Miti dhe njeriu, keqkuptimi Bethoven

RAMON GARCIA-SIEMSEN


Njërit prej shërbëtorëve të tij ai ia hodhi librat në kokë dhe pastaj karrigen. Asnjë gjurmë pendimi: "Pas kësaj pata gjithë ditën qetësi", - shkruan Ludvig Van Beethoven në ditarin e tij për këtë ditë. Kur një princ i tha një herë se në vend të tre fagotëve do të mjaftonin dy, Bethoveni u përgjigj: "Nëse ju do t'i organizoni në këtë mënyrë instrumentet, atëherë unë e menderos gjithë këtë punë mu në të". Të punësuar, aristokratë, botuesit e tij, të gjithëve ai u nxirrte bojën.

"Van Bethoven, pronar truri"

Shumicën e atyre që dimë për Bethovenin ne i dimë nga letërkëmbimet e tij dhe nga ditari i tij. Krejt ndryshe nga bashkëkohësi i tij, Gëte, me të cilin ai nuk kuptohej mirë, Bethoveni nuk ka dëshirë fare ta paraqesë më të mirë se është veten. Në letrat e tij ai shkruan për keqësinë e njerëzve dhe për pengesat e shtresës shoqërore, të cilat ia ndalojnë atij kontaktin me zonjat që i pëlqenin. Ai nuk e inskenon veten si njeri të mrekullueshëm e fin, edhe miqve që ka, ai u thotë fjalë të rënda. Kur i vëllai bleu një herë një copë tokë dhe që atëherë nënshkruante "Van Bethoven, pronar toke", Ludvigu iu përgjigj: "Van Bethoven, pronar truri". Princit Lihnovski, njërit prej mbështetësve të tij, ai i shkroi: "Princ, ajo që jeni ju, jeni për shkak të rastësisë dhe familjes ku keni lindur, ajo që jam unë, jam përmes vetes sime; princa ka pasur dhe do të ketë me mijëra; Bethoven ka vetëm një".

Bethoveni për të gjithë

Letrat e Bethovenit janë si një gurore, prej së cilës në fund të fundit mund të nxjerrësh atë që ke nevojë për momentin. Ka shprehje të tij, të cilat të bëjnë të mendosh se ai ka mendje revolucionare, të tjera që flasin për qëndrim elitar të tij.

Kjo lidhet me estetikën e tij muzikore dhe çoi më vonë në përpjekje pjesërisht absurde për ta futur Bethovenin në kallëpe të caktuara: “Simfonia e nëntë” u luajt p.sh. në vitin 1937 për datëlindjen e Hitlerit. Edhe lajmi për vdekjen e Hitlerit u shoqërua në radio nga muzika e Bethovenit. Por që më parë, në Republikën e Vajmarit, në kohën para Luftës së Dytë Botërore, Bethovenin u përpoqën ta instrumentalizonin politikisht. E djathta theksonte atë që ajo e quante qëndrim armiqësor ndaj francezëve dhe shihte te ai një "natyrë luftëtari titan". E majta e barazonte natyrën revolucionare të muzikës së tij me efektin politik. Një gjë e cila vazhdoi edhe në RDGJ. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bethovenin e vunë në shërbim të propagandës së RDGJ-së, Bethoveni si luftëtar për paqen botërore.

Artist me hënë?

Që t'i veshësh Bethovenit vetë synime politike, megjithatë është më se e tepruar. Shumë të ndryshme janë ato që ka shprehur ai. Bethoveni kërkonte rrugë të reja në muzikë, rrugë përmes të cilave ai ndër të tjera fitonte shumë para. Bethoveni ishte i njohur për sensin e zhvilluar për të bërë tregti. Megjithatë, ai jetonte në një shtëpi gjysmë të rrënuar në afërsi të Vjenës dhe nuk i kushtonte thuajse fare rëndësi pamjes së tij të jashtme. Tek bashkëkohësit e tij Bethoveni duhet të ketë lënë përshtypjen e një njeriu jokonvencional. Bethoveni mbeti beqar, ai dashuronte muzikën - paradite kompozonte, pasdite dilte shëtitje, në drekë hante mirë. Në perceptimin e shumë njerëzve ai deri sot ka mbetur si një muzikant madhështor, por njeri i vështirë - përshtypje kjo e mbështetur nga qindra tablo dhe buste për të, me një frizurë të egër dhe me vështrim serioz. Shpesh megjithatë, këtu harrohet pjesa që luante në të gjitha këto tragjedia e tij, që ai ishte shurdh.

Shurdhëria e Bethovenit

Bethoveni është pak më shumë se 30 vjeç, kur bëhet e qartë se ai nuk mund ta fshehë më vështirësinë në të dëgjuar. Një muzikant shurdh? "Veshët e mi më fishkëllejnë dhe bëjnë zhurmë pa pushim, ditën dhe natën", - shkruan ai. Ai madje shkruan edhe një letër lamtumire, të cilën megjithatë nuk e dërgon. Në të gjendet një nga fjalitë më të njohura të Bethovenit për veten: "Oh, ju njerëz, që më mbani për grindavec, kokëfortë dhe mizantrop, ç'padrejtësi të madhe më bëni".