ekzistonte praktikisht diferencë midis një anijeje tregtare dhe një lufte. Vetë kalorësit e Shën Gjonit e ushtronin korsarinë kundër turqve në ujërat e Rodit dhe nuk ngurronin që të kërkonin shpërblime të majme nga të burgosurit e tyre apo t'i shisnin si skllevër. Kështu, korsari dhe pirati përziheshin në luftërat midis kristianëve, të përfaqësuar kryesisht nga spanjollët dhe kalorësit e Shën Gjonit, dhe turqve, të përfaqësuar sidomos nga piratë - korsarë të famshëm, që shumë herë nuk qenë me origjinë turke, por renegatë kristianë, lundërtarë shumë të aftë grekë, spanjollë apo italianë. Kështu mund të thuhet se, shfaqja e një vele kristiane afër një bregu të Afrikës Veriore popullsinë banuese aty saktësisht siç ndodhte kur një anije me gjysëmhënë i afrohej ndonjë vendi të bregdetit tirren, jonian, etj.. Korsarët më aktivë dhe më të organizuar myslimanë qenë ata me bazë në qytetet bregdetare të Magrebit, sidomos Algjeri, Tunizi dhe Tripoli. Me hinterlandet e tyre, këto qytete përbënin shtete korsare pothuajse të pavarur nga pushteti i largët i sulltanëve të Stambollit. Aktiviteti kundër kristianëve ishte një aktivitet fitimprurës (për të mos u harruar tregtia apo shpërblimi i skllevërve të kapur) tejet legal, shpesh i inkurajuar nga vetë sulltanët otomanë, sidomos kur këta qenë në luftë kundër vendeve kristiane. Në drejtimin e korsarëve myslimanë nganjëherë qenë njerëz të jashtëzakonshëm, si dy vëllezërit Arug e Khair ad-Din, të mbiquajtur Mjekërrkuqë; ky i fundit i krijoi jo pak probleme deri Karlit të V-të dhe Andrea Dorias. Pavarësisht ekspeditave të ndryshme ndëshkuese të shteteve evropiane dhe deri të sapolindurve Shtete të Bashkuara të Amerikës (kundër Tripolit), aktiviteti korsar i regjencave magrebase (nganjëherë me aleanca të çuditshme, por jo dhe aq, me Francën) vazhdoi për disa shekuj. Goditje vendimtare u dha pushtimi i Algjerit nga ana e francezëve në vitin 1830. Prania e vazhdueshme e anijeve korçare si në det të hapur, ashtu dhe në brigje, konsiderohej sëmundje endemike, që nuk ishte e mundur të zhdukej, por që vetëm mund të përmbahej me një aksion vigjilence të vazhdueshëm, duke përdorur mjetet detare e përshtatshme. Kështu që duheshin përdorur mjete lundrimi që të dispononin të njëjtat armë si të plaçkitësve: nuk ishte aq e rëndësishme fuqia e zjarrit sesa shpejtësia e nxjerrë nga velierat latine dhe mundësia për të lëvizur, duke përdorur rremat edhe në mungesë të erës, gjatë bunacave të muajve verorë. Kështu shkruante në vitin 1797 Gjenerali Forteguerri lidhur me përdorimin e njësive moderne të luftës për të shtypur inkursionet korsare: ... Nëqoftëse kërcënimi piratesk mund të luftohej vetëm me të drunjtat që kishin të njëjtat karakteristika me ato të agresorit, kjo shpjegon sesi vallë marinat mesdhetare i ruajtën për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë, galerat, gjysëm galerat dhe galerat e mëdha, mjete të brishta që dispononin rrema, por që e arrinin shpejtësinë maksimale kur ngrinin velat e tyre të mëdha latine. Galerat e fundit të Republikës së Gjenovës mbetën në shërbim kur tashmë prej kohësh jashtë Mesdheut këto njësi konsideroheshin të tejkaluara, pasi nuk mund t'u kundërviheshin më artilerive të anijeve dhe fregatave që përbënin skeletin e flotave të luftës. Kurse në detrat italiane këto njësi demonstroheshin në fakt shumë të dobishme në funksion të gjuetisë së barbarëve. Midis galerave të fundit të armatosura nga Republika e Gjenovës mund të kutjohet "Raggia", e cila u dallua në vitin 1768 për kapjen e shabekut algjerian "Clenchec". Ky i fundit, një anije druri me skaf të butë, që ishte i pajisur me tri vela të mëdha latine dhe kishte edhe mundësinë që të përdorte shtytjet me rrema, rezultoi veçanërisht i përshtatshëm për luftën në ndjekje. Mbante një armatim të konsiderueshëm, që mund të arrinte 200 personat dhe nja 20 topa. Për cilësitë e tij të shpejtësisë e të fuqisë u përdor gjerësisht në ndeshjet luftarake të Shtatëqindës; spanjollët armatosën një numër të madh, që ua kundërvunë atyre të barbarëve. Nga ana kristiane, aktivitetet kryesore korsare kundër myslimanëve u menaxhuan nga kalorësit e Maltës dhe ata të Shën Stefanit, portet kryesore mbështetës të të cilëve qenë Malta e Livorno. Por të shumtë qenë edhe korsarët privatë kristianë, që nganjëherë vepronin për llogari të tyre (edhe kundër gjërash dhe personash europianë) dhe të tjera në emër të mbrojtjes së kristianizmit. Aktiviteti i korsarëve kristianë pothuajse pushoi krejtësisht nga fundi i Shtatëqindës. Një aspekt i rëndësishëm i marinarisë mesdhetare, si nga ana myslimane, ashtu dhe nga ajo kristiane, që kapja e armiqve (edhe gra e fëmijë) për t'i bërë skellvër apo të burgosur për t'u çliruar pas pagimit të një shume. Për meritë edhe të kërcënimeve për raprezalje midis vendeve të tyre të origjinës, kushtet e jetës së skllevërve nuk qenë gjithmonë të këqija, as në kampin mysliman, as në atë kristian, siç mund të mendohet me shikim të parë. Të dhënat mbi numrin e skllevërve mungojnë, por dukej nganjëherë qe mjaft i lartë. Për shembull, vlerësohet se midis dekadave të fundit të Pesëqindës dhe të para të Gjashtëqindës kishte 50000 (maksimumi) skllevër në zonën e Algjerit, 12 në Siçili dhe rreth 100 000 në Spanjë. Në Angli, në fund të Mesjetës, aktiviteti plaçkitës e kalonte shumë atë tregtar. Në realitet, flota ishte më e mirëorganizuar se vende të tjera, pasi duke qenë latifondistët e mëdhenj edhe magjistratët kryesorë të distrikteve të tyre, i nxirrnin në liri delinkuentët. Kundër kësaj piraterie të organizuar mbi bazë kombëtare, të mbështetur nga pronarët e mëdhenj si familja Killigrew në Cornwall, Mbretëresha Elisabeth kërkoi që të veprojë me energji. Nga njëra anë, nuk hezitoi që të godasë personazhe të lartë, nga ana tjetër, u tregua e mëshirshme me piratët, duke u shtyrë ata që qenë kapur të bashkëpunonin në gjuetinë e atyre që qenë akoma në liri apo duke i absorbuar në marinën angleze. Por, vepra e saj u zhvillua sidomos për ta shfrytëzuar aktivitetin piratesk për luftën kundër Spanjës, duke i transformuar piratët në korsarë dhe duke i larguar nga brigjet angleze për t'i drejtuar drejt atyre amerikane. Me pushtimin e Meksikës dhe të Perusë nga ana e Spanjës, të dy Amerikat kishin filluar të dërgonin në Botën e Vjetër sasira të konsiderueshme floriri. Me Spanjën, Anglia nuk ishte në marrëdhënie të mira dhe alternonte gjendje tensioni me ato lufte: kështu, asgjë nuk pengonte që të fillonte një aktivitet i gjerë piratesk apo korsar në dëm të Spanjës dhe të galerave të mëdha të saj plot me flori që vinin rregullisht nga Bota e Re. Elisabeth nuk e organizoi luftën e ndjekjes në Atlantik, pasi nuk kishte nevojë: mjaftonte që të favorizonte apo, thjesht, të mos e pengonte. Karakteri i ftohtë anglez nuk është aspak i huaj ndaj aventurës; trashëgimtar i kurajos normane, është bile më aventureski, edhe pse hidhet tek aventura me qetësi të ftohtë. Filloi kështu epopeja më e madhe korsare në histori. Lundërtarët më të mëdhenj anglezë të mesit të dytë të Pesëqindës janë thelbësisht korsarë. Qe Martin Frobisher, i cili në rini plaçkiti pothuajse të gjitha detet dhe, nga viti 1576 më 1578, ju kushtua kërkimit të të ashtuqujaturit Kalim Veriperëndimor, domethënë atij që do të duhej të vinte në komunikim në veri Atlantikun me Paqësorin. Në vijim, filloi luftën korsare kundër Spanjës dhe Francës, duke vdekur në luftime: Mbretëresha Elisabeth e emëroi kalorës. Korsar qe Sër Richard Grenville, i cili nga 1585 më 1591, gjatë udhëtimeve të tij, plaçkiti ishujt Azore dhe futi në dorë anije spanjolle derikur, i bërë Kundëradmiral, humbi jetën në një përplasje me flotën spanjolle. Korsar Richard Hawkins, i cili në vitin 1593, i nisur me tri anije të pajisura prej tij, kaloi Ngushticën e Magelanit dhe ju ngjit bregut amerikan deri në Valparaiso, duke plaçkitur anijet spanjolle që haste rrugës. Edhe ai pati gradën e Kundëradmiralit dhe u emërua kalorës. Korsar qe edhe më i madhi i të gjithëve, Francis Drake, i lindur në Tavistock të Devonshire, rreth viteve 1539 - 1545. E filluar në moshë të re, karriera e marinarit, pothuajse në moshën 22-vjeçare komandonte një anije dhe bënte aktivitete në Detin e Karaibeve, luftoi në Gjirin e Meksikës dhe në vitin 1570 siguroi letrën e korsarisë nga Mbretërsha Elisabeth, e cila financoi ekspeditat që kreu kundër kolonive spanjolle deri më 1572. Në këtë kuptim, i pozicionuar me njerëzit e tij në istmin e Panamasë, sulmoi dhe mbyti një karvan spanjoll të ngarkuar me flori dhe me argjent. Kish siguruar patenta të rregullta për luftën korsare dhe tashmë anije të shumta spanjolle qenë plaçkitur prej tij; i kthyer në Angli plot me plaçkë, siguroi nga Mbretëresha mbështetjen për një ekspeditë në Detin e Jugut, siç quhej në atë kohë Paqësori, i dominuar nga spanjollët dhe akoma i panjohur për anglezët. Drake u nis me 5 anije dhe 167 njerëz nga Plymouth me 13 dhjetor 1577; me kalimin e Oqeanit Atlantik, ekspedita arriti Río de la Plata, kaloi Patagoninë, arriti Ngushticën e Magelanit në gusht të 1578 dhe, më së fundi, Oqeanin Paqësor, duke ngjitur brigjet e Kilit e të Perusë deri në California me qëllimin e saktë që të sulmonte dhe plaçkiste anije dhe porte spanjolle. Në realitet grumbulloi kështu një plaçkë të konsiderueshme. Në California zbarkoi, duke marrë posedimin e asaj toke në emër të Mbretëreshës dhe e quajti New Albion. Vetëm me anijen flamurmbajtëse "Golden Hind", Drake e vazhdoi lundrimin në drejtim të jugut dhe më pas drejt lindjes, përtej Tokës së Zjarrtë, nga ku zbuloi ishullaritetin, duke demonstruar se nuk ishte e lidhur, me "kontinentin e madh jugor" (kalimi midis Tokës së Zjarrtë dhe Ishujve Shetland australe sot njihet si Ngushtica e Drake). Pastaj përballoi me vendosmëri Paqësorin, duke e lënë bregun amerikan më 23 korrik të 1579, arriti pranë Filipineve, ku sulmoi në befasi anijet spanjolle, arriti ishujt Molucche, Java dhe, nga këtu kaloi Oqeanin Indian, kaloi Kepin e Shpresës së Mirë, duke u hyrë në shtatorin e 1580 në portin e Plymouth, nga i cili qe nisur 3 vjet më parë, pasi kish kryer rrotullimin e botës: i pari, nën flamurin anglez (Drake qe kështu anglezi i parë që kish kryer rrotullimin e plotë të globit, ndërmarrje e realizuar më parë vetëm nga Magelani). Ndërkaq, Spanja e tërbuar për plaçkitjet e tij, kish protestuar fuqimisht pranë Mbretëreshës, duke i kërkuar që korsari të varej. Por Elisabeth e priti me nderime të mëdha, duke i dhënë patenta fisnikërie me emërimin si kalorës, shkoi të vizitojë anijen e tij, e vetmja nga të pestat që i kish mbetur dhe urdhëroi që anija "Golden Hind" të ruhej si kujtim (u shkatërrua rreth një shekull më pas). Jo për këtë, Drake do ta braktiste aktivitetin e tij. Me shpërthimin e luftës kundër Spanjës, Drake rimori detin me një skuadër detare: pushtoi qytetet në Ishujt e Capo Verde e në Indinë Perëndimore dhe në Kadiz më 1578 sulmoi një flotë të fuqishme spanjolle, duke djegur atë. Qe në krye të një prej skuadrave që mundën "Invincibile Armada", qe Nënadmiral më 1588 dhe vdiq nga ethet më 1595 në afërsi të Portobello. Përveç Francis Drake, pati korsarë të tjerë legjendarë në Anglinë elisabethiane, si William Hawkyns: i pari i një dinastie lundërtarësh të mëdhenj, ndër më të famshmit i biri John dhe i nipi Richard. Në vitin 1528, filloi tregtinë me Guinenë e Brazilin, plaçkiti 7 galera të mëdha spanjolle në afërsi të Maracaibo, pastaj vdiq në atdhe më 1553, teksa priste të emërohej "Sir". I biri John, qe anglezi i parë që praktikoi tregtinë e skllevërve midis Afrikës dhe kolonive spanjolle të Amerikës (1562). Hyri në Portin e Veracruz, duke kapur disa pengje spanjolle, me garnizonin lokal pa mundur që t'i bënte rezistencë. Por forcat armike të ardhura më pas e sulmuan dhe ai u shtrëngua (1567) në një arrati të turpshme sëbashku me kushëririn Francis Drake. Arkëtar (1573) dhe në pas kontrollor i marinës mbretërore, mori pjesë me gradën e Kundëradmiralit në luftën kundër "Invincibile Armada" spanjolle (1588). Në vitin 1590, tentoi që të kapë flotën spanjolle që sillte flori nga Bota e Re në Spanjë, por arriti në Antille pa mundur ta kapë. Më 1595, shoqëroi kushëririn Drake, në një ekspeditë tjetër jo të frytshme në Indinë Perëndimore, ku dhe humbi jetën. Qe një prej lundërtarëve më të zjarrtë në shërbim të Mbretëreshës Elisabeth dhe ndër të parët që praktikoi luftën korsare. Djali i tij Richard, komandant i një anijeje, në luftën kundër "Invincibile Armada" spanjolle të 1588, me "Dainty" dhe me dy anije të tjera, u nis më 1593 drejt kolonive spanjolle në Amerikën Jugore, me qëllim plaçkitjen dhe jo për të tentuar zbulime gjeografike, siç pohon në kujtimet e tij. Pasi kaloi nga Atlantiku në Paqësor nëpërmjet Ngushticës së Magelanit, plaçkiti bregun kilian, deri kur, i plagosur dhe me "Dainty" në prag të mbytjes, ju desh që t'u dorëzohej dy anijeve spanjolle. I kapur, u dërgua në Europë, nga ku u lirua më 1602. Arriti gradën e Nënadmiralit dhe luftoi piratët algjerianë në Mesdhe. Vdiq në Londër në vitin 1622. Nga ai mbesin "Vëzhgime lidhur me udhëtimin në detet e jugut". Korsar tjetër i njohur i konsideruar xhentëlmen qe Walter Raleigh, që pasi kish luftuar në Francë për kauzën hugenote (1569 - 1576), në vitin 1578 ju kushtua karrierës marinareske me vëllain për babë Sër Humphrey Gilbert, duke kryer një udhëtim të parë në Terranova. Në vitin 1580, u vu në shërbim të Robert Dudley, Kont i Leicester, dhe luftoi në Irlandë. I bërë favoriti i Mbretëreshës Elisabeth I, pati dhuratë monopole tregtarë fitimprurëse dhe zotërime të mëdha në Angli e në Irlandë. Në vitin 1584, financoi një udhëtim eksplortimi përgjatë brigjeve të Amerikës Veriore, midis Florida dhe North Carolina, duke i dhënë emrin "Virginia" (në nderim të Mbretëreshës Elisabeth I, e quajtur "Mbretëresha e Virgjër") një territori të madh. Në periudhën 1585 - 1587 pasoi një tentativë kolonizimi (zbarkim në ishullin Roanoke), por pa sukses. I zëvendësuar në vitin 1587 nga rivali Konti Essex në favor të Mbretëreshës, u burgos më 1592, pse i kish marrë mendjen një shërbëtoreje të kësaj, me të cilën u martua. Në vitin 1595, rifilloi aktivitetin marinar dhe eksploroi brigjet e Amerikës Jugore, duke shpresuar që të zbulojë përrallorin Eldorado; kështu mori pjesë në kapjen e Kadiz (1596); në vitin 1601 mori pjesë në shtypjen e represionit të rebelimit të Kontit Essex, duke u paraqitur si kapiten i gardës në ekzekutimin e tij. Epoka e korsarëve të mëdhenj anglezë përfundoi me vdekjen e Mbretëreshës Elisabeth në vitin 1603. Pasuesi i saj, Jack I, ishte mbret paqësor, bëri paqe me Spanjën dhe la të bjerë flota: pasoja qe që një numër i madh marinarësh mbeti papinë dhe që rinia e papërtueshme, tashmë e nisur drejt aventurave të litarit, u gjend e zhgënjyer dhe e pakënaqur. Asnjë mrekulli nëqoftëse mbretërimi i Jack I shënon dekadencën e luftës krosare dhe rilindjen e piraterisë në Angli. Me ardhjen e Jack I, Raleigh u burgos (korrik 1603) me akuzën, e pabazuar, se kish komplotuar kundër tij. I gjykuar në nëntor, u dënua me vdekje, por vendimi nuk u ekzekutua dhe mbeti i burgosur në Kullën e Londrës deri në mars të 1616, i liruar me qëllim që të komandonte një ekspeditë në Guyana, në kërkim të një miniere floriri, pa rënë në konflikt me kolonët spanjollë. U nis në mars të 1617, duke arritur në dhjetor në derdhjen e lumit Orinoco, por floriri nuk u gjet dhe njerëzit e tij u ndeshën me spanjollët. Për këtë arsye, në rikthimin e tij në Londër, sipas impenjimit të marrë me ambasadorin spanjoll Gondomar dhe në bazë të vendimit të vitit 1603, Jack I e dënoi me dënimin kapital. Midis shkrimeve të tij, përveç poezive të shumta, kujtohen përshkrimi i Guyana dhe një histori e botës, e mbetur e papërfunduar. Atij i dedikohet kultivimi i duhanit në Angli dhe, sipas disave edhe ai patates. Në epokë të mëvonshme nuk mund të lihen pasdore aventurat e korsarit Capitan William Kidd. I transferuar ende i ri në New England, rezultoi shpejt një njeri i detit i aftë dhe kurajoz, duke fituar mirënjohje publike për shërbimet e bëra kolonisë gjatë konfliktit me New France. I shkuar në vitin 1695 në Angli, siguroi nga Williami III emërimin si kapiten fregate, me detyrën që të shtypë piraterinë dhe sidomos të luftojë korsarët francezë shumë aktivë në Botën e Re. I nisur nga Plymouth në vitin 1696, me anijen korsare "Adventure Galley" në drejtim të New York, pasi kish hasur për disa kohë brigjet amerikanoveriore, ndryshoi kurs, duke u drejtuar për Madagascar, ku ju kushtua piraterisë (1697 - 1699). Me t'u kthyer në Amerikë u demaskua dhe u arrestua. I kthyer kështu në Angli, i njohur si fajtor vrasjeje dhe piraterie, u var. Përmendëm pak më parë korsarët e frikshëm francezë: mbi të gjithë Jean Bart, pinjoll i një familjeje me tradita detare, që filloi si muço në moshën 17-vjeçare, duke shërbyer në anijet e holandezit De Ruyter. U kthye në atdhe në vitin 1672, kur shpërthyen luftimet midis Francës dhe Hollandës. Nga 1672 deri më 1678, demonstroi aftësi të jashtëzakonshme komanduese, në drejtim anijesh korsare. U emërua si toger fregate më 1679, kapiten fregate më 1686. Në vitin 1689 shpëtoi një karvan tregtar nga sulmi i dy anijeve angleze. I kapur nga anglezët bashkë me Forbin, 12 ditë më vonë të dy arritën që arratisen dhe të arrijnë Francën. Kapiten fregate në vitin 1690, çau bllokimin e vendosur ndaj Dunkerque nga 39 anije anglo - hollandeze dhe rifilloi luftën korsare, duke konfirmuar në aksione të shumta gjakftohtësi, kurajo dhe vlera luftarake. Komandant skuadre më 1691, siguroi mbërritjen në Francë të karvanëve të ngarkuar me grurë, për të cilin kishte nevojë ekstreme. Në vitin 1694, sulmoi skuadrën e Admiralit Hidde de Vries, të formuar nga anije hollandeze, daneze dhe suedeze: duke i drejtuar me sulm njerëzit e tij, duke kapur anijen e admiralit armik, duke vënë në arrati pjesën tjetër të flotës dhe duke rikuperuar 120 anije plot me grurë që i çoi në portet franceze. Pasardhësit e tij arritën detyrat më të larta të Marinës Mbretërore Franceze: djali i madh i tij, Francois Cornil, vdiq Nënadmiral në vitin 1755 dhe mund të konsiderohet si njeriu i detit më i madh që ka pasur Franca. Për t'u kujtuar edhe Robert Surcouf, i cili praktikoi rrugën korsare larg nga Saint-Malo, qyteti i tij i lindjes. Baza e tij ishte ishulli Mauritsius në Oqeanin Indian, në atë pronësi franceze, nga i cili plaçkiste anijet tregtare angleze që bënin rrugën e Indisë. Ishte i famshëm jo vetëm për aftësinë në luftën korsare, por edhe për kurajon. Nuk i linte asnjëherë pistoletat e tij, të dekoruara mjeshtërisht. Një herë luftoi kundër një dyzine ushtarësh prusianë, duke dalë fitimtar. Korsari Jean Lafitte, i lindur në Haiti, qe edhe pirat, trafikant skllevërish dhe kontrabandist. Sëbashku me vëllain e tij Pierre, komandonte një bandë, e cila në vitin 1807 mbante rreth një të dhjetën e të gjitha punëve të qytetit Neë Orleans. I deklaruar si i jashtëligjshëm për kontrabandë skellvërish, Jean e siguroi faljen pse kish mbrojtur qytetin nga një sulm në luftën e vitit 1812. Aktet e piraterisë së Lafitte drejtoheshin sidomos kundër anijeve spanjolle në Gjirin e Meksikës, pasi theksonte se këto qenë akte legjitime lufte korçare, duke shfaqur letra autorizimi. Por plaçkiste edhe anije amerikane dhe, nga bastioni i tij në Barataria Bay, në afërsi të Neë Orleans, drejtonte në mënyrë sekrete edhe tregtinë e skllevërve. Edhe Italia pati korsarët e saj, si ligurasi Enrico Pescatore, Kont i Maltës, Admiral i Frederick II të Svevia, dhe nicasi Giuseppe Bavastro, kapiten i portit të Algjerit në shërbim të francezëve (1830), i cili praktikoi me sukses luftën korsare kundër anglezëve. Bavastro diti të përfitonte nga cilësitë evolutive të shabekëve të sipërpërmendur, të cilat nuk ngurronte t'i përdorte për të kapur anije lufte angleze. Midis shumë ndërmarrjeve të shumta për të cilat u bë i famshëm, mund të kujtohet ajo e kryer më 1803 përpara Gjibraltarit: në komandën e "Intrépide", një shebek modest i armatosur me 3 topa, Bavastro kapi njëri pas tjetrit anijet angleze "Astrea" dhe "Mary Stevens", të cilat dispononin një fuqi të përgjithshme zjarri dhjetë herë më të madhe. Në vitin 1815, Mbretëria e Sardenjës nderoi gjysëmgalerat e lehta të saj, të cilave ju besuan detyra vigjilimi të detrave të afërt: bëhej fjalë për "Beatrice" dhe "Liguria", të armatosura me 5 topa. Në vitin 1839, kur më së fundi "Beatrice", anija me rrema e fundit e mbijetuar nga lufta u nxorr jashtë përdorimit, ajo përfaqësonte një fosil të gjallë në një periudhë në të cilës Mesdheu tashmë përshkohej kryesisht nga anijet me avull. "Beatrice" nuk do të ishte anija e fundit me vela latine, që ka mbajtur flamurin e marinës së luftës italiane: Në Detin e Kuq, Marina Mbretërore Italiane mbajti në shërbim deri në fillimet e Nëntëqindës një flotë sambukësh arabë, me detyra mbikqyrjeje dhe shtypjeje të kontrabandës. Një objekt i shenjtë i ruajtur në një kishë të Vernazza (Cinque Terre) kujton pambukun "Cervo", të mbytur në jug të Adenit pikërisht teksa po gjuante piratët. Një kuriozitet: duket se vetë Cristoforo Colombo e kish praktikuar piraterinë për llogari të Renato Anzhuinit (rrethana mbështetet nga kush përqafon tezën e Colombo kushëri të afërt me një korsar Coulon). Në luftën korsare, u shpreh padiskutim një etje për aventurë jo e privuar nga një poezi e dëshpëruar, që në disa figura të jashtëzakonshme mundi edhe të ndriçojë një shpirtmadhësi bujare të caktuar. Por është akoma më shumë jashtë dyshimit se në bazat e saj qëndrojnë gjithmonë tendencat njerëzore më primitive dhe më të dhunshme të abuzimit të njërit ndaj tjetrit, që zbulojnë edhe tek personazhet më të guximshëm dhe sypatrembur shpirtra të dobët dhe antisocialë.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA





